E bukura Shqiperi

Çfarë na bashkon dhe na ndan ne si shqiptar? – Ne shqiptarëve na bashkon gjaku dhe gjuha. Na bashkon trungu i fortë antik pellazgo-ilir. Na bashkojnë gjenet e njëjta dhe formimi jonë psikik e shpirtëror, që e ka burimin nga parahistoria njerëzore. Na bashkon arti dhe kultura e njëjtë shekullore. Na bashkon emri Shqipëri dhe shqiptar. Na bashkon kombi shqiptar. Na bashkon besa e burrëria që janë dallesa më e shquar e shqiptarit, të cilat ndër shekuj e mijëvjeçarë ka rrezatuar vetëm besnikëri etj…

Ne shqiptarëve na ndan ideologjia. Njeriu si qenie inteligjente me logjikë, vetëdije dhe ndërgjegje, gjatë historisë së tij të lashtë, ka krijuar dhe zhvillon lloj-lloj ideologjish. Prandaj dhe nuk ka individ pa ideologji. Ideologjitë janë të shumëllojshme, sepse njerëzit nuk janë identikë, por çdo individ është qenie unike, kuptohet se të gjithë njerëzit nuk mund të kenë një ideologji. Dëmet që shkaktojnë ideologjitë janë fërkimet në politikë, polemikat e ashpra, ofendimet reciproke, gara e egër për pushtet, lufta e klasave të pasurve dhe ato të varfra etj.

Shqiptarët nuk munden dhe nuk bëjnë përjashtim nga ekzistimi i pluralizmit të ideve dhe ideologjive. Rreshtimi i shqiptarëve në disa ideologji nuk është tragjedi, por një fenomen i natyrshëm, nga i cili nuk mund të shmanget. Pretendimi dhe tendenca për dominim vetëm të një ideologjie mbi të tjerat do të na çonte në një luftë civile, në vëllavrasje dhe në diktaturë. Ndarja krahinore! Kjo është plaga më e madhe, më e përgjakur dhe më vdekjeprurëse e kombit shqiptar! Pra, ndarja lokaliste, bajraktariste, fisnore, klanore dhe krahinore e shqiptarëve ndër shekuj dhe mijëvjeçarë. Këtë plagë e kemi trashëgim (mjerisht) që nga paraardhësit tanë antikë pellazgo-ilirët.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top