E bukura e vetmuar

Shkruan: Edison Ypi

Para një muaji nuk ekzistonte. Shpërtheu befas si pikë e vogël e gjelbër mes agonisë së dimrit në një nga këto ditë prilli, gjatë një agu të kësaj pranvere. Me kalimin e ditëve u shtri, u zgjat, u zgjerua, u rrit, u zmadhua proporcionalisht në harmoni të përsosur me numurat e Fibonaccit.

Gjatë ditëve të ftohta tkurrej, mpakej. Gjatë ditëve të ngrohta rritej me vrull. Dielli e përkëdhelte, e ngrohte. Drita e zbukuronte. Era e tundëte. Kurrë nuk ndalej. Vazhdimisht lëvizte. Luhatej, lëkundej, vallzonte, nga një erë e padukëshme, edhe kur erë nuk frynte. Një ditë mbi të kaloi një zog që donte të ulej, të shplodhej. Zogu e preku pak me krahë. Ajo u përkul, ndjeu peshën, dhimbjen. Zogu kuptoi se po të ulej do ta shkatërronte, do ta këpuste. I erdhi keq, dhe iku.

Një ditë u gdhi e mbuluar me glasa. Nuk mbeti gjatë në atë gjendje. Pas pak ra një shi i lehtë që e shplau, format mahnitëse ja rivendosi, nurin ja ktheu. Një ditë tjetër ra rrebesh i madh, u grisën e u zbrazën qiejt. U përkul e u përdrodh nga dhimbjet me mijëra herë. Sulmeve të stuhisë dhe pikave të shiut u qëndroi. U mbajt. Nuk u dorëzua. Mbijetoi.

Pas rrebeshit doli më e fortë, më e freskët, më e gjallë, më e sigurtë. Gjatë një nate të errët u tund dheu nga bubullimat dhe shkrepëtimat e qiellit. Në mëngjez mu mbushën sytë. Kujtova se aq e pat, nuk do ta shihja dot më. Gjatë asaj nate të skëterrshme do ishte lodhur, do kishte rënë, do ishte fikur, do ishte zhdukur, do kishte vdekur. Jo. Kishte vuajtur, ishte torturuar, dhe kishte mbetur e gjallë. Atë mëngjez u çfaq edhe më e ndritur, edhe më e bukur.

Ndërkohë, pas saj, dolën të tjera me mijëra. Por ajo ishte e para. Këto ditë që pranvera e jetës erdhi, e derisa vjeshta e rënies të vijë, kryeveprën me bisht, të bukurën e vetmuar, gjethen heroike, do vazhdoj ta adhuroj nga dritarja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.