Shkruar nga At ZEF VALENTINI, botuar te Shejzat, nr.1-5/1957
Ká letërsi direkte e ká letërsi reflekse. E para âsht ajo qi synon si objekt të punimit të vet ndonji gjâ, ndonji ndodhje, ndonji njeri, në daç, edhe ndonji ndiesí, ndonji gjendje shpirtnore të njeriut, qoftë edhe të vetë letrarit. E dyta përkundrazi synon jo aq të tilla gjâna a ndiesí, por punën letrare të letrarit, ndiesít e gjendjen shpirtnore të tijën si letrár, në pregatitjen e në punimin e tij.
Këto dy mënyrë quhen edhe, zakonisht, letërsí e kritikë, (a theori) letrare, por, për arsyenat qi do të ceken mâ andej, na vjen mâ për dore të thomi letërsi direkte e letërsi reflekse.
Tue vërejtë në ketë pikpamje historín e letërsisë shqiptare, bje në sy se ndër vjetët qi kanë kalue, mbassi filloi me u zhvillue shkolla e mesme shqiptare, letërsija komtare muer nji drejtim qi nuk pata përparandej. Po thomi me qellim, “shkollat e mesme”, e jo “studim i naltë letrar ndër universitete”, jo aq pse pak qenë studentat letrarë universitarë, por pse nji pjesë me rândësi e letërsisë shqiptare q’atëherë e mbrapa qe vepër studentash të shkollavet të mesme, ase letrarësh të rinj me shkollë të mesme, këta flet mirë për zotsinë e tyne, për shpirtin e pregatitjen qi nji shkollë e tillë dijti me u dhanë në nji periudhë qi pra u duk e duket e dobtë dhe e pasigurtë; por edhe na kujton se bashkë me guximin e bukur të moshës së ré, ka për të paraqitë domosdo shêje mitunije, të lëvdueshme ndoshta në nji letërsí direkte, por të dyshimta në nji letërsí reflekse.
Njimend edhe në kohnat e para e deri në 1924 e aty pari, posë letërsís fjesht popullore, (sikurse kângët, përrallat, proverbat…) e posë letërsís shpirti e trajte popullore sikurse romanxa e shum poezi shkalle së përvujtë, e deri në vepra arti të vërtetë (si Lahuta e Malcísë, Hanko Halla), ká qenë edhe nji letërsi e lavrueme, jo vetëm me një vetëdije letrare a artistike. (De Rada, Asdreni, Skiro, Palaj, Poradeci…) por edhe me nji përpjekje të qartë për të marrë mbrapa e-kush e din?-me u dalë ; letërsivet të hueja, sidomos mâ të mëdhajavet e klasike (N. Frashëri, Mjedja, Koliqi…). Këta nënkupton studim, analyzë, dije reflekse të vëlernavet e të mjeteve të shprehjes letrare.
E këta vazhdoi edhe mbrapa. Por të rijt nepër shkolla ( a të nxitun nga shkolla e nga shtypi letrár, sikur rivistat mâ në shêj, e “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Shkëndija” etj.), nxuen edhe histori e kritikë letrare. Rivistat kulturore e bânë shesh i polemikave kritike e theorije të përgjtihëshme letrare, shpesh herë prej anës së të rinjve, të shumtën e herës me nji interesim të të rijvet ndoshta mâ të gjallë, mâ të nxhehtë, e-të thomi edhe-mâ kompetent se për çdo çâshtje tjetër.
Me fjalë të tjera, përparandej shkrimtari letrár, qoftë populluer, qoftë i ditjun, me u pasë pëvetë, nemos “pse kështu m’a thotë zemra”, e “pse kështu e lypë ky zanát”. Përkundra n’atë periudhë të mbrame qi thamë, letrari i ri do të kishte përgjegjë me nji theorí të përgjithshme hestetike si mbas lëvizjes shpirtnore në të cilën ishte rritë secijlli, apor së cillës i ishte dhânë; u panë kështu klasicista, ekspresjonista, impresjonista, idealista, parnasjanista, simbolista, surrealista, titanista, hermetikë, as nuk munguen do esistencjalista ante litteram.
Çudí e madhe për atë qi të kujtojë fenomenet e mâvonshme, materjalista s’ka pasë, veç pak a aspak, ndërsa nuk munguen, “crocianë” mu ndër ata qi mbrapa, së paku politikisht, u dhanë mbas materjalizmit marksist-leninist-stalinist (krushevjanë, si duket, në Shqipní deri sot nuk ká): Ottepel-i Ehrenburgu-ut nuk pat shkollë në Shqipní, por, në qoftë, vetëm Nëna e Gorkit.
Zakonisht nji fazë e tillë në letërsí a në art, përgjithësisht âsht fazë e shtyme kah dekadenca; kështu qi na do të kishim në historí letrare të Shqipnis, mbas nji periudhe shum të gjatë të fillesavet, nji periudhë mjaft të shkrutë letërsije së pëprunumeme (1880-1924) e fill periudhën dekadente.
Porse fenomenet reflekse nuk përbâjnë gjithmonë nji periudhë dekadence, por ndonji herë nji periudhë letrare si çdo perudhë tjetër në të cillën interesimi shkon kah nji objekt a nji vëlerë qi në periudha tjera nuk tërhiqte. Këta sidomos kur nuk ndodhë prej së lodhunit të nji letërsísë shekullore të vjetrueme, por nga shqetsija e dishirit të lamijeve e të guximevet mâ të hapta a të nalta.
Objekt letërsije e arti numd të jetë padyshim bota e përjashtme shka dikur quhej natyra, por me aq të drejtë e ndoshta edhe me të drejtë mâ të madhe, objekt arti mund të jetë edhe vetë njeriu e sidomos jeta e përmbrêndshme e njeriut, ndiesít, vegimet, aspiratat e tija. Madjè, pá nji interesim të tillë, art nuk ká, në qoftë se vërtetë arti mund të jetë edhe vetë njeriu e sidomos jeta e përmbrêndshme e njeriut, ndiesít, vegimet, aspiratat e tija. Madjé, pá nji interesim të tillë, art nuk ká, në qoftë se vërtetë se arti âsht krijesë e njeriut, në qoftë se mund të thomi se vetëm atëherë fillon arti ku objekti nuk fotografohet, po merr disi trajtën e vetë artistit, tue jetue disi jetën e tij. Prandej edhe ndër periudha sado primitive t’artit kemi pasë pothue trajtat të gjitha të transfigurimit artistik, sikurse stilizimi, poezija epike, poezija lirike, edhe pâ thânë se në çdo poezi nji shkallë lirike preket gjithmonë, ndryshej art nuk ká.
Të marrim tash, për shembull, nji objekt sakt jo të rrallë vegimi artistik:historín;në kohna primitive poezija historín e ká çue në shkallë t’artit sidomos me trajtën e kallximit epik;aty poeti qi jetonte po at jetë e po ato ndiesí të herojvet të vet, jetonte edhe veprat e tyne, pa vështirsí të madhe e me nji farë spontanejteti, pse aj vetë disi ishte nji prej tyne.
Mâ vonë, tue jetue njerzit nji jetë jo aq primitive, por mâ materjaliste a mâ shkencore, sidoqoftë mâ shkencore, sidoqoftë mâ artificjale, e prandej mâ pak poetike, shum mâ të vështirë qe të gjêjshin nji objekt mjaft lirik për të bâ poezi epike, e, të kishin dashtë me marrë fakte të vjetra, do të jetoheshin ndiesi të tjera, të reja, personale, pá marrë në dorë për së tepri shpirtin e asaj historie. Në kohna moderne u gjetën edhe studjuesa me shpirt poetik të shoqnuem me shpirt shkencuer, të cillët përnjimend, me ato njoftime qi kishin, jetojshin jetën e shpirtin e vjetër, njaq sá,mund të jetohet prej nji moderni:kështu nji liricitet e kishin, e këtij i shtojshin edhè atë fuqí lirike qi jep misteri i gjânavet të vjetrae prandej të bindueshme (shum frengë të shek XIX, Carducci, Undset e sá romanxherë historikë).
Pá mërrijtë në nji shkallë të tillë, vështirë mund të thuhet se ká art. Ká mâ tepër retorikë, d.m.th. nji gjurmim efektesh artistike jo me anë ndiesísh të vërteta e spontane, por em anë mjetesh të zanatit, në qoftë aty nji vëlerë (edhe mund të jetë), âsht vëlerë mënyre e jo reale. Të rijt mund të kenë shpesh nji mënyrë arti sikurse mund t’a kenë ata studjuesa qi mund të rijetojnë kohnat e shkueme, e këta mund të jenë të sinqertë. Ká edhè asish qi zotrojnë nji mjeshtri mjaft të përmbarueme; por vështirë âsht të mërrijnë në nji shkallë realizmi qi vetëm eksperjenca e jetës mundet me e dhânë; e atëherë ndiehet në veprën e tyne se mungon ajo martesë fatlume ndërmjet subjektit e objektit qi përbân shka mund të quhet përnjimend vepër arti.
Kúr për fat të zi këta të rij e bâjnë atë retorikë jo vetëm nji mënyrë ushtrimi letrar, por nji rregull a nji mënyrë jete, jeta e tyn e del jashtë faze. E kúr për mâ tepër me nji të tillë poezi a retorikë, çojnë zânin e përpiqen të bâhen drejtuesat e tjervet, kúr, mâ zi edhè, ndigjohen prej tjerësh, nuk del vetëm fati zi zí i poezís a i artit, por edhè i ejtës individuale e të përbashkët. Kjo gjâ u ngjau shum letrarëve të rij shqiptarë ndërmjet dy luftave të mëdhaja. Nuk po thomi se vetëm atëherë; por atëherë në nji mënyrë të veçantë, prejsè të rijt aso kohe nuk kishin nji objekt të gjallë, konkret, të çelun për veprimtarín e tyne, e prandej s’kishin veçse a ândraa apo të kthyeme e të vonueme në kohna jo fort të vjetra, por krejtësisht të kalueme.
Kështu doli retorikë nji pjesë e madhe e letërsisë patritotike, jo pse ndiesit nuk ishin të sinqerta, por pse aspirtat ishin irreale.
Sot në Shqipni kâ hy mendësiaj materialiste: nuk âsht nevoja të thomi ase të provojmë këstu se âasht e gabueme dhe e rrêjshme; porsè nuk kà gabim qi të jetë vetëm gabim e qi të mos jetë mâ fort nji reakcjon i tepruem kundrejt ndonjij gabimi tjetër:si teprim, âsht gabim: si reakcjon, e ká asè mund t’a ketë funkcjonin e vet të dobishëm.
Funkcjoni i materjalizmit do t’ishte me thirrë përsërí njerzín kah nji konsideratë mâ realistike të punvet të jetës, sidomos shqonore. Nuk mund të thomi se e bân përnjimend gjith herë, se e bân me të vërtetë mirë, e sidomos se e bân menjiherë: në Shqipnín e sotme, p.sh., letrarët e rij janë mjaft retorikë, njaq sá qenë vëllaznit e tyne mâ të mëdhjej ndërmjet dy luftave; ndoshta âsht nji tjetër retorikë, por retorikë âsht, pse letrarisht mâ e dobtë. Por ndoshta nesër diziluzjoni mund të vêjë për fije, sëpaku pjesërisht, edhè iluzjonet e sotshme.
Rinija shqiptare e sotshme qi gjindet në mërgim nuk ká mundësi të shumta për t’u dhânë mbas letërsije, e sidomos për të btoue veprat e veta, e prandej për t’u u dhânë nji përhapje e nji fuqi vepruese shoqnore: porsè krahasimet qi mund të bâjë me realitetin e botës mâ hapët në të cilën jetojnë, sëpaku mentalitetit, në mos letërsís së saj, mundet me i dhânë at konkretizim pâ të cillen çdo letërsi âsht ândërr: e çdo ândërr mund të ketë ndonji ngjyrë të rrallë e të çuditshme, por nuk mund t’u kallxohet padá tjervet për pá i mërzitë. Merzija nuk âsht qëllimi i letërsís, e qyshë në kohë të veta Galateo i t’Imzot Della Casa porositte njerzit e mirërritun mos të përvetsojshin vesin me kallxue ândrra tue qênë se nuk gjindej njerí mê i merzitshëm se aí që kâ nji ves të tillë.
Nji realizëm prandej mund t’a fitojë rinija qi jeton sot në Shqipni: nji tjetër rinija e mërgimit; ndoshta, tue i bashkue, mund të dalë nesër nji shpirt mâ i gjallë për letërsín shqiptare qi do të vijë.Këta natyrisht, në rasë se qindron gjallë mundësija letrare. Kjo gjâ mvaret nga dy fuqí: shpirti lirik e shprehja gjuhësore.
Nuk kemi shum besim në liricitetin kolektiv të përpjekjevet të planifikueme të mytir të punës, të ndërtimit, etj.; në pastë edhè Naimi nji frymë lirike kúr thonte “punë punë nat’ e ditë-që të shohim pakë dritë!” lirika nuk ishte gjithaq në myt të punës, sá në dishír të dritës, a-mâ fort edhe –në kujtim, ndiesí, përmallim të vuejtjes s’errësinës.
Sá për vuejtje-materjale e shpirtnore-nuk dyshojmë se ká mjaft në rinín e sotshme shqiptare, qoftë n’atdhé, qoftë në mërgim.
Shka na bân të dyshojmë mâ tepër âsht vorfnimi i shprehjes letrare. Gjuha popullore, gurra e vërtetë, gurra e vërtetë e shprehjes letrare jo retorike, drue se sot âsht, në mos tue hupun (sha nuk ndodhë kurr) tue bjerrun atë fjeshtësí, pastrí, origjinalitet të vet, qi mujte me i shênjue letërsís shqiptare nji vend të veçantë kundrejt letërsivet të hueja (mjaft të lexohen përpjekjet letrare të soçme, asè ai poshtënim qi âsht fjalori i gjuhës shqipe, i botuem nga Instituti i Shkencavet të Tiranës.
Nuk e kemi vetëm vërshimit të shprehjevet të hueja (çudi e madhe, sot, me gjith mënín zyrtare kundra Italis, e me gjith miqsín zyrtare me Rusí, gjuha e përdorun nga shtypi shqiptár i Shqipnís âsht dy herë aq e italjinazueme se kurr, e nga gjuha ruse janë marrë pothue vetëm terma burimi latin!) por e kemi sidomos kudnra vërshimit të terminologjisë shkencore e teknike, d.m.th. abstrakte e pá jeh ndiesimtár, d.m.th. pá mundësí lirike.
Shpresa prá për nji t’ardhëme të letërsís shqiptare nuk ká hupë, por mvaret mâ së forti nga shpëtimi i gjuhës si shprehja e ndiesís e jo vetëm si vegël për nevojat e jetës a të vëzhgimit të ftohtë të ditujnís e të teknikës.