SHKRUAN: KIMETE BERISHA
1. Shqiptarët e Kosovës s’janë muslimanë i tha Kryeministri gazetarit të BBC-së, prandaj Evropa s’ka arsye t’i paragjykojë shqiptarët (dhe bile as që i paragjykon), sepse e di Evropa se jemi popull i Skënderbeut.
Ne i harrojmë e i nënçmojmë prindërit që na kanë rritë me thërrime (ik se po t’vjen era hudër), pleqve tanë ua nxijmë jetën; ne ia marrim inat edhe vetes plus, e çojmë veten posht’ dhe ndodh heqim dorë edhe nga dëshirat tona, të gjitha dashuritë tona shuhen pra, përveç dashuria ndaj Skënderbeut… prandaj e di Evropa se për çfarë dashurie të fortë bëhet fjalë këtu, për dashuri të përjetshme, dihet.
Jemi popull i Dua Lipës (tha Ramushi), e cila pardje, u mbulua me shamia, kur e vizitoi një xhami në Abu Dhabi, dhe u mrekullua prej bukurisë që pa në të. Edhe kjo të bën musliman të përkohshëm.
Se nuk ka nevojë të jesh 24 orë musliman. Askush nuk rri duke menduar veç për Zotin kurrë pa pushu. Mjafton 2-3 orë, maksimumi gjatë orarit të punës me qenë musliman. Mjafton të jesh njeri i mirë 3-4 orë në ditë mos me bë asnjë gabim, a di çka do të thotë, çfarë fitoreje mbi të keqen është kjo!
Evropa e di se jemi plus popull i Rita Orës, e cila, anipse në brekë të kuqe shpluar i këndonte 10-të vjetorit të pavarësisë, krejt rininë shqiptare e kishte prapa vetes. I kishte pas vetes 300 mijë të rinjë shqiptarë, të cilët sikur të ishin muslimanë, siç e do rregulli, nuk do të shkonin pas asaj dhe kujtdo që nuk e mbulon prapanicën.
Pra, e di Evropa se shqiptarët e dinë Zotin hak vetëm kur shterren të gjitha mundësitë alternative.
2. Jam gati të ulem e t’ia fali krimet Serbisë (pa më kërkuar falje), tha sot Ramush Haradinaj, gjithashtu. Pra, Ramushi kur falë krime, këtë e bën vetëm në pozitën ulur. Trupi përulet kur falë, prandaj kur je në këmbë, të vjen të ikësh apo të përballesh me armikun të hakmerresh, prandaj duhet m’u ulë kur falë.
Por me harru, Ramushi kategorikisht nuk harron. E meqenëse falja është akt, kujtimet mbesin vetëm kujtime. Kështu që në momentin që falë, ti harron. Prandaj falë, që të harrosh.
3. Time Kadrijaj si kulshedër kur zbarkoi sot në Kuvend. Tha, unë nuk mendoj, për mu’ mendon Ramushi. I besoj atij, çka t’mendon ai në emrin tim, për mua është ‘ok’. Prandaj, do ta votoj marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.
4. Vjosa Osmani nuk arriti ta fsheh sot prirjen e saj ‘diktatoriale’, kur në rolin e kryetares së Komisionit Parlamentar për politikë të jashtme, një të dytën herë me arrogancë e me diktat u thoshtë kolegëve, ‘pa ta dhënë fjalën unë, ti nuk flet’.
Për keqardhje se si e prezantoi marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi: Deputetët tha i kanë dy raporte shtetërore, të Bulliqit e të Mehës, le të vendosin vet cili u duket më i mirë.
Anipse poshtë ka ra katundi, duhet me pranu se shumë me mend ka ndërhy LDK në marrëveshje dhe e ka përshtatur raportin e Bulliqit shumë mirë, u ka dhënë validitet vetëm dokumenteve zyrtare që komisioni i tij i ka shfrytëzuar, por jo edhe opinioneve të tij subjektive për raportin paraprak…por, qe, nuk kaluan as 12 orë dhe i hetoi Ramushi e i zuri në tradhti mbi tradhtinë.
Tash Ramushi rrezikon me rrëzu veten prej mërzie.
P.S. Muslimanët (ata të xhumave), për shkak të reputacionit të macës që ia jep feja në lëminë e sihireve dhe magjisë, Ramushin e thërrasin ‘Iblis’, për besë po.
Bash në kohën kur Vatikani po i trajnon me shumicë priftërinjtë për ekzorcizëm, shkaku se në Evropën moderne janë shtuar shumë rastet kur njerëzit po pushtohen nga djalli klasik.
E Kosova vërtetë është pushtuar nga kategoria më e keqe e njerëzve dhe djajve: nga hajnat, kriminelat, kabullxhinjtë, skllavopronarët dhe disa çika me buzë të fryme, nga silikoni, orgjia e dalldia, sot njeriu më i pandershëm ta tregon ty vendin e ta shkatërron jetën.
Kosova është ferri i njerëzve të mirë e të ndershëm.