EDI RAMA DHE BALLKANIA SI PROJEKT KOMUNIST

Dy tradhëtitë e Edi Ramës në Ohër

SHKRUAN: INDRIT VOKSHI

Formula “Ballkani për ballkanasit” dhe “Federata Ballkanike” janë ide të viteve 1800. Nuk kanë lindur sot, as dje. Nuk kanë qenë ide ekskluzive serbe apo malazeze por ide të Rusisë e cila në gjysmën e dytë të viteve 1800, përmes shteteve si Serbia, Bullgaria e Mali i Zi, synonte t’i coptonte Perandorinë Osmane dhe Perandorinë Austriake, mandej t’i zyrtarizonte e t’i përmblidhte interesat e saj përmes një Lige Ballkanike të shteteve të cilat do t’i kontrollonte vetë Rusia. Kjo Ligë Ballkanike kishte qëllim për të menaxhuar territoret dhe popullsinë që do të mbetej pas shkatërrimit të perandorive Osmane e Asutriake. Serbët e kishin adoptuar mirë ketë projekt dhe edhe pas shkatërrimit të Rusisë në 1918, Jugosllavia u krijua në Konferencën e Versajës edhe pa qenë faktor Rusia. Sepse Franca gjithashtu ishte pro dhe Britania nuk kishte asgjë kundër kësaj formule.

Në vitet 1990 rilindi përsëri motoja “Ballkani i ballkanasve” dhe u deklarua se problemet e Ballkanit mund të zgjidheshin pa ndërhyrjen e fuqive të huaja. Kjo ishte teza e shovinizmit ballkanik serbo-grek, tezë e adoptuar edhe në Tiranë nga e majta. Qëllimi ishte që të “mos ndërhynin trupat e huaja”. Trupat e huaja ishin Shtetet e Bashkuara. Pra kjo moto drejtohej kundër tyre në mënyrë që Millosheviçi të bënte gjithçka dhe zgjidhja pas gjithçkasë të mbetej po në Ballkan.

Ne e dimë se po të mos ndërhynin SHBA, konkluzionet dhe marrëveshjet e “Ballkanit për ballkanasit” do të ishin të dhimbshme dhe rrënuese për shqiptarët, kryesisht. Teza Ballkani i Ballkanasve i shërben ekspansionit serb sepse shqiptarët janë më pak se elementi sllav në kuptimin e fuqisë ushtarake, ekonomike dhe të hemisferës së interesave që përfaqësojnë, duke pasur një Rusi nga mbrapa. Kësisoji shqiptarëve u duhet një kundërpeshë, pasi nuk mund të rrinë brenda formulës Ballkani i Ballkanasve, formulë e qepur enkas për interesat e sllavëve. Kundërpesha janë Shtetet e Bashkuara pasi vetëm me Shtetet e Bashkuara kundërpeshë, paqja ballkanike mbahet e balancuar e nuk mbetet paqe në kurriz të shqiptarëve. Deri para vitit 1990 e deri në vitin 1999, ka qenë paqe në kurriz të shqiptarëve. Kur Aleksandër Vuçiç në takimin Vuçiç-Rama-Zaev në Novi Sad deklaron se ne nuk i kemi marrë leje askujt për ketë projekt pasi jemi vende sovrane, kuptohet qartë se ky është projekt ekskluziv ruso-serb.

Në ketë kuptim Edi Rama ka konsumuar dy tradhëti. E para ai ka faktorizuar Beogradin duke e fuqizuar si faktor rajonal me kapacitet për të ndërmarrë nisma përtej kufinjve të vet. E dyta, shqiptarët janë dakordësuar për Integrim Europian me mendimin se do integrohen me Italinë, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Belgjikën etj dhe askush nuk ka pasur në mend integrim me Serbinë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top