Duke izoluar votën e lirë, liria është kthyer në iluzion

Fjala e kryetarit të PBKD, z. Artur Roshi, mbajtur në Tryezën e Partive jo-parlamentare të djathta dhe të qendrës së dhathtë

Te nderuar kolegë kryetarë të partive jo-parlamentare!
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile !

Reforma zgjedhore ku, Vota e Lirë të shoqërohet nga rregullat e një Gare të Lirë dhe Konkurence me shanse të barabarta, për çdo subjekt zgjedhor dhe individ që merr pjesë në garë, është startimi drejt një demokracie të vërtetë europiane.

Duke izoluar votën e lirë, liria është kthyer në iluzion,
për pasojë, nga mungesa e lirisë, kemi deformuar natyrën shoqërore, karakterin e saj dhe dinjitetin njerëzor, e gjithë kjo, për të ngritur një realitet që nuk egziston, por që mban në këmbë pushtete të lakmueshme nga njerëz që jetojnë me maninë e pushtetit.

Kjo është Shqipëria sot.

Kemi qenë të vetmit në historinë politike të vendit tonë kur Mid’hat Frashëri në 1945 ngriti programin e Ballit Kombëtar Demokrat me të cilin kërkonte një sistem demokratik që ngrihej mbi votën e lirë.

Sot Partia jonë nuk është më vetëm që kërkon Votën e lirë, por edhe sikur të vetëm të ngelemi prapë, Ne do të kërkojmë sërish të njëjtën gjë, votën e lirë, sepse kemi bindjen se mirëqenia jonë dhe e ardhmja e fëmijve tanë është e pandashme nga liria e vërtetë që rrjedh prej saj.

Fuqia jonë në këtë tryezë është morali, fuqia e atyre që janë kundër votës së lirë është pushteti i tyre.

Unë besoj tek fuqia e moralit dhe përçmoj fuqinë e pushtetit pa moral.

Mungesa lirisë së vërtetë të Votës tregon se ne kemi një shoqëri pa rrënjë, ku ngrihen pushtete të rreme, që vjedhin të ardhmen e fëmijve të tyre që do të jetojnë në këtë vend.

Sot, opozita drejtuese e Koalicionit Opozitar mendon se një qeveri teknike derivate i protestës, do sjelle zgjedhje te lira.

Në kontekstin e kohës dhe të rregullave të demokracive të Europës, Ne mendojmë se shkelja e një kodi të drejtë zgjedhor nga Qeveria, do të na çonte drejt një proteste me rezultat te parashikuar për rrotacionin, dhe jo protesta drejt një kodi të drejtë.

Ne e mbeshtesim protestën për efektet e tjera të saj, për kurajon e opozitarëve se pushteti është afër rrotacionit, për të ulur agresivitetin e qeverisë ndaj abuzimit me paratë e shqiptarëve dhe për ti treguar asaj, se raporti me votuesit ka ndryshuar, por jemi skeptikë se protesta do të realizojë votën e lirë.

Kam bindjen se përmbysja e Kodit Zgjedhor që kemi sot dhe ngritja e një Ligji Elektoral të drejtë, për çdo subjek politik, ka rëndësi sepse ketu është fillimi i pushtetit të qytetarëve, që në këtë rast përkon edhe me pushtetin e Opozitës.

Referenca ligjore e Kodit Zgjedhor, kur nuk konsiderohet dhe shpërfillet nga vullnetet politike të qeverive, kthehen edhe në referenca morale përveç atyre ligjore, me të cilën krijojmë mbështetjen e padiskutueshme të ndërkombëtarëve për të mos realizuar më, zgjedhje me qeverinë Rama dhe për ti realizuar ato me një qeveri teknike, por që njëherësh shkojmë në një rrotacion të sigurt në zgjedhjet parlamentare që vijnë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top