SHKRUAN: SHENASI RAMA
Do të kisha dashtë me e qepë gojën sepse e di mirë që nuk ka njeri të interesuar me më dëgjue. Çdo herë them se lodhem kot, dhe e mundoj veten kot, dhe mbasi heq dorë e gjej veten përballë një gjendjeje që nuk mundem me heshtë. Por në këtë pikë, nuk ka rrugë tjetër përveçse me folë dhe me e lanë një dëshmi. Shqetësimi im është jashtëzakonisht i thellë. Mendoj se duke u mbështetur në rastet e njëjta është i mirëmotivuar dhe i arsyetueshëm. Dhe në fund, duhet me i rënë një këmbane alarmi.
Shqetësimi im është se në shtetet në të cilat nuk ka ekonomi ka një ecuri që është e dallueshme. Përplasja me armë i ka rrënjët tek konflikti për kontrolin e burimeve natyrore (ndër të tjera: nafta, diamantet, titaniumi, droga). Pastaj kjo kalon në përçarjen shoqërore në bazë identitetesh (etnia, feja, identiteti). Dhe në fund ndërhyjnë edhe fqinjët që marrin një anë apo një tjetër.
Shembujt që do të përmend shkurt janë: Libani dhe droga. Në vitin 1975, 85% e ekonomisë ishte nga droga. Në vitin 1982 plasi lufta civile, fetare, dhe më pas u lejua ndërhyrja e Sirisë. Afghanistani ka të njëjtën ecuri. Pak a shumë edhe Mianmari, Kolombia, Meksika e me radhë. Për të ardhur tek Kongo ku për hir të titaniumit mbi pesë million njerëz janë vrarë dhe nuk pyet njeri. Diku me pak e diku me shumë: droga, feja, fqinjët dhe burimet natyrore janë shkaqet e konfliktit shpesh të pazgjidhshëm me armë.
Dikush do të më thotë se kam shkuar larg dhe po shoh ëndrra në diell. Ndoshta. Por unë besoj se kthimi kaq i fortë i drogës, transformimi i shtetit në nyjë të drogave të forta, varësia e plotë ekonomike nga trafiqet dhe krimi, paraja e pistë dhe shpërlarja e saj, kapja e shtetit nga krimi, humbja e ndërgjegjes qytetare dhe e idesë së nderit e të moralit, materializmi ekstrem, ndytësia shpirtërore, thyerja dhe degjenerimi moral, zvetënimi i zyrtarëve dhe transformimi i shtetit në një mjet thjesht dhune, janë dukuri shqetësuese. Ashtu si një lumë i rrëmbyer që shkon me forcë dhe ngren edhe gurët, plehrat dhe çfarë gjen rrugës, ashtu edhe këto forma të shkëmbimit ekonomik e kriminal e mbajnë atë vend në këmbë. Sa kohë që ka, ka paqe.
Mirëpo kur shterret uji, atëherë nis e shihet se ku bien gjërat në vend. Dhe ajo që shoh unë është e tmerrshme. Oligarki kriminale që nuk do të ndalet para asgjëje për të ruajtur vetën, ndasi fetare të thelluara dhe të acaruara në ekstrem, klane katundare të kriminalizuara, familje e kartele në formën e reparteve ushtarake, njerëz që nuk kanë një spirancë morale dhe një uri e tmerrshme për para. Këtyre do t’iu shtoj edhe fqinjët që kanë shumë me marrë prej një shteti të destabilizuar e në luftë civile, që nga kontrolli mbi shqiptarët në vendet e tyre tek burimet ujore, nënujore, nafta, mineralët e kontrolli mbi tregjet bujqësore, dhe ajo që shoh është shumë e frikshme.
Me nje fjalë është çështje kohe. Por kush ka dashtë me ditë në atë vend? Kalojani mirë, dhe ndjesë për kohën që ua humba. U baftë çka don Zoti, por mos u baftë ajo që mendoj unë se ka me ndodhë. Por është çështje kohe, vetëm çështje kohe….