DRITA BINDËSE, BALLKANI E DRENICA FITOJNË SI MYSAFIRE

19 gusht, 2018 – FFK

Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së parë në IPKO Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita, e ka nisur furishëm edicionin e ri, duke shënuar fitore si vendase kundër skuadrës së rikthyer në elitë, KEK-ut, me rezultat 5:0. Nga dy gola për kampionët i shënuan Endrit Krasniqi dhe Betim Haxhimusa, derisa me një gol kontribuoi edhe Fidan Gërbeshi, i cili realizoi nga penalltia.

Ndërkohë, me sukses këtë kampionat e kanë nisur edhe Ballkani dhe Drenica, që shënuan fitore si mysafire.

Skuadra nga Theranda e ngjitur në elitë arriti t’i gëzohet fitores në Prizren në përballje me Lirinë, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga sulmuesi maqedonas, Borche Manevski, në minutën e katërt shtesë të ndeshjes.

Në anën tjetër, Drenica e befasoi Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mposhtur me golin e shënuar nga Armend Abazi, në minutën e fundit të pjesës së parë. Një gol për fitore i ka mjaftuar edhe Flamurtarit, që arkëtoi tri pikë si vendas në duel me Ferizajn, me golin e Alban Shillovës në minutën e 17-të.

Java e parë mbyllet nesër me ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 19:45.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top