DREJTSHKRIMI I GEGNISHTES OSE GEGNISHTJA E STANDARDIZUEME

NGA AUTORI: MEHMET ELEZI

Sapo doli nga shtypi libri me rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në gegnisht, botim cilësor i Fondacionit ALSAR.

Është hera e parë që botohet një libër i tillë në Tiranë.
Libri u përgatit për botim nga Mehmet Elezi, i cili ka shkruar edhe parathënien dhe e ka pajisur me shenime.

Në vijim një fragment nga parathënia.

GEGNISHTJA I KA PASË RREGULLAT E DREJTSHKRIMIT PARA SE ME I PASË SHQIPJA E SOTME STANDARD

Pikëpamjet për gjuhën shqipe të standardizueme i kam shtjellue në disa libra dhe në media. Nji reformim të standardit, pa ia cenue bazën, e shoh jetik. Nji hapje me kritere shkencore për pasunitë e gjuhës shqipe në dialektin gegë, të përjashtueme për arsye jashtëgjuhësore, do ta shëndetësonte gjuhën. Do t’ia forconte imunitetin. Do ta mbushte me energji të reja.

Atëherë pse tashti kjo vemendje për gegnishten e normëzueme?
Gegnishtja dhe tosknishtja janë dy mushknitë e gjuhës shqipe. Si njerëz të lirë, nuk mund t’ia lejojmë vetes “luksin” me shpërfillë qoftë edhe nji shkronjë a tingull të saj. Të shpërndamë në disa shtete në Ballkan, të bamë pikë e pesë nëpër botë, e vetmja që na njajtëson qartësisht si shqiptarë asht fjala shqipe. Pa gjuhë shqipe s’ka shqiptarë.
Vërehet nji prirje me e gjallnue gegnishten. Herë-herë ma fort si vullnet i paorganizuem, sesa si ndihmesë e mirëfilltë.

Disa shkrimtarë po shkruejnë gegnisht. Edhe në Itali e në vende të tjera të zhvillueme njerëz të letrave shkruejnë në dialekt. Në Zvicër përdorimi i dialektit në ligjërimet publike shihet si cilësi elitare.
Do të tjerë shkruejnë në nëndialekt. Dihet se gegnishtja ka katër nëndialekte: shkodranishten, kosovarishten, nëndialektin e Shqipnisë së Mesme dhe nëndialektin e Dibrës, Tetovës e trevave përreth. Edhe tosknishtja ka tri nëndialekte. Gjithkush ka të drejtë me ba zgjedhjen e vet, por nëse nëndialekti paraqitet si dialekt, krijohet pështjellim në gjuhë.

Herë mbas here thuhet se gegnishtja s’ka normë drejtshkrimi. Sa herë e kam lexue ose ndëgjue këtë pohim, jam habitë me guximin e atyne që e shqiptojnë. E errësojnë të vërtetën me qëllim, apo bajnë të ditunin për gjana, që nuk i njohin fare? Me gjasë edhe njana, edhe tjetra.
Gegnishtja i ka pasë rregullat e drejtshkrimit para se me i pasë shqipja e sotme standard.

————–
Qysh sot librin mund ta gjeni te libraria ARTE’S, në fund të bulevardit Zogu I, përballë shtatore së mbretit; pas disa ditësh edhe në librari të tjera.

2 thoughts on “DREJTSHKRIMI I GEGNISHTES OSE GEGNISHTJA E STANDARDIZUEME”

    1. Fatkeqësisht jo! Kemi biseduar me autorin dhe ai nuk e kishte të qartë se si do bëhet shpërndarja e tij!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top