Dr. Ibrahim Rugova është njeri i dërguar prej Zotit

Shkruan: Ndue UKAJ

Koha në vetvete nuk shënjon ndonjë vlerë. Ka vite e shekuj që në kujtesën historike na shfaqen të zbehta, boshe. Po, sepse koha, vitet, shekujt, mbushen me vlerë nëpërmjet njeriut që ndërgjegjësohet për të dhe i jep vlerë asaj.

Në vitet e 90-ta, kur vendi ynë përjetonte ditë të rënda robërie, në ballë të refuzimit ndaj të keqes doli Ibrahim Rugova, Ati i Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Krahpërkrah tij, në skenën politike e shoqërore, herë në mënyrë implicite e herë eksplicite, vepronin edhe figura tjera, si ajo e Imzot Nikë Prelës, Ipeshkvi i Kosovës, i cili u nda nga jeta para 20 vitesh.

Këto dy figura i dhanë vlerë shtesë Kosovës. Ndihmuan emancipimin e saj dhe u bënë udhëheqës të procesit historik për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Është proverbiale shprehja e Pjetër Bogdanit: “fati i popullit tim, është fati im.” Bogdani, me jetë e dëftoi një gjë të tillë, ndërsa filozofia e tij u mishërua te shumë burra e klerikë të devotshëm, që deri në çastet e fundit të jetës, të persekutuar, nuk u sprapsën nga kjo kauzë. Një dis’hepull i devotshëm i kësaj filozofie, është Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Nikë Prela, i cili e drejtoi kishën në Kosovë në momente dramatike dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Kosovës.

Nikë Prela ishte burrë i mençur, i cili arsyetonte qartë dhe analizonte drejt. Ai ishte klerik i devotshëm dhe besonte pathyeshëm te parimet universale: se e keqja është mungesë e të mirës. Ndaj, si intelektual i mirëfilltë, me dashuri vepruese ndaj atdheut e popullit të tij, për çdo ditë mbillte mirësi.

Për aq kohë sa ishte në krye të Kishës Katolike në Kosovë, besonte fuqishëm te mirësia, te forca e humanizmit dhe te kultura. Dhe këtë e demonstronte sa herë i jepej mundësia. Në këtë mënyrë, ai arriti t’i jepte popullit të tij besim, në kohën kur ai mungonte, t’i jepte shpresë, kur ajo nuk ishte, ta inkurajonte, kur nuk ekzistonte asnjë motiv për gjë të tillë, ta shpinte kah e mira, kur dhuna e terrori binin fuqishëm mbi shpatullat e njoma të popullit të tij.

Së bashku me elitën politike dhe kulturore të kohës, ai i dha kuptim kauzës së Kosovës për Liri, Pavarësi e Demokraci, për të cilën punoi pareshtur sa qe gjallë.

Përgjatë viteve të 90-ta, personaliteti i tij rrezoi mbi Kosovën mirësi të plot, çfarë është në natyrën e një bariu, që mision e ka kujdesin për grigjën e tij, pa përjashtim. Ai e mbushi kishën me besim dhe e inkurajoi popullin që t’i dilte përballë të keqes dhe të mos bëhej asnjëherë kompromis me të. Ai këshilloi si të ecej me vetëdije kritike dhe besim kah e mira, pa e kthyer asnjëherë kokën prapa dhe pa u tunduar nga yshtjet e pushtetit.

Misioni i tij, ishte një unifikim i kulturës dhe humanizmit. Ndaj, në kohën e tij,“Drita”- shtëpia botuese dhe revista e Ipeshkvisë- do të shndërroheshin në një vatër të ngrohtë për të gjithë shqiptarët, sepse përhapnin kulturë, dije e besim në vlerat e epërme, të përtejme, të përhershme, kombëtare e universale.

Vitet e para të 90-tave, kur Kosova ishte e mbërthyer nga prangat e robërisë, brezi im që rriteshim nën ndikim e lajmeve të këqija dhe idealeve të mëdha, te figura e Nikë Prelës kishim projektuar shpresën, besimin dhe guximin për të rezistuar ndaj të keqes. Me shkollim e veprime aktive.

Kështu që, sa herë binin kambanat e kishës në kohë të pazakontë, ne e dinim se ai vinte në Stubëll. E ne, të rinjtë e atij vendi, që përjetonim izolim, robëri, shtypje, pamundësi, tuboheshim shpejt te kisha. Po vjen Imzot Nikë Prela, dëgjoheshin shushuritjet e atykëtueshme. Zemra na bëhej mal. Sepse, te figura e tij ishin të mishëruar dashuria, mençuria, shpresa e urtësia, virtyte këto që rrezatonin sa herë ai ngrihej në atë kodër të lashtë e me histori.

Imzot Prela me karrocën e tij- meqë e kishte këmbën e amputuar- lëvizte i heshtur e ngadalë, por përhapte besim të madh. Edhe pse ishte në karrocë, na dukej i madh. Titan. kështu e projektonim atëherë. E vërtet, ai ishte kolos, çfarë janë vërtet kolosët që në kohë krizash e dhimbjesh, dinë të dalin në ballë të popullit. Të udhëhequr nga mësimi se bariu i mirë kujdeset për secilën dele. Pa dallim.

Sa herë vinte, na inkurajonte të besonim në forcën e dritës, e cila ka fuqi ta mposht errësirën. Përgjithmonë.

Sa qe gjallë, ai ishte shndërruar në hero të Kosovës, sepse ishte i mishëruar me popullin e tij dhe jetoi përditë me të.  Ndaj, kurdo dhe kudo e pohonte: Unë jam ipeshkëv shqiptar për shqiptarët, “faji” i tyre është edhe i imi.”

Pa dyshim roli i Nikë Prelës në procesin e çlirimit të Kosovës është i madh. Siç dëfton don Lush Gjergji, bashkëpunëtori i afërt i tij, ai që në takimin e 21 janarit 1981, pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, i tha Papës: “Shenjtëri, gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar dhe s’di kur dhe si do të shpërthejë…Bëni diçka për popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë martire.”

Ndërsa në librin “Miqtë e mi në amshim” don Lush Gjergji ndër të tjera për Nikë Prelën shkruan: “Përgjatë vitit 1990,Imzot Nikë Prela më tërë fuqitë i përkrahu lëvizjet e atëhershme: Pajtimet e Gjaqeve, bamirësinë dhe solidaritetin nëpërmes SHHBK “Nëna Tereze”, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor, ndërkaq gjatë helmimeve, ai protestoi rreptë dhe botërisht në çdo vend dhe kënd, duke rrezikuar jo vetëm rolin prijës kishtar, por edhe jetën e tij dhe  “njollosjen” më të vrazhdët të Kishës sonë. Edhe më këtë rast, si dhe në suprimimin e autonomisë së Kosovës, Imzot Nikë Prela shkroi protestën e hapur dhe letrën informative Papës Gjon-Palit II, Nënës  Tereze dhe të gjitha institucioneve kishtare dhe shtetërore në Jugosllavi dhe në botë.”

Po sipas dëshmive të don Lush Gjergjit, Imzot Nikë Prelës në takim me Papa Gjon Palin e II, me krerë të institucioneve europiane e botërore, gjithnjë apelonte për Kosovën. Kështu, më 17 tetor 1995, Ipeshkvi e takon Papën, në një takim ku merrnin pjesë të gjithë Ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë dhe i shpreh shqetësimet për Kosovën. Don Lushi tregon kështu: “Papa u ndal para nesh, dukshëm i emocionuar duke parë Ipeshkvin tonë në karrocë dhe pa këmbë dhe ndër të tjera tha: ”Kosova, plaga dhe shpresa jonë”, sikurse të donte ta njësonte fatin e Kosovës me fatin e tij. Gjatë drekës kremtore me Papën dhe bashkëpunëtorët e tij tema kryesore e bisedimeve prapë ishte Kosova. Ipeshkvi i tha Papës kështu:

Kosova është ndërgjegjja e njerëzimit, sepse aty shkelen të gjitha të drejtat themelore njerëzore dhe kombëtare”.

Në historinë moderne të Kosovës, Imzot Nikë Prela mbahet mend edhe për raporte te tij të afërta me liderin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Ata takoheshin dhe koordinoheshin për çdo gjë. Në funksion të përmirësimit të gjendjes në Kosovë.

Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), Dr. Ibrahim Rugova shkroi: “Shëmbëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Nikë Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë e që frymon brenda nesh”.  Ndërsa ditën e varrimit të tij e shpalli ditë zie për Kosovën.

Don Lush Gjergji në librin “Miqtë e mi në amshim” pohon se Imzot Nikë Prela kishte admirim të veçantë për Ibrahim Rugovën. E mbështeste dhe e vlerësonte urtësinë  dhe filozofinë e tij. Më tej, don Lushi pohon se Imzt Nikë Prela në instancat më të larta kishtare dhe qeveritare, gjithnjë ka thënë dhe shkruar se, Dr. Ibrahim Rugova është njeri i dërguar prej Zotit për shpëtimin e popullit shqiptar në Kosovë. Ai sintetizon mirë të kaluarën tonë, parashtron të tashmen dhe ka vizion për ardhmëri. Atë duhet përkrahur si shprehje e dëshirave dhe nevojave të mirëfillta të kohës dhe të popullit…”

Imzot Nikë Prela është ekzemplar i çmuar i Kosovës moderne. Ndaj, duhet ta shfletojmë. Që të mësojmë dhe të ushqehemi nga vepra e tij e pasur. Një vepër për të cilën ka nevojë secili shqiptar.

1 thought on “Dr. Ibrahim Rugova është njeri i dërguar prej Zotit”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top