Shkruan: Eqrem Kryeziu
Është një bindje popullore se idetë reformuese hyjnë nëpër dyer të mëdha, madje me daulle. Në të vërtetë ndodh e kundërta: ato janë pothuajse të pahetueshme, të heshtura e të pazhurshme.
Një ide e këtillë qarkullon në shoqërinë tonë. Është fjala për kundërpërgjigjen që vjen nga elita qeverisëse kur e akuzojnë për korrupsion që nuk frenohet dot. Dhe kjo përgjigje është:
“Të gjithë jemi njësoj.”
E zbërthyer më tej, përgjigjja ngërthen në vete premisën se të gjithë ju do të zhvatnit dhe ju që kritikoni, në fakt, e bëni sepse nuk keni rast të vidhni.
Po ashtu, e kemi parë paturpësinë atyre që i kanë shërbyer sistemit terrorist komunist, sesi mburren me të kaluarën e vet. Premisa e tyre, e artikulluar për çdo ditë e më me krenari, është: secili prej jush do të synonte të ishte në atë sistem, por vetëm ne ishim të zgjedhurit, për shkak të zhdërvjelltësisë sonë prej kampioni dhe – shikoni – a nuk e vërteton këtë gjë ringjallja jonë, madje në rolin e shpëtimtarit të vendit?
Ja, pra.
Dorashka është hedhur. Qytetarët ose duhet ta pranojnë se kjo elitë ka të drejtë, ose të reagojnë.
Sheshazi, dorashka është hedhur.