Dora që shtrihet për lutje në ndihmë të të varfërve dhe të të braktisurve, nuk pështyhet!

SHKRUAR NGA ALBERT VATAJ

Vite të shkuara, kur Nënë Tereza drejtonte misionin e saj humanitar me qendër në Kalkuta, Indi, e shoqëruar me një nga motrat e shërbestarisë, i drejtohet për ndihmë një sipërmarrësi të fuqishëm indian, njeri shumë i pasur, por me përvoja jopremtuese humaniteti.

Misioni i saj ishte në vështirësi serioze, duhej një dorë bujare që ta nxirrte nga ku kishte rënë. Fëmijët dhe jo vetëm, që kishin nevojë për ndihmë, shtoheshin nga dita në ditë. Misioni i mëshirës me gjithë përpjekjet për të menaxhuar mundësitë financiare, ai shpesh gjendej në situata krizë.

Ndonëse ishte paralajmëruar, se nuk do të arrinte të siguronte ndonjë mbështetje nga ky sipërmarrës, Nënë Tereza arrin të sigurojë një takim me të.

Pas një hyrje dhe përulësie të stolisur me fjalë të përshpirtshme dhe lutëse, Nënë Tereza i zgjatë dorën për ndihmë sipërmarrësit, ai e pështyn dorën e saj me përçmim dhe neveri. Nënë Tereza, mbledh dorën e pështyrë grusht, duke e afruar pranë gjoksit, dhe ashtu paqësisht i thotë:

-Kjo ishte ajo që kishe ti për mua.

Duke i drejtuar dorën tjetër me përulësi dhe përkorje, ajo shton:

-Kjo është dora që lutet për gjithë ato njerëz që vuajnë, që lëngojnë, ata që kanë nevojë për ndihmë.

Sipërmarrësi i befasuar nga kjo tolerancë dhe urtësi e kësaj gruaje plakë, arrin ti nënshtrohet vullnetit të lartë të mëshirës duke puthur dorën e shenjtores shqiptare dhe duke akorduar një shumë të konsiderueshme në mbështetje të misionit humanitar, “Nënë Tereza”.

Ja çfarë arrin përulësia e mëshirës dhe vullneti i lartë i besimit.

Shenjtëruar qofsh në jetë të jetëve Nëna Terezë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top