Shkruar nga Edison Ypi
Kur Doktori vjen, bashkë me veten që punon si central bërthamor, vë në punë edhe shqiptarin. Mirpo shqiptari s’e ka fort qef punën. Shqiptarit po i the eja në kafene vjen, po i the eja të bëjmë ndonjë punë, ikën. Pra ikën e vjen shqiptari, jo Doktori, Doktori as ikën as vjen, Doktori këtu është e këtu do jetë në jetë të jetëve.
Shqiptari Doktorin e do. Por kur Doktori e vë në punë, shqiptari hedh ickla, vetes dhe Doktorit i nxjerr gjithato ngatërresa. Këto ngatërresa shtohen e bëhen aq tepër sa pas ca kohësh Doktori jo se ikën, thjesht mënjanohet përkohësisht. Menjëherë pasi Doktori mënjanohet, shqiptarin e zë malli për Doktorin. Kur shqiptarin për Doktorin e zë malli, Doktori i mënjanuar vjen në qendër. Çka tashmë ka ndodhur. Shqiptarin për Doktorin malli e ka zënë dhe Doktori ka ardhur. Tanipërtani pjesërisht. Doktori do vijë plotësisht pas pak kur…
Kur kupa të derdhet.
Kur çunat e oficerave që kanë përmbytur administratën do tua fusin shqiptarëve shtetin në çdo skutë, në çdo shtëpi, në çdo biznes, pa asnjë shpresë se me këta që votoi gabimisht këtij tmerri mund t’i bëhet ndonjë derman.
Kur shqiptarëve tu ketë dalë rakia e gënjeshtrave për shërbim shëndetsor dhe legalizim falas me pare të rëna nga qielli.
Kur të nisin ta çjerrin surratin duke parë xhepat bosh.
Kur para këtij pushteti, pushteti i Doktorit që e quajtën “regjim” do tu duket qef.
Kur ta kuptojnë se pushteti i klyshave të kurvit nuk do bëjë dot, jo 10 mijë kilometra, por as 10 kilometra, madje as 10 metra, në fakt as 10 centimetra rrugë të reja.
Kur hapja e ndonjë tuneli të ri do jetë punë më e vështirë se udhëtimi në Saturn.
Kur burokratët e zyrave do shtohen si lepujt.
Kur çmimet do ngrihen përpjetë si kaçatorrat e drogës së Divjakës apo Gjadrit.
Kur dhjetra mijëra shqiptarë që kanë ndërtuar vila do vënë duart në kokë do pyesin të tmerruar se si ka mundësi që në kohën e Doktorit ndërtuan vilën shumëmilionëshe ndërsa tani nuk blejnë dot as një hu gardhi.
Kur ca të vetshpallur “djathtista” që bënin çuçuçu veshmëvesh kundër Doktorit nëpër kafenera, do pyesin me sy të shqyer njëri-tjetrin se si ndodhi që asnjë derë e administratës nuk do t’u hapet më.
Kur të përndjekurit që mbështetën grevën dhe vetsakrifikimin e turpshëm dhe të lemeritshëm të bashkëvuajtësve të tyre, do konstatojnë se për këtë administratë thjesht nuk ekzistojnë.
Kur naivët që u besuan gënjeshtrave të propagandës do kuptojnë se gjithçka e mirë që është bërë në Shqipëri në këta vjet ka lidhje vetëm me vullnetin dhe vendosmërinë gjeniale të Doktorit dhe me asgjë tjetër.
Ardhja e Doktorit nga mënjanimi i përkohshëm po ndodh sepse Doktori vjen atje ku asnjë opozitë, asnjë gënjeshtër, asnjë votim nuk e shkul dot; në shpirtin e shqiptarit.
Prandaj po tremben krimbat.
Prandaj po u nxihet surrati halabakëve që i përgojuan familjen.
Prandaj po spërdridhen nëpër banaqet televizive horrat dhe hajdutat gjobëvënësa.
Doktori ka ardhur sepse Malli për Doktorin është si Malli i Lasgushit. Mall që len nga perëndon. Mall që shtohet sa herë që Doktori mënjanohet.