DITËT E FUNDIT TË NJË KASAPI

SHKRUAN: ENVER ROBELLI

Ratko Mladiq qëndroi katër vjet para gjyqit. Tani, në fund të procesit, prokurorët kërkuan dënim me burgim të përjetshëm. Çdo vendim tjetër nuk do ta vinte drejtësinë në vend

Në fund të viteve ’80 politikanët hegjemonistë serbë prisnin që lufta së pari të shpërthente diku në jug të Jugosllavisë. Në Maqedoni apo në Kosovë, për shembull. Maqedonasit ishin treguar mjaft të “zellshëm” në shtypjen e shqiptarëve. Nëse lufta do të fillonte në Maqedoni, atëherë Beogradi do të kishte një oficer besnik atje: Ratko Mladiqin.

Që në fund të viteve ’70 ai ishte dërguar të shërbente në Maqedoni në kuadër të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ). Së pari ishte angazhuar në Kumanovë, një qytet etnikisht i përzier dhe i rrethuar kryesisht me fshatra shqiptare. Pastaj shërbeu në Shkup dhe në Shtip. Meqë lufta në Maqedoni nuk shpërtheu atëbotë, Mladiq më 14 janar 1991 dërgohet në Garnizonin e Prishtinës – si ndihmës i komandantit për prapavijë në Komandën e Korpusit të 52-të. Në Kosovë kasapi i ardhshëm nuk qëndroi gjatë. As këtu s’po shpërthente lufta. Shqiptarët ishin rreshtuar pas Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dr. Ibrahim Rugovës me besimin se liria do të arrihet vetëm me rezistencë paqësore.

Mladiq me gjasë nuk kishte kohë t’i priste shqiptarët deri më 1997, kur do të niste lufta guerile në Kosovë. Më 3 qershor 1991, oficeri serb i APJ-së u dërgua në Knin, në vatrën e serbëve të Kroacisë. Tri javë më vonë, më 25 qershor 1991, Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësinë nga Jugosllavia. Mladiq ishte si të thuash në “vendin e ngjarjes”, në Knin, për të organizuar kryengritjen e pakicës serbe kundër Kroacisë. Për “meritat” e tij në tetor 1991 i jepet grada gjeneralmajor nga Kryesia e Jugosllavisë, ku mes 8 anëtarëve ishte edhe Sejdo Bajramoviqi si “përfaqësues” i Kosovës.

Në prill 1992, pas fillimit të agresionit serb kundër Bosnjës, emërohet me detyrë në APJ në Sarajevë, por pas pak kalon në postin e shefit të armatës së serbëve të Bosnjës (VRS). Në këtë funksion Mladiq do të hyjë në histori – si njëri prej kriminelëve më të mëdhenj pas Luftës së Dytë Botërore. Forcat e tij do të vrasin mijëra boshnjakë dhe kroatë, do të shfarosin rreth tetë mijë banorë të Srebrenicës, do të mbajnë të rrethuar për më shumë se tre vjet Sarajevën.

Mladiq tani është 74-vjeçar dhe gjendet qe 4 vjet para gjyqit – në Hagë, atje ku kërkohej prej vitesh dhe ku refuzonte ta ekstradonte Qeveria serbe, pa marrë parasysh a ishte “nacionaliste” apo “proevropiane”. Në fund të procesit prokurorët kërkuan dënim me burgim të përjetshëm. Çdo vendim tjetër nuk do ta vinte drejtësinë në vend. Dëshmitë e prezantuara, dëshmitarët me kujtimet e tyre, faktet materiale, analizat historike të konfliktit nga ekspertët nuk lënë asnjë dyshim mbi peshën e madhe të fajit që rëndon mbi Ratko Mladiqin. Pa marrë parasysh sa jeton Ratko Mladiq, bota dhe sidomos viktimat e krimeve të tij në Bosnjë po përjetojnë ditët e fundit të kasapit serb. Si i dënuar, Mladiq nuk do t’i interesojë asnjë njeriu normal, ai do të jetë një lloj kërme politike, që eventualisht do të himnizohet nga disa nacionalistë të çmendur në Serbi dhe Bosnjë.

Në fund të gjykimit nga prokuroria u dëgjua ky konstatim: «Do të ishte fyerje e viktimave – të gjallëve apo të vdekurve – dhe një goditje kundër drejtësisë nëse do të shpallej një dënim tjetër përveç dënimit juridikisht më të rëndë: dënim me burgim të përjetshëm».

Në sallën e gjykimit gjatë do të jehojnë edhe këto fjalë të Hajra Çatiqit: «Burrin tim e çuan në Potoçari (afër Srebrenicës). Mua më thanë të shkoj dhe se burri im do të vinte pas meje. I pyeta se ku donin ta çonin kur njeriu ishte i sëmurë. Njëri prej tyre pastaj më goditi me kondak të pushkës. Zura në thua dhe u rrëzova. Pastaj e pashë kur e çuan në atë shtëpinë e bardhë. Unë fjeta në një autobus të braktisur. S’kishte aty as ulëse, andaj vendosën sanë. Sapo u rehatuam, dëgjuan britmat, gjatë natës vrisnin, ndërsa gjatë ditës ushtarët serbë dilnin të shikonin ku ka burra. Ata i merrnin burrat dhe i dërgonin në ara me grurë, ku i vrisnin».

Çfarë treguan të mbijetuarit, e konfirmuan prokurorët. «Kur në një bashkësi si Prijedori brenda një kohe të shkurtër vriten 1500 njerëz dhe mijëra të tjerë vdesin nga uria, poshtërohen ose dikush i torturon ata në burgje të tmerrshme, kur shumica e shtëpive të tyre shkatërrohen, kur xhamitë bëhen rrafsh me tokë, atëherë qëllimi që kjo bashkësi të shfarosej është i padyshimtë. Fjala që përdoret për një qëllim të tillë është gjenocidi», tha prokurori Alan Tieger. Fjala përfundimtare e prokurorëve zgjati tri ditë. Kërdia e Ratko Mladiqit zgjati më shumë se tre vjet. Drejtësia punon ngadalë, por nuk ndalet. Avokatët e Mladiqit thanë atë që pritej prej tyre. Gjeneral-kasapi paskësh mbrojtur popullin e tij. Tani fjalën e ka trupi gjykues. Pritet që deri në nëntor 2017 Ratko Mladiqit t’i shqiptohet dënimi. Atëherë boshnjakët e lindur në vitin 1995 do t’i mbushin 22 vjet. Moshë e përshtatshme për të mbrojtur sërish Bosnjën. Sepse hegjemonizmi serb po ngre kokën e tij me helm gjithkund në Ballkan – nga Bosnja në Mitrovicën e Kosovës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top