Dita e mërgimtarëve në Katedralen e Prizrenit

SHKRUAN: FATMIR KOLIQI

Pas dy viteve pauzë, për shkak të pandemisë COVID-19, rikthehet kremtimi i Ditës së Mërgimtarëve në Dioqezën tonë Prizren-Prishtinë, e cila kësaj radhe u festua në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, për t’ju gëzuar zbulimeve të reja arkeologjike që kanë sjellë dëshmi për praninë e krishterimit apostolik në Prizren nga shek. IV.

Më 1 gusht, ipeshkvi, Imzot Dodë Gjergji, kremtoi meshën, në bashkëmeshim me misionarët në diasporë dhe meshtarë tjerë të dioqezës, për të kremtuar ditën e mërgimtarëve, e cila tradicionalisht kremtohet me një gusht, për të gjithë besimtarët tanë në diasporë.

Në homelinë e rastit, që e mbajti vikari gjeneral i dioqezës, Don Shan Zefi, shpjegoi kronologjinë e punës kërkimore arkeologjike, duke nënvizuar rëndësinë që e ka për Kishën tonë në Kosovë, pasi ato na dërgojnë në verifikimin e Kishës paleokristiane nga shek. IV-V, që deri më tash nuk kemi pasur prova arkeologjike. Kështu Katedralja e Prizrenit mbanë në gjirin e saj edhe dy kisha mbi të cilat është ndërtuar kjo e tanishmja.

Ai tha se zbulimet e fundit kanë sjell dëshmi të reja për praninë e krishterimit edhe më të hershëm se sa është menduar në vendin tone.

Për këto të reja arkeologjike është mbajtur në muajin qershor një konferencë ndërkombëtare, gjatë së cilës janë paraqitur shkencëtarisht arritjet e gjurmimeve nga vetë specialistët që kanë punuar në këtë kompleks arkeologjik të jashtëzakonshëm. Në fakt, këto gjurmime nuk janë të rëndësishme vetëm për Kishën, por edhe për popullin dhe kombin tonë, sepse e tregojnë praninë e pakontestueshme tonën, edhe në këtë mënyrë, në këto treva, për të përmbysur shumë teori destruktive që kanë qarkulluar si nga sllavët nacionalist, po ashtu edhe nga islamikët popullsitë, që pretendojnë të tejkalojnë praninë autoktone të shqiptarëve në Vendin tonë të lashtë.

Na u ba me dije se këto të arritura do të botohen në një libër në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, për të qenë në disponim të të gjithë studiuesve dhe qytetarëve, me qëllim që ta njohin shkencëtarisht të vërtetën për Kishën dhe Popullin tonë.

Me pas Imzot Dodë Gjergji, falënderoj Don Shanin për paraqitjen e të dhënave nga gjurmimet e reja, kurse besimtarëve ju tha se kjo ishte arsyeja që sivjet është kremtuar dita e mërgimtarëve në Kishën Nënë, për të shprehur edhe sot kontinuitetin e krishterimit tonë shekullor, por edhe për ta lutur Zojën Ndihmëtare që të na ndihmojë ta vazhdojmë ta mbajmë gjallë jetën kishtare këtu e në çdo vend ku gjendemi.

Mesha e shenjtë u transmetua drejtpërdrejt nga Radio Maria e Kosovës, për të gjithë ata që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm fizikisht. Pas meshe ishin rezervuar momente të përbashkëta të besimtarëve për të bashkëndarë këtë gëzim të përbashkët të kishës sonë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top