DISA TË VËRTETA PËR ARKIVAT E SHQIPËRISË

SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI

Shtetet kudo në botë njihen se të çfarë niveli janë nga arkivat dhe protokolli shtetëror. Sot dua të ndaj me publikun disa informacione (që janë shumë pak gjithsesi) në lidhje me arkivat e Shqipërisë, të vlefshme edhe për ata që kujtojnë se “bëjnë shtet” pa bërë arkiva. E keni vënë re se në këtë fushë nuk ka kurrfarë shembulli me Europën? Ne kemi pasur probleme të shumta me arkivat qysh gjatë kohës së diktaturës.

Rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë, përbëhet nga DPA, arkivat e sistemit, arkivat tipologjikë, arkivat e institucioneve kushtetuese dhe arkivat në veprim.

Problemi i parë në çdo institucion shtetëror janë arkivat në veprim. Pothuajse në të gjitha ministritë (lëre më pastaj bashkitë, njësitë administrative, etj), nuk njihet roli i arkivistit, por vetëm ai i sekretarit. Si pasojë, këto institucione kanë defekte serioze në përzgjedhjen në kohë e përpunimin e dokumentacionit që duhet të shkojë në arkivin përkatës. Buxheti i shtetit shqiptar është krejt minimal prej vitesh në drejtim të arkivave. Për disa arkiva është edhe i paqenë. Tani po jap disa të dhëna nga disa arkiva në lidhje me personelin dhe investime.

-Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), ka gjithsej 139 veta (92 në qendër dhe 47 në 12 arkiva vendorë). Në qendër DPA ka 4 drejtori. Ka nevojë për një shtim personeli me mbi 400 persona. Buxheti vjetor është 5 milionë lekë të cilat nuk dalin as për të blerë letër e kartonë. Ka nevojë për ndërtimin e një kompleksi të ri arkivor të integruar, ku përfshihen depot, laboratori, zyrat e personelit, sallat e leximit, infrastruktura ndihmëse, si dhe për fuqizimin e inspektimit, laboratorit, fundruajtjes dhe komisionet e përhershme. Sidomos arkivat vendorë, të ngritura pranë çdo qendër qarku, janë prej shumë vitesh larg vëmendjes dhe investimit shtetëror.

-Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (AMPB), përbëhet nga 4 persona, por të dobishëm ka aktualisht vetëm 1 person. Ka nevojë për shtim personeli mbi 40 persona. Aktualisht është jashtë çdo funksioni. Buxheti vjetor sigurisht prej shumë vitesh është zero lekë. Ka nevojë për ndërtimin e një kompleksi të ri arkivor të integruar sepse prej vitit 1992 nuk ka hapësira depozitimi për dokumente. Prej vitit 1997 nuk ka laborator. Po ashtu nuk ka strukturë fare për komisionet e përhershme, inspektimit dhe shërbimet mbështetëse. Është akumuluar një volum i madh punë në organet e varësisë, i cili kërkon një punë rreth 240 vjeçare për ta sjellë në përmasa të duhura. Janë kartotekat e policisë, drejtoritë e policisë në qarqe, etj, të cilat kërkojnë një mobilizim të madh njerëzor dhe financiar.

-Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjithsej 4 veta. Ka nevojë për shtim personeli për rreth 30 persona.

-Arkivi i Ministrisë së Drejtësisë, gjithsej 11 veta. Është arkiv i ri i krijuar para 2 vjetësh. Edhe ky arkiv ka zero investime. Akoma nuk ka depo arkivore. Në gjendjen ku është, personeli duhet të jetë së paku 70 persona, pasi duhet të administrojë gjithë gjykatat, prokurorinë, ish hetuesinë, zyrat e regjistrimit të pasurisë, kuadrin, avokatinë, noterinë, etj.

-Autoriteti për “hapjen e dosjeve”, një strukturë burokratike e panevojshme, që po krijohet si arkiv pa qenë i tillë, përbëhet prej 65 personash. Me 4 drejtori, është baras me strukturën qendrore të DPA-së. Pra shteti cakton një organikë me 65 persona për Autoritetin, ndërsa për 12 arkiva vendorë së bashku ka caktuar 47 persona. Kjo pabarazi e madhe midis institucioneve të përhershme me ato të përkohshme, tregon fare mirë sa larg jemi nga ndërtimi i shtetit, te i cili çatia është e bukur, por themelet nuk ekzistojnë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top