Disa surretër

SHKRUAN: EDISON YPI

Nuk kemi surratologji të zhvilluar e as surratologë të shquar për të gjetur pse surrati i Shqipërisë është bërë si surrati i atij të lopës. Kjo në vazhdim është një përpjekje modeste surratologjike e surratit t’im.

Askush deri më sot nuk e ka qeverisur Shqipërinë dhe shqiptarët si surrati i Doktorit. Por nuk mund ti kërkohet këtij surrati t’i lehtësonte shqiptarët edhe nga inkontinenca e shurrës dhe e kakës, dhimbjet e kokës, ndërlikimet e kurbetit, të prerat e barkut, vështirësitë e frymëmarrjes, pickimet e gjarpërit, kafshimet e qenit, të krruajturat e majasillit, bezdirat e hemorroideve, rënia e flokëve, pisllëku i thonjve, efektet e rakisë, etj. etj. Atyre që kanë ankesa, Doktori të dalë tu thotë; Kujdesuni të vdisni para se ta kuptoni sa budallenj jeni.

Surrati i Metës jo sikur ka lindur në Çepan me Osum te këmbët, Tomorr e Gramoz përballë, dhe Nëmërçkë në brinjë, por mu në mes të Parisit, në sallone mondane, nën kupola pikturuar nga mjeshtra rinashimentalë, mes tablorash që kushtojnë miliona. Tek e sheh surratin e Metës që hyn e del aq pa teklif nëpër kanceleritë e botës, po të kishte lindur në një kohë tjetër, po aq shpenguar do merrej edhe me, ta zemë, perandorin e Romës, të Kinës, Xhingis Khanin, Kromuellin, Pjetrin e Madh, Garibaldin. Surrati i Metës është prova se ata që i falen Abas Aliut s’janë aspak inferiorë ndaj atyre që i falen Krishtit; Xhokonda s’është hiç më e bukur se Nëmërçka, Luvri nuk ka brenda asgjë më sugjestive se Kanionet e Osumit.

Surrati i Blendit. Para shumë vitesh surratit të Blendit nuk i doli në ëndërr surrati i Nonës, por surrati dyll’ i verdh’ i Vespës, i tha; Dëgjo, nuk është rastësi që surratet t’anë ngjajnë. Kaq tha surrati i Vespës dhe u zhduk në turbullirën e ëndërrës.

Surrati i Sokol Ballës, e gjeti dhe ai një të ngjajshëm përtej detit, surratin e Enrico Mentanës. Me një ndryshim. Nën mëngën e këmishës së surratit të Sokolit duket e zhduke një orë dore, ndërsa surrati i Mentanas nuk mban orë fare.

Rastin e ngjajshmërisë së surratit të Krastës me atë të Baudos e studioi një lombrozian autodidakt në Belsh, i cili, meqënse fill pas këtij zbulimi u çmend, nuk arriti të bëjë të ditur asgjë, dhe tani shetit anës Shkumbinit duke thirrur; Devoll – Devoll.

Sado interesantë surretërit e mësipërm, mbetet pezull pyetja pse, për shembull, surrati i Qafokut nuk i ngjan surratit të Massimo Valentinit, ay i Gjebresë atij të Luigi Tenco-s, ay i Çanit atij të Mike Buongiornos ?!

Surrati aq i ditçëm i Aurel Plasarit duhet të na thotë më së fundi ndonjë gjë për surratin e vrasësit të paguar Avni Rustemi për të cilin surrat, Eqerem Bej Vlora thotë se nuk ishte asgjë më tepër se një halabak. Derisa të flasi surrati i Aurelit, për zbardhjen e kësaj çudie unë do vete të pi një kafe me surratin e Balliut. Se me surratin e Balliut (senior) nuk pi kafe vetëm surrati i Aurelit dhe surrati i Ismailit por edhe surrati im.

Surrati i Hysenbelliut me tërë atë kulturë të gjërë e të thellë si civile dhe gavete që ka duhet të qartësojë pse gazeta Panorama nuk arrin mbi 100 mijë kopje në ditë nën udhëheqjen e Rakipllarit ?

Shtatorja madhështore në breg të detit në Durrës në kujtim të heronjve të vërtetë të Shqipërisë, diversantave, do ketë surratin e Ekrem Bardhës. E meriton kaq gjë Ekremi.

Surrati i Xhaxhiut sapo mbaron programin e natës ikën në Durrës në majë të Shkëmbit të Kavajës ulet mbi një gur me surrat nga deti, me lot’ në sy, vështrimin larg, një gozhdë të shtrembër në xhep për të larguar syrin e keq. Xhaxhiu atje mendon për dilemën me të ftuarit, t’i talli a të mos i talli, dhe për llojin e gazetarisë që po kultivojmë, atë me media që ekziston por i drejtohet një publiku që nuk ekziston, dhe me një publik që ekziston por ndjek një Media që nuk ekziston, çka ka bërë që gazetaria jonë të arrijë nivelin më të lartë të përsosjes, ndjekjen për së gjalli të funeralit të vetvetes.

Lista e surretërve që e kanë katandisur surratin e Shqipërinë të duket çdo dit’ e më tepër si surrati i atij të dhisë, është e gjatë. Le të mos mërzitet kush nuk e pa emrin e vet në këtë listë. Ngaqë janë të gjithë njëlloj, surrati im ka lënë amanet t’i shkruajnë mbi varr; Të shumtët ishin budallenj.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top