Mit’hat Frashëri, Paris – 25 nëntor 1921
Për herë të tretë Këshilli i Shoqërisë së Kombeve u mor me punën tonë, këtë radhë jo në Gjenevë, por në pallatin e bukur të Luxemburg-ut, në Paris. Qe një seancë interesante. Po më tepër për të mbajtur mend, qenë akoma disa fjalë, që shkuan pa u vënë re prej bote, mbase të padëgjuara dhe që ne duhet të meditojmë mbi to. Se kanë një dëftesë tragjike.
Konferenca e Ambasadorëve më 5 nëntor vendosi kufirin tonë, duke lënë vijën e 1913-ës të pacënuar në Jug, po me do rektifikime në Veri dhe Lindje. Po na shtrëngojnë këtë radhë përfaqësonjësit e Fuqive të Mëdha të bëjmë theror një copë të madhe të tokës sonë: në jug të Prizrenit, Gorën e bukur e pjellore; parashohin edhe dy rektifikime të tjerë, në veri të Shkodrës dhe në perëndim të Dibrës.
Kjo padrejtësi kundër shqiptarit, të cilit i kishin rrëmbyer më tepër se gjysmën e dheut dhe të njerëzisë, tetë vjet më parë.
Pse? – pyesim me mahnitje dhe me një zemërim, që na çjerr kraharorin. Z. Fisher, delegati i Anglisë dhe reporteri i çështjes, ai që pruri kaq kallëzime kundra serbëve dhe këndoi raportet e rënda e konsullit të Anglisë në Durrës, z. Fisher, them, në mes të tjerave, tha dhe këto fjalë:
“Mundte Konferenca e Ambasadorëve t’i jepte Shqipërisë kufijtë e 1913-ës, kufij, në të cilat kishte të drejtë dhe që ishin të volitshme për Shqipërinë. Po banorët e maleve të Shqipërisë s’janë fare të bindur te qeveria, s’rrinë urtë dhe konferenca e gjykoi të nevojshme, që pikat strategjike t’i jepen Serbisë, se ajo është m’ e fortë dhe ka ushtri të organizuar më mirë.”
Pa dyshim, kjo fazë shkoi pa u vënë re. Serbia, d.m.th. delegati i saj, z. Roskoviç, desh të bëjë një mbrojtje të gjatë, të shkarkojë qeverin’ e tij dhe t’ia hedhë gjithë fajin Shqipërisë. Por deklarata qe e gjatë, dëgjonjësi u lodh, ngeci në mes dhe të tetë përfaqësonjësit e fuqive në Këshill, i zuri gjumi. Kur u zgjuan, patën konvitktimit se Serbia nuk qe e pafajshme dhe se Shqipëria s’ishte fajtore!
Megjithëkëtë, pas seancës, z. Jovanoviç, ministër i Serbisë në Bernë dhe nip i z. Pashiç, desh të jepte shpjegime përpara një grupi të vogël, duke dashur të provojë se goditjet dhe mësymjet janë, jo prej Serbisë, po nga ana e shqiptarëve. Edhe numëroi do emra: Halit Lleshi, Taf Kaziu, Marka Gjoni, Alush Lohja…
– Po ata janë njerëzit tuaj! – iu përgjigj dikush. Serbia i ushqen, ajo i ka bërë majorë dhe oficerë, ajo i paguan…
– Njerëz të tillë, Serbia do t’i gjejë kurdoherë në Shqipëri dhe sa të dojë, – tha z. Jovanoviç.
Gazeta “Debats”, njëra nga më të vjetrat e Parisit, është kundër shqiptarëve, se kryeredaktori i saj, Augustine Gauvain, ka një adhurim të veçantë për serbët; pra, edhe sikur të thonë shqiptarët: e bardhë, z. Gauvain do të thotë: e zezë, kaq larg vete mungimi i simpatisë së tij për shqiptarët.
Pra, kryeredaktori i Debats, në një kryeartikull të kësaj gazete (21 nëntor) thotë:
“…Delegati i Shqipërisë kërkoi garanti për pritmin, që të mos formohen banda në Serbi… Garanti të kota, me qenë se gjithë bota e di se çetat komite dhe hajdute bëhen në Shqipëri, prej shqiptarëve, që e kanë zakon të hyjnë në Serbi…”
Fjalë të ashpra, të këqija, plot vrer dhe helm.
Bisedimet në këtë mbledhje të tretë të Këshillit të Shoqërisë së Kombeve më forcuan dhe një herë bindjen time se çështja jonë s’njihet mirë në botën e qytetëruar, se ka akoma shumë legjenda dhe gënjeshtra, që duken shfarosur dhe rrëzuar. Një propagandë aktive do nisur dhe s’kemi veç dy mjete:
1. Informacion prej vetë shqiptarëve në dhe të huaj me shtyp e me fjalë;
2. Të tërheqim të huaj në vendin tonë, duke u përpjekur që të marrim një përshtypje të mirë, një ide të kandshme për gjendjen tonë të sotme dhe një shpresë për pritmin.
*AQSH, F. 35, d. 17, v. 1923