Disa fakte rreth themelimit të partisë së Miladinit, e lindur në një fshat kolonësh

Vitomirica është një fshat i kolonëve malazezë, në veri të Pejës. Dikur fushë, ajo u popullua në vitet 30 me kolonë.

Këtu u bë qendra e komunistëve të Kosovës, të cilët në janar 1944, ishin rreth 400 të tillë, prej të cilëve vetëm 45 ishin shqiptarë. Këtu u mor vendimi për të formuar Partinë Komuniste Shqiptare, udhëheqësen e rrënimit më të madh që kish njohur populli shqiptar. Disa fakte rreth themelimit:

– Në mes të gushtit 1941, Fadil Hoxha erdhi në Vitomiricë. Kërkoi që dikush nga komiteti krahinor të shkojë në Shqipëri. Në mungesë të Milladinit, komiteti dërgoi menjëherë Dushan Mugoshën, i cili u nis me Fadil Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga Prizreni në Shkodër. Qëndrimi i parë i tyre zgjati 10 ditë. Në Tiranë, në shtëpinë ku u formua për herë të dytë partia arriti të bashkojë grupet e Shkodrës dhe të të rinjve. Grupi i Korçës nuk pranoi të hyjë në bisedime sepse kërkonte letërpërfaqësimin.

– Më 11 tetor 1941 në Vitomiricë u krye takimi i Koço Tashkos me organizatën krahinore komuniste të Kosovës. U vendos rithemelimi i partisë, duke përfshirë edhe Grupin e Korçës. Të njëjtën ditë, lirohet në Peqin nga internimi, Milladin Popoviç. Tahir Kadareja u ngarkua të sillte Dushanin në Tiranë.

– Në tetor-nëntor 1941 Milladini dhe Dushani kanë biseduar me 3 grupet komuniste dhe Partinë Komuniste të Andrea Zisit. Kjo e fundit ishte krijuar në Athinë dhe ishte me ndikim grek. Kjo parti kërkoi të shkriheshin te ajo dhe jo ata te një parti që nuk ekzistonte. Si përfundim, PKSH-ja e Zisit u përjashtua nga bisedimet.

– Mbledhja themeluese u zhvillua në 8-14 nëntor 1941 në Tiranë. grupet u përfaqësuan nga 6 anëtarë. Për arsye mungesash, vetëm grupi i Korçës ishte i plotë. Grupi i Shkodrës u paraqit me 4 dhe i Të rinjve me 5. Partia nuk zgjodhi kryetar, por një komitet ekzekutiv të përkohshëm. Partia Komuniste me ndikim grek, ajo e Andrea Zisit u sulmua jashtëzakonisht për t’ia lënë vendin Partisë Komuniste me ndikim jugosllav.

Themeluesit ishin:

– Punëtorë, 8 persona: Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani, Sotir Lubonja, Perlat Rexhepi, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Tuk Jakova.

– Intelektualë, 7 persona: Ramadan Çitaku, Koço Tashko, Enver Hoxha, Sadik Premte, Anastas Lula, Elami Nimani, Qemal Stafa.

– Të dënuar ose shpallur tradhtarë nga vetë partia: Anastas Lula (vrarë),  Sadik Premte, Koçi Xoxe (pushkatuar), Tuk Jakova (internuar, burgosur), Koço Tashko (burgosur, internuar).

– Të goditur: Sotir Vullkani, Sotir Lubonja, Kristo Themelko, Ramadan Çitaku.

– Të papërmendur: Perlat Rexhepi (dëshmor), Elami Nimani (pas lufte ambasador i Titos)

1 thought on “Disa fakte rreth themelimit të partisë së Miladinit, e lindur në një fshat kolonësh”

  1. Petrit Belliu

    Kjo trajtesë ka një rëndësi të madhe historike, lidhur me të vërtetën e krijimit nga KQ: i PK të Jugosllavisë i PK Të Shqipërisë londineze, si instrument i saj i bindur, në synimet e vërteta, të keqkamufluara me gjoja luftën e përbashkët antifashiste dhe gjoja nacional-çlirimtare, që në fakt fshihte synimin dhe luftën për shkatërrimin, me bajonetat partizane, të Shqipërisë Etniuke, rikthimin e Kosovës nën Serbi dhe përfshirjen edhe të Shqipërisë londineze në Jugosllavi. (Kjo e fundit u ndërpre thjesht e vetëm për shkak të grrindjes dhe antagonizmit Stalin-Tito, lidhur me protagonizmin në Komintern dhe qendrimet ndaj Perëndimit, duke u preferuar nga PKSH largimi nga prehëri i Titos në atë të Stalinit, përshkaqe sigurie mbijetese.
    Por është befasuese dhe problematik fakti, që stenda përkatëse mbi krijimin e PKSH në MUZEN QENDROR HISTORIK të vendit vazhdon të jetë po ajo e kohës së Enverit, duke e fshehur gjithësesi të vërtetën historike fatale të krijimit të PKSH dhe drejtimit të saj gjatë Luftës dhe disa vite pas saj nga K.Q. i PKJugosllave, sikundër trajtohet me vërtetësi e seriozitet në trajtesën e mësipërme.
    Petrit Belliu, historian, albanolog. 12.8.2020.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top