DIBRA E ARBRIT

Shkruan: Edison YPI

Një rrugë e munguar, për shembull Rruga e Arbrit, është një dëshpërim i madh, por s’ke ç’i bën, se për mungesën e saj faji s’ësht i yti.
Një rrugë e nevojshme që ekziston por mbi të nuk ke kaluar, për shembull rruga Kukës-Peshkopi, është dëshpërim edhe më i madh, sepse për përtacinë tënde fajin e ke vetë.

Për qefin tim, me naftën time, me kohën time, edhepse nga ky dhe të tjera shkrime nuk marr asnjë kacidhe, atje jam nis. Atje ku po nuk vajta fajin e kam vet, dhe ferri më pret.

Brenda tunelit shpejtësia e lejuar është 70 kilometra në orë. Un ja kërcas me 120 në orë nga qefi i papërmbajtur që nga Tirana në Kukës, jo falë kurvit, as falë Allahut, por falë Doktorit, mundem me shku në më pak se 2 orë.

Para 10 vitesh Kuksi ishte Ferri, Prizreni ishte Parajsa. Tani diferencat janë zeruar. Kuksi dhe Prizreni janë bërë si Purgatori.
Në Kukës hëngra një pilaf me kos. Pilafi tmerr. Kosi katastrofë. Megjithatë i hëngra për hatër të pronarit që më dha të njohur dhe më bëri komplimenta të forta për shkrimet e mia që sipas tij janë më të bukura se livadhet e Xhehenetit, më të tmerrshme se zifti i Xhehenemit.
Allahu i ka ndrequr gjërat në atë mënyrë që kënaqësia e bukurisë së një peisazhi të mos vijë befas me të tremb sa me ta ndal zemrën, por pakngapak. Në dalje të Kuksit drejt Dibrës, Allahu këtë rregull nuk e ka zbatuar. Aty katundet, fushat, kodrat, bregoret, përrenjtë që zbresin nga Gjallica, çfaqen aq papritmas sa po nuk pate kontroll të fortë të shqisave mund të bjeri damllaja.

Ik e ik nëpër atë mahnitje, ke ndjesinë se je duke i ra mespërmes Parajsës. Një kuksian anës rrugës së asfauar, thotë se nuk ka qënë kurrë në Dibër. Pas këtij kuksiani katastrofik, një tjetër kuksian thotë se nuk ka lënë vend të Shqipërisë pa e shkelur, në majë të Gjallicës ngjitet të paktën tre herë në vit.

Në Kolosjan shtatë a terë kollos-janë pijnë kafe. Nguten sejcili me tregu nga një mesele me heroizma historike shqiptareske. Njëri nga kollosjanët tregon për mijra serbë të therur si bagti, si berra, si shqerra, mu aty pranë ku është dhe një lapidar përkujtimor. Kollosjani shton se në atë betejë erdhën edhe gra që dhanë ndihmesën e tyre në therjen e serbve me sopata dhe thika, si dhe një Bej dibran me dy mijë trupa dhe katër topa që ja shprazi serbve dhe i bëri çika-çika sa përroi u bë gjak i kuq.

Pas nja njëzet kilometrash peisazhin me më tepër fshatra se natyrë e zëvendëson pamja edhe më e bukur me më tepër natyrë se fshatra.
Kthesat e panumurta, ato që kudo tjetër të lodhin dhe të mërzisin, këtu janë ndihmëse të mira për t’i kqyrur pamjet e hatashme sa më hollësisht nga të gjitha këndet.
Diku pyet veten; Morpo ku dhe pse është e bukur kjo rrugë ?! Këtu tek kjo qafë, tek ky përrua i shpejtë, tek kjo korie e gjelbër ? Apo atje

tek ai shkëmb larg në horizont ku thuhet se është Lura ? Shpejt vjen në vete dhe kupton se bukuria e këtij vendi nuk ka lidhje me çka sheh syri, dëgjon veshi, prek dora, nuhat hunda. Nuk je duke pa, nuk je duke nigju, nuk je duke nuhat, madje as nuk po udhëton dhe as po ëndërron. Ajo që po bën është me pirun, thikë, dhëmbë, gjuhë, po ha llokmën.

Një vigan kuksian 60 e kusur që e ka shtëpinë atje poshtë thellë në luginë zhytur e mbytur në gjelbërim ka ndalur Benzin në një qafë dhe po pret djalin dhe nusen e djalit me ik diku. A e shet shtëpinë ? i them lumjanit për ta ngacmuar. Tmerrohet. Botën me ma fal, thotë,nuk luj prej këtu.

Një mesogrua me kosore në sup që, nuk guxoj ta quaj fshatare apo katundare, jo vetëm pranon të fotografohet por dhe falenderon. Pyes disa adoleshentë nëse mund t’i fotografoj. Thank you, no foto, thotë njëri prej tyre, kemi të tjera plane. Çfarë planesh keni ? Po presim të ikim në Angli, përgjigjen tre a katër njëherësh.

Një vajzë e vogël spjegon me zell; Xhaminë e kanë ndërtuar ustallarët. Ai shkëmbi i madh nuk është i zi por i bardhë sepse ashtu e ka bërë Allahu.

Barinj dhe baresha 10-15 vjeçarë me nga katër a pesë dhi a dhën thonë se tanipërtani janë të vegjël por pas do ikin. Jo Greqi, Itali, e më the e të thashë. Vetëm në Angli.

Në një kafene tek një kthesë mbytur në jeshilllëk janë rrafshu disa tipa që deklarojnë me vendosmëri dhe janë gati të firmosin e vulosin se aty fillon Kalaja e Dodës. Ku është “Kalaja” dhe kush ka qënë “Doda”, askush nuk e di. Kalaja e Dodës dhe Anglia janë dy popuj miq, thotë njëri, i cili, ndërkohë që flet, nxjerr nga xhepi nje shuk me sterlina. Këtu ka një bio kos me të ik menia e kres. Naltmadhnin e Tij kosin bio e përgatit dikush që mburret se ka qënë mbi 20 vjet oficer sigurimi në kufi, Ersekë, Gjirokastër. Ka qënë strategji e kurvit që spiunat e jugut i çonte në veri dhe spiunat e veriut i hidhte në jug. Ore, i them sigurimistit të konvertuar në kosaxhi, a ke vrarë shqiptarë që kanë dashur të arratisen ? Po, por jo shumë, nja tre a katër gjithsej, thotë dhe qesh.

Ik e ik i mbështjellë me ëndërr. Diku vij në vete, nxjerr kokën nga jorgani i ëndrrës. Kjo rrugë që po shijoj nuk mund të jetë llokëm mishi. Nuk mund të jetë as cigare e përdredhur me filtër në Kukës dhe prush në Peshkopi, As llullë e gjatë me bisht të hallakatur si gjarpër kilometrik. Është Nargjile që zjarrin e ka në Peshkopi dhe thithet në Kukës.

Duke ik e duke fol me kalimtarët, bindesh se dibrani ja ka marrë dorën dynjallikut. Dibrani di ç’bën. Dibrani nuk ka treguar ndonjë zell të madh për të ardhur në Tiranë që është arena shkërdhatokratike më e madhe e botës. Dibrani nuk ikën kuturu, dokudo, dosido. Dibrani ikën ku ka rregull, ku ka seriozitet, ku është mbretëri, madje perandori, në Angli, ku me sterlinat që fiton duke punu në një Car Wash mundet me ngrejt vilë këtu në Dibër, këtu në Kalanë e Dodës.

Në kohën e kurvit për lumjanët dhe dibranët thuhej me përçmim se nuk duan më tepër se “buk e grosh e kep” pra shkëmb. Tani lumjani nuk do më tepër se Angli, Londër, biftek, car wash.

Në vende të tjera të bukura vret menjen kur është më mirë me kalu andejpari, në behar, në dimër, në muzg, në agim, nën shi, nën breshër ? Këtu jo. Këtu është bukur kurdoherë, ditën, natën, në çdo orë, në çdo stinë.

Ja dhe zjarri i Nargjiles prejnga shpërthejnë dëshirat, nis dehja, thuret ëndërra.
Peshkopia dinamike, produktive, e zhurmshme, e rrëmujshme, krejt njësoj si truri i dibranit që në kërkim të perfeksionit nuk i jep rëndësi hollësirave.

Hyj në një qëndër zgjedhore demokrate. Bosh. Pyes dikend në trotuar. Ku jeni ? Jemi në terren, thotë karakolli demokrat. Klyshat e kurvit për me i dhën fitoren kandidatit të tyre kan vu në lëvizje oficerat e sigurimit, ata që në atë kohë bashkëpunonin me oficerat e UDB-së për me kthy të arratisurit ose me i vra mbi telat me gjëmba, tani bashkëpunojnë në biznes.

Hyj te një qëndër propagande zgjedhore socialiste. Plot me simpatizantë. Sapo hap gojën për me i pyt pse nuk dalin në terren, pse nuk zbresin në arenë ku bëhet lufta, ku ndeshen alternativat, para më del një i moshuar me kasketë që më thotë me zë të trashë; Ik se s’ta kemi ngenë.

Si urdhon zoti oficer i sigurimit të kurvit, ja po iki.
Krahas të tjerave, Nëmërçkës, Divjakës, Vjosës, Pukës, Krrabës, edhe nargjilja Kukës-Peshkopi meriton të jetë njëra nga gratë e mia. Megjithatë, sado e dëshiruar, hutonjëse, përvëlonjëse, nuk mund të kthehem nga nargjilja të cilës sapo ja pashë fundshpinën, sapo e lëpiva, e kafshova, e thitha, me të cilën sapo u ndava.
Për shkak të një rrethrrotullimi pak sa nuk përfundova në Bllatë.

Në Shupenzë groshët e zjera ishin për ibret.
Përtej Qafës së Bullit, nga thellësia e luginës vijnë rënkimet e fragmenteve të pambaruara të Rrugës së Arbrit.
Duke zbritur nëpër leqet e laqeve të loqeve të koqeve të Klosit, pasi më siguroi se ishin të freskët të sapokëputur në kopësht, një djalë i vogël më shiti fiq frigoriferi.

Në një Car Wash ku punojnë at e bir, biri nën 20 po përgatitet me ik në një Car Wash në Londër, ku pasi do punojë disa vite do kthehet të ndërtojë vilë me katër kate, basen të kaltër, luanë allçini te porta.

Ku mora ujë, shitësi më siguroi se pas mbarimit të Rrugës së Arbërit, Klosi do jetë një lagje e Tiranës, Burreli si Durrsi, qejflinjtë dhe qejfleshat e banjove hidrike do mund të bëjnë jo vetëm “shkuma party” por edhe “balta party” në liqenin e Ulzës ku e vetmja gjë që duhet të bëjnë kujdes është të ruhen mos u futen nëpër shalë e nëpër brekë gjarpërinjtë, ngjalat, gaforret e liqenit.
Mes Burrelit dhe Rrëshenit puntori i karburantit që i thashë se jam kolonjar me banim në Tiranë, më pyeti; I cilit fis je në Tiranë ?
Ku një perri’ beqare e përjetëshme punon në një restorant, mora groshë që i hëngra në makinë.
Tek një katund ku sa herë kaloj shoh një Bocca di Rosa, bleva një kalli misri të pjekur.

Mbi dhjetë orë në timon pa u ulur në asnjë kafene dhe në asnjë restorant.

Ka dhe plot bukurira të tjera Shqipëria. Devolli, Myzeqeja, Zadrima, Tropoja, Mirdita, janë njëra më e bukur se tjetra. Por s’ka si Dibra, që kurrë nuk ka qënë dhe kurrë nuk do jetë e kurvit, por vetëm e Arbrit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top