Politikanë nga e gjithë bota e kanë dënuar tentimin e grushtshtetit në Turqi. Megjithatë, burgosja e mijëra vetave dhe shkarkimi i plotë i mijëra gjyqtarëve paralajmërojnë ditë të zeza për vendin. Lajmet për masakrimin e shumë ushtarëve të pafajshëm kanë ngjallur skepticizmin edhe te aleatët e Turqisë.
Presidenti gjerman Gauck dhe kancelarja Merkel i kanë kërkuar qeverisë dhe presidentit turk të mbështesin hulumtimin e pavarur dhe të respektojnë ndarjen e pushteteve si kusht për ekzistencën e një demokracie të mirëfilltë dhe funkcionale.
Në fjalën e saj, kancelarja Merkel deklaroi se: “Hakmarrja dhe dhuna pas dështimit të grushtshtetit nuk e ndihmojnë stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e paqes shoqërore. Demokracia nënkupton, respektimin e legjitimitetit, por edhe respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave kombëtare. Shkarkimi i 3000 gjyqtarëve, është shenjë brengosëse dhe nuk na jep shpresë për një rikthim të shpejtë të gjendjes normale në Turqi.”