Nënë Tereza e shoqëruar nga Don Mark Sopi, famullitari i Zllakuqanit dhe Don Fran Sopi, famulltar i Klinës (1982).

DËSHMI PĒR IMZOT MARK SOPIN

ANTON BERISHA – Kumtesë në Akademinë Solemne të Rivarrimit

“Dhe kur këmbët tuaja do të jenë lodhur, ecni me zemër.” – ishte porosia e Papa Gjon Palit të Dytë, të cilën ipeshkvi i Tij, imzot Mark Sopi e dëshmonte me jetë, një ditë me diell, mu në qendër të Prishtinës, tue inagurue themelin e Katedralës, në 5 shtatorin e vjetit 2005. Këmbëzbathur e këmbëenjtur prelati shqiptar së bashku me dr. Ibrahim Rugovën, të dytë ecnin me zemër për të vënë gurin, sic e thanë , në tokën e rrënjëve arbnore krishtere në kushtim të gruas madhështore shqiptare, Nënë Tereza.

Kjo ecje, në këto troje ilirio-dardane datonte që nga Shën Pali, e do të vazhdoj me prelatët e mëdhënjë Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Harapin, Prenushin, për të mbërri të Sopi, që tërë jetën e tyre punuan për “Atme e Fe”.

Tue qenë pasardhës i familjes martire dhe anëtar i Kishës martire, imzot Sopi që nga shugurimi për meshtar në Romë, në vjetin 1968, e dinte mirë se rruga e tij ishte nderimi i të parëve dhe ndjekja e gjurmës nga lashtësia.
Në rrugëtimin e tij meshtarak, takohemi në shërbimet e tij baritore në Zllakuqan, njëra ndër famullitë më të mëdha në atë kohë në Kosovë, me kontributin e jashtëzakonshëm të tij në raport me popullatën, në një mjedis heterogjen si nga pikëpamja etnike ashtu edhe fetare. Maturia, kujdesi, karakteri i fortë dhe njohuritë e thella të tij, si fetare ashtu edhe të traditës, mundësuan që ndonëse në sistemin e atëhershëm komunist, të tejkalohen pengesat në mënyrë që të ruhet substanca, si dhe shqiptarët katolikë të marrin shërbimet e kishës dhe të plotësohet jeta e tyre shpirtërore. Ai, arriti që të zgjerojë famullinë e Zllakuqanit me dy të tjera, të Klinës dhe Budisalcit. Bashkëpunimi dhe veprimi i tij me të gjithë, e në mënyrë të vecantë me familjen time në atë kohë, të rrëfyera nga axha im Gjergj Berisha dhe vet imzot Sopi, bartin në vete virtytet e larta, përkushtimin për Zotin e njerëzit.

Imzot Sopi tue qenë intelektual i mirëfilltë, nuk do të kufizohet në shkrime dhe vështrime por do të jetë aktiv dhe pjesëmarrës në ngjarjet e kohës, sidomos në zhvillimet e mëdha pas rëniesë së Murit të Berlinit, që ishte sinonimi i ndarjes së botës së lirë dhe asaj ideologjike, që në mënyrë të vecantë kishte goditur kombin shqiptar, duke e privuar nga barazia në ish shtetin jugosllav dhe duke e robëruar ideologjikisht në Shqipëri.

Imzot Sopi, si një punëtor i palodhshëm, guximtar, largpamës, kuptoj se shërbimi ndaj Zotit e Kishës përfshinte edhe cështjet shoqërore, kulturore, arsimore dhe mbi të gjitha të lirisë së njeriut, prandaj nuk pushoi, tue dhënë në Kosovë kontributin në pajtimin e gjaqeve, e menjeherë dhe pa asnjë hezitim iu përgjigj thirrjes për të rilindur nga gërmadhat kishën në Shqipëri. Në agun e lirisë, kur ideologjia komuniste kishte shkatërruar kishën dhe shkelur deri në palcë dinjitetin e njeriut duke e varfëruar moralisht, shpirtërisht e fizikisht, së bashku me meshtarë tjerë menjëherë fillon punën meshtarake me mons. Kurtin në qytetin e Durrësit e rrethinës deri në Milot. Me një karakter të fortë dhe vendosmëri cfarë e tipizonte atë, ai do të arrij veprën ungjillizuese që do të përfshinte të gjitha shtresat e popullatës dhe në të njëjtën kohë do të tregonte dhe dëshmonte aftësi të jashtëzakonshme në dialogun ndërfetar në Durrës, në mënyrë që harmonia fetare të rivendosej pas një periudhe të gjatë ateiste të imponuar nga regjimi komunist.

Si një personalitet me peshë dhe me aftësi të ndërtimit të raporteve ai do të ndikoj në jetën e qytetarëve përmes ndihmave të shumta nga vendet perendimore për të zbutur varfërinë ekstreme të asaj periudhe. Në sferën e kulturës përvec rivendosjes së dimensionit krishterë, do të vazhdoj aktivitetin e zhvilluar nga DRITA e Ferizajt në “Vegim Drite” të Durrësit.

Kjo, është edhe periudha e një bashkëpunimi me njerëz të letrave dhe kulturës në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë periudha e bashkëpunimit tim me imzot Sopin, në realizimin e shumë shkrimeve dhe botimeve sikurse “Baca Kolë e famullitari” (1995), “Martirë t e Karadakut” (1996) etj.

Papa Gjon Pali II, pas shërbimit katërvjecar në Durrës, do ta emëroj ipeshkëv të Kosovës, me 23 nëntor 1995. Ishte ky emërimi i parë i një ipeshkvi me origjinë vendore si dhe hapi i parë në drejtim të mëvetësisë së ipeshkvisë . Kjo ngjarje, tejkalonte dimensionin fetar ngase ndodhte pikërisht në periudhën e lëvizjes së popullit shqiptar në Kosovë për lirinë e saj si një shtet i pavarur dhe demokratik.

Atë kohë, duke qenë në dijeni të raporteve të afërta që kisha me imzot Sopin, profesor Nimon Alimusaj dhe profesor Fehmi Agani, bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit Rugova, më kërkuan që menjëherë të vejë kontaktet e para për të ndërtuar raportet e ipeshkvit të ri të Kosovës me dr. Rugovën. Në këtë mënyrë, unë së bashku me don Lush Sopin, në një udhëtim të mënjehershëm sekret, do të nisemi në Shqipëri, në të cilin përvec urimit dhe ndarjes së gëzimit për ipeshkvin dhe ipeshkvninë e Kosovës, do t’i përcjellë edhe urimet e presidentit Rugova duke marrë përgjigjen pozitive për një rrugëtim të përbashkët. Ajo, mbrëmje e paharruar nëntori, ishte edhe mundësia dhe privilegji im i parë për të takuar Nuncin Apostolik Ivan Dias, të cilit në emër të presidentit Rugova i shpreha falendërimet e përzemërta për Papa Gjon Palin e II-të , që kishte bekuar Kosovën duke i dhënë Kosovës ipeshkvin e vet dhe kishte hapur rrugën për organizimin e plotë të Kishës vendore si dhe falenderimi për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë për popullin e Kosovës.

Në fakt, këtë detyrë do ta kryej përgjatë gjithë jetës së imzot Sopit dhe presidentit Rugova, që përbën periudhën krenare të jetës time, dhe do ta kem fatin e bukur që pikërisht në kohën e mandatit tim si zevendësministër i jashtëm dhe përfaqësues diplomatik për Selinë e Shenjtë, të ndodhë formalizimi i dioqezës Prizren-Prishtinë.

Imzot Sopi, që nga shugurimi në Vatikan me 6 janar 1996, e udhëhoqi ipeshkvinë më përkushtim, flijim, kujdes e maturi të pashoqe deri në ndërrimin e jetës, me 11 janar 2006.

Kam pasur fatin e nderin të jem pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të imzot Sopit e dr. Rugovës në fushë n e botimeve sikurse “Ceta e Profetëve, “Ipeshkvia e Shkup-Prizren ndër shekuj”, e shumë botime të tjera të natyrë s historike e kulturore, të jem pjesë e takimeve dhe konsultimeve me diplomatë të shteteve, Prishtinë , Beograd, Zagreb, Romë e vende të tjera, në të cilat gjithmonë njohuritë e thella, takti dhe kultura komunikuese impresiononte bashkë biseduesit tue kriju respekt dhe tue rritë mirëkuptimin se liria e shqiptarëve dhe e drejta jonë për pavarësi është në përputhje me normat ndërkombëtare.

Ky ishte qëndrim i vazhdueshëm i imzot Sopit, në përkrahjen edhe të ndërhyrjes ndërkombëtare për të ndalur invadimin ushtarak të Serbisë , si dhe kërkesat për ndërtimin e një shteti demokratik të Kosovës pas luftës, në të cilin të gjitha bashkësitë etnike e fetare do të gëzojnë të drejtat e tyre për një jetë të dinjitetshme.

Imzot Sopi punoi shumë në demaskimin e politikës antishqiptare që cështjen e Kosovës tentonin ta shtronin si cështje fetare, e që më së miri e dëshmoi në Kongresin e SHBA, duke u shprehur qartazi për pavarësinë e Kosovës dhe duke garantuar se :”shqiptarët nuk janë fundamentalist dhe as që kemi frikë nga vëllezërit tanë të besimit islam.”

Ëndrra jetësore e imzot Sopit dhe dr. Rugovës për Shenjtnoren-Katedralen e Nënës Terezë në Prishtinë dhe njohjen formale të shtetit të Kosovës u realizuan pas shkuarjes së tyre në amshim, por në kujtesën time, që isha pranë të dyve në këto ngjarje madhështore e historike, janë tregues se gurthemili i vënë nga ata, do të bëjë dritë jo vetem në jetën time, por besoj edhe shumë të tjerëve dhe gjeneratave të ardhshme.

Në këtë 15 vjetor të kujtimit, kur eshtrat e tij do të pushojnë në kishën e shenjtores tonë, që ai e kishte takuar në Romë gjatë studimeve dhe që lidhja me të ka mbetur e përhershme, deri në lumnimin e saj me 19 tetor 2003 dhe shkuarjen në amshim, e që prej së larti të ndërmjetësojnë për popullin tonë, na bëjnë ta kujtojmë imzot Mark Sopin si një personalitet unikal prej një njeriu të përkushtuar për Zotin, kombin dhe vlerat më të larta njerëzore.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top