Pregatiti: Çelo HOXHA
Dekalogu moral është punuar, siç do ta vini re edhe nga gjuha, i përgatitur nga Mid’hat Frashëri. Balli Kombëtar Demokrat është themeluar në 31 dhjetor 1945 në Rexhio Emilia, Itali. Pas rënies së komunizmit partia filloi aktivitetin dhe në Shqipëri, ku vazhdon të mbajë gjallë frymën e shqiptarizmit dhe idealit të lartë kombëtar.
BOTUAR MË 1927
1 – Ki besim te shoku dhe shiko çdo njeri si të mirë dhe të ndershëm: është një stërvitje morale fort e dobishme dhe më tepër për ty vetë.
2 – Më mirë të kesh dhjetë herë besim në një që s’e meriton, se sa të kesh një herë besim në një që meriton besim.
3 – Kur të proponohet një send që e mendon edhe ti të mirë dhe e gjykon të dobishmë, bindu. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shëmbëllin e bindjes.
4 – Kur merr një detyrë, ki disiplinë dhe durim. Shqiptarin, mos harro, e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit. Jepe ti vetë shëmbëllin e disiplinës, pa shikuar ç’bën tjatri.
5 – Për interes të shokut dhe më tepër akoma, për interes të kombit, shkele me këmbë sedrën dhe madhërinë. Ki në mëndje kurdoherë se prindërit tanë i ka prishur mendjemadhësia e sëmurë.
6 – Hiqe veten tënde si pakë të mençmë dhe pakë të ditur. Mëndja e tepërt na ka çmëndur gjer më sot.
7 – Mos u hidhëro pse të shkoi tjatri përpara. Mos u mërzit pse nuk ndenje dot në krye. Mos u pikëllo pse tjetri s’tu ngrit në këmbë: Kotësia na ka lënë të panderuar.
8 – Ki ambicion të vërtetë: mos mejto orën e sotme dhe minutën në të cilën rron. Kujto pakë pritmin, eternitetin.
9 – Në punë kije për lavdi të jesh shërbëtor. Ji i lumtur kur bën një send të dobishmë, pa le mos ta dijë bota.
10 – Ndje gaz dhe lumturi në sakrificë dhe shiko shogrimin si më të madh virtyt: shogro vetbesimin tënt, shogro kotësinë tënde, shogro kohën dhe frymën tënde.