Dedikuar Mit’hat Frashërit

Shkruar nga Reshat Kripa, 2012

Të kemi pritur Mit’hat Bej Frashëri. Kemi vite që presim kthimin tënd në atdhe. Por ti je larg nesh, atje në dhe të huaj, megjithse ai vend të priti dhe të nderoi ashtu siç e meritoje. Ti nuk je më midis nesh që të na këshillosh me fjalën tënde të ëmbël. Por ne e ndjejmë zërin tënd të ngrohtë E kemi ndjerë këtë zë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndjerë në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet. E kemi ndjerë në vitet e republikës dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës shqiptare. E kemi ndjerë më 4 prill 1929 kur, si asnjë nga burrat e tjerë të këtij vendi, hartoje testamentin me anën e të cilit gjithë pasurinë tënde ia lije shtetit shqiptar, për të ngritur një institucion albanologjik në Tiranë, ashtu si dikur ati yt i nderuar që shiti pasurinë për të shkuar në Berlin, ku do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar. Por në një shkallë më të lartë e kemi ndjerë zërin tënd në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizjeje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë balli i këtij kombi. Ndaj të quajtën “Apostulli i Shqiptarizmës”. Ndër duar kam e sonetin shkëlqyer që, mjeshtri i sonetave, poeti ish-i burgosur politikë nga regjimi i përmbysur, Uran Kostreci, e ka shkruar posaçërisht për ty dhe veprën tënde të pavdekshme. E shfletoj dhe lexoj:

Nga kreu i Dangëllisë dalloj me mall Pullazë e Frashërllinjve dhe teqenë Samin’ prej bronxi, Abdylë e Naim benë, Po, ti, Mit’hat, pse nuk je, aty, vallë?

Ti mungon pranë atit dhe xhaxhallarëve të tu të nderuar. Sytë e mi, ashtu si ato të poetit, të kërkojnë pranë tyre, por nuk të gjejnë. Nuk janë vetëm sytë tanë që të kërkojnë. Ty të kërkojnë të gjithë shqiptarët e vërtetë. Të kërkojnë dhe pyesin: Përse? Asnjë përgjigje nuk ndihet. Kur, më në fund, do të kujtohen edhe për ty, për figurën tënde të pakrahasueshme? Po atdheu yt, vatani ku ti linde dhe u sakrifikove, a të kujton vallë? Me siguri që po. Ai nuk i harron kurrë bijtë e vet. Shumë u munduan të errësonin figurën tënde. Shumë u munduan të të diskriminonin. Dhe jo pak, por për shtatëdhjetë vjet. Megjithatë nuk ia arritën. Ti u lartësove si një Promete, ndërsa ata u fundosën në llumin që kishin përgatitur vetë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Një jetë e tërë në shërbim të kombit nuk mund të hidhej poshtë me një të rënë të lapsit. Këtë u munduan të bëjnë pseudohistorianët servilë, por nuk mundën ta realizojnë. Ti i shpërtheve dyert e errësirës komuniste dhe dole në dritën e demokracisë, asaj demokracie së cilës i kishe kushtuar jetën. Vazhdoj leximin e sonetës:

Ti Lumo, u prive burrave të rrallë, Në Manastir, e bëre alfabenë: N’Europë, Ti, e mbrojte mëmëdhenë Të gjuhës shqipe shpuzë mbajte gjallë Por edhe sot, i nderuar martir i lirisë, nëpër shkollat tona ende vazhdon trajtimi i çështjeve kombëtare nën frymën e “njeriut të ri” të socializmit. Lexoj historinë e Shqipërisë për klasën e katërt të shkollave të mesme, botim i vitit 2006, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkruar nga një numër i madh “historianësh të dëgjuar” me tituj profesor doktor dhe mendoj se me çfarë propagande po helmohen ende fëmijtë tanë në këto ditë demokracie . Le t’i analizojmë me rradhë. Kapitulli 10, shkruar nga Prof. Dr. Gazmend Shpuza, nënkapitulli 10.2, pika 2, Kongresi i Manastirit, emri yt figuron vetëm një herë, si një pjesmarrës i zakonshëm dhe jo si kryetar i tij. Nënkapitulli 10.6, pika 3, Kuvendi i Vlorës, në tre paragrafe të tij emri yt nuk figuron fare, duke harruar që ke qenë një nga figurat qëndrore, firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe Ministër i Botores. Kapitulli 11, shkruar nga Prof, Dr. Fatmira Rama, nënkapitulli 11.1. Në të gjithë këtë nënkapitull të emërtuar “Shteti i pavarur shqiptar dhe Qeveria e Vlorës”, përsëri emri yt mungon. Kjo më kujton periudhën e diktaturës kur falsifikatorët e historisë i fshinë emrat tuaj nga Deklarata e Pavarësisë. Mos vallë kjo po përsëritet edhe sot në një formë më të kamufluar. Dhe vargjet e sonetës ushtojnë për t’i kujtuar “historianes” të vërtetën historike:

Ti, n’Vlor’ me Ismail ngrite flamurë
Makutve fqinjë, maskën, ua çore
Dhe çamët muhaxhir në mbrojtje i more

Kapitulli 12, përsëri nga zonja Fatmira Rama, nënkapitulli 12.3, pika 3, Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris, emri yt dhe i gjithë të tjerëve, si pjesëmarrës i delegacionit shqiptar mungon. Përse? Le të përgjigjet zonja Rama. Kapitulli 14, e njëjta hisoriane. Nënkapitulli 14.8 “Arsimi dhe kultura”, pika 2 “Shtypi, letërsia, artet”, përmenden shumë krijues, të vjetër dhe të rinj, kurse emri yt jo. Përmenden shumë gazeta dhe revista por gazeta që botoje ti “Dituria” jo. As edhe libraria jote e njohur “Lumo Skëndo” nuk përmendet fare. Përse? Le të përgjigjet përsëri “historiania”. Të kthehemi tani në periudhën e luftës për çlirim nga okupatorët nazi-fashistë. Kapitulli 16, nga Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi. Nënkapitulli 16.3, pika 3 “Balli Kombëtar dhe programi i tij”. Ja çfarë shkruhet në të:

Një fraksion ballistësh mendonte, se roli i PKSH mund të asgjësohej nga skena politike vetëm nëqoftëse nacionalistët liberalë që bënin pjesë në BK, do të zhvillonin një luftë çlirimtare më dinamike se komunistët. Mirpo në gjirin e BK triumfoi platforma e shumicës e kryesuar nga Mit’hat Frashëri, e cila ngulte këmbë që balli, hë për hë, të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk jemi në gjendje të përballemi me fuqitë e tij ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme.

Kështu shkruan “historiani”, i nderuar Mit’hat! Ai bën sikur harron se, deri në Konferencën e Mukjes, forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Frontit Nacionalçlirimtar disa nga betejat kryesore i kanë bërë së bashku. Harron Gjormin, Selenicën, Drashovicën, Mogilën, Miricën, Krujën dhe Matin. Mbi të gjitha harron Termopilen shqiptare, betejën e Grehotit, ku ranë heroikisht 36 trima me në krye komandantin legjendar Hysni Lepenica, betejë të cilën as që e përmend fare në tekstin e historisë. Harron edhe Konferencën e Mukjes. Si ka mundësi, o “historian i shquar” që komunistët pranuan të bisedonin me nacionalistët, madje edhe pranuan termin e hedhur prej tyre të Shqipërisë Etnike, kur ata nuk kishin luftuar? Në veshët e mi buçasin fuqishëm vargjet e sonetës:

I Ajkës Kombit, prijs, o Lumo, o burrë, Që nga të kuqtë u shave, t’hodhën gurë, Ti, ngel profet, medet, s’ke një shtatore!

S’ke një shtatore, shkruan poeti. Pse vetëm kjo? Do të doja të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja të të shikoja nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione, nëpër tekstet shkollore që mësojnë fëmijtë tanë. Do të doja të të shikoja të përjetësoheshe në përmendore në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Do të doja që emrin tënd ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit. A ka ndonjë shkollë, rrugë apo shesh me emrin tënd? Asnjë. Vendin tënd e kanë zënë ata që zhytën këtë vend në errësirën mesjetare, ata që Kosovën ia falën armikut të përjetshëm, serbit, ata që shkaktuan masakrën e Tivarit, Postribës, Zhabokikës, ata që vranë ajkën e inteligjencës nacionaliste shqiptare, ata që vendin e kthyen në shkretëtirë. Jemi në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, të asaj pavarësie ku ti ishe ndërmjet të parëve. Në këtë jubile do të doja që eshtrat e tua të lënduara të preheshin më në fund në atdhe. Mjaft lëngove në dhe të huaj. Vendi yt është Shqipëria. Për atë u sakrifikove dhe ajo duhet të të japë shtratin e prehjes tënde. Është detyra e shtetit shqiptar të sjellë eshtrat e tua në atdhe dhe t’u jap një vend dinjitoz pranë atit tuaj, Abdylit të madh dhe xhaxhallarëve të shquar, Naimit e Samiut. A do ta bëjë vallë? Nuk e di. Është në nderin e tij një gjë e tillë. Këtë kërkesë e bëjë unë, një qytetar i thjeshtë. Kemi 22 vjet që të presim. Po partitë që mbajnë emrin e organizatës së themeluar prej tij çfarë bëjnë? Pse nuk e ngrenë zërin deri në kupë të qiellit për këtë problem? A mund të ketë parti të Ballit Kombëtar pa eshtrat e themeluesit të tyre në atdhe, sidomos tani në jubileun e madh? Unë mendoj se jo. Para disa kohe një miku im më tha një sentencë, të cilën e kam përmendur edhe herë të tjera. Më lejoni ta citoj:

Kombet e tjera baltën e bëjnë njeri, kurse shqiptarët njeriun baltë!

A është e vërtetë sentenca e mikut tim? Nuk do të doja kurrë ta besoja. Ajo do të ishte turpi i këtij kombi, turpi ynë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top