Buka edhe gjella janë vogëlsira,
Shpirti dhe idetë bëjnë Mrekullira.
Është aty në krye të vatrës dhe po na fton të gjithëve të këndojmë . Mbamani , të gjithë mbamani këngën. Le të dridhet e të ngrihet isua e kënga të gjëmojë, të plasë hasmi që përgjon prapa derës….
Djalin në burg e ajo s’ja bëri kurrë qefin hasmit. Djemtë në internim e asaj s’ju drodh qerpiku e nuk e pa
ELISAVETA (RUCI) DILO kush të nduket e të lotojë . Ishte (Bashkeshortja e ILIA DILO SHEPERIT ) truppakët por me mendje të lartë e ju jepte rrugë problemeve si një burrë trim e i mençur. Ishte aq e dashur dhe e mirë, na këshillonte me aq mirësi dhe urtësi sa nuk linte vend që t’i kundërshtoje.
Përkundrazi bëheshim copa që t’ja plotësonim dëshirat.
Ato ishin me të vërtetë dëshira,sepse dashuria e saj nuk e lejonte të na urdhëronte . Ne e dinim dhe e respektonim e e dëgjonim gjithmonë me aq shumë dashuri e mirënjohje. E dija kur ishte e mërzitur e i shkoja pranë me kokën lart sepse, megjithse i vogël, vetja më dukej burrë e mendoja se mund ta ndihmoj. E dija ama edhe kur nuk ishte e mërzitur dhe i shkoja pranë përsëri, por me kokën poshte sepse sapo i afrohesha ajo më përkëdhelte kokën me dorën e saj të reshkur nga pleqëria por aq të dashur e të ëmbël për mua. Kisha nevojë edhe për ato përkëdhelje si kisha nevojë edhe për këshillat e saj.
Deda ime, gjyshja ime e dashur , e shtrenjta , e paharruara gjyshja ime !Edhe tani ,që, duke rendur vitet më veshën robën e tyre e më dhanë hijen e rëndë të viteve të ngarkuara e të rënda prej dhjetëvleçarësh edhe tani , më shumë Se kurrë ndjej nevojën për atë përkëdhelje të shkurtër por të ngarkuar buzë më buzë me shumë shumë dashuri.
E derdhshme, e ëmbël por edhe e fortë dhe e vrazhdë dashuria e gjyshes sime të dashur. E rritur mes gjigandash , megjithse e pakët dhe e dobët ajo shkroi historinë e saj si motër e Aristidh Rucit, njërit prej atyre që ka firmën e tij të ndritur pranë firmës së Ismail Qemalit në ditën e parë indipendente të Shqippërise ,ne ballkonin historik prej ku u shpalos e u ngrit flamuri shqiptar i lirë e krenar, grua e bashkëshorte e denjë e Ilia Dilo Sheperit, njërit prej patriotëve që shkriu jetën për Shqipëri e shqiptarizëm, dhe nënë e atyre bijve që i vunë shpatullat mëmëdheut e luftuan e punuan si ata e askush tjetër për një Shqipëri të lirë, të pushtetshme e fisnike , ashtu si e meritonte ajo mëmë që me nëna si Deda kishte rritur bij të tillë.
Furtunat që kaloi ajo grua ishin të tmershme. Një jetë të tërë , kishte përpara armiq që deshin të shtypnin e të shuanin Shqipëri e shqiptarizëm e ajo Nënë në folene e Shqipërisë që duhej të mbijetonte , motër e atyre që natë e ditë punonin për atë Shqipëri dhe luftonin me egërsinë me armiq që nuk reshteshin e që kishin për qëllim zhdukjej e Shqipërisë, shqyerjen e saj në kafshata që të kënaqnin epshet e tyre shtazore e të pangopura ndaj këtij vendi . Por Shqipëria kishte bijtë e nënave si Deda që nuk u përkulën, që nuk u lodhën , që nuk u tërhoqën kurrë nga balli i luftës për mbrojtjen e saj. Kur Deda e drithëruar shihte se ata luftonin me djaj të panumurt, nuk ju foli kurrë njerëzve të saj për frikën që kishte.
Ajo ja kishte bërë kurban Shqipërisë njerzit e saj të dashur dhe e dinte se, që të luftosh e të japësh edhe jetën për atdhe, do të thotë të mos vdesësh kurrë. Sa herë e kishin dëgjuar të thoshte ;Përpara burra, përpara trima. Ç’do gjë sado e rreikshme që nuk të vret , të bën më të fortë e më të devotshëm për betejën e ardhshme. Ruajeni veten nga goditjet e pas shpine. Atdheu nuk ka nevojë për të vdekur, por për trima e luftëtarë që do luftojnë për të.
Asnjëherë nuk ju tha atyre se kishte frikë për jetën e tyre që ishte në rrezik çdo sekondë. Jo! Ju dha si një nënë trimëreshë uratën dhe i dërgoi aty, në ballë të luftës, sepse e dinte se kur lufton për një gjë të shenjtë, ke Zotin me vete dhe gjithashtu e dinte dhe e ndjente si një patriote e flakët që atdheu në gjendjen që ishte së pari kërkonte sakrificën e nënës dhe pastaj, kur ishte e sigurt që kishte atë , atdheu ishte i sigurt se nuk do ta linin në mëshirë të duarve e dhëmbëve të fëlliqura që donin ta shqyenin.
Me çfarë e me kë nuk luftoi Deda ime. Dëshmitare e paturpësive të shovinistëve në bashkëpunim me turkun që kishte 500 vjet që kishte në robëri Shqipërinë, Ajo diti të qëndrojë si burrëreshe kur ja morrën burrin e ja dënuan me vdekje. Krenohej më pas , kur kujtonte që burri i saj me një heroizëm madhor, tha fjalët që i shkroi historia:–Edhe sikur të më therni , nuk do të dalë gjak prej fytit tim por një A, Një B, një C ..
Po si të mos krenohej Deda ime , si të mos vishte ajo kustumin e bukur Sheperjot që e kish qendisur me duart e saj të arta e të mos shkonte duke kënduar në festën e madhe të indipendencës? A kishte më krenari të madhe se sa të ishe motra e Aristidh Rucit , dhe bashkëshortja e Ilia Dilo Sheperit? Pa ja niste këngës Deda ime e buçiste Sheperi i gjithë,
Kënga përcillej prej jehonës së maleve lart në qiell e Shqipëria e tërë këndonte e gëzonte kur gëzonte Deda ime, sepse Deda ishte një nga ato zemra që i fliste drejt për drejt mëmëdheut, ishte një nga ato gra që e siguronte mëmëdheun se , përderisa kishte nëna e gra e motra si Deda, Shqipëria do të jetonte përjetë të jetëve.
Kur Deda si shqipe e vërtetë shpëtoi gjithë familjen atëhere kur si hajdutët drej shtëpisë së saj u turr një shpurë ujqish që të zbulonte se ajo shtëpi ishte vatër shqiptarizmi, sepse aty brenda në një kohë kur ishte e ndaluar edhe të flisje shqip aty ishte hapur fshehetas një shkollë shqipe, kur Deda pra si një shqipe e vërtetë zhduku për vetëm disa minuta çdo gjurmë që do të bënte ujqit të vërsuleshin e të shqyenin pamëshirë çdo gjë që do të gjenin përpara, sepse kishin me vete forcën e armët dhe ju mungonte vetëm një provë sado e vogël , kur ata pra erdhën në shtëpi e kuntrolluan dhe kthyen përmbys gjithë shtëpië por falë kujdesit të Dedës nuk gjetën asgjë, ndërsa hikën me bishtin në shalë , gjyshja me krenari nxorri nga grazhdi i kalit ku kish fshehur librat shqip e me dashuri i vuri në vendin e tyre, në dhomën ku shkolla shqipe, do të ishte gati për shqptarë që do të vinin në mbrëmje e do të ligjëronin A, B, C…. Gjyshi kur dëgjoi prej Dedës qysh kishin shpëtuar, tha vetëm; Moj SAVE ! Kaq.
I kishte thënë të gjitha. Kishte thënë se ajo ishte një heroinë dhe se ato dy fjalë mjaftonin për të treguar se shqiptarizmi nuk mund e nuk do të shuhej kurrë, se Shqipëria me nëna e gra si Deda, kishte siguruar përjetësinë e egzistencës së saj!
Kurrë nuk u përkul Deda ime. Ajo qëndroi si burrëreshe megjithse na dogjën shtëpinë e sidomos ishte një shtyllë e fortë edhe për gjyshin që u ligështua. Vetë zemra e saj e dinte se sa shumë dhimbte. Atë bibliotekë që e kishte në zemër ILLIU i saj e kishte edhe ajo .
A s’ishte ajo që qëndronte si një luaneshë prapa dyerve të asaj biblioteke e kujdesej që ILLIU i saj të punonte i qetë , duke ditur se Ai aty bënte punë të mëdha? A s’ishte po ajo që kishte marrë pjesë aty në ato trapeza në kuvendet e gjata në mes kollosësh që luftonin për Shqipërinë , e kishte dhënë edhe ajo mendimin e saj që ishte vlerësuar gjithmonë? As’ishte ajo shtëpi vatra ku ajo solli fëmijët esaj që si shqipe krenare fluturonin duke punuar për Shqipëri. Dhe në fund, a s’ishte ajo gruaja , nëna dhe gjyshja që do t’i duhej edhe kësaj radhe të mbante drejt plorin e anijes Dilo, e cila nuk pushoi asnjëherë , nuk u la asnjë çast e qetë prej armiqve që nuk ju reshtën kurrë Shqipërisë.
Nuk u përkul, nuk u ligështua, nuk i mungoi kurrë trimëria, nuk pati asnjëherë dyshimin më të vogël për sa i përket drejtësisë së rrugës ku eci e ku udhëhoqi si një burrëreshe e vërtetë familjen edhe pas vdekjes së Gjyshit . Ajo krenare!Deda e pamposhtur, e dashur me mikun dhe luftëtare me armikun, Deda që jeta e qëllonte pamëshirë por që vetëm i kaliti trimërinë dhe e bindur që njëherë do të vinte koha që hitoria të fliste me gjuhën e së vërtetës, kurrë nuk u thye.
Vetmohimi i saj ishte vetmohim që do ta kishin zili edhe më të fuqishmit, edhe më të devotshmit. Sepse ajo nuk ishte vetëm vetë luftëtare;Deda ime ishte motër, grua mëmë dhe gjyshe luftëtarësh, frymëzimi dhe kolona e një plejade të tërë trimash që vetë ajo i rrethoi me dashurinë e saj të pamatë, i këshilloi me mendjen e saj të fortë, ju dha rrugën e ju ndriçoi monopatet ku duhej të ecnin, i frymëzoi me devotshmërinë e saj shembullore dhe i mëkoi që me qumshtin e gjirit atdhedashurinë dhe patriotizmin.
Kur ajo më në fund me një kapitje të lehtë deshi të qetsohej, une mora pas një jave telegramin . Deda kishte shkuar të çlodhej. Po!… Kishte shkuar e une nuk pata mundësinë ta përshëndesnim për herën e fundit sepse pas një jave që erdhi telegrami, qëllimisht i vonuar, nuk kishte mundësi ta përshëndesnja sepse ajo tashmë ishte në shtratin e tokës mëmë. Por ja ku tani , nuk e di pse ju jam mirënjohës atyre që qëllimisht e vonuan telegramin. Ishin ata që e lodhën më shumë Dedën time të mirë. Ishin Komunistët terroristë që deshën ta hidhnin në skutat e dëshpërimit me arestimet , me tmerret me internimet , me gjithë ato që ua kalonin , po, po ua kalonin gjithë tmerreve që kish kaluar ajo grua heroike mëmëdhetare e patriote,. Sepse ata luftuan si horrat duke goditur pas shpine e duke të rrahur ditë edhe natë pa të lënë të qash, sepse ata bënë atë që nuk ishte dëgjuar kurrë, shtinë vëllanë kundlër vëllajt e kur nuk ja harrinin qëllimit vrisnin, prisnin, të rëmbenin nder e gjithçka kishe të shtrenjtë e të shenjtë e sidomos të rëmbenin lirinë e të zhysnin në burg sepse… ishe patriot i vërtetë, sepse ju thoshe që bënin gabime e sepse ju tregoje që një ditë do të vinte dita kur do t’i gjykonte historia.
A s’ishin ata që i sekuestronin shtëpinë , tokën , që vidhnin njeriun e pafajshëm, që e e çnderuan Shqipërinë pa patur as më të voglën ndjenjë pendimi? Ajo e dinte që ata ja dogjën shtëpinë, ata e vodhën dhe i rëmbyen bile dhe prikën e vajzës së saj,Viktori , dhe përdhosën kombin duke e ç’kombëtarizuar e duke e shitur nder e lavdi që kish fituar Shqipëria në shekuj tek sahanlëpirësit stalinistë e jugosllavë. Zemra e Dedës dhembi. Ka mall për bij që katilat ja sytgjynosën, ka dhimbje për Shqipëri dhe me zemër të lavosur, nuk ka më gëzim. Nuk ka më festa e nuk ka më këngë. Ku ishte kostumi i saj i bukur që stoliste festat në shtatin e saj të hajthëm. Edhe atë e vodhën . Kush? Të pabesët, vëllavrasësit, kriminelët që me gjak mbytën brenda një kohe rekord atë që për shekuj e shekuj shqiptarët e kishin mbrojtur e ndërtuar! Deda u dënua edhe me atë që kujtonin terroristët se mund ta bënin pa patur as më të voglën ndjenjë njerëzore, E dënuan me vetmi,pa i pare dhe gjithè bijt e saj…,(3 djem ne emigracion te detyruar politik i kish Nena) edhe në rrugën e saj të fundit drejt amëshimit. Por si i thashë edhe më lart për këtë ,në këto momente ,ju jam mirënjohës. Nuk e pashë gjyshen time të mirë Deden e dashur në shtratine vdekjes dhe për mua Ajo është akoma gjallë.
Patjetër që Ajo ka dritën e përjetësisë që e rrethon, por për mua Ajo do të mbetet ashtu si e e shihja gjithmonë në krye të këndit , e gatshme të më japë ledhatimin e saj të dashur,keshillat e saja tè vyera.
Deda ime e mirë, e paharuara , e dashura , trimëresha Deda ime!!!
Ksenofon M. DILO