SHKRUAN: AV. XHAFER SADIKU
Në fillim të verës 1943, midis Golemit dhe Kolonjës, në vendin e quajtur Rehovë u zhvillua një takim midis Fronti Nacionalçlirimtar (Partia Komuniste Shqiptare) dhe Balli Kombëtar, ku morën pjesë qindra banorë nga fshatrat e Kurveleshit. Fronti Nacionalçlirimtar përfaqësohej nga Bedri Spahiu, Islam Radovicka, Tahir Kadareja, Haki Toska, Shefqet Peçi etj., ndërsa Balli Kombëtar nga Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Muka, Zenel Gjoleka, Rasim Babameto, Ismail Golemi, Neshet Kolonja, etj,.
I pari e mori fjalën Ali Këlcyra, i cili vuri në dukje se Italia fashiste ishte në prag të kapitullimit dhe se vendi rrezikonte tërësinë tokësore nga sulmet e mundëshme të grupeve shoviniste të vendeve fqinj. Ai parashtroi idenë se duhej një xhandarmëri e fortë, e shumtë në numër dhe e komanduar nga oficerë atdhetarë, të gatshëm për të bërë çdo sakrificë për atdheun.
Teza e tij u kundërshtua nga Bedri Spahiu i cili e pa atë si formë të bashkëpunimit me armikun.
Ismail Golemi, njëri nga eksponentët e Ballit Kombëtar për Gjirokastrën dhe komandant i forcave të tij të armatosura në atë zone, në fjalën e tij u pozicionua midis qëndrimit nacionalist të Ali Kelcyrës dhe atij të Bedri Spahiut dhe u bëri thirrje të pranishmëve të bashkoheshin në luftë kundër pushtuesit duke u radhitur me formacionet e Ballit Kombëtar. Shumica e popullit të pranishëm në atë mbledhje e aprovoi platformën e përfaqësuesve të Ballit Kombëtar.
Si shkaktar të humbjes në ballafaqimin politik në atë mbledhje, Qarkori i Partisë Komuniste të Gjirokastrës bëri Ali Këlcyrën, me të cilin kishin patur debate politike edhe më parë dhe gjithnjë ishin mundur.
Për të izoluar Ali Këlcyrën nga pjesa tjetër e krerëve të Ballit Kombëtar, PKSH intensifikoi luftën për përçarjen e Ballit Kombëtar. Nëpërmjet një letre shumë konspirative dërguar celulave komuniste dhe çetave partizane të qarkut të Gjirokastrës, pasi përshkruan debatet në mbledhjen e Rehovës, qarkori i urdhëronte: ‟… të demaskohet vetëm Aliu e jo Balli. Demaskoni pa mëshirë edhe Zenel Gjolekën si bashkëpunëtor i Aliut. Shumë të kujdeshëm në punë me elementët e ballit. Raportoni Qarkorin në qoftë se do të keni ndonjë bisedim nga ato anë me Aliun”.
AQSH, FO. 17, Viti 1943, Dosja 1, Fq. 7/1, 7/2
A e vlerësojnë sot dy partitë e ‟Ballit Kombëtar” kontributin e Ali Këlcyrës?
https://www.ballikombetar.info/2018/03/05/rruga-e-gjakosur-dhe-masakra-e-planifikuar-e-tivarit/