Shkruan Edison YPI
Shqipëria ësht aq e vogël, aq e varfër, e ngatërruar, e shpartalluar, e pakonsiderueshme, e parëndësishme, sa s’ma merr mendja se do merresh ndonjëherë serizisht me të. Megjithatë s’po më rri revolucionarja pa të kujtuar disa gjëra.
Mos u mërzit pse para dhe pas zgjedhjes tënde këta këtu rrudhën turiçkat. Këta që kanë idhull kurvin nuk mund ta pëlqejnë një si ty që me kurvin s’ka asgjë të përbashkët. Këta as që mund ta përfytyrojnë se dikush diku ta marri pushtetin në ndonjë mënyrë tjetër veçse sipas të vetmit model që kanë në kokë, modelit të kurvit, që është marrja e pushtet, ashtu si dhe vetë paturpësisht dhe kriminalisht e thonë, me gjak. Le se ç’dërrdëllisin. Në përfytyrimin e tyre të rrënjosur aq thellë sa kur e mendon të merr frika, që ta merrësh pushtetin duhet të plotësosh disa kushte. Duhet të vrasësh me dorën tënde në ndonjë katund të thellë andej nga far westi disa qindra kundërshtarë politikë. Të shkatërrosh kisha e xhamia. Të vrasësh priftërinj e hoxhallarë. T’i rrethosh Shtetet e Bashkuara jo me atë murin qesharak që përmende ti gjatë fushatës, dhe jo vetëm me Meksikën, por rrethepërqark me tela me gjëmba në atë mënyrë që në Shtetet e Bashkuara të mos hyjë e të mos dali as miza, e të tjera e të tjera.
S’njeh kufi llapaqenëria e këtyre. Ta përgojuan dhe moshën. Para ca vitesh, kur Doktori vërsnik me ty përgatitej të bëhej kryeministër i Shqipërisë, i thanë me mijëra herë “gjysh”. Me ty që po përgatiteshe për tu bërë President i Amerikës, nga frika nuk arritën hapur tek ndonjë cilësim i tillë, e thanë vetëm nën zë. Gjithmonë lidhur me moshën, janë aq hajvanë, sa kur i zë gripi te të dyzetat, i thonë njëritjetrit një gjë të pabesueshme për të qeshur si i marrë e për të qarë duke vënë duart në kokë; “çdo gjë është me moshë”.
Sa i përket anës morale, edhe për atë mos u mërzit. Të ashtuquajturat orgji që sajon propaganda ultraliberale e cila tashmë falë edhe paraardhësve të tu ka marrë dhenë, çfarë supozohet të kesh bërë me femrat s’janë kurgjë para orgjive të këtyre tanëve. Me një ndryshim. Se ndërsa orgjitë e tua të hamendësuaea janë me femra perrira, orgjitë e këtyre, aspak të sajuara por të vërteta, i kanë bërë me dhitë e katundit.
Edhe nëse, siç po thonë, nuk ke lexuar asnjë libër në jetën tënde, nuk përbën ndonjë problem. Le deputetë e ministra pa numurim. Këta kanë heronj analfabetë, po të them. Pa folur për të tjera raste që s’dua me ta ngjeth mishin, vetë kurvin që edhepse s’mori dot asnjë diplomë mbahej për shkrimtar, e mbajnë ende për hero kombëtar.
Lidhur me ata llapaqenat bythpambukët e Hollivudit, duhet bërë pak kujdes, por jo kushedi se çë. Janë nënprodukte të hyperliberalizmit. Janë ata që kanë përhapur flamën e përbotëshme të rehatit të një pakice në zyra komode ku me një kompjuter përpara lodhesh pak dhe shpërblehesh shumë.
As për Robert De Niron mos u mërzit. Nuk e ka me ty. Ka kohë që qarkullojnë fjalë mbi origjinën e tij. Me anë të atyre që çfryu për ty, shpalli para botës se është shqiptar. Shqiptar dhe aktor.
I pasur, i famshëm, së fundi edhe i zgjedhur, hiç mos e çaj kokën. Ç’hyn çarja e kokës këtu ? mund të pyesësh ti. Ja pra, edhe gjuhën ashtu na e kanë bërë kurvistat. Siç janë vetë, katila, kriminela, me çarje koke, me gjak.
Si ka mundësi që Amerika ka mbledhur në gjirin e vet nga janë e nga s’janë gjithë spiunat e sigurimit ? Nuk kam asnjë shpresë se do t’i përgjigjesh ndonjëherë kësaj pyetjeje. Se ty zoti Trump që të kesh vetëm një ide të vagullt çfarë ka qënë sigurimi dhe viktimat e tij që lëngojnë sot e kësaj dite, nuk të mjaftojnë as njëzet mandate si President.
Për këto dhe të tjera, kur t’i vijë siraja bëj ndonjë punë të mirë dhe për ne shqiptarët që mbetëm të fundit në çdo gjë. Për shembull, tashmë që serbët nga Kosova i shporri bashkshorti i rivales tënde, na hiq sysh komunistat në Kosovë dhe në Shqipëri. Po e bëre këtë, lavdia e përjetëshme do të mbulojë, në shekuj do mbahesh ment.