Dardha e ka Korçën prapa

SHKRUAN: EDISON YPI

Te një restorant buzë Liqerit, në 7 të mëngjezit kamarieri tha se nuk e dinte nëse kishte apo s’kishte pilaf me kos. Pogradeci pa Lasgush është i pastër, por nuk ka frekuentimin që meriton.

Magjia e trekëndëshit Mali i Thatë, Mali i Ivanit, Fusha e Korçës, edhe mund të përcillet me tekst, por kërkon talentin poetik të Lasgushit, Homerit, Shekspirit.
Ende nëpër ëndërra, Zonja Korçë përpëlitet në shtrat, bën ca naze, shtriqet, gjerb kafenë që sapo ja solli kopilja.
Një kalim mespërmes Korçës mëngjezore është melhem që s’ka për ta shpikur dot kurrë asnjë industri farmaceutike.

Boboshtica ka më tepër lokale dhe hotele se shtëpi. Restorantet kanë emra që dëshmojnë se janë ngritur nga kurbetlinj Amerike. Njëri nga restorantet ka dhe gjol për peshk. Kuzhinë Korçe, peshk gjoli, raki Boboshtice, cosa vuoi di più dalla vita, një dru kurrizit ?

Prej mani, prej rrushi, me ose pa ngjyrë, kaq apo aq gradë, e pamundur të largohesh nga Boboshtica pa të paktën një litër raki. Trokit në cilëndo portë. Do dali një zonjë ose një zotëri. Thuaja hallin. Mos lëviz vendit. Prit te porta sa zonja ose zotëria, ta zemë Sotiri ose Olimbia, të futen në një bodrum ku hyrja është rreptësisht e ndaluar. Seç bëjnë atje brenda bodrumit me ca shishka e ca hinka. Dhe të sjellin ilaçin, rakinë, që po të pish nga një gllënkë çdo mëngjez shëron çdo sëmundje.

Boboshticë-Dardhë 11 kilometra, rruga shkon përmes një gryke të thellë të ngushtë të çveshur e të rrjepur por që gjelbërohet pakngapak pas kilometrave të para gjatë një serpentine malore me shumë kthesa.

Në fillim të asaj gryke se nga u faneps një i moshuar. Në duar mbante një shkop. Shkopi, nga njëra anë ishte krrabë çobani, nga ana tjetër sëpatë e vogël e mprehtë. Ç’e ke këtë ? e pyes. E kam armë të ftohtë, tha 81 vjeçari me në gojë vetëm 1 dhëmb. Një herë tha se ishte nga Morava, pastaj nga Dvorani, Floqi, Vithkuqi, Luarasi. Kam armiq, vazhdoi me ton ankimtar. Prandaj e mbaj shkopin me sëpatë. Kam punuar 30 vjet në ndërlidhje, në kufi, në Sigurim. Kudo që vete më thonë; Ke qënë spiun, na ke marrë më qafë. Ma prishi qefin e ngrënies së Dardhës. Mund t’ja besoja shqetsimim. Ndoshta dhe ta mëshiroja për frikën. Por kishte një huq, zhytur në kolltukun e pasagjerit lëvrinte gjithë kohën si qefull i kapur në grep, si spiun në hall. Në një qafë tha; Do iki të mbledh lajthi. Ik, i thashë. Shkopin në dorë, torbën në krahë, u zhduk si u çfaq dhe si në fakt ishte, si hije. S’ma kishte marr mendja se veç shoqërisë civile, biznesit, një pjese të politikës, edhe autostopizmin për në Dardhë, e bëkan spiunët.

Dardha çfaqet befas si një gëmushë e stërmadhe në një grykë me pamje nga lindja.

Rrugët e përdredhura me kalldrëm lidhin disa hotele dhe restorante brinjëmëbrinjë e bythmëbythë. Duket sheshit se një numur vizitorësh që pas pak do përmbysen mbi pjatanca me mish, peshk, pilaf, byrek, raki, nuk kanë ardhur aty sepse është fresk apo bukur, por sepse vendi quhet Dardhë dhe televizori dhe tabelat thonë se është vend turistik.
Gjithsesi vend i mirë. Por i vogël, tepër i ngjeshur, pa hapësira për tu arratisur nëpër pyje e nëpër gërrxhe. Pa atë diçkanë karakteristike për vendet klimatike, atë thëllimin që futet nën rroba, pastaj nën lëkurë, për të depërtuar në pak çaste në mish, pastaj në tru.

Ika me vrap nga frika mos më ngjitet pas ndonjëra nga ato plakat dardhare që të tregojnë si bëhet byreku me hithra me saç. Dardhën nuk e kafshova. Vetëm sa e lëpiva. Dardha është Dardha vetëm sepse e ka Korçën prapa.

Nga Boboshtica në Maliq ka kudo fasule të gatuara në mënyra të ndryshme njëra më e shijshme se tjetra. Pasi u ngrita kapakun tenxhereve, i pashë dhe u mora erë në çdo fshat, vendosa të ha fasule në Maliq. Me të arritur në Maliq, hyra në një restorant të famshëm, si të thuash në Hiltonin e Maliqit. Pronari u zu ngushtë. Sot nuk bëra fasule, tha, por për ty kam diçka të mirë. Solli një thelë bakllava. Ore, i thashë, dua fasule, nuk dua bakllava. Bakllavanë e ke peshqesh nga unë tha, që jam një lexues i çmendur i shkrimeve të tua. S’ma mori mendja se do kem rast tjetër të më bëjnë një kompliment kaq të ëmbël. E mora thelën e bakllavasë, e falenderova. Fasulet i mora në një restorant tjetër. Kur gjithë qef po nisja makinën për t’i ngrënë rrugës në ndonjë hije, erdhi kamarieri që po i merrej fryma. Ke marrë gabimisht me vete lugën, tha. Ja ktheva kamarierit lugën e grabitur padashje dhe ika përmes grykës së Devollit nëpër kanionin e famshëm që duket si vendi ku është xhiruar filmi “Deliverance” (Un tranquillo weekend di paura).

Në këto male jetojnë shqiptarë ilirikë, shqiptarë puro, shqiptarë bio në pamje dhe në karakter. Ka sot në mediat tona të paktën dy të kësaj rrace superiore, Çelnik Petriti dhe Bruna Qeva.

Në Lozhan mora një kafe. Një lokal tjetër pak më tutje ruhet nga katër kamera. Kush vjedh dhe çfarë ka për të vjedhur këtu në mes të kurrkundit ?
Nja katër a pesë kilometra përtej Lozhanit më të djathtë ngjitet rruga për te fruti tjetër që do ta ha sot, Strelca. Sapo nis të ngjitesh në Strelcë ndjen atë që Dardhës i mungon, atë që mjerë ai që s’e ka provuar, thëllimin e këndshëm që të depërton në trup. Pas tre a katër kilometrave në një të përpjetë, mbretëresha Strelca çfaq tërë hiret saja. Strelca, vendbanim i lashtë me histori antike dhe recente, është një tas i madh i thellë, me dy shkëmbinj gjigandë në mes. Pa ojna, pa bojna, pa tabela, pa plaka që të tregojnë si bëhet byreku, Strelca është krejt tjetër gjë nga Dardha. Shumë më e këndshme për syrin dhe veshin. Shumë më e shijshme se Dardha. Pa rrugë të ndrequra, pa lokale, se Strelca nuk ka Korçë nga prapa si Dardha. Strelca nga prapa ka panxharin e Maliqit të kurvit.

Në Pirg ma lau makinën një çun 13 vjeç.

Në Pogradec, Poetin më elegant dhe më fin të botës, shtatorja gjigande e paraqet si çoban me gunë.
Në Kakavec një tufë kalamajsh nga 10 në 15 vjeç kanë emra të personazheve të telenovelave, dhe janë të gjithë në Fejsbuk.
Nga pyjet e Stravanjit po zbret një kryevepër, një mrekulli që më del vazhdimisht në ëndërr; Një Land Rover i tëri zhgrryer në baltë.
13 orë mbi timon.

Ama ja vlejti. Katundet e Shqipërisë janë të gjitha fruta. Rrugët janë të gjitha fasule. Ujrat janë të gjitha verëra. Panoramat janë të gjitha mrekullira. Nënat janë të gjitha Shenjtore. Shqiptarët janë të gjithë Leonardo. Shqiptarkat janë të gjitha Monaliza. Shqipëria është e tëra Art.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *