Analisti i njohur i çështjeve rajonale është i pari që ka ngritur alarmin për ndikimin e madh që do të ketë dalja e Britanisë në rajonin e Ballkanit. Duke përdorur metaforën e gëzimit të Putinit, Analisti Server thotë se vodka jo vetëm rrodhi rrëke në Kremlin, por ndikimi i Rusisë në Ballkan do rritet fuqishëm, me pasoja të rrezikshme e afatgjata
Analisti dhe ish-diplomati amerikan Daniel Serwer ka analizuar rezultatet e referendumit në Britaninë e Madhe duke thënë se largimi i britanikëve nga blloku është një lajm i keq ndër të tjera edhe për Ballkanin. Ai ka thënë se askush nuk përfiton më shumë se Putin nga referendumi në Britani. “Vodka do të duhej të rridhte sot rrëke në Kremlin. Ajo do të rrjedhë edhe në Ballkan” ka shkruar ai. Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer, në një vështrim të tij për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ka thënë kjo është një lajm i keq për Mbretërinë e Bashkuar, SHBA’të, Ballkanin dhe Lindjen e Mesme. “Është një lajm i mirë për Vladimir Putin. Unë dhe miqtë e mi nuk do të festojmë” ka shkruar Serwer. “Në Ballkan, efektet e menjëhershme dhe ato afatgjata janë serioze. Rajoni varet shumë nga tregtia europiane dhe investimet, të cilat do të goditen menjëherë. Por, ndoshta më i rëndësishëm do të jetë impakti politik. Ballkanitët (kështu unë i quaj popujt që jetojnë në Ballkan), edhe ashtu e kanë pasur të vështirë t’i besojnë të ardhmes europiane që duket më e largët se para 5 vitesh. Ata tani do të jenë budallenj nëse nuk dyshojnë në vullnetin e Europës pa Britaninë e Madhe për akomodimin e anëtarësimit të tyre” ka shkruar Serwer. “Këto dyshime do tia hapin dyert influencës ruse, jo vetëm në Ballkan por edhe në Ukrainë. Askush nuk përfiton politikisht më shumë se Putini nga referendumi i Britanisë së Madhe: dobësohen kundërshtarët e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE, e bën aneksimin e Krimesë dhe okupimin e Ukrainës juglindore të duket më e pranueshme dhe e vlerëson nacionalizmin etnik të tij. Vodka do të duhej të rridhte sot rrëke në Kremlin. Ajo do të rrjedhë edhe në Ballkan. Putini pa dyshim se do t’i shtojë përpjekjet e tij në Serbi, në Republika Srpska dhe në Maqedoni për ti parandaluar sllavët nga ëndrrat e tyre për anëtarësim në BE dhe NATO”