Intervistë eksluzive me ballistin Xhemajl Berisha, ish bashkëveprimtar i Sali Çekajt,
të cilën e botoi gazeta “Bota sot” (26.08.2003 – 05.09.2003)
KAM PARË E KAM DËGJAUR SHUMËÇKA – Çou Adem se këto s’iu falen, çou bre se i kanë lënë mendët!
Bisedoi: Sefedin Krasniqi
Thotë Xhemajl Berisha, njëri nga bashkëveprimtarët e Sali Çekajt, i cili i formoi celulat e para ushtarake në Rrafshin e Dukagjinit. Xhemajl Berisha, për herë të parë, ka shpalosur shmëçka nga ajo që ai di për luftën. Veç kësaj, ka shprehur edhe brengat e tij për të këqijat që ia kanë sjellë lëpëkistët kësaj lufte, dhe popullit. Po ashtu, ka shprehur edhe reagimet e tij ndaj disa pjesëve të intervistës së Xhavit Halitit dhënë ditores “Zëri”. Xhemajl Berisha ka hedhur poshtë edhe disa deklarata të Bajram Kosumit, të cilat i ka cilësuar tepër cinike. Po ashtu ka vërtetuar, me këtë intervistë, të gjitha fjalët që i ka thënë kohë më parë, po në këtë gazetë, bashkëveprimtari i tij, Saim Tahiraj nga Belegu i Deçanit. Përmes z. Berisha, lexuesit do ta kenë edhe më të qartë figurën e madhe kombëtare të Sali Çekut, dhe të grupit të tij prej 33 pjestarëve. Lexuesit do të dinë disa detaje të panjohura deri më tani, për legjendarët Adem Jasharin e Sali Çekajn. Dhe shumë e shumë gjëra të tjera, gjatë rrëfimit të të cilave, Xhemajl Berisha shkëput rrjedhën e tyre, për ta shfryrë mllefin dhe mallkimin e vet në ata që sot Adem Jasharin e quajnë njeri të LPK-së, që Sali Çekajt nuk duan t’ia pranojnë rolin e vet të madh në historinë kombëtare, që vrasin natën e vajtojnë ditën, që kanë vrarë njerëz edhe gjatë luftës dhe pas saj, në emër të atdhetarizmit të rrejshëm etj…
Biseduan : Sefedin KRASNIQI dhe Nazmi LUKAJ
PYETJE : Kur keni dëgjuar për herë të parë për organizmet e para ushtarake, dhe nga kush?
Xhemajl Berisha: Ishte fillimi i vitit 1991. Saim Tahirin e takova në Beleg në shtëpinë e tij. Të dytë bashkë dolëm në Deçan. Hymë në një çajtore. Ai, në bisedë e sipër, më tha se janë duke u bërë biseda rreth mundësisë së organizimit për një rezistencë të armatosur kundër Serbisë. Bisedat, më tha, zhvilloheshin mes autoriteteve të Kosovës dhe të Qeverisë së Shqipërisë. Kush krejt ka marrë pjesë atëherë në ato biseda, nuk është punë imja ta them. Ky lajm i Saimit, më emocionoi. Thashë se këto duhet të jenë bërthamat e para të një ushtrie të armatosur të Kosovës. Edhe Saimi u pajtua me këtë konstatim timin. “Kështu fillohet formimi i ushtrisë, se asnjë ushtri nuk formohet me 100.000 a 200.000 ushtarë përnjëherë”, më tha ai: “Mjaftojnë, sa për fillim, për secilën komunë të Kosovës nga 7-8 njerëz, deri sa ta zgjerojmë dhe ta rrisim numrin e pjesëtarëve të kësaj rezistence”. Në fund të marsit të vitit 1991, Saimi shkoi në Zvicër për të punuar. U kthye para fillimit të sezonit të pushimeve, dikund kah fundi i majit a fillimi i qershorit. Duke biseduar me të, më tha se marrëveshja është arritur për fillimin e ushtrimeve ushtarake. “Tash ka mbetur vetëm ta dimë se kur fillojnë ushtrimet e para, pra, kur do t’ia nisë ushtrimet grupi i parë”, më tregoi Saimi. Ai ishte i bindur se në shtator të ’91-s, do t’i niste ushtrimet grupi i parë. Saimi kërkonte të bisedonim me njerëz të sigurtë kombëtarisht për zgjerimin e aktivitetit. Gjatë bisedës, pasi që tash e dinim se filloi të lëvizë diçka më konkretisht, unë ia propozova një person që e njihja, dhe në të cilin kisha besim, duke u bazuar në vetë personalitetin dhe karakterin e tij, si dhe në gatishmërinë që kishte për çështjen kombëtare. Atë e kisha të anës sime. Quhet Osman Ferizaj, nga Kodralia.
PYETJE : Pastaj si rodhi kjo çështje?
Xhemajl Berisha: Osman Ferizi e propozoi Shkëlzen Gjonajn dhe Hasan Ferizin, gjithashtu, nga Kodralia. Këto ishin propozimet e para. Natyrisht kontaktonim edhe me persona të tjerë si këta. Madje merrnim edhe opinionet e tyre për këtë nismë të parë të rezistencës së armatosur. Në grupin e dytë, nga Deçani, duheshin katër veta. Grupi i parë tashmë kishte filluar ushtrimet në Shqipëri. Pritej nisja e grupit të dytë. 3-4 ditë, pa i përfunduar ushtrimet grupi i parë, Saimi më thirri në telefon. “Xhemajl, më tha, po thotë shefi merri shokët dhe ejani t’ju provojmë çka dini të punoni. I keni dhjetë ditë punë. Nëse tregoheni të aftë, ua bën garancionet”. Pra, kjo ishte parolla për nisje në Zvicër, pastaj për Shqipëri në ushtrime ushtarake. Unë u tregova shokëve. U përgatitëm. I morëm biletat e udhëtimit, dhe u nisëm me një taksist, që e kishim angazhuar të na dërgonte deri në Aeroportin e Shkupit. Ai njeri ishte nga Carabregu. Taksisti na priti në aeroport, derisa u sigurua se ne u futëm brenda, dhe se s’ishte më rrezik të na kthenin. Mbërrimë në Cyrih. Në aeroport, kishin dalë të na prisnin Saim Tahiraj dhe Ismet Abdullahu, që na dërguan në shtëpi. Kemi ngrënë darkë aty, e pastaj jemi shpërndarë. Unë kam ndejur nja 10 ditë. I prisnim shokët të vinin për t’i marrë detyrat e reja. Në ndërkohë, nga Shqipëria erdhën edhe pjesëmarrësit e grupit të parë. Dy nga ta i takova. Njëri ishte nga Drenica, tjetri nga Kaçaniku. Luma, më duket, e kishte mbiemrin. Këta të grupit të parë janë kthyer në Kosovë secili në mënyrën e vet. Kanë shkuar nëpërmes Gjermanisë, Zvicrës etj. Kufirin Shqipëri-Kosovë e kanë kaluar vetëm Sali Çekaj dhe Zymer Luli, kuptohet, të armatosur deri në dhëmbë. Salihu ka pasur kontakte me njerëzit tanë në Kosovë. Po edhe Zymer Lulaj. Vlen të ceket se në këtë grup ishte edhe Zahir Pajaziti. Më vonë, e kam kuptuar se edhe Rrustem Bruçi ka qenë i kyçur drejtpërdrejt. Kështu, pasi jemi bashkuar ne të grupit të dytë të gjithë në Zvicër, jemi nisur me autobus për në Shqipëri. Në këtë grup nga Deçani kanë shkuar: Osman Ferizi, Hasan Ferizi, Shkëlzen Gjonaj edhe Sami Tahiraj, i cili ka qenë duke punuar në Zvicër sezonalisht. Unë, të nesërmen, kisha për të udhëtuar në Shkup. Në bisedën e fundit që e pata me Saimin, më pati thënë: ” Xhamal, a ke mundësi ta gjejsh një koordinator për Gjakovë?”? Nga kjo pyetje, kuptova se duhej zgjeruar aktivitetin edhe në komunën e Gjakovës. Iu përgjigja se, sikur të ishte puna për Pejë ose për rrethinën e saj, si p.sh. në Rugovë, do ta gjeja dikënd, sepse andej njoh njerëz më shumë, që janë të devotshëm për këtë çështje. Në Gjakovë, nuk isha shumë i sigurtë, sepse njerëzit i njihja pak. Të nesërmen, në mëngjes, ka ardhur Skënder Tolaj me veturë dhe më ka dërguar në Aeroportin e Cyrihut, prej nga ku kam fluturuar për në Shkup.
PYETJE : Gjatë kohës që keni qëndrur në Zvicër cili ka qenë aktiviteti juaj atje?
Xhemail Berisha : Gjatë atyre ditëve sa qëndrova në Zvicër, bisedonim me Saimin lidhur me mundesinë e angazhimit të të rinjve nga komuna e Deçanit. U pajtuam të dytë që, sapo të mbërrija në Kosovë, të bisedoja me Ismet Mehmetajn nga fshati Isniq dhe Sokol Gjocin nga Dubrava.
PREJ VESEL LEKËS KAM KËRKUAR T’I GJEJ NJA SHTATË-TETË PERSONA, PËR TË NISUR ORGANIZIMIN USHTRAK (2)
PYETJE : Kur u kthyet në Kosovë, me kë u takuat së pari?
Xhemajl Berisha: Me t’u kthyer në Kosovë, pas tri ditësh, jam takuar me Vesel Lekën e Lumbardhit. Veselin e njihja prej vitesh. Duke pasur besim në devotshmërinë e tij kombëtare, e kam njoftuar të parin për fillimin e kësaj përgatitjeje të lëvizjes ilegale të armatosur. I thashë: “Vesel, s’ka qenë keq të angazhohesh edhe ti në këtë punë. Ti e di situatën prej Saimit qysh në qershor, andaj, nëse ke mundësi t’i gjesh nja 7-8 persona në Prapaçan, Lumbardh, Broliç e Dubovikë etj., për t’ia bashkëngjitur këtij organizimi”.
I tregova, gjithashtu, se armët që do futen në Kosovë duhet lëvizur nëpër vende të ndryshme, në mënyrë që t’i fshehim gjurmët nga shërbimet sekrete të Serbisë. Veseli shprehu gatishmëri për këtë punë. M’u përgjigj shkurt: “Jam në dispozicionin tuaj, dhe nuk do të kursej asgjë”. Më vonë, pas shumë kohësh, janë dëgjuar disa zëra se nga na doli ky njeri! Normalisht, kam thënë se ky person ka qenë i angazhuar qysh në qershor të vitit 1991, dhe se i ka pranuar të gjitha detyrat.
Njeriun e dytë që e kam takuar është Ismet Tahiraj. Më tregoi se i kishte tre djem nga Belegu, të gatshëm për gjeneratën e tretë, për t’i dërguar në ushtrimet ushtarake në Shqipëri.
“Po ashtu, edhe unë i kam tre të tjerë ” – i thashë. Me një fjalë, grupi i tretë nga Deçani u kompletua. Pas një kohe e takova edhe Ismet Mehmetajn, me të cilin bisedova gjërë e gjatë sesi qëndronte puna, pra se na duhej gjetur njerëz të besueshëm dhe të ndershëm, të cilët janë të gatshëm të bëhen ushtarë të Republikës së Kosovës. Edhe këtij i ofrova gatishmërinë për tu kyçur. Pa hezitim, dhe shumë i vetëdijshëm, pranoi të marrë çfarëdo detyre në shërbim të atdheut. Pas tri ditëve vendosa ta takoja Sokol Gjocin, për të biseduar me të gjerë e gjatë. Shkova në Dubravë. Për fat, Sokoli ishte në shtëpinë e vet. Hymë në odë të burrave. Muhabet pas muhabeti, e njoftova gjerësisht për situatën, dhe angazhimin që është bërë deri më tash në shërbim të kombit.
” Na duhen djem të besueshëm për këtë punë, dhe jo vetëm nga komuna e Deçanit, por edhe nga komuna e Gjakovës, nëse njeh ndokënd”, i thashë atij. Kuptohet, edhe ai menjëherë u tregua i gatshëm që të bashkëpunonte me ne në këtë drejtim. Kemi shkuar bashkë që të dy deri në Irzniq. Ai u ndal aty për të biseduar me dikë, që e njihte për këtë që i thashë. Aty jemi ndarë. Tek pas një jave jemi takuar prapë në Deçan. Atë ditë, Sokoli më tregoi se i ka disa djem të gatshëm për ushtrime, jo vetëm për një muaj, por për çdo gjë që duhet në shërbim të atdheut. Prej meje kërkoi që t’i tregoj dy-tri ditë para nisjes për në Shqipëri. Kështu me kohë ne filluam edhe ta dinim përafërsisht kush ishin djemtë që do të angazhoheshin në ushtrimet ushtarake. Osman Ferizi, një ditë, ma sygjeroi Rrustem Shalën nga Barani i Pejës, për ta angazhuar për Lugun e Baranit. Unë, personalisht, nuk e njihja, por e mora obligim të bisedoja për këtë punë me Shpend Shalën, i cili ishte, po ashtu, nga Barani, që është nip imi. U takova me Shpendin në Deçan. E pyeta për Rrustemin. Më tha se e njeh, dhe se e ka djalë të axhës. I tregova se pse e pyeta për të. Shpendi më pyeti se kush e ka caktuar atë, mirëpo unë i thashë se kjo s’është e rëndësishme për ta ditur. Me rëndësi, i thashë, është që t’i duhet të bisedosh me të. ” Do të jeni të dytë a njëri, kjo mbetet punë juaja “, tha ai. Kryesorja, njerëzit duhet të jenë të përgatitur që në momementin kur t’ju lajmërojmë, të jenë të gatshëm. Në fshatin Pozhar, aty ku kam lindur dhe jam rritur, kërkova ndihmë dhe angazhim. Pozitivisht m’u përgjigjën dy njerëz – Hazir Idriz Berisha dhe Nexhat Bajram Musaj. Haziri më ka ndihmuar me veturë kudo që kam pasur të shkoj për këtë çështje. Qoftë kur kam pasur të shkoj në Pozharan të Vistisë te Xhevat Qerimi, bashkë me Saimin për t’i dërguar detyrat e reja që kërkoheshin nga kompetentët, qoftë gjetiu. Xhevati ka qenë koordinator për Pozharan e rrethinë. Hazirin kurrë s’kam pasur nevojë ta pyes a është i lirë a i zënë për të na shërbyer. Ka mjaftuar që t’i them se nesër do të shkojmë në shëtitje, dhe u krye puna. Ai gjithmonë më ka thënë : “Jam i gatshëm për kudoqoftë dhe për çkadoqoftë për juve”. Nexhat Bajram Musajn një ditë e kërkova në shtëpi, por nuk ishte aty. Pas dy a tri ditësh, u takuam në rrugë afër shtëpisë së tij. Më tha menjëherë: ” Baca Xhemë, më kishe pasë kërkuar në shtëpi para 2-3 ditësh “. ” Po “, i thashë. ” Të kam kërkuar te tregu, sepse dy grupe i kanë përfunduar ushtrimet në Shqipëri, e janë kthyer me municion dhe armë me veti. Ato i kemi shpërndarë. Mirëpo, do të sjellim ende armë të tjera, andaj ato duhet strehuar dikund, deri sa të është e nevojshme. I thashë se jam menduar t’i fshehim në xhami. Për këtë na duhet ai, sepse e ka çelësin e xhamisë. Po ashtu, prapë ia ceka se është punë me rreziqe. Pra, i thashë këtë e di edhe ti vetë. Nexhati, pasi që më dëgjoi, më tha: ” Baca Xhemail, rreziku është edhe për ty, e ti i ke hy kësaj pune”. ” Pra, edhe unë, për çdo punë që mund ta kryej, nuk është problem fare “, më tha ai. Rugovën e shumë fshatra përreth Pejës, ku banojnë një numër i konsiderueshëm i tyre, ka qenë e planifikuar ta aktivizojmë me grupin e IV. Koordinator për këtë rajon ka qenë Sokol Muriqi, të cilin e njoh qysh nga viti 1972.
PYETJE : Pasi i mbaroi ushtrimet gjenerata e parë e ushatrëve në Shqipëri dhe e dyta ishe në fazën përfundimtare, çka prisnit në Kosovë, si ishte atmosfera?
Xhemajl Berisha: Në Kosovë ishim shumë entuziastë. Prisnim t’i mbaronte ushtrimet edhe gjenerata e dytë, e cila ishte zotuar edhe për sjelljen e armatimeve nga Shqipëria, ndërsa, ne që ishim në Kosovë ishim zotuar për shpërndarjen e tyre. Ushtrimet e këtij grupi mbaruan. Na lajmëruan se do hynin së shpejti në Kosovë. Mirëpo, shihej se ushtria jugosllave lëvizte jo si zakonisht. Hetohej edhe një lëvizje më e madhe e policisë serbe nëpër territorin tonë, pra në Deçan. Andaj edhe na duhej që, me përpikëri, ta vlerësonim kohën dhe situatën, që organizimi i futjes së armatimeve nga Shqipëria të mos dështonte. Saim Tahiri dhe Sali Çekaj, kuptohet, se ishin të informuar me rrjedhat në Kosovë dhe me situatën në Deçan, për lëvizjet e policisë dhe të ushtrisë serbe. Kështu, një a dy ditë pasi bisedova me Saimin, dëgjuam se Sali Çekaj ishte nisur për të hyrë në Kosovë. Për shkaqe sigurie, kishte qenë i detyruar ta ndërrojë edhe itinerarin e rrugëtimit. Në vend se të zbrisnin në Pobërxh, ashtu siç ishim dakorduar, Salih Çekaj, së bashku me 33 ushtarët e tij, ishte ndalë në Voksh. Kishin ndaluar në shtëpinë e Avdyl Panxhajt, dhe në shtëpinë e Ramë Panxhajt e të disa të tjerëve.
ADEM JASHARI I THA SAIM TAHIRAJT SE NUK KTHEHEJ PA ARMË NË SKËNDERAJ (3)
Në këtë kohë, kishte luajtur puna me Qeverinë e Ramiz Alisë në Shqipëri. Mirëpo, papritur, kuptuam se u zbulua Grupi i Mentor Kaçit. Nuk vonoi shumë, në Prishtinë u zbulua edhe Xhavit Gubetini. Më 29 dhjetor ’91, në mëngjes, shtëpia e Saim Tahirajt, po ashtu, u rretua nga policia serbe.
PYETJE : Nën komandën e kujt kanë hyrë në Kosovë njerëzit tuaj? Sa u vonuan të tjerët të hynin, dhe ç’bënit ju në ndërkohë?
Xhemajl Berisha: Për organizimin e ushtrimeve ushtarake në Shqipëri ka qenë i caktuar nga institucionet atëhershme të Republikës së Kosovës Salih Çekaj. Këta njerëz i njihnin Salihu e Saimi. I ndjeri profesor Fehmi Agani ishte kryesori. Ndërsa për të komanduar gjatë hyrjes nga Shqipëria në Kosovë, Sali Çekaj ka qenë i caktuar nga bashkëluftëtarët e tij, që ndër këta ka qenë edhe vetë legjendari Adem Jashari, me disa të tjerë nga Skënderaj. Ka pasur edhe nga Shkupi, Tetova, Kumanova. Ne ishim organizuar për pritjen e tyre, kur të mbërrijnë në Kosovë, andaj secili e kemi ditur se kush do të shkojë ku. Me mua erdhën ata të Maqedonisë. I kam futur në autobus, dhe iu tregova ku do të shkonim. Ishin kushte të jashtëzakonshme. Kërkohej të vepronim shpejt, e pa rënë në sy se kush janë dhe nga janë. Shoferin e autobusit e kisha të njofshëm. Ishte djali i axhës së gruas sime. E ndalova për të biseduar me të. Më tha se do shkonte në Gjakovë, por ia ktheva rrugën. I thashë se këta udhëtarë duhej t’i dërgonte në një vend. I ka futur në autobus, dhe i ka dërguar atje ku duhej të shkonin. Mendjen e kishim përqëndruar te armatimi, që Salih Çekaj me shokë e kishin futur në Kosovë. I tëri mbeti në Voksh, në familjen e Tolajve. Tashmë dihen njerëzit me emra në shtëpitë e të cilëve ka qenë armatimi: në shtëpinë e Fadil Tolajt në Pobërxhë, ka qëndruar armatimi dhjetë ditë. Pas Fadilit, armët janë dërguar në shtëpinë e Salih Çekajt në Broliç. Prej shëpisë së Salih Çekajt, një pjesë e këtij armatimi është bartuar në Beleg te vëllezërit Tahiraj. Nga këtu, ua kanë dhënë grupit të Drenicës dhe të Llapit. Dëshminë deri tash më të sigurt e ka dhënë Saim Tahiraj në një intervistë të tij në kombëtaren”Bota sot”, në të cilën i ka dhënë emrat dhe mbiemrat e ushtarëve, komunat, numrin e armës si dhe sasinë e karikatorëve dhe fishekëve. Për armatim, kemi shkuar unë, Saimi dhe Samiu në shtëpin e Salihut. Te dera dolën vëllezërit e tij, Smajli dhe Musaja. Këtë të dytin, nuk e kam njohur më herët. Saimi më tregoi pastaj se është vëllai i Salihut. Të dytë na i kanë dhënë armatimet. I kemi marrë, dhe jemi nisur për në Beleg. Ishte nje natë shumë e ftohtë. Binte borë pandalë. Saimi e ka ngarë traktorin të mbushur me armë. Kemi mbërritur te Blini i fshatit Llukë, që shihet prej Strellcit, pra, prej një largësie të madhe. Rrugës për në Beleg, nga pesha e rëndë e armëve në traktor e, po ashtu, edhe nga shpejtësia e madhe, kemi parë se traktori është nxerë. Kishte rrezik të prishej, dhe të mbeteshim në rrugë me tërë atë armatim. Jemi afruar te shtëpia më e afërt, që e kishim në rrugë. Ishte shtëpia e Tafil dhe Murat Ukajt, dy vëllezër që i njihnim. Ishin shumë djem të mirë. U kemi kërsitur në derë të oborrit. Doli njëri nga vëllezërit Ukaj, i cili na ftoi të hynim brenda për t’u nxehur dhe për t’u çlodhur pak. Ia shpjeguam problemin që kishim me traktorin, dhe se na duhej vetëm pak ujë për të. Na e solli ujin. Pasi e zgjidhëm problemin me traktorin, e kemi vazhduar rrugën menjëherë për në Beleg. Para se të dilnim në rrugën kryesore, nëpërmes së cilës ishim të detyruar të kalonim, e kemi marrë nga traktori nga një automat që, në rast se takoheshim me policinë serbe, të luftonim me të. Fati e deshi të arrijmë në shtëpinë e Saimit, pa telashe. Pasi i zhgarkuam nga traktori dhe i siguruam armët, para se të fillonim me shpërndarjen, ato i përgatitëm.
PYETJE : Kush i ka mbushur dhe si u bë shpërndarja e armëve?
Xhemajl Berisha: Saimi dhe unë i mbushnim, ndërsa Samiu i regjistronte me numra kush dhe çfarë armësh merrte. Në mbushje, na kanë ndihmuar Ismet dhe Bajram Tahiraj. Ka qenë e paraparë që secilit t’i jepej nga një automatik, me katër karikatorë dhe 120 fishekë. Duhej t’i mbushnim shumë shpejt, që të mos humbnim në kohë, sepse plani ishte që të shpërndaheshin sa më shpejt. Ademi Jashari ka ardhur i pari për t’i marrë për Skënderaj. Me Ademin ka qenë Xhafer Zena, që i pati marrë për Llap e Prishtinë. Më kujtohet shumë mirë Adem Jashari. Rrinte i ulur këmbëkryq, dhe shikonte si ia ndanim armët e mbushura. Saimi i tha: “Adem, nuk shkohet kështu, me gjithë këto armë. Duhet pasur kujdes, sepse, veç organizimit, më së shumti po e rrezikon veten. Si do t’i dërgosh kështu deri në Drenicë?”. Edhe Xhaferi, që, të vetat, i kishte maskuar pak, i tha: “Adem, do vi nesër në mbrëmje të të ndihmoj, për t’i dërguar bashkë në Drenicë”. Ai nuk pranoi : “Sonte,- tha,- kam vendosur t’i marrë. Nuk kthehem assesi pa to. Ju vetëm mbushni” . I përcollëm atë natë. Të nesërmen, na u lajmëruan se kishin mbërritur shëndosh e mire.
PYETJE : Po në komunën e Deçanit si u bë shpërndarja e armatimeve?
Xhemail Berisha: Saimi, pas 3-4 ditësh, prapë ma dërgoi Samiun, që ta lajmëroja Grupin e Kodralisë, që të shkonin t’i merrnin armët edhe këta. Shkëlzeni, Osmani dhe Hasani nuk donin t’i merrnin me qerre, sepse ishte rrezik. Ata më thanë t’ua qitnim në livadh, kah ora gjashtë e mbrëmjes. Caktuam takimin për të nesërmen në mbrëmje. Të nesërmen, dolëm në çajtoren e Shkëlzenit, në Kodrali. U takova me të. E pyeta se a i kishin marrë të gjithë armët. Ai më tha se kishin ardhur Hasani dhe ai, por Osmani jo. I thashë se unë i marrë për Osmanin. Shkëlzeni më tha se Osmani e kishte porositur t’ia marrë armët edhe për Muharremin, të cilit do t’ia dërgonte ai. Kemi shkuar në livadh, larg 600 m nga shtëpia e Saimit. Na kanë pritur Saimi dhe Samiu. Ne të tretë – unë, Shkëlzeni dhe Hasani, i morëm armët nga Saimi dhe Samiu, dhe i sollëm deri në Kodrali. Unë pastaj u ktheva në shtëpi. Salih Çekaj kishte lajmëruar se, për një kohë, nuk do vinte prej Shqipërisë. Ndërsa në përgatiteshim ta kalonim kufirin këmbë. Dhe, pritnim të na jepej urdhri. Salihu na pati thënë se do të na tregonte kur duhej të niseshim.
Në këtë kohë, kishte luajtur puna me Qeverinë e Ramiz Alisë në Shqipëri. Tërë kohën ishim në kontakt me njerëzit tanë. Mirëpo, pa pritur, kuptuam se u zbulua Grupi i Mentor Kaçit. Nuk vonoi shumë, në Prishtinë u zbulua edhe Xhavit Gubetini.
SAMIUN E BURGOSI POLICIA (4)
Diku kah ora dy pasmesnate, kemi qenë në Rrasë të Zogut, Rrafsh ishte, por ftohtë nën 18 gradë celsius. Tentuam të depërtonim kërrshave, por ishte e pamundur për shkak të borës. Zbritëm poshtë në Erenik. Por as nga këtu nuk mund të depërtonim.
Më 29 dhjetor ’91-s, në mëngjes, shtëpia e Saim Tahirit, po ashtu, u rrethua nga policia serbe. Dhe tri shtëpi të tjera në Kodrali të Deçanit. Samiu është zënë në shtëpi, Shkëlzen Gjonaj në Kodrali, ndërsa Hasan Ferizi kishte arritur të ikte. Osmani s’ka qenë në shtëpi, andaj edhe ky arriti të ikte. Saimi kishte ikur në mëngjes, me një djalë të axhës-Zymer Tahirajn. Bashkë me të, kanë ardhur te unë në Pozhar. Kur e pashë Zymer Tahirajn, u tremba mos kishte vdekur kush, ose mos kishte ndodhur diçka tjetër. I shqetësuar i thashë se ç’kishte ndodhur. ” E ka burgosur policia Samiun “, më tha ai. E pyeta pastaj për Saimin. Për të, më tha se ishte andej shtëpisë sime, por se nuk kishte ardhur deri këtu, sepse kishte menduar mos ishim rrethuar edhe ne. U tregova se e kam dëgjuar një tanks, por se nuk e kisha ditur ç’ishte duke ndodhur. Kisha menduar se, si zakonisht, ishte duke u sjellë policia. Pritëm, i thashë. U bëmë bashkë me Saimin. Ai kërkoi nga unë të shkoja në Kodrali, ose ta dërgoja dikë tjetër për të shikuar se çka ishte duke ndodhur. Pranova, dhe e pyeta pastaj se ku duhej të takoheshim. “Në shtëpi të Isuf Zymerit, te mixha im”, më tha Saimi.
PYETJE : Si arrite të depërtosh atje, dhe çfarë ishte gjendja në atë fshat? A ishte rrethuar ai a jo?
Xhemajl Berisha: Kur shkova atje, iu afrova afër shitores së kodralive. Duke ecur, i dëgjova disa hapa. Vazhdova prapë, edhe pse i dëgjoja këpucët që afroheshin. E dita se ishin hapa policësh. Kam ecur edhe nja 50-60 metra. Jam ndalur, gjoja se po e ndezja një cigare. Dhe jam kthyer përballë, kinse po ma merrte era flakën e shkrepsës. Me bisht të syrit vërejta se policët ishin pas shitores së kodralive. E kuptova tashmë se edhe Kodralia ishte rrethuar. Të kthehesha menjëherë, nuk mundja, se do t’u bija në sy si i dyshimtë. Fati im ishte se, afër shtëpisë së Hasan Ferizit, ishin edhe dy shtëpi të tjera, andaj vazhdova. Te Hasani nuk guxoja të shkoja, sepse Vula, Slloba e disa policë më njihnin. Jam ndalur te Shtëpia e Muhamet Ferizit, i cili punonte si elektricist. E thirra disa herë në emër. Ka dalë babai i tij. ” Hajde, djali i bacës Muzli, hajde ta pijmë një kafe në këtë mengjes, se jam tue pi vetë. Shyqyr qe erdhe me m’ba shoqni “, më ofroi kafe ai. ” Zoti të dhashtë bereçet,- i thashë-, se nuk kam kohë. Po më duhet Muhameti, se një orë e rrymës po më kërset, e erdha ta marrë të ma shikoj atë “. Plaku më tregoi se ishte në gjumë ende, pasi kishte kujdestaruar gati tërë natën. ” Po e zgjoj “, tha. ” Jo, mos e zgjo, se ndoshta s’ka gjë ora “. Më vete, thosha: ” O çfarë kafeje, se ika. N’pshtofsha prej këtij rrethimi, vonë do të m’i pashë sytë “. U përshëndeta me plakun. Për fat, nuk më ndali asnjëri nga policët, që sillej andej. Shkova drejt e te Saimi në Beleg, aty ku e kishim lënë të takoheshim. Tërë ditën Saimi më telefon ka qenë në lidhje me njerëzit tanë, që ta dinim se ç’po ndodhte më saktësisht. E ka thirrë Xhafer Zenën, dhe i ka treguar krejt çka ishte duke ndodhur. Të tjerët nuk dinin si t’i merrnim, sepse s’i kishim numrat e tyre. Saimi e ka thirrë edhe në Shtutgard Salihun, mirëpo s’di nëse ka folur me të a jo. Nuk dinim se çka të bënim: ta sulmonim policinë e t’i nxjerrnim njerëzit që na i kishin marrë, të arratiseshim në Shqipëri për konsultime tjera.
PYETJE : Si e gjetët formulën e shpëtimit në këtë situatë të rëndë për ju ?
Xhemajl Berisha : Thjesht, nuk dinim se çka të vepronim. Urdhri ka qenë që të mos binim në duart e policisë, por të iknim me çdo kusht. Ata që i kishin zënë, kanë treguar atë çka kanë ditur, por jo sa dinte Saimi. Saimi dinte shumëçka. Unë disa gjëra i kuptova prej tij.
Vendosëm të iknim. Jemi përgatitur rreth orës 17 : 00. Dolëm nga Belegu, me dy automatikë, me bukur shumë fishekë. Shkuam në Pobërxh. Deri aty na ka përcjellë Imer Tahiraj. Ky nuk e di a ka fjetur në Pobërxh a jo, vetëm e di se ne kemi vazhduar rrugën më tutje. Prej Pobërxhe na ka përcjellë tezakët Tahir dhe Mujë Hadërgjonaj, bashkë me një kushëri të vetin, deri në bjeshkë. Njërin automatik ia kemi dhënë atyre, që ta kenë më vete për çdo rast. Njërin e kemi marrë ne, dhe kemi ecur tërë natën në borë e në të ftohtë. Bukë kishim, por nuk kishim kohë për të ngrënë fare. Diku kah ora 2 pasmesnate, kemi qenë në Rrasë të Zogut. Rrafsh ishte, por ftohtë nën 18 gradë celsius. Tentuam të depërtonim kërshave, por ishte e pamundur për shkak të borës. Zbritëm poshtë në Erenik. Por as nga këtu nuk mund të depërtonim. Na u desh të kthehemi. Natën e dytë jemi kthyer prapë në mal. Rreth muzgut, pra më 30 dhjetor, kemi mbërritur prapë në Pobërxhë. Ishim mërdhirë nga të ftohtët. Kemi fjetur atë natë aty. Të nesërmen e kemi marrë Mujë Hadergjonajn. Bashkë me të, në këmbë kemi shkuar deri në Junik. Atje e kemi marrë një taxi, që na ka dërguar deri në Shishmon. Prej Shishmonit, deri te shtëpia e fundit, kemi shkuar me një djalë të asaj shtëpie, në të cilën na pati dërguar Mujë tezaku. Para se të ndaheshim me atë djalin, e pyetëm për rrugën se nga dhe ku duhet të shkonim. Na ka udhëzuar aq drejt si të ishte me ne. Jemi ndarë me të. Unë e Saimi e kemi vazhduar rrugën. Diku kah ora 22 : 30 a 23 : 00 kemi mbërritur në fshatin Lugu i Zi (fshat i Tropojës). Filluam t’i shihnim dritat e ndezura të oborreve të shtëpive të fshatit. U ndalëm për të trokitur në një derë të shtëpisë, që e kishim më të afërmen. Saimi ka thirrë në oborrin e një shtëpie: ” O i Zoti i shtëpisë! A doni mysafirë?” Doli një djalë. “Hajdeni, byrem!”, na tha. Jemi futur brendë. Ia kishim pasë qëlluar shtëpisë, sepse ajo kishte qenë tamam një familje bujare shqiptare. Atë natë kemi fjetur aty. Të nesërmen, rreth orës 10 : 00 të mëngjesit, kemi dalë nga aty. Na ka përcjellë një vajzë e asaj shtëpie. Mësuese kishte qenë. Ajo na mësoi se kah duhej shkuar deri në Bajram Curr. Para se të ndaheshim prej saj, na pati porositur se “nëse keni ndonjë shumë parash më vete, askujt asnjë fjalë mos ja thoni, se është rrezik”. Kemi udhëtuar atë natë. Kemi fjetur në një hotel, i cili ishte duke u renovuar, andaj s’kishte as nxemje, as asgjë. 8 batanije m’i ka qitur Saimi përmbi, por nuk më nxeheshin këmbët nga të ftoftët. Të nesërmen, më 1 janar, trageti nuk qarkullonte fare për shkak të festës. Na u desht të ktheheshim prapa. Në mbrëmje, jemi ndalur në fshatin Markgegaj, ku kemi fjetur në shtëpinë e Ibish Camit. Me një kamion, jemi nisur të nesërmen deri në Fierz. Kemi hypur në traget, dhe jemi nisur për Tiranë.
“DELEGATI” I PARË QË NA ERDHI NË TIRANË, ISHTE XHAVIT HALITI (5)
PYETJE : A ju priti dikush në Tiranë?
Xhemail Berisha : Po, na ka pritur një njeri shumë me autoritet në hierarkinë ushtarake të asaj kohe. Për momentin pa dijen e tij nuk mund t’ia permendi emrin. Veç ketij personi, te hotel “Tirana”, na ka pritur një familje gjakovare, të cilën e kam njohur qysh në vitin 1981. Te ta edhe kemi fjetur atë natë. Ditën tjetër, e kemi marrë vajzën e të zotit të shtëpisë, Zija Ejupit, sepse doja ta vizitoja Brahim Pozharin. Vajza, në fakt, shtëpinë e Brahimit nuk e dinte, por me tha se punonte te Hajdin Sejdia (H. Sejdia nga fshati Grabanicë e Klinës v.j.). Pasi hëngrëm mëngjes, shkuam te shtëpia e Hajdinit. Por Brahimi nuk ishte aty. Më thanë se do të kthehej ka ora 16.00, se kishte shkuar me punë në Fier. Në familjen gjakovare hëngrëm drekë. Shkuam ta kërkonim sërish Brahimin. Tani ai ishte aty. Na mori në objektin ku punonte, te vila e Simon Stefanit, të cilën e kishte marrë me qera Hajdin Sejdia. Na luti për drekë. Me Hajdinin, ka folur nja pesë minuta. Ka dalë pastaj bashkë me të. Hajdin Sejdia, pas një njoftimi të shkurtër me ne, na tha: “Sa të jem unë këtu, për të ngrënë e për të fjetur mos u brengosni. E kam edhe një vilë tjetër, andaj, pa asnjë problem, rrini”, na tha ai. Ju falënderuam. Atij i treguam se kishim ardhur ta takonim Brahimin, e jo për të ndejur tek ai. E kemi marrë Brahimin. Dhe shkuam në shtëpinë e tij ku jetonte. Aty ai na ka dhënë tesha dhe këpucë. Ne s’kishim marrë asgjë më vete. Në vilë e takuam edhe Demë Berishën, kushëririn e Sali Berishës. Kështu ditët i kalonim duke shetitur, dhe duke u takuar me shokët që ishin në Tiranë. Gjatë 15 ditëshit a 2 javëshit të janarit, ” delegati ” i parë që na erdhi ishte Xhavit Haliti. Në vilë, ku ishim unë, Saimi, Demë Berisha, Bajram Pozhari e shumë të tjerë, Xhavit Haliti m’u ka drejtuar me këto fjalë: “Tungjatjeta, Xhemajl Berisha!”. ” Tungjatjeta”, ia ktheva. Nuk më bëri përshtypje. ” Më duket se s’po më njeh ? “, vazhdoi Xhaviti. ” Më fal,- i thashë-, se s’po të njoh. Ka kaluar kohë e gjatë e s’më kujtohesh”. Ai ma ktheu: ” Të kujtohet atëherë me Ramë Lulin në Burgun e Pejës ? “. ” Ahaaa,- i thashë-, po, po tash po e di “. Mua s’më kujtohej aspak veç i thashë ashtu. Nejse e vazhduam bisedën. “Pse ke ikur, çka ka ndodhur? “, më pyeti: ” Apo për biznes diçka?”. ” Pse, tregtar të dukem a, apo po tallesh me mua?”, iu drejtova. “Vërtet fola”, m’u përgjigj. Nejse. I rashë shkurt. “M’i ka zënë ca shokë policia, andaj ika, sepse kishte mundësi të më montonin ndonjë gjë”.
Pyetje: Patët takime dhe telashe të tjera me sitipat e Xhavitit?
Xhemajl Berisha: Gjatë janarit, më kujtohet se ka ardhur edhe një kushëri imi-Faton Mehmetaj, bashkë me një Bajram Mehmetajn nga Gllogjani, por që nuk ishin në farë e në fis, edhe pse mbiemrin e kishin të njëjtë. Edhe e fejuara e Fatonit. Kemi qenë të fshehur, por nuk e di si kishte mundur të na gjente.
I pyeta çka keni. Fatoni më tha se kanë ardhur t’i marrin armët nga ne, se donin ta vrisnin Vulën, që ishte një polic me famë të keqe në Deçan. “A s’keni armë në Deçan për ta vrarë atë? Apo këtu doni ta vrisni ?”, i thashë Fatonit. Dhe vazhdova: “Faton, armët t’i kemi ofrur në shtëpi, por nuk i ke pranuar, andaj s’kemi çka flasim për to unë e ti!”. Unë e Saimi i kemi përcjellë Fatonin e Bajramin prej shtëpisë ku banonim, në rrugën “Hajdar Hidi”, afër Lidhjes së Shkrimtarëve, deri te hotel “Arbëria”. Fjalët e fundit që ua kemi thënë janë:” Shkoni në shtëpi. Kur të vijë koha, pra, kur të fillojë lufta, që ishte e pashmangshme, menjëherë do t’ua dërgojmë ato. Vetëm lajmërohuni te unë ose te Saimi. Në dakik i merrni. Por duhet ditur se dikush duhet të japë urdhër për këtë. Duhet të jetë një udhëheqës për këtë, se lufta pa krye s’bëhet”. Asnjëri prej tyre kurrë nuk janë paraqitur për të kërkuar armë. ” Delegati ” a personi i tretë, që na ka “vizituar” atë kohë ka qenë Brahim Avdyli, nëse nuk gaboj, nga Reka e Keqe. (Saimi e di më mirë kush ka qenë ai). Brahimi thirrej në njëfar dokumenti, që gjoja dokumentoka se Ibrahim Rugova e ka nënshkruar autonominë e Kosovës. Aty na erdhi edhe Zymer Berisha, i cili ishte person zyrtar në Përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë. Pastaj një oficer i lartë – quhej Kastrioti, i cili i ushtronte grupet nga Kosova. Ishin edhe shumë të tjerë. Brahimi këmbëngulte vazhdimisht në atë dokumentin e tij. Njëri ndër 18 shokët që ishim aty, i tha: “Tregona atë dokument “. “Jo,- tha ai- atë e posedon Rexhep Qosja”. Oficeri që ishte me ne, ia ktheu: “Po, mirë . Ti burrë, edhe pse s’po të njoh, çka mendon ti? Pse kanë ikur këta djem? Pse janë duke ushtruar? Kush i ka dërguar këta këtu? Rexhep Qosja a ti? A kush? A je ti për luftë?”. Brahimi u shtang dhe filloi pakëz të belbëzonte. “Mirë që po ushtrojnë, por Ibrahim Rugova e ka nënshkruar autonominë. Edhe unë jam për luftë, por….”, belbëzonte Brahimi. Thjesht u diktua se nuk ishte i përgatitur për asgjë. Nejse, ai iku. Deri në gusht, nuk e kam parë më kurrë. Një ditë, ishim duke ngrënë bukë në hotel “Arbëria”. Rastësisht e pashë. Iu afrova. E përshëndeta, e pastaj iu drejtova: “A më njeh?”. “Jo, s’të kam parë kurrë!”. ” Unë po të njoh. Ti je ai që një herë, në Rrugën “Hajdar Hidi”, mua e disa të tjerëve na ke pasë premtuar se do të na e sjellësh dokumentin e nënshkruar nga Ibrahim Rugova për autonominë e Kosovës”. Mbeti i habitur. “Jo, jo. Je gabim, se unë asfarë dokumenti s’i kam premtuar kurrë askujt”. Atëherë i thashë: Ke gënjyer një herë, e sot po gënjen prapë. Dy herë po gënjen. Ishalla Rexhep Qosja nuk është me mendtë e tua”.
Xhemajl Berisha shkëputet pak nga biseda jonë, për t’i kundërshtuar disa pohime të lëpëkësitëve për Adem Jasharin, dhe për t’i demantuar disa pjesë të intervistës së Xhavit Halitit, dhënë ditores “Zëri” si dhe ndonjë diskutim të Bajram Kosumit në Parlamentin e Kosovës.
Xhemajl Berisha në veten e parë: Kam dëgjuar dhe lexuar se Adem Jashari paska qenë anëtar i LPK-së! Këtë e kam lexuar në gazetën “Zëri i Kosovës”, shkruar nga Bedri Islami, më 10.12.1998. Athua, askush s’e ka ditur ku dhe në çka ka qenë i kyçyr Adem Jashari, vetëm i paska mbetur Bedri Islamit të na e mësojë këtë!? Por, në këtë kohë Adem Jashari veç kishte rënë për lirinë e Kosovës. Për të, e kishte flijuar gati edhe tërë familjen. Kishte dhënë tërë atë çka mund të jepej. Tashti ky farë Bedri Islami fliste në emër të Adem Jasharit! Poashtu ky, Bedri Islami, thoshte se Isuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka paskan qenë themeluesit e LPK-së, dhe anëtarë të kësaj partie. Këtë unë nuk e di. Ndrërsa Adem Jashari kurrë s’ka qenë as drejtues, as anëtar i LPK-së. Mund të polimizoj edhe me njerëz që e ndiejnë vetën edhe më afër me Adem Jasharin, e lëre më me Bedri Islamin, të cilin më së miri na e kanë pasqyruar Abdi Baleta në shkrimet e tij, si dhe Nazmi Berisha i Dyzit në librin e tij “Njëzet vjet nëpër burgjet e Enever Hoxhes”. Një sqarim për lexuesit pra: Ky, Bedri Islami, ka qenë njeri i Sigurimit të Enver Hoxhës që i ka marrë në pyetje shqiptarët e Kosovës derisa i ka çmendur. Vërejtjen tjetër e kam për Musë Jasharin, ish-bashkëveprimtar i legjendarit Adem Jashari, siç edhe thirret ai, tash është pjestar i TMK-së. Në pyetjen e gazetës ditore “Zëri” të 8 marsit 2002 se cila është historia e fotografisë së Adem Jasharit me Ibrahim Rugovën, Musa Jashari përgjigjet: ” Unë mund të them aq sa mund të thuhet për atë fotografi. Adem Jashari ishte në Shqipëri, dhe në atë kohë bisedohej për çështjen e Kosovës. Atëherë Ademi shkoi aty të mësonte se çka në fakt bisedohej. Ishte shumë i interesuar. Aty e zuri fotoaparati. Kjo është historia. Unë kaq mund të them për fotografinë e tij me Ibrahim Rugovën”.
Çka ka thënë Musa Jashari nuk është fare e vërtetë. Nuk e di se ku dhe për çka ka qenë ai në atë kohë, as ku e ka marrë këtë informatë për çështjen e fotos. Ndërsa unë po e them të vërtetën, sepse, një ditë, përpara kam qenë me Adem Jasharin në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, në atë kohë. Kemi ndejur me Zymer Berishën. Ai na ka thënë: “A po vini në aeroport ta presim të zotin e shtëpisë, se na vjen nesër?”. Unë i thashë se s’kam mundësi, sepse më duhej të kërkoja banesë për pesë fëmijët dhe gruan time. “Por Ademi mund të shkojë, dhe mund ta marrë më vete edhe Jakup Nurën”, i thashë Zymerit. (Jakupi, në atë moment, nuk ka qenë aty prezent). Dhe, kaq ka qenë biseda mes nesh, për çështjen e ardhjes së Ibrahim Rugovës. Të nesërmen, ka shkuar Ademi me Jakup Nurën, që shihet edhe në foto. Pra, Adem Jashari nuk ka shkuar rastësisht atje. Po ashtu, as aparati nuk e ka zënë Adem Jasharin rastësisht në pritjen e Ibrahim Rugovës në Tiranë. Po ka shkuar me vetëdije dhe dëshirë të plotë. Kaq.
FEHMI AGANI E SALIH ÇEKAJ KANË QENË NË KONTAKT ME LEGJENDARËT ADEM JASHARIN DHE ZAHIR PAJAZITIN (6)
Xhavit Haliti, i ka kontribuar më së shumri formimit të ushtrisë me dy krahë. Krahu i tij ka pasur 150 ushtarë në tërë Kosovën, dhe krahu ynë 99% të ushtrisë, dhe ka qenë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, komanduar nga i ndjeri Ahmet Krasniqi, që e vranë lëpëkësitët në Tiranë.
Në vitin 2002, lexova rastësisht ” Zërin”. Hasa në një intervistë të Xhavit Halitit. Nuk kam pasur mundësi t’i përcjellë të gjitha pjesët e saj. Në ato që i kam lexuar kam hasur në shumë të pavërteta. Pyetja e “Zërit” drejtuar Xhavit Halitit ishte:” Ku dhe si je takuar me Adem Jasharin?”. Xhavit Haliti: ” Me Adem Jasharin jam takuar në Tiranë më 1991 për herë të parë. Ai ndejti një kohë të gjatë në pritje, pasi që të gjithë ata që ushtronin në Shqipëri, ishin realisht të dekonspiruar”. Unë tash i drejtohem Xhavit Halitit: ” Pasi e paske ditur që kemi qenë të dekonspiruar, pse nuk na tragon tash kush na ka dekonspiruar? Po ashtu, Adem Jashari, më 1991, nuk ka qëndruar gjatë në Shqipëri, por vetëm një muaj (tetor-nëntor), gjatë ushtrimeve ushtarake, që i ka pasur me shokët e tjerë. Dy ditë para se të kthehej në Kosovë, kam pasur një shëtitje me të te Varrezat e Dëshmorëve, një orë a më pak. Xhavit Haliti s’ka pasur mundësi ta takojë gjatë Ademin, sepse ai s’ka qëndruar kaq kohë në Shqipëri. Pastaj, Xhaviti e thotë edhe këtë: “Së bashku me të tjerët, ishin vendosur në Shtëpinë e Oficierëve, siç quhej në atë kohë”. As kjo s’është aspak e vërtetë, sepse Ademi më 1991 s’ka qëndruar në atë shtëpi, si thotë Xhaviti, por ka bërë ushtrime me shokët e tij në Malin e Dajtit, në Surrel. Xh. Haliti thotë:” …normalisht s’kishim asgjë tjetër se ç’të bënim, pos që rrinim së bashku në një çajtore, ku mblidheshim dhe bisedonim”.
Fatkeqësia është se tash, kur dikujt i duhen poena politikë, e hap gojën për ta bërë të afërt komandantin legjendar Adem Jasharin
E pyes Xhavitin: A ka mundësi të na tregosh se ku ka qenë ajo çajtore, sepse, me sa di unë, në Shqipëri, më 1991, s’ka ekzistuar asnjë sosh atëherë. Xh. Haliti thotë më tutje: “…në të vërtetë, s’kam biseduar shumë as intimisht me të, por, së bashku, kemi trajtuar problemet e qëndrimit në Kosovë, ose të mundësisë së arratisjes nga Kosova, si dhe për mundësinë e organizimit në Kosovë”. Aspak s’është e vërtetë. Fatkeqësia është se tash, kur dikujt i duhen poenat politikë, e hap gojën për ta bërë të afërt komandantin legjendar Adem Jasharin. Në fakt, s’kanë pasur kurrë biseda të afërta me të. Sipas Xhavit Halitit “… pasi që shumica e të ardhurve që hynin në Shqipëri, rrinin duke pritur dokumentat për t’u arratisur në perëndim, Ademi kishte vendosur dhe priste miratimin në një mënyrë që të futej në Kosovë. Nuk e di nëse qëndronte dikush prapa tij, siç po shkruhet nëpër revista me plot patetizëm “. Ashtu siç është shkruar nëpër gazeta, ashtu edhe ka qenë. Dihet kush ka qenë prapa tij, kurse patetike është intervista e Xhavit Halitit, për arsye se sharron edhe më shumë, kur thotë se ” rreth këtyre çështjeve, nuk kemi bërë biseda intime me Ademin. Nuk kemi biseduar rreth planeve të tij konkrete. E kam konsideruar si të tepërt perzierjen në çështjen e tij private, dhe as sot nuk pyes askënd për gjërat personale “. Hëëë ! Në një anë ai ka qenë komandant i UÇK-së, thotë Xhaviti (në fakt ai kurrë emblemë të UÇK-së nuk ka pasur) – e në anët tjetër thotë se kurrë me të nuk ka biseduar intimisht. I vetmi njeri që e paska pyetur Xhaviti paskëshkam qenë unë (!), atëherë kur interesohej të dinte pse kam ikur, ku dhe si. Thjesht, ty, Xh. Haliti, të kemi pasur hap pas hapi pas shpine, duke na përcjellë se ç’po bënim. Kudo që kemi shkuar, qoftë 2 ditë në Tirane, në Durrës a kudo, na ke mbirë prapa. Kush dhe si të ka dërguar, ti e di. Veç ti e di se ç’plane ke pasur. Prapë po të them: kemi qenë të përcjellur nga ti kudo pas shpine, kryesisht unë dhe dy shokët e Mentor Kaçit. Këtë s’e luan topi, as pushka, ta kojti ty a jo. Edhe shokëve të tu të tjerë. Xh. Haliti: “Nëpër gazeta shkruhet se është fshehur dikush pas gjithë kësaj”. Normalisht se po, sepse këto punë është dashur ashtu të bëhen. Këto punë i ka udhëhequr Fehmi Agani e Sali Çekaj, që ka qenë i lidhur me Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin. Zahiri, fatkeqësisht, u vra pas pak kohësh, pasi u njoftua me ju antarët e LPK-së. Kush e ka vënë në lidhje me ju të LPK-së, e di ai që e ka bërë këtë, dhe ia ka borxh Zahirit ta thotë të vërtetën. Të kthehemi tek patetikja. Patetizëm i Xhavitit është kur, për shembull, në pyetjen e gazetarit të “Zëri”-t: “Ti kthehemi bisedës që e patët në Tiranë me Nait Hasanin dhe Rexhep Selimin. A u morët vesh rreth organizimit të një shtabi të përgjithshëm a të një koordinimi më intensiv?”, Xh.Haliti përgjigjet: “Shtabi duhej të funksiononte normalisht. Dihej se në një shtet normal, shefi i një shtabi duhej të zgjedhej nga presidenti dhe qeverija e atij shteti”. Sipas Xhavitit, presidenti i atëhershëm dhe parlamenti i asaj kohe, paskan qenë punë jonormale! Nën okupim populli i ka mbajtur zgjedhjet, dhe është përcaktuar. I ka treguar botës dhe Serbisë se ne edhe në këso situatash, mund t’i mbajmë zgjedhjet, dhe t’i zgjedhim prijësit tanë, si për çështje politike, ashtu edhe ato ushtarake. Edhe ti, Xh. Haliti, e di këtë gjë. Kjo është ajo patetikja jote, Xh. Haliti.” Kjo në rastin tonë nuk ka qenë e tillë, pasi që nuk kemi pasur asnjë organizim të tillë që do t’i pranonte rreziqet”, thotë ai. Unë po i përgjigjem Xhavitit, se rreziqet nuk kanë qenë për ty në vitin 1991, ’92, ’93….e deri sa plasi lufta . E pye Xhavitin sa ushtarë i ka pasur ai? Një, dy a tre në secilin fshat? E diku, asnjë.
Në komunën e Deçanit, kanë qenë 99% e popullsisë pro instituioneve
Sipas tij, s’paska pasur organizim tjetër, veç atij të LPK-së!!! Ky ka qenë qëllimi i Xhavitit – t’i vjelësh frytet në bashçen e huaj. Formimi i ushtrisë a organizimi i armatosur ka qenë qysh në vitin 1991 në mënyrën institucionale, e jo siç thotë ai. Do t’ia cekë disa “të mira të tij”. E di shumë mirë Xhaviti bisedën që e kemi pasur në vitin 1993, kur më ka ardhur njëri në banesë e më ka thënë se ka ardhur dikush nga Zvicra e po do të shohë ty, Xhemajl. Më ka shkuar mendja menjëhere, se Xhaviti mund të ishte ai që më kërkonte. Jam nisur bashkë me atë që ma kishte pasë dërgur. Jemi takuar në një restorant afër Lanës (lumi Lana). Pasi u përshëndetëm, kemi porositur nga një kafe. Kuriri i tij është larguar (s’po ia përmendi emrin, por deçanas është). Nëse atij i kruhet shpina, do t’ia cekë ” të mirat e tij “. Sa na kanë ardhur kafet, është larguar kamarieri, Xh. Halitit më tha: “Xhemajl, nuk më kishe pasë treguar drejt në vitin 1992, në vilën e Hajdin Sejdisë, kur të kam pyetur”. “Sepse s’e kam pasur obligim “, t’u përgjigja. ” Jo, jo,-tha-, ke të drejtë”. Nuk guxonte të më shikonte në sy. Atëherë i kam thënë: “Do të flasim tash pak shkurt, se ju ka ardhur fundi disa gënjeshtarve. Unë e di se ti, Xh. Haliti, në momentin që m’u ke drejtuar atëherë me emër e mbimër, e kam ditur se je i dërguar me qëllim tek ne, që t’i vjelësh frytet tona, sepse kemi qenë të organizuar të gjithë djemtë e Dukagjinit, Llapit e Drenicës “. Tash po i them se, nëse do të dijë diçka, le të hapet vetë. I tregoj se ku jam unë e ku është ai. Sipas lëpëkësë, del se ajo e ka organizuar ushtrinë (!), dhe se vetëm ajo ka luftuar e askush tjetër më. Më irituar një diskutimi i Xhavitit në Parlamentin e Kosovës, në janarin e këtij viti (2003) ” Unë jam njeriu më i përfolur në Kosovë. Flitet që unë e kam armatosur edhe Alkaidën, kam luftuar me ata, kam armatosur IRA-n, kam luftuar për IRA-n”. E kjo është patetike, Xh. Haliti, sepse ti i ikën së vërtetës. Në fakt, Xh. Haliti, i ka kontribuar më së shumti formimit të ushtrisë me dy krahë. Krahu i tij ka pasur 150 ushtarë në tërë Kosovën, dhe krahu ynë me 99% të ushtrisë, dhe ka qenë nën komandën e Minsitrisë së Mbrojtjes së Kosovës, komanduar nga i ndjeri Ahmet Krasniqi, që e vranë lëpëkësitët në Tiranë. Pra, lëpëkëistët kanë “merita”, sepse e vranë njeriun kryesor profesionist, që, për ekspertët si Ahmet Krasniqi, të tjerët investojnë, kurse këta lëpëkëistat, i vrasin! Me gjak e kanë filluar, e kam frikë se me gjak do të merrni fund. Kanë filluar me vrasjen e Ali Ukajt në qendër të Tiranës. Aliu ishte një gazetar nga Lumbardhi dhe zëdhënësi i parë i UÇK-së. Pse e bënë këtë? Sepse nuk u pajtua me ta. Ai pranoi UÇK-në nën komandën e Qeverisë së Kosovës, të cilën qeveri Xhaviti dhe shokët e tij kurrë nuk e njohën, por ia bëtë taminin qverisë kuislinge të Fatos Nanos, etj. Si mendon Xh. Haliti, se Greqia, për hir të shqiptarëve të Shqipërisë, e shet Serbinë?! Si mendon ai dhe shokët e tij se, përmes Greqisë, mund ta nxjerrni Kosovën prej kthetrave të saj ?! A e ha Greqia këtë? Jo, kurrë, sepse Nanosi është agjent i grekut. Të gjithë e njohin Nanosin për tradhtitë e tij. Xhaviti dhe shokët e tij e kanë filluar me gjëra të këqija. E të gjithë ata që e fillojnë me gjëra të këqija një punë, fundin e kanë të keq. Pak ju duket vrasja e Shaban Manajt? Djegia e tij? Vetëm shkiet e kanë bërë një gjë të tillë. Këtë e bëtë edhe ju. Pastaj, dy djemtë e Zeqirajve, që e kishin përcjellë kryetarin e komunës në Istog. Ismet Rracin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, komandant Drinin, Smajl Hajdarajn, kolonel Tahir Zemajn e mjaft të tjerë. Sipas Xhavit Halitit dhe shokëve të tij, ” kolaboracianotë ” (bashkëpunëtorë, se s’po ma qet gjuha, hahah !). Këta i vranë, se ua kanë zënë rrugën, që të vinë ku janë tash.
POLEMIKË ME BAJRAM KOSUMIN (7)
PYETJE : Pasi veç dole në një temë tjetër, si i komenton fjalët e Bajram Kosumit në parlamentin e Kosovës se “…edhe nëse është marrë ndokush, janë marrë disa bashkëpunëtorë të serbit, e nuk duhet të bëhet e madhe?”
Xhemajl Berisha në vetën e parë: Bajram Kosumit do t’ia bëjë këto pyetje, dhe vetë do t’u përgjigjem atyre, se nuk është vështirë: “Po si, bre Bajram Kosumi, u vra Tahir Zemaj vetë i treti në Pejë, pastaj Ibish Hoti – avokat, Ilir Selimaj, pas vrasjes së Tahirit … të gjithë në Pejë? Të gjitha janë vrasje politike. Pse shqetësoheni kur i quan dikush vrasje politike? Sepse ju djeg, keni vetë dorë në ato gjëra. Jeni të njëjtë me Xhavitin. E ju, as që diskutoni asnjë fjalë të vetme, por vetëm me këtë shprehje dilni në opinion: “Pse nuk zbulohen këto vrasje”? Do të zbulohen, do të vijë koha. Ti, Bajram Kosumi, si mund t’i quash Xhemajl Mustafën, Enver Malokun e komandant Drinin bashkëpunëtorë të serbit, kur dihet sa kanë kontribuar ata për çështjen e Kosovës. Komandant Drini u vra kinse qenka dëgjuar duke folur serbisht në radiolidhje? Hëm ! Si të flet dikush serbisht, medemek, qenka bashkëpunëtor i shkaut a? Edhe po të kishte qenë ashtu, ekzistojnë ligjet, rregullat me të cilat punon çdo kush, andaj nuk vritet njeriu kështu si bëni ju, duke ekzekutuar njerëz. Jo, more zotni, jo, se ti brenda në partinë tënde, bile-bile, edhe programin e partisë tënde, ta ka bërë bashkëpunëtori i Titos, Mahmut Bakalli. Tash ke fytyrë t’i thuash dikujt diçka. Por, mos u bëni merak, se do t’u vijë fundi edhe këtyre gjërave. Do të them edhe diçka. Kam dëgjuar se shumë kanë qenë bashkëpunëtorëtë Serbisë, sipas teje dhe shokëve tu. Keni thënë për të gjithë ata që ua keni ndërperë jetën. Dhe gjithmonë vetëm pasi janë vrarë ata. Mua më intereson një gjë: Xheladin Muharrem Lekajn, që ka jetuar në Perëndim, të cilin e kam njohur si shumë djalë të mirë e të zgjuar, që 6 gjuhë i ka ditur. Ai i është përgjigjur atdheut, duke e lënë luksin e tij të madh, dhe asnjëherë nuk e ka lëshuar në front pikën e Lumbardhit e në Pozhar. Një ditë, është marrë në pyetje nga shtabi i Gllogjanit, disa herë. Dhe është dërguar në Lumbardh, sipër Maznikut, kah Maliet e Dashinocit. Këtë e ka marrë një person (tash s’do t’ia përmendi emrin asnjërit nga këta tre persona), dhe e ka dërguar në Gllogjan. Ky ia dorëzon personit të dytë, i cili e merr në pyetje, dhe e lë nën mëshirën e të tretit. E ky i treti e likuidon. Pra, me qëllim s’po them, e pushkaton, por e likuidon, në mënyrën më barbare. Unë, them lirisht, se më tradhtar është ai që e ka dhënë urdhërin për likuidim, se sa ky që akuzohej gjoja se ishte bashkëpunëtor i serbëve. Në bazë të cilit ligj ju e quani bashkëpunëtor një shqiptar, dhe në bazë të çfarë urdhëri ligjor ju e likuidoni? Besim Dajaku, Bekim Kastrati u vranë nga dora shqipfolëse. Bekimi ishte ushtar i UÇK-së dhe një gazetar, që e kreu detyrën e vet me nder. Tradhtarë janë këta?! Tradhëtar ishte Gani Geci që, me urdhër të Adem Jasharit, kreu aksionin e parë në Skënderaj kundër policisë gjakpirëse të serbit. Tradhtar ishte Ukë Bytyçi vetë i treti, që e vranë ditën e zgjedhjeve, duke e festuar fitoren?! S’keni turp. Sipas jush, ju me 15 veta në Zvicër e Shqipëri e keni fituar lirinë e jo të tjerët. Ne të tjerët kemi ngrënë bari, apo jo?! Zotëri, ne kemi punuar me urdhra të njerëzve të pendës e të pushkës, në mënyrë të organizuar. Ne kemi qenë të udhëhequr nga njeriu i pendës e i pushkës, që nuk ka dhënë vetëm urdhra, por ka ditur edhe t’i dëgjojë ata lart. Organizimin në Rrafsh të Dukagjinit e ka bërë Sali Çekaj. Në Drenicë Adem Jashari. Zahir Pajaziti e vllezërit Gurbetini në Prishtinë. E shumë e shumë të tjerë nga Llapi, të cilët ishin djem të mirë e trima. Pastaj Xhafer Zena, vëllezërit Sheholli nga Hertica, Ekrem Sheholli, Isuf Ismajli…Janë të gjithë këta emra që i kontribuan me nder kombit shqiptar. Këto janë gjëra reale e jo patetizëm, si i quan Xhaviti.
PYETJE : T’i kthehemi temës sërish. Ishim tek viti 1993.
Xhemajl Berisha: Po, dakord. Atëherë isha në Tiranë. Fola një ditë me Saimin në telefon. Ai më tha ta prisja se do të vinte në gusht. Ata nuk erdhën në gusht, por kah gjysma e korrikut. I thashë: “Po ti më ke thënë në gusht, e jo tash? Çka u bë?”. ” E po,-tha- nganjëherë duhet me rrejt. Jo shumë, po ngapak, s’ka dert”, tha. Plasi gazi. Kishin ardhur me bus të Zenun Idrizit, bashkë me Ismet Avdullahun deri në Vlorë. Salihu e Zymer Luli me aeroplan. Me ta, ishte edhe një Nazmiu. Zenun Idrizin e pritnim atyre ditëve të vinte. Dola unë me Ismet Avdullahun ta prisja në aeroport. Ka ardhur edhe Zenuni. Janë përgatitur. Të nesërmen unë me Ismet Avdullahun dolëm në qytet. Ka zbritur Sali Çekaj. Ai kishte qenë në përfaqësinë e Kosovës. Aty jemi përshëndetur, dhe kemi biseduar pak. Unë s’kam ndejur me ta, po jam larguar. Salihu më tha të rrija. I thashë se çështjet, dhe disa biseda që vetëm ju i dini, s’kam qejf t’ju përzihem. Pasi e kanë kryer bisedën me Salihun, unë e Ismeti jemi përshëndetur me Salihun. E kishin pasë lënë që të nesërmen të nisemi me bus të Zenunit. Dhe të takohemi në Bushat, tek nje restorant. Të nesërmen, u bashkuam. Gruan e tij e kemi dërguar te daja në Divjak. Aty ka qenë edhe Bajrami (vëllai i Saimit). Jemi kthyer unë, Saimi, Ismeti Avdullahu, Zenuni në Tiranë. Aty ishte edhe Nazmiu (s’më kujtohet mbiemri). E takojmë Salihun e Zymer Lulin në Bushat. Atë natë kemi hypur në traget të gjithë, dhe kemi kaluar Komonin, Fierzën dhe kemi shkuar në Bajram Curr. Këtë po e ceki, për shkak se këta lëpëkëicat po flasin gjithçka. Salihu donte ta kemi një bazë në Tropojë, që të jemi në lidhje tërë kohën. I thashë: ” Unë i kam tri vende, në të cilat mund të llogarisim për ndihmë në këtë aspekt. Njëri është në Bajram Curr, pra te kushëriri i Salih Berishës, tjetri në një fshat tjetër të Bajram Currit, që s’kishte të bënte më familjen e tij, kurse vendin e tretë në Lugun e Zi, që ishte edhe pak më larg. Ti, Salih, zgjidh në cilën familje të duash “. Salihu më tha se, për momentin, jemi këtu, andaj s’mund të zgjedhim ku e si, por po shkojmë tek kushëriri i Salih Berishës, pasi që ishim veç në Bajram Curr. Kemi shkuar në shtëpinë e tij. Babai i tij quhet Ahmet Xhema. Ka tre djemë: Demën, Abedinin dhe Rexhën. Të gjithë kishin qenë në bjeshkë. Vetëm Abedini ishte në shtëpi. Kam thirrë në shtëpinë e tyre. Ka dalë gruaja e Abedinit. Më lutën me Abedinin të hyja brenda. Nuk hyra, veç Abedinit i thashë t’i tregojë gruas se, deri kah ora 23. 00, nuk mund të vijë, sepse jam me shokë, e ata duan të shkojnë në Kosovë. Jemi bërë bashkë me Abedinin, dhe me shokët. I kemi marrë armët, dhe jemi nisë të gjithë nën komandën e Sali Çekajt. I kemi përcjellë deri në fund, deri ku s’ka shku më vetura. Pastaj nën hijen e një lajthie jemi ulur dhe kemi bisedonim. Salihi ka qenë i interesuar të dalë deri në Bjeshkën e Gjeravicës. Abedini e ka udhëzuar krejt cilës rrugë të shkojë. Bile Abedini ua tregoi edhe emrin e një personi ku mund të ndaleshin. Aty,u tha, ndaluni lirisht. Ishte vonë. Vlen të ceki se shoqërimi im me Sali Çekajn nuk ishte se ai nuk e dinte rrugën e kufirit, mirëpo qëllimi ynë ishte që të jemi në lidhje tërë kohën, dhe ta kemi një bazë aty. Për këtë, më ka marrë më vete Sali Çekaj. Kjo bazë, tërë kohën, ka qenë e jona. Pra, unë isha vetëm t’i njoftoj me atë familje aty, dhe të mbetej si bazë jona ajo familje. Qëndruan sa qëndruan në Kosovë. Atje i takuan njerëzit, të cilëve ua dërguan armët që i kishin. Më vonë, u kthyen në Shqipëri. Ismeti e Avdullahu më përpara, 2-3 ditë. I kam vendosur në një banesë në Tiranë, afër times. Kanë ngrënë darkë te unë, dhe i kam dërguar të flenë. Më ftuan edhe mua të bisedonim, por unë nuk shkova. Ju thashë se, nëse kanë vërejtje deri në bazën ku unë i kam dërgur, të ma thonë lirisht. Salihut në Kosovë iu kishte pas enjur këmba nga ndrydhja. Kemi shkuar me Saimin, dhe e kemi thirrë në orën 23.00 një mjek, që unë e njihja, dhe ia kemi sjellë Salihut, quhej Zamir. Ai na pyeti se a kishe marrë ndonje medikamanet Salihu? Më kujtohet se i pata thënë:” Zamir, ne s’kemi ditur çka t’i bëjmë për këmbë, vetëm se 1 litër raki llozë ia kemi qitur në këmbë. Mjeku ia shëroi të enjturit. Pas 2-3 ditëve, iu shërua këmba. Shokët shkuan, përveç Salihut, i cili mbeti në Shqipëri. Nuk e pyeta pse ka mbetur ky në Tiranë, por shokët më treguan pastaj se kishte pasur probleme në kufirin Zvicër-Gjermani, e kanë dashur ta kthejnë në Beograd a ku ta di unë. Kryesorja, shyqyr që kishte shpëtuar. Sa ka qëndrur në Tiranë, çdo ditë jam takuar me të. Takoheshim, shkonim kah Qeveria e Kosovës, pinin ndonjë kafe nëpër restorante, dhe bisedonim për organizimin dhe për luftën. Zakonisht nëpër lokalet, ku kishte shumë shqiptarë të Kosovës, Salihu nuk shkonte, sepse kishte shumë pisa që s’meritonin as t’i shohësh, e lëre të takoheshe me ta. Një ditë me Salihun jemi ulur në një lokal afër bankës shqiptare. Pas pak, ka ardhur Azem Hajdari, i cili u ul me ne.
SALI ÇEKAJ BËNTE AKSIONE, LPK-ja SHKRUNTE KOMUNIKATA
PYETJE : A folët rreth Kosovës me Azemin dhe a ju kujtohet ndonjë detal nga përmbajtja e asaj bisede?
Xhemajl Berisha: Po, biseda ka zgjatur më tepër se dy orë. Pasi u thelluam në bisedë, unë deshta të çohem, meqë nuk e dija a ishte takim i planifikuar në mes të Salihut dhe Azemit.” I thashë, Salih, nëse unë ju pengoj, po largohem”. “Jo, tha Salihu – në asnjë mënyrë”. Gjatë diskutimit, më kujtohet se Azem Hajdari na ka thënë: ” Po filloi lufta sa të jem ne në qeveri, po të donë shqiptarët e Kosovës, do të kenë armë e municion çfarë të duan e sa të duan. Janë të gatshme dhe të konzervuara, andaj vetëm jau hapi derën, dhe merrni çka të doni për të luftuar kundër serbit. Dhe jo vetëm fishekë e municion, por edhe oficierë”. Ka qenë në marrëveshje me Sali Berishën ky a jo, unë nuk e di. Por, ka qenë vërtet fat i keq që Azem Hajdarin e vranë, se ishte një njeri tepër i dhënë për çështjen shqiptare. Ishte një kolos i atdhetarizmit. Pse e thashë këtë? Sepse ka shumë gjëra që unë e Saim Tahiraj i dimë dhe me kohë do t’i themi.
Salihu shkoi në Gjermani, unë mbeta në Tiranë
PYETJE : Salihu ka qëndruar edhe më tutje në Tiranë apo u kthye në Gjermani?
Xhemajl Berisha: Pasi qenë kthyer nga Kosova, Salihu një kohë qënrdoi në Tiranë pastaj shkoi në Gjermani. Unë mbeta thuajse vetëm një kohë në Tiranë. Kuptohet, tërë kohën isha i rrethuar me lëpëkëica, të cilët më bënin pyetje tërë kohën, pastaj oferta, më ofronin pasaporta kinse të dalë jashtë, e këso e aso gjërash të llojllojshme. Me thoshin se, po pate nevojë a dëshirë të qëndrosh edhe në Shqipëri, të ndihmojmë të punosh shtëpi, ma qitnin në tavolinë pasaportën e dikujt që ta shfrytëzoja etj. I kam refuzuar në vazhdimësi, me arsyetimin se jam me gruan dhe 5 fëmijë, po edhe se s’kam dëshirë të dilja jashtë vetë e ta lija familjen këtu te Fatos Nano. Me thoshin se ne ju kemi ndihmuar shumëkujt, por po na thonë se këtë ndihmë ua kemi ofrur vetëm e vetëm të bëhen antarë të partisë sonë, pra të LPK-së. Ju kam pasë thënë se, po të m’i ofronin miliardat, s’bëhem anëtar i partisë së tyre. ” Këtë pasaportë falëmnderit që ma keni sjellë, jepjani Bajram Mehmetit, i cili është i juaji, dhe këtë pasaportë është duke e pritur të dalë në Zvicër”, u pata thënë. Kështu njeriu i LPK-së, që ma kishte sjellë atë, mbeti si në grackë me këtë, andaj edhe ia dha pasaportën Bajram Mehmetajt. E ka marr Bajrami pasaportën, dhe me të doli në Zvicër, ku jeton edhe sot e kësaj dite. Personi që ma ka sjellë atë, quhej Adem Grabovci. Kjo ka ngjarë në kafe-lokalin e quajtur “Evropa”, në katin e parë përdhesë.
PYETJE : Po a të shoqëronte dikush tjetër gjatë kësaj kohe?
Xhemajl Berisha: Unë e njihja pak Ismet Çekun. Rrinim me të. Nga Kosova ishte edhe Elez Elezi, kështu që u bëmë bashkë dhe rrinim e shëtisnim. Unë bëra përpjekje në çdo mënyrë të dalë në Zvicër a në Gjermani. Në tetor, me ndihmën e shokëve, ia arrita të dalë. Nuk do t’jau përmendi emrat. Si refugjat në Kampin Rojsvill, kam ndejur deri në shtator – tetor të vitit 1994. Të parët që më kanë vizituar kanë qenë 2 anëtarë të LPK-së, por të cilëve nuk do t’ua përmendi emrin, pasi që nuk janë të egër si këta të tjerët, por janë të pasherr. Por prapë se prapë, falëmnderit prej tyre. Salihu me shokë, më 1994, u futën prapë në Kosovë. Bënë disa aksione, për të cilat diskutohej shumë nga njerëzit në variante të ndryshme. Këto aksione apo veprime u përsëritën edhe më 1995, pasi që u futën prapë në Kosovë Sali Çeku me Saimin, Zenun Idrizin, Ismet Çekun e të tjerët. Kur filluan shokët tanë t’i bëjnë shpërthimet fillojnë edhe komunikatat e famshme të Xhavit Halitit, me kompani. Para se të futën në Kosovë edhe në vitin 1996, një ditë më thirri Saimi në telefon e më tha: “Xhemajl, e kam një hall të vogël, por s’është që nuk ka zgjidhje”.
Më tregoi se do të futen brenda, por fëmijët s’mund t’i linte vetëm me gruan në banesë. I kam thënë ta sillte tek unë familjen. Saimin e kam përcjellë deri në aeroport. Gjatë ndarjes, e di që i kam thënë: “Amanet e ki kur të kryhet puna, pra, kur të mbërrish në Tiranë, lajmërom se a keni mbërritur të gjithë mirë, apo çka do që të ndodhte. Jemi përshëndetur. Kanë shkuar, por normalisht me vonesë, sepse dihej si ishin mundësitë e hyrjes në Kosovë. Gruaja e tij u bë merak, se nuk dinte se ç’po ndodhte, dhe për ku ishte nisur Saimi me shokët. Por, në lajme kur dëgjuam se në shtëpitë e refugjatëve në Junik edhe Irzniç e gjetiu janë bërë këto shpërthime e sulme ndaj policisë serbe, atëherë ajo e diti se Saimi ishte në Kosovë. Megjithatë, unë nuk ia pohova këtë. Më duhet të cek se është shumë e çuditshme se si sot ka ndodhur aksioni, e të nesërmen në TVSH ka dalë se ndodhi kjo e kjo ngjarje. Të pasnesërmen, po i dëgjoja lajmet në RTSH se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me komunikatën nr……(nuk e di cila ka qenë), kështu e kështu, e merr sulmin mbi vete. S’ishte interesant për mua se çka thoshin, por kush doli me këtë komunikatë? Ishte qesharake vërtet. Erdhën Saimi, Sali Çekaj, Ismet Çeku, Zenun Idrizi dhe plot të tjerë nga Kosova, pas aksioneve dhe detyrave që i kishin kryer. Kaluan 4-5 ditë, dhe bëri telefoni. Ishte Saimi. E pyeta se si kanë kaluar, dhe se ç’kishte të re. “Të gjithë shëndosh e mirë jemi”, më tha: “Si kemi shkuar, edhe jemi kthyer. A ka diçka të re, – më pyeti?”. “Po”, – i thashë. “Ka dalë një komunikatë, në të cilën pranohen aksionet e kryera në emër të Shtabit të Përgjithshëm”. “Jo, bre”, tha Saimi. “Kur ashtu?”. Thashë para dy- tri netësh, sa keni qenë ju ende në Kosovë.
Ja këto ishin punët e fëlliqta të lëpëkëicave që kanë manipuluar me vlerat tona. Ata e quajnë Adem Jasharin komandant legjendar të UÇK-së, kur ai kurrë shenjë të saj s’ka bartur, kurrë armë s’i kanë dërguar e asgjë tjetër. Si mund të thirren në emër të tij e të Zahir Pajazitit, kur ata kurrë s’kanë qenë me lëpëkëica?! Pse e ndajnë Sali Çekajn, kur dihet shumë mirë se ai ka qenë prijësi i gjithë grupit prej 33 njerëzve, gjatë hyrjes me armatim në Kosovë qysh në vitin 1991?! Unë nuk e di se çka janë ata. Ua ka mbyllur sytë paraja e popullit, që e kanë mbledhur në diasporë. Por, ka me ju pëlcitë marrja që e kanë bërë. Turp ju qoftë të gjithë juve që i ndatë dëshmorët. Nuk ka pyetur askush se nga cila parti jeni. Një ka qenë e ditur. Zotëri do të bësh ushtrime, të ndihmosh? Po, ose jo. S’ka pasur tjetër pyetje aty. Të vetmit që keni pyetur për parti, keni qenë ju lëpëkëistat e LPK-së, që e tradhëtuat duke formuar “parti të luftës” . I njoh të gjithë njerëzit tuaj me emër e mbiemër. Tash jeni bërë të gjithë komandantë, komesarë e gjithçka tjetër. Emëroheni vetë ashtu si doni. Ju ushtarë s’keni pasur fare. Kur ju pyesnin gazetarët kush je ti, thoshit unë jam komandanti. Unë komesari, etj. Po mirë, ushtrinë ku e keni? Aaaaa, ushtria janë në mal! Sipas jush, pra, komandantët po dilkan haptaz, kurse ushtarët duhet të rrinin në mal!!! Ashtu e ka rregulli i ushtrisë, sipas lëpëkëistave.
Unë kam respekt për të gjithë ata që e kanë marrë pushkën për lirinë e Kosovës, e respekt më të madh kam për ata që kanë rënë për lirinë e saj, pa marrë parasysh a ishte ushtar a civil, pa dallim partie a shoqate ku kanë qenë. E nderoj edhe atë që ka ardhur të luftoj për Kosovën nga vendet e huaja. Qofshin të nderuar të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës, pa i ndarë në baza partiake. Ju qoftë për faqe të zezë të gjithë juve që bëtë kësi ndasish partiake. Pra, ju lëpëkëicat që ndatë e po ndani dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë.
Xhemajl Berisha në vetën e parë: Do të ndalem prapë te Xhavit Halitit. Isha akoma në një kamp si refugjatë në Ladlizvil. Nja dy persona erdhën ta vizitonin Gëzim Avdimetajn. S’ka qenë djalë i keq, por ishte mashë e Xhavit Halitit. Ndejtëm me të. Më tha të dilnim në Cyrih. “Jo,-i thashë,- kam për të shkuar pas dy ditësh. Më ka ftuar Kryqi i Kuq”. ” Mirë-, tha,- mos shko se vi unë e të marrë, pra “. Atë ditë prita pak në mëngjes mos po vinte, por s’kisha shumë kohë ta prisja. Shkova. Rrugës ” Bertastrasse “, numër 8, e takova . Hypa lart në ndërtesë, dhe pritja kur të më thërrasin në bisedë autoritet që më kishin ftuar. Aty i takova rastësisht Demë Tolajn dhe Fadil Tolajn. Edhe ata ishin për disa punë aty. Mbaruan punë ata, mbarova edhe unë. U takuam që të tre së bashku në rrugë, kur, papritmas, prapë na doli përpara Gëzim Avdimetaj. Na ftoi të pinim kafe në një restorant aty afër. Dema tha hajt të shkojmë. Shkuam, dhe u ulëm e porositëm kafe. Nuk di a patëm filluar t’i pijmë ato. Kur po e shohim Xhavit Halitin, duke zbritur shkallëve. Thashë ka na doli ky këtu tash se! Gëzimi tha: “Ky banon këtu në ndërtesë”. Folëm pak, por nuk hymë shumë në bisedë. Duke u ngritur për t’u përshëndetur, Xhaviti po ma ofron numrin e telefonit. “Nëse ke nevojë, thirrëm”, më tha ai. Nejse, e mora numrin, edhe pse e dija se s’kisha arsye t’i telefonoja. Atij i ka interesuar të dinte lidhjen e organizimin e vitit 1991. I ka interesuar që të thirrej vetë në emër të atij grupi dhe të atyre aksioneve. Mashtrohet shumë Xhavit Haliti, kur thirret në emër të Zahir Pajazitit dhe të familjes Jasharaj, sepse jo vetëm unë, por ka edhe mijëra të tjerë, që e dinë të vërtetën e tij, dhe të vërtetën e trimave të vitit 1991. Për faksat që i dërgonin këta nga Aeroporti i Cyrihit e nga vendet e tjera, e dinë ata që vetë i bënin këto gjëra. E kam një rast konkret. Mbasi ndodhi masakra në familjen Jasharaj, erdhi tek unë në Vintentur, te Sadik Berisha, Isa Krreku nga Juniku, i shpërngulur shumë herët në Firajë. Sot jeton në Shqipëri, si i ikur më 1968. Unë Sadikun e kam kushëri, sepse i kemi baballarët bijë të axhës. Më thirri Sadiku në telefon, e më pyeti nëse doja ta vizitoja Isën se kishte ardhur te ai. Iu përgjigja pozitivisht. Hypa në tren dhe shkova te ai. Kemi ndejur deri në mbrëmje, dhe kemi shkuar te Riza Berisha. Edhe atë e kemi kushëri. Kemi fjetur aty të gjithë. Isa më tha se do të shkonte në punë në Mediamarket në Dierikom. Me çka do shkosh?- e pyeta. Tha se me veturë me djalin e Rizasë, Bujarin. “Do vish edhe tek unë?”. “Patjetër”, tha ai. Erdhëm në banesën time me Isën e Bujarin, dhe filluam të diskutojmë për Jasharajt, si dhe për atë se kush po i dërgonte faksat etj. Dajës i thashë se unë i tregoj se kush po i dërgon faksat. “Jasharajt u vranë. Atëherë as LPK-ja, as Xhavit Haliti nuk thoshin se u vra komandanti a prijësi ynë, por vetëm Adem Jashari”, nisa t’ia shpjegoj këtë çështje. Ia tregova edhe rastin e hyrjes së Adem Jasharit me Sali Çekajn e 33 të tjerët në Kosovë. ” Ai-vazhdova- s’ka qenë kurrë anëtar i LPK-së.
KUSH E KA NJOHUR SALI ÇEKAJN, E KA NJOHUR RRUGËN E URTISË (9)
Madje, e di një rast me Ademin dhe një djalë nga Deçani, kur i tha Ademi atij: “Ti je shumë djalë i mirë, po të mos ishe aty ku je, në LPK”. Isa, pasi më dëgjoi, më pyeti se kush i dërgon faksat. Shkurt i rashë se po i dërgojnë këta të LPK-së. Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Adem Grabovci etj., etj. “Pse? – tha Isa, – mos ata po i dërgojnë faksat, dhe një ditë të dalin se ata janë Shtabi i Përgjithshëm?”. Ja kapi Isës menjëhërë. Pra, daja ia qëlloi. Kam filluar t’i tregoj Isës rastin kur kemi shkuar ta shohim Rifat Jasharin unë, Saim Tahiraj, Ekrem Sheholli, Bajram Tolaj, Osman Ferizi. Kur kemi mbërritur te dera, kanë qenë grumbull këta të LPK-së, por kanë ikur menjëherë, si ta kishin parë gjeraqinën. Ka mbetur i vetmi Jashar Salihu, duke u përshëndetur me Rifat Jasharin. Më ka përshëndetur edhe mua, pasi që isha veç tre hapa larg tij. Atëherë kanë filluar hilet. Kjo ka qenë në fillim të 1998-s, pas masakrave të Prekazit, Likoshanit e Qirezit. E tek më vonë kanë dalë se janë këta njerëz me emra e mbiemra. Disa njerëz i kanë kthyer prej vetes me të holla, disa për shkak të së kaluarës së tyre të ndytë për kombin shqiptar, e disa që s’kanë pranuar të jenë anëtarë të tyre i kanë shpallur tradhtarë para luftës. E llogarite ti, kur tradhtari të shpallë tradhtar! Spiuni, thotë, e vramë, spiunin, ndërsa në fakt spinunin e ka brenda në parti. Jo një spiun, por shumë sish, për fat të keq të njerëzve që jau dhanë atyre votën. Ata s’kanë faj, se një ditë do ta shohin të vërtetën vetë. Do të shohin se çfarë punërash të këqija kombëtare kanë kryer ata. Vraje shqiptarin para lufte, gjatë luftës dhe pas saj ! Për çfarë arsye? Thuase nuk kishim serbë, thuase kemi qenë të okupuar prej shqiptarëve e jo nga shkau i zi !
XHAVIT HALITI BËNË DEMAGOGJI
Xhemajl Berisha i kthehet edhe një herë, shkëputet nga tema, duke iu kthyer sërish asaj për Xhavit Halitin. Xhavit Haliti flet me foret e tij për Alkaiden e Binlladenin, vetëm e vetëm t’i ikë të së vërtetës. Si po i armatoska Xhavit Haliti Alkaiden e Binladenin, kur, në fakt, ai ishte njeriu që e ka penguar të armatosen të gjithë ata njerëz që nuk ishin në krahun e tij a në partinë e tij. E sot e hap gojën se ata kanë luftuar, se tjetër ushtar s’ka pasur. Por, ai e mashtron vetveten me ato përralla. Ai as krahun e vet nuk e ka armatosur. Pse e them këtë? Sepse fort mirë e di si ka shkuar armatimi në atë kohë. Në 42 fshatrat e komunës së Deçanit, 99% e popullsisë kanë qenë të armatosur nga fondi i bashkatdhetarëve, pra me paratë e bashkëvendasve të vet, që jetojnë e punojnë në Zvicër. Ju jeni si kulçedrat, sepse ajo së pari i ha këlyshët e vet, e mëpastaj të tjerët. Edhe juve, si të tillë, ua zinin rrugën shqiptarët, e më pastaj makineria serbe. Ju jeni fshehur si pleshtat nëpër parti të tjera. Kjo s’ju pengon juve, se jeni mësuar me këtë stil. Por, do të vijë fundi e do të dalë në shesh kush çka ka bërë. Unë jam i gatshëm në çdo kohë e kudo qoftë, edhe në parlament ta them këtë çka thashë. Që ta kuptojë populli dhe parlamenti se çfarë njerëzish ka në parlament. Me vetëm një qëllim: që ta dijnë të gjithë se kush ishte Sali Çekaj, kush ishin luftëtarët e vërtetë të lirisë. Sepse e di se mundohen t’ia humbin emrin këtij trimi, që e dha jetën, duke luftuar ballë për ballë me bishat serbe. Salihu ishte ai që kufirin shqiptaro-shqiptar e theu qysh në vitin 1991 për herë të parë, së bashku me legjendën e Kosovës -Adem Jasharin, dhe me trimat e tjerë të grupit të tij prej 33 anëtarëve. Ai e theu kufirin më 1991, dhe e mbrojti më 1992, 93 e deri më 1999 nuk e la të mbyllej, kur edhe u vra bashkë me Agim Ramadanin e dëshmorët e tjerë. Kufi për të, dhe të gjithë të tjerët që luftuan me të prej vitit 1991, nuk kishte, përkundër faktit se kishte njerëz në Shqipëri dhe Kosovë që ky realitet nuk u pëqente, e kam fjalën për Nanoistët në Shqipërisë dhe këlyshët e tij në Kosovë.
PYETJE: Cila është figura e Salih Çekajt sipas teje z. Xhemajl ?
Xhemail Berisha: Kush e ka njohur Sali Çekajn, e ka njohur rrugën e urtisë, ndershmërisë, sinqeritetit, dashurisë për atdheun, patriotizmin e trimërinë. Kush e ka njohur Salihun, ka mësuar se si veprohet e punohet për çështjen kombëtare. Këtë e dëshmoi me laps e pushkë gjatë gjithë jetës së tij. Ka qenë njeri që ka ditur çka flet. I matur e i urtë, por ka ditur që edhe fjalën e të tjerëve ta dëgjojë, bile ajo që është e vlefshme ka ditur edhe ta marrë. Ai, andaj, ka qenë edhe i suksesshëm. Dhe do të mbetet në histori gjithmonë. Edhe pse e dimë se lëpëkëistat kanë dëshirë ta humbin këtë realitet, ashtu siç deshi ta humbte Rrustem Berisha, duke i shkrirë dy brigada në një të vetme, vetëm e vetëm që t’i humbte emri Sali Çekajt, që ishte gabim fatal për Rrustemin. Ky, nëse nuk është penduar deri tash, do të pendohet patjetër, sepse tek e fundit, nuk është vetëm Rrustemi që e ka bërë këtë punë të pandershme. Të vërtetën e dinë me qindra mijëra njerëz, prandaj kot mundohen lëpëkëisitat ta shtrembërojnë historinë. Sa më parë që ta pranojnë të vërtetën, aq më mirë është për ta. Nëse s’e bëjnë këtë, do të përfundojnë në faqe të pista të historisë.
Takimi i fundit me Xhavit Halitin në Tiranë
PYETJE: z. Xhemail ke folur shumë dhe me pezëm për Xhavit Halitin, a të kujtohet takimi i fundit me të?
Xhemail Berisha: Po. Isha duke pirë kafe në lokalin “Evropa”. Me mua, ishte edhe Ismet Çeku dhe djali im atëherë 6 vjeçar, Flamuri. Pas një kohësh, Ismeti shkoi, sepse kishte pak punë. Unë vazhdova ndejën me Flamurin. Dhe, nuk vonoi shumë, u dëgjua një zë afër meje. “Ju bëftë mirë ! “. E ngrita kokën. Para meje ishte Xhavit Haliti. ” Falëmnderit, urdhero e ulu ” – i thashë. U ul. E porositi kafen. Filluam të flasim, po thuajse aty ku e kishim lënë para disa ditësh, në restorantin afër Lumit Lana. Fillimisht, m’i përkujtoi disa fjalë që ia kisha thënë, por për dallim nga atëherë Xhaviti në bisedë ishte më i hapur. Gjatë bisedës më kujtohet kur në një moment më tha: ” Kishte qenë mirë që të gjitha grupet e organizuara të shkriheshin në një të vetmin grup, dhe të fillonte një organizim të ri. Unë i thashë: “Xhavit, dëgjo mirë. Unë nuk e di sa je i njoftuar t’i me organizimin tonë, por atë që do ta them tash, mbaje në mend ti edhe shokët e tu, të cilët mbajnë tubime nëpër shtetet perëndimore, e nëpër ato tubime të bashkatdhetarëve e shesin një ” koca-kola” për 6 sfr. E çka është më e keqja, këtë e bëjnë në emër të patriotizmit, që ju e keni për Kosovën. Organizimin tonë as ti, as askush nuk mund ta quaj grup, sepse, në gjeneratën e parë, kane ushtruar 80 djem, e në të dytën pak më pak se aq, e mos të pyesim për të tjerët, që janë të gatshëm ta bëjnë këtë punë”. Sa i përket shkrirjes, i thashë: ” Neve mund të na bashkohet çdo shqiptar që i rrah zemra shqip, dhe që shkrihet për Kosovën. Ky organizim e ka udhëheqësin e vet, dhe nuk vjen në shprehje asnjë lloj shkrirjeje a ngrirje. Nëse jeni të gatshëm për të dhënë kontributin tuaj, atëherë urdhëroni e rreshtohuni aty ky janë shumica e popullit. Jemi dëshmitarë se mbi 90% e popullit shqiptar të Kosovës, jane pro organeve të zgjedhura me votën e tyre të lirë. Andaj, ne i treguam botës edhe Serbisë se ne jemi të gatshëm me çdo mjet ta mbrojmë Kosovën, dhe dimë të mbajmë shtet. Prandaj, populli doli në zgjedhje, i zgjodhi njerëzit që do ta udhëheqin deri në pavarësi, qoftë me paqe, qoftë me luftë. Sa i përket organizimit, plotësisht të ri, sipas teje, kjo bjen në fund të pusit, sepse ti e kërkon që çdo gjë që është bërë deri më tani, të harrohet. Tjetër. Si mendon ti se kush duhet ta bëjë këtë organizim. Unë e ti? Jo, ore, se një gjë të tillë nuk guxon ta bëjë as presidenti, qeveria a parlamenti, sepse askush s’ ka legjiminitet për një gjë të tillë. Kjo çka po kërkon ti, është grabitje e djersës së të tjerëve, është një absurd. Deri sa ti e ke një person me një pushkë, ne kemi 99% të masës të armatosur, 99% të përgatitur politikisht, ndërsa ti po kërkon që ky 99 përqindësh, të vijë pas 1 përqindëshit tënd. Kjo, sipas meje, është më e rëndë se sa tradhtia “. Xhaviti vetëm më dëgjonte në heshtje. Pas pak, u ngrit dhe shkoi. Ia la në tavolinë djalit tim Flamurit 10 sfr, të cilat ende i kam të shënuara në fletoren time, ku i mbaj shënimet.
TAKIMI I FUNDIT NË TIRANË ME ADEM JASHARIN (10)
PYETJE : Po me legjendën e luftës çlirimtare të Kosovës Adem Jasharin, kur jeni takuar për herë të fundit?
Xhemail Berisha: Nga të gjithë shokët që në atë kohë u larguam nga Kosova në Shqipëri, mbetëm vetëm unë, Vehbi Gubetini dhe Mustafë Haliti nga Hereçi. Nuk shkoi gjatë, dhe erdhi edhe Enver Selimaj nga Skivjani. Që të dy këta ishin në grupin e Mentor Kaçit. Në afërsi me ne, banonte edhe vëllai i Mentorit, Jetoni. Pas disa muajsh, Vehbiu shkoi në Perëndim. Dhe, diku kah teori i vitit 1992, shkuan edhe Mustafa dhe Enveri. Pa u mbushur ende një javë, e takova Elez Gecin nga Lluka e Ultë, me të cilin banova rreth tre muaj, por edhe ai shkoi në Tropojë, sepse atje i kishte dajat. Unë mbeta vetëm, i rrethuar nga të gjitha anët prej lëpëkistave.
Bashk me Adem Jasahrin shkuam te Zymer Berisha në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë
Një ditë dola të shëtisja nëpër Tiranë. Pasi u lodha mirë duke shëtitur rrugëve të Tiranës, u ula te shkallët e Muzeut Kombëtar. Pas pak, e vërejta një njeri që afrohej drejt meje. Nuk e njoha nga larg. ” A po më njeh ti mua ? “- më pyeti. Nuk priti t’i përgjigjem. ” Kam qenë me Xhafer Zenajn, më tha, në Beleg te Saimi me i marrë armët, e ti ke qenë aty. U ngita në këmbe dhe e përshëndeta: ” Tungjatjeta, Adem Jashari! “. ” Tungjatjeta, e me të mira Berishë”- ma ktheu. “Emrin, a ma ke harruar a?”- e pyeta. “Jo nuk ta kam harruar, Xhemajl Berisha”. Pas një bisede të shkurtër i propozova të shkonim diku të pimë nga një kafe. “Kafe do pijmë”, me tha. ” Po së pari po shkojmë te Zymer Berisha në pëfaqësinë e Kosoves. Kam për ta pyetur diçka- tha. Shkuam në përfaqësi. Pasi mbaroi punë, shpejt dolëm, dhe shkuam te hotel “Arbëria”. I porositëm kafet, dhe filluam të bisedojmë. Interesohej sesi e kam kaluar kohën e lirë, që kur kam ardhur nga Kosova. Dhe se a ishte dikush nga shokët tonë, a kam farë shoqërie me gjeneratat e tjera, e kështu me radhë. I thashë Ademit se në fillim ka qenë më vështirë për organizim, e tash është më lehtë diçka. “Nga shokët e grupit, përpos meje, të gjithë kanë dalë në perëndim. E sa për shoqëri,i kam ata të LPK-së, me të cilët po e humbi kohën kot, sepse shoqëri të mirëfilltë me ta nuk ka. Dhe nuk mund të kem kurrë, sepse ata kanë dëshirë vetëm të komandojnë, dhe atë nga shtetet e jashtme. Nuk e kanë nga frika, por e kanë sëmundje komandimin. Thënë shkurt, e kanë në shpirt ta përvetësojnë punën e të tjerëve”, e njoftova. “A po do të të them trup, se e kanë marak luftën me pushkë të Bali i Agës”, – më tha Ademi. Ndejtëm e biseduam edhe pak, dhe u nisëm për në banesat tona. “Ku banon “, e pyeta. ” Banoj afër ATSH-së “. Ecëm në atë drejtim, sepse edhe unë banoja përballë ATSH-së, Rruga ” Ali Demi “, përafërsisht nja 500m mes njeri-tjetrit. Na nadante vetëm lumi Lana. Ademi ka qenë së bashku me Jakup Nurën disa herë te unë. (Jakupi tashti kam dëgjuar se është pjesëtar i TMK-së me punë në Mitrovicë). Gjatë asaj kohe, sa ishte Ademi me Jakupin në Tiranë, s’ka shkuar ditë pa u takuar dhe ndejur së bashku. Hërë me të dytë e hërë vetëm me Ademin. Bisedonim gjerë e gjatë për organizimin, për atë se kush na tradhtoi, kush na dekonspiroi etj. Ademi shpesh thoshte se mos na tradhtuan këta të Shqipërisë, ” se ishin zoti boft rahmet “. Unë i thosha se edhe ky verzioni i tij është i mundur.
Mirëpo, Ademit ia përkujtova edhe disa fjalë të poetit Agim Gjakova, të cilin shpesh e kemi takuar si në Përfaqësinë e Kosovës, në Lidhjen e Shkrimtarëve apo edhe në rrugë, e që na thoshte: “Djema dijeni që këtu në Shqipëri edhe prapanicën e keni të zbuluar”. Kjo u vërtetua plotësisht. Ademi më tha: ” Ne vetëm po bisedojmë, sepse, në fakt, m’u marrë me këtë, nuk ja vlen, por me ta them të drejtën, unë në këta socialistët pikë bese nuk kam, sepse janë në gjendje të të vrasin për lekë, me të cilët nuk mund ta blesh as një pako cigare. Fatkeqësisht, edhe këta të LPK-së hiq më të mirë nuk janë, sepse janë në gjendje gjithçka të bëjnë për PSSH-në dhe Fatosin e Nonës “,- më tha Ademi, dhe vazhdoi :
Ademi më porositi që të kërkoj nga Sali Çekaj 7 kallashë për 7 bashkëluftëtarët e tij.
“Mirëpo, edhe pse ne jemi zbuluar, nuk guxojmë të ndihemi të zhgënjyer. Përkundrazi, duhet të punojmë edhe më tepër se deri më tani “. ” Po – i thashë- sa ta kemi nënën Shqipëri, ne nuk na han maca psheshin”. “Besa – tha Ademi- këtë e kishim pas më të zezë se njerkën, se nanë hiq se hiq. Krahas kësaj që ndodhi, unë s’jam i zhgënjyer aq shumë, sa jam zhgënjyer në dy njerëz-në Bujar Bukoshin dhe Hafiz Gagicën, të cilët më patën premtuar se, nëse dalim deri në Shqipëri, do të na ndihmojnë për të shkuar në Gjermani. Por, deri më sot, nuk ka asgjë pozitive nga ata në këtë aspekt, as në telefon nuk paraqitën, së paku, të thonë se nuk kanë mundësi që të bëjnë diçka. Unë s’munde t’i pres deri në pafundësi “- thoshte Ademi. E dëgjoja me vëmendje. Çka t’i thosha? Që të mos i thosha se po rrejnë, e zbuta fjalorin: “Ishalla nuk të dalin shterp ato premtime të tyre”. Erdhi pranvera e vitit 1993. Nëse nuk gaboj, ishte fundi i muajit maj. Adem Jashari dhe Jakup Nura kishin vendosur që të ktheheshin prapë në Kosovë. Me t’u takuar me ta, menjëherë Ademi më tha: “A mund të bisedosh me Salihun a Saimin, që të na i japin 7 kallashnikovë, sepse i kam 7 shokë pa asnjë armë, qoftë edhe thikë”. “Këtë punë e rregullojmë. Nesër a pasnesër ta japim përgjigjen”. Fola me Saimin në telefon, i tregova për kërkesën e Ademit. Përgjigja e Saimit ishte kjo: “Xhemajl, nuk e kthejmë duar thatë Ademin, por fol edhe me Salihun”. E thirra edhe Salihun dhe i tregova njëjtë për kërkesën e Ademit. Edhe ai m’u përgjigj pozitivisht. Tha: ” Mund t’ia japësh, por ti duhet vetë të shkosh te personi që i ka armët, sepse këta nuk njihen mes vete, ose le të presin deri në fund të korrikut a në fillim të gushtit. Në këtë kohë, Sali Çekaj kishte qenë vetë duke u përgaditur që me shokë të futeshin në Kosovë. Në fakt, edhe hyri atë kohë me shokë dhe plot armatim deri në dhëmbë. Të nesërmen pas këtyre bisedave, u takova me Ademin, dhe ia tregova të dyja mundësitë. Ai u përcaktua për variantin e dytë. Pasi që e kryem këtë, Ademi filloi të më tregonte se si Fehmi Agani i kishte sygjeruar se, po doli Ademi në Gjermani, policia serbe do ta kuptojë se ai e ka lëshuar Kosovën, dhe pastaj do ta takojë Sali Çekajn, e bashkë me shokët e tjerë, kohë pas kohe, të futeshin në Kosovë, të kryenin aksione nëpër stacionet policore dhe prapë të largohen nga Kosova. Meqenëse Bujari dhe Hafizi nuk e mbajtën premtimin, që ma kishin dhënë, ne po kthehemi”, më tha Ademi. Unë nuk dija se në çka i kishin premtuar këta të dytë, por e di se pas një kohe e kam kuptuar se Ademi ishte takuar me Buajarin në Tiranë. Mbase në këtë takim, iu ka dhënë premtimin që kurrë nuk u realizua? Nuk shkoi gjatë, dhe erdhi dita që Ademi dhe Jakupi kishin vendosur të niseshin në Kosovë. Një ditë para nisjes, unë me djalin tim Flamurin u takova me Ademin para selisë së PDSH-së. Ndejtëm bukur gjatë duke biseduar. “Berishë,-më tha Ademi- unë nesër do të udhëtoj për Bajram Curr me tragetin e parë, dhe në qoftë kysmet, nesër natën e bëj në Kërrnaja”. Jemi përshëndetur dhe u ndamë. Më nuk e pashë.
KUSH JNË ATA QË RRAHIN GJOKS SE JANË PARTI ” TË DALA NGA LUFTA “? (11)
Xhemajl Berisha: Ata që jepnin urdhra nga hotel ” Rogneri-i ” në Tiranë me një legen mish të pjekur, birra dhe raki përpara vetes, të blera me paratë e mbledhura nga bashkatdhetarët shkojnë aq larg, sa mundohen ta anatemojnë kolosin e kombit Salih Çekajn, thirren në emër të Zahir Pajazitit dhe thonë se anëtar dhe ushtar i tyre ka qenë Adem Jashari !
PYETJE : Pas përshkrimit që i bëtë takimit të fundit me legjendën e luftës çlirimatre të Kosovës, Adem Jasharin në Tiranë, normalisht këtu do ta përfundonim këtë intervistë. Por, është bërë zakon që bshkëbiseduesi të pyetet se a ka ende diçka që do të deshironte të shtojë për fund. Pastaj, pse Xhemajl Berisha nuk ka folur më herët?
Xhemajl Berisha: Të flas kam ende edhe më shumë. Por, po kufizohem me disa rreshta se e çuam gjatë. Nuk i kam pasur më shumë se 10 vjet, por bisedat që i kam dëgjuar nëpër oda të burrave edhe sot i kam të freskëta. Në bisedat e tyrë tema kryesore ka qenë barbaria, që gjatë viteve të parët tonë i kishin përjetuar nga serbët. Kjo bisedë ka dominuar me vite në të gjitha odat e burrave të Kosovës. Prej asaj kohe e kam fituar bindjen se me shkije herdokurdo do t’i kemi punët shumë vështirë. Por që do të ketë shqiptarë shumë më të zi e të poshtër sesa shkijet, këtë nuk e kisha besuar kurrë! E dija edhe ate se, po nuk u bashkuam si një trup i vetëm, dhe nën një komandë, do ta pësojmë keq. Kjo gjë edhe na ndodhi, madje u vërtetua ketërcipshi. Pati rrahje, totura, dhunime, vrasje masive, prerje kokash, nxerrje sysh, djegie kufomash, varrosje masive, nxerrje nga varrezat nga ana e serbëve. Por, që do t’i mbushnin automjetet e tipit frigorifer me kufoma të më dashurëve tonë për t’i dërguar në Serbi, këtë s’e ka besuar askush. Pastaj, hudhja e kufamave të shqiptarëve të pafajshëm në lumin Danub, varrosja e tyre nën autostradë etj.
Në këtë tragjedi komëtare këta sitipat e Xhavitit, të “partive të dalura nga lufta”, të qaraveshin gojën, e të shkyejn gërmazin për ta gënjyer ende popullin, kjo është më shumë se skandaloze. Këta që iu kanë gëzuar çdo vrasjeje të shqiptarëve, kundërshtarëve të tyre politik, që kanë ndodhur pas luftës, nuk durohen më. Prandaj, ajo që duhet bërë, është t’i denoncojmë para popullit.
Këta e mashtrojnë edhe vehten, gjoja se janë ata të cilët e kanë formuar UÇK-në. Fryhen sikur gjelat në grumull të plehit dhe rrahin gjoksin se janë parti ” të dalura nga lufta “.
Më pyetët pse fola vetëm tash. Fola, sepse nuk shkon më, nuk munda të heshtë më, kur po shoh se kush luajti e po luan me vlerat e luftës dhe kush u promovua dhe po vetpromovohet si themelues i UÇK-së, pastaj si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të saj. Ata që jepnin urdhrëra nga hotel ” Rogner-i ” në Tiranë me nga një legen mish të pjekur, birra e raki para vehtes, të blera me paratë e mbledhura nga bashkatëdhetarët, të cilët i jepnin për ta ndihmuar luftën.
Këta guxojnë të shkojnë edhe më larg, sa mundohen ta anatemojnë kolosin e kombit Salih Çekajn, thirrën në emër të Zahir Pajazitit dhe thonë se anëtar dhe ushtar i tyre ka qenë Adem Jashari ! Sa herë kam thënë vetmeveti:
“Çou Adem se këto s’iu falen, çou bre se i kanë lënë mendët” !.