Çohu Muharrem Bajraktari!

SHKRUAN: AGIM POPOCI

“Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta.” Kështu thoshte At Gjergj Fishta që jetonte në ditët e para të shtetit shqiptar, pa e menduar se edhe pas më shumë se 100 vjetësh do të ndodhë po e njëjta gjë.

Konferenca e Bujanit u bë nul pas luftës së dytë botërore sepse nuk u mblodhën dy shqiptar për ti thënë serbit dhe Enver Hoxhës, jo; Kështu ndodhi edhe në pranverën e vitit 1981 me lëvizjen e Kosovës, kur rrugët kosovare më shumë u mbushën me spiunë nga Beogradi e Tirana se sa mbeten demonstrues; Kështu ndodhi me minatorët e Trepçës, kur serbi depërtoi me spiunët e tijë në galeritë e thella 2000 metra, dhe jo vetëm që theu grevën e minatorëve por e degjeneroj; Kështu ndodhi edhe me luftën e Kosovës, kur u ndanë dy ushtri çlirimtare për të çliruar një tokë të Kosovës; Kështu ndodhi edhe pas çlirimit kur u nda Mitrovica, kur dy shqiptarë nuk po bëheshin bashkë për të shpëtuar atë copë toke që Kouchneri kishte filluar me i vendos megjën e çlirimtarët ishin çu e po vjedhnin pronën e huaj.

Në gjithë këtë histori, nga fjalët e At Gjergj Fishtës e deri më sot, vetëm një shqiptar ngeli  i pakorruptuar dhe të cilin serbi nuk arriti ta blejë, dhe këtë e pranon edhe vetë, Muharrem Bajraktarin. Lumjanin i cili i rezistoi terrorit komunist edhe kur Noli me të kuqtë e tij mendoi se mori dynjanë. Jo, jo Muharremi Bajraktari nuk pretendonte më shumë se sa një Lumë të lirë; Rezistoi edhe kur italianët erdhën në Lumë duke e konsideruar një copë tokë si gjithë Shqipërinë, dhe, në fund, edhe kur erdhi Enver Hoxha me shokë, duke menduar se pas Marrëveshjes së Bujanit, tashmë është më e lehtë të shkelet Tropoja, Hasi dhe Luma.

Por, jo, aty ishte Muharrem Bajraktari, i cili në luftë për mospushtimin e Lumës nga komunistët, humbi dy djemtë, dhe kokën nuk e uli. Nuk e uli siç bëri me Bajram Currin, kriminelët e Nolit, Bjellogardistët e Beogradit, fashistët e Musolinit dhe komunistët e Shefqet Peçit.

Komunistët, Lumën e pushtuan, por nuk i ulën kokën, as atëherë kur së bashku me Kristaqin, komunizmi shqiptar ishte në grahmat e tij të fundit dhe vari në qendër të Kukësit, poetin Havzi Nela, për fjalën e dhënë. Thjeshtë, e kishin kuptuar se pse luftoi Muharrem Bajraktari!

Sot pas 70 vjetë pushtimi, në Lumë kthehen bijtë e tyre, duke paralajmëruar me këngë një terror të ri nga Tepelena e largët e Gramozit, për ti treguar Lumjanëve se të hënën do jemi aty, me Enverin në krye. Dhe, pa përfunduar kënga e nipit të Shefqet Peçit, beteja në Kukës u dorëzua, traut, të birit të Kristaqit dhe Qetit të Kastratëve iu dha drita jeshile që të filloj me taksën në Rrugën e Kombit; Të filloj me rrjepjen e lumjanëve që tashmë i ka varfëruar shumë më shumë se pushtuesi, duke paralajmëruar një ditë të re, një kufi të ri në Lumën tashmë të lodhur!

Çohu Muharrem Bjaraktari, se aty ku nuk u sundua dot Lumjani nga Karagjorgjeviçi, Pashiçi, Noli, Zogu dhe Enver Hoxha me Kristaqin, I biri i këtij të fundit po e shkel Lumën, duke u kthyer në vendin e krimit.

Çohu Muharrem Bajraktari dhe thuaju Lumjanëve dhe gjithë Shqipërisë, ku e ka vendin I biri i Kristaqit, dhe ku dhe kur mund të vendos ai taksë për një Lumjan.

Çohu Muharrem Bajraktari se Lumjanët dhe gjithë shqiptarët nuk e dijnë, por Edi Rama e kishte të qartë si më 31 mars ashtu edhe sot, se si do ta vendos sot taksën, në Lumën e Muharrem Bajraktarit…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *