Shkruar nga Profesor Abas Ermenji, Gazeta FLAMURI, korrik – dhjetor 1952
Kur Flamuri i ynë u-ngrit më në fund i lirë, më parë në Vlorën trime dhe pastaj në gjithë Shqipërinë, më 1912, një dridhje mallëngjimi përqethi shpirtrat e Shqiptarëvet, breshërima brohoritjesh përshëndetën Shqipen e Zezë që hapte përsëri krahët e rreptë n’atë buzë t’Adriatikut. Njerëzia delnin si të mahnitur, me sy të kuqur lotësh, uronin njëri-tjetrin, pushtoheshin, u dukej si një ëndërr Shqipëria e liruar. Sa lotë të nxehtë e njomën atë Flamur ! Sa buzë të zhuritura e puthën ! Sa psherëtima të zjarrta u-ngritën drejt qiellit të lirë ku fërfëllonin palët e tij ! Ai prush ndjenjash të shkelura e dëshirash të shtypura që mban mbyllur në zemër një popull i robëruar, gjente tani udhë-dalje, derdhej përjashta në një mijë mënyrë, dhe kryefjala ku bashoheshin këngët dhe thirrjet e gëzimit ishte :
“Iku nata, agoi dita”,
dhe ndonjë vjershëtar mendje-nxehur mund të shtonte :
“U-fshi terri, lindi drita” !
E kush e kish kokën në vënt, n’atë rrëmbim enthusiazmi, për të menduar që as terri nuk fshihet kurrë i tërë nga jeta e popujvet, as drita s’munt të lindi prej një dite në tjetrën ? Njerëzit janë të dënuar nga natyra e tyre vetë që të luftojnë vazhdimisht, pa pushim, për t’i shpëtuar nga kthetrat njëri-tjetrit, për të larguar terrin dhe për t’afruar dritën. Imperializmi i Otomanëvet nuk ish as i pari as i funtmi në historinë e njerëzisë. Përkundrazi, munt të quhej edhe mjaft i butë në krahasim me ç’ka parë njerëzia në kohë e vënde të tjera dhe me ç’shohim ne sot.
Këtë të vërtetë të shëmtuar patën rast t’a provojnë shumë shpejt Shqiptarët. Menjëherë pas shpalljes së pamvarësisë, të parët qenë fqinjët ballkanas, pikërisht ata që kishin vuajtur hallet t’ona ndënë të njëjtët faktorë historie, që u-derdhën për të ndarë si mish gjahu tokët t’ona të lagura mijëra herë me gjak. Disa prej tyre shkojnë akoma me atë mendje edhe sot e kësaj dite. Më pastaj, u-hapnë gojë më të mëdha për t’a gëlltitur Shqipërinë si një kafshatë të shijëshme. Dhe goja e ariut është ajo që po kërkon t’a bluajë sot.
Cili imperializmë ka qënë kurrë në botë kaqë i egër, kaqë gjak-derdhës, kaqë tiranik, kaqë çfrytëzonjës dhe shtypës i elementit “njeri”, sa ky i Rusisë sovjetike ? Dhe cila klasë agjentësh në shërbim t’imperiailizmavet ka qënë, në Shqipëri, kaqë vegël e poshtër, kaqë egërsirë, kaqë hanxhar i përgjakur në dorë xhelati, sa klika komuniste e sotme ?
Asnjë çfrytëzim mbi popujt e vegjël s’ka qënë kurrë kaqë çnjerëzor dhe anti-kombëtar sa ky i sistemit komunist. E tërë ekonomi e vendit drejtohet, jo mbi nevojat e popullit t’onë, por mbi nevojat e industrisë sovjetike. Ushtëria ku shërbejnë djemtë e popullit Shqiptar, dhe e ashtu-quajtura politikë e jashtëme e Qeverisë kukull të Tiranës, s’kanë asnjë cak kombëtar, janë vetëm si një gur i vockël në lodrën e strategjisë sovjetike.
Këta dyzet vjetë, pra, na kanë dhënë një mësim të mirë në lidhje me botën e jashtëme. Por është m’i vlefshëm akoma mësimi tjetër që duhet të na kenë dhënë mbi përbërjen e botës së mbrëndëshme Shqiptare. Populli i ynë kish trashëguar një urrejtje shekullore për ata që e shtypnin n’emër të Perandorisë Otomane. Dhe kujtoi për një çast se, me çkëputjen nga Turqia, shpëtoi edhe prej klikavet-vegla t’okupacionevet e t’imperializmit. Nuk kuptonte që, përsa kohë që ka imperjalizmë të jashtëm për një popull, do të ketë medoemos edhe klika-vegla të brëndëshme. Dhe këto lozin një rol aqë më të math, sa m’i papjekur të jetë populli politikisht dhe i prapambetur n’anën shoqërore. Kohët e pastajme vërtetuan se klikat feudale të vjetra që sundonin ndënë hije të Perandorisë turke, nuk ishin as më të këqija as më trathëtare nga një farë pseudo-inteligjenceje të re shqiptare që u-vu këmbë e kokë në shërbim t’okupacjoneve dhe imperjalizmave të tjerë kundër atdheut të vet. Dhe kjo lodër hidhja-t’ia-hedhim munt të vazhdojë akoma në t’arthmen nëqoftëse populli Shqiptar nuk do të ketë arritur në një kuptim të plotë t’interesavet të tij, nëqoftëse nuk do të jetë i zoti të bashkohet si një trup i vetëm rreth boshtit qëndror kombëtar, duke u-mbyllur rrugën trathëtarevet, sharlatanëvet dhe tregëtarëvet të politikës.
Ne besojmë ngultas se vuajtjet dhe peripecitë e këtyre dyzet vjetëve i kanë dhënë popullit t’onë një kuptim dhe vetedije politike që s’e ka pasur ndonjë herë. Dhe kemi bindjen se në t’arthmen do të dijë të përqëndrohet rreth interesavet kombëtare, do të dijë të vepërojë si një organismë i lidhur për të marrë në dorë fatet e tij.
Shqiptarë !
Mos prisni t’iu vijë shpëtimi nga ky ose nga ai, nga kjo ose nga ajo anë. Shpëtimin t’uaj kërkojeni në vehten t’uaj, në pjekurinë t’uaj politike. Peshojini mirë interesat t’uaja kombëtare dhe bashkohuni me ata që i mprojnë ato interesa jo me fjalë, po me punë, jo me gënjeshtra, po me luftë.
Largohuni prej klikës gjakësore që i shërben Moskës !
Largohuni prej atyre që duan t’ju mbajnë të ndarë në krahina e bajraqe, për t’ju hipur në shpinë më kollaj !
Largohuni prej sharlatanëvet, prej agjentëvet të huaj, prej atyre që e kanë politiken mjet jetese, mjet tregëtije !
Shqiptarë !
Kuptojini interesat t’uaja, interesat e Shqipërisë, dhe përqëndrohuni rreth tyre. Bashkimi kombëtar s’munt të bëhet as munt të mbahet veçse i pështetur mbi interesat kombëtare, të cilat janë interesat e shumicës së madhe, interesat e bujkut, të punëtorit, të intelektualit, të popullit që punon e prodhon. Këta janë elementët, këto janë shtresat shoqërore që duhet të bashkohen e të shtërngojnë radhët e tyre rreth boshtit t’interesavet kombëtare, rreth një ideje qëndrore Shqiptare. Pse Shqipëria është e këtyre dhe këta janë Shqipëria.
Jini të sigurtë, Shqiptarë, se, përpara një bashkimi të këtillë, s’ka trathëti të brëndëshme as intrigë të jashtëme që mund t’ju mposhti, që munt t’ju robërojë. Dhe vetëm me një bashkim të këtillë mund të bëheni të zotët e vehtes s’uaj, të tokës s’uaj, të vatravet t’uaja. Vetëm ahere do të shikoni se 28 Nëntori i 1912-ës do të çfaqet kuptim-plotë e i vërtetë përpara syvet t’uaj, se Flamuri i ynë do të valëvitet me të vërtetë i lirë në qiellin e bukur të Shqipërisë, dhe se nuk do të jetë e pa-vend kënga e vjershëtarit :
“U-fshi terri, lindi drita”