Çmendinë

SHKRUAN: EDISON YPI

Trimat përbuzen. Frikacakët inkurajohen. Titujt shkencorë i marrin injorantët. Me dekoratat mburren kriminelët. Sa më tepër punë tu bësh, aq më inat të marrin, aq më pak vota të japin.

Portalet, gazetat, televizionet, i mban politika, i paguan mafia. Populli telefonon televizionet çdo mëngjez për kodra pas brigjeve. Kokëtrashët organizojnë evente artistike, letrare, poetike. Të patalentuarit vërdallosen si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina. Burokratë të gjirizave të zyrave, butakë pa kocka dhe shtyllë kurrizore, pa asnjë ndjeshmëri, pa asnjë dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, poetë, zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime për të vjellë me fonde të xhvatura.

Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike, nuk bëhet fjalë. Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiunat më të ndyrë kanë zënë kryet e vendit dhe quhen “zotëri i nderuar”, ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente.

Programet televizive nuk kanë asgjë interesante. Pa frymëzim, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, dora prek, hunda nuhat. Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, janë këllirat estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan. Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen dhe i mbajnë për eksperta po thonë se ato filma janë bërë nga regjizorë kollosa dhe janë luajtur nga aktorë të mëdhenj, dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar.

Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje. Mirëpo teoricienët konservatoristë që na imponohen me një mijë mënyra janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, ca dallamango e derra të panginjur që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.

Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, diçka alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e bataqeve korruptivë.

Këtu këndohet kënga e hidhet vallja në një aheng pa fillim e fund. Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm që duhej varur në litar ose të shkohej në hell i gjallë.

Këtu shkak për shembjen e diktaturës dhe ardhjen e demokracisë janë viktimat që vuajtën tmerre që nuk i ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit që ta qeverisni Shqipërinë. Por asnjë syresh nuk dëgjohet. Asnjë premtim nuk mbahet. Asnjë afat nuk respektohet. I vetmi ngushëllim është shpresa e vakët se ndoshta kjo çmendinë nuk do bëhet kasaphanë, pastaj vorrezë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *