Shkruan © Bajram Mjeku
Fundshkurt i vitit 1945. Kosova ishte vënë në shtetrrethim ushtarak. Në tregun e Vushtrrisë u shfaq një burrë i pazakontë dhe shoqërohej nga dy burra tjerë. Sapo hyri në treg, kërkoi të improvizonin një binë. Do t’u drejtohej të pranishmëve me një fjalë të shkurtër. Qytetarët nisën të rriteshin në numër. Ishin kurreshtarë të dinin, ç’do të thoshte burri veshur me pardesynë e zezë. Ishte Asllan Boletini, djali i tetë i Isa Boletinit, i cili kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Beograd.
Boletini u tha të pranishmëve.
“Vllazën të nderuem. Kosova po mbetet nën komunizëm e ju për komunizmin dini pak. Mbasi nuk patëm fat të jemi me Evropën, komunistët në fillim kanë me na ledhatue si foshnjën në djep. Kur të marrin fuqi, do të shndërrohen në gjarpinj e do t’na helmojnë!”.
Ky ishte theksi kryesor i fjalimit të Asllan Boletinit në tregun e Vushtrrisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte Prefekt i Vushtrrisë, Gjakovës dhe Prizrenit.
Pak muaj më parë, Asllan Boletini kishte marrë pjesë në Kuvendin e fundit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ishte anëtar i Kryesisë së saj. Ishte besnik i Xhafer Devës dhe udhëheqësve tjerë të kësaj organizate politike progjermane. A thua u zhgënjye nga Kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit? A u tërhoq ndonjë spagë mbrapa kulisave, me qëllim që shqiptarët të shpërqëndronin vëmendjen dhe serbët t’i avanconin projektet e tyre për mbetjen e Kosovës nën sundimin serb? Deri tash është studiuar vetëm rëndësia historike e Kuvendit. Ana e mjegullnajave mbetet e panjohur.
Fjalimi i Boletinit doli të jetë i saktë. Tre vjet më vonë, bashkë me qindra shqiptarë u arrestua nga komunistët. Nga torturat në burgun e Prishtinës, Asllan Boletini bëri vetëvrasje në vitin 1947. Komunistët e varrosën në një vend të panjohur. Kurrë nuk u mor vesh për varrin e tij.
Detajet për Asllan Boletinin, kur isha student në vitet tetëdhjetë, m’i rrëfente daja im i ndjerë, Ujkan Ujkani. “Megjithëse ishim fëmijë, të gjithë mbanim plisa. Asllan Boletini na provokoi kurreshtjen për mungesë plisi. Ishte kryeshtruet dhe mbante veshur një pardesy të gjatë dhe të zezë”.