Ç’farë është strategjia?

SHKRUAN: ERVINA TOPTANI


Është e mrekullueshme kur ke mundësinë të “merresh” me gjeopolitikë nëpërmjet filozofisë. Ky shkrim i përgatitur më poshtë është një pjesë e sjellë për ju (me dëshirën time sepse e gjej vërtet me vlerë) në fushën e gjeopolitikës por që shpjegon ndryshimin ndërmjet strategut dhe njeriut taktik në kuptimin filozofik të tyre. Nëse do të kishim analizuar dhe ne në shkollat tona mendime të tilla, nuk do të gjendeshin në udhëkryqe të pjerrëta sot. (pjesën taktike nuk e kam përfshirë sepse bëhet tepër i gjatë)

***

Strategjia është ajo pjesë e mendimit që shkon përtej bashkëkohësisë, në fakt e kapërcen plotësisht atë. Strategu nuk merret me bashkëkohësinë e me të tashmen, mendërisht ai/ajo nis nga e shkuara e më pas bën një kapërcim me pikësynim të mirëpërcaktuar për t`u hedhur tek e ardhmja. Në cfarë mënyre? Nuk është rasti i strategut ushtarak ky sepse shpesh ngatërrohet strategjia me teknikat ushtarake dhe këtë ngatërresë e dëgjojmë shpesh të ndodhë. Ajo që i referohet ushtarakut është teknikë e pastër sepse arti i luftës dhe teknikat e saj kanë lindur shekuj më parë dhe kjo është gjithnjë prezente tek fusha ushtarake, sikurse dhe bashkëkohësia, por strategu ushtarak jeton në të sotmen. Ka ide të vagëta me të cilat imagjinon të ardhmen por jeta e tij dhe mendimi i tij janë të fiskuara tek e tashmja. Pra, strategjia nuk është dicka që i referohet fushës ushtarake në këtë rast, është shumë më e madhe dhe më e gjerë se kaq.

Strategu eshte ai njeri i cili mund të këtë çfarëdolloj profesioni, dhe do të ishte mirë që një njeri i tillë të ishte brenda aparatit shtetëror për atë që ai/ajo zhvillon. Mund të jetë një princ, një president, pra një sovran ose një këshilltar i mbretit a presidentit, por mund të jetë një poet, një njeri i cili në një moment të caktuar ka një lloj “pamjeje” në kokën e tij, një parashikim, që arrin të imagjinojë thuajse me përpikmëri se cfarë do i ndodhë komunitetit të tij, popullit të tij, duke menduar dhe duke qenë i fokusuar tek e ardhmja (sigurisht duke njohur mirë të shkuarën e duke qenë absolutisht i pranishëm në 360 gradë në të tashmen).

Termi komunitet këtu është i rëndësishëm sepse i referohet një populli, një kombi, një mbretërie, varet nga rasti. Strategu mendon në kontekstin e tij, nuk shkruan manuale për akademitë që në fakt do të ishin me shumë vlerë kudo, kontekstin e tij jo vetëm e mendon por e ka nën lëkurë. Ç’farë është e shkuara për si e koncepton një strateg? Strategu e ka në gjak të shkuarën, po ç’farë do të thotë kjo? Ai/ajo jeton brenda të shkuarës, ka brenda shpirtit të tij gjithë historinë e komunitetit, popullit të tij. Domethënë ai di dhe njeh gjithçka që ka qenë, nevojat, frustrimet, gëzimet, dhimbjet, vuajtjet, fitoret, të gjitha këto ky njeri i ndjen në shpirt e në lëkurë sikur të ndodhnin të gjitha sot, tani.

Strategjia nuk njeh kohë, është tërësisht asinkronike e mbi të gjitha anakronike. Anakronizmi është një element qëndror i strategjisë sepse strategu niset nga e shkuara e dëgjon ende në veshët e tij ulërimat e njerëzve të tij dhe kërcënimet e armiqve të tyre, i ndjen dhe i dëgjon ato në veshët e tij që prej qindra vitesh më parë, atëherë kur ai nuk ishte aty. Të gjithë këtë ndjesi dhe kuptueshmëri që ai percepton e që ua njeh mirë funksionet, jo vetëm ato gjeografike por mbi të gjitha ato antropologjike, imagjinon që të kalojë përtej vetvetes e përtej së tashmes. Atëherë ç’farë bën? E merr të gjithë këtë informacion (atë që ka qënë e që ka ndodhur dikur) që percepton dhe mendon si do të jetë populli, komuniteti i tij në të ardhmen, përtej së tashmes që në fakt është materie e njeriut taktik e jo strategut. Në thelb, strategu ndërhyn në mënyra specifike në komunitetin e tij dhe provon të transferojë ndërgjegjjen e popullit, nëse është funksionale, tek objektivat, për shembull duke e lëvizur nga toka në det, imagjinon si të rinojë popullsinë (e kam fjalën për rastin kur një popull e ka shkallën e plakjes të madhe), si të asimilojë të huajt dhe mendon në momentet e tij më të larta, më të forta të këtij mendimi se cila gjë është më e rëndësishme dhe cila është më pak e rëndësishme. Pikërisht kjo “prerje e realitetit”, të ndash cila është më e rëndësishme e cila jo është ndoshta elementi më thelbësor i strategjisë.

Strategu nuk njeh sipërstruktura, por njeh vetëm strukturën. Me termin sipërstrukturë i referohem regjimeve, ideologjive, institucioneve, strategu nga këto nuk njeh asnjërën sepse nuk i merr kurrë në konsideratë në thelbin e mendimit të tij. Ai/ajo është i/e bindur se përgjatë kohës, populli mbetet i njëjtë nëse nuk ndryshon shifra antropologjike. Strategjia paraqitet si revolucion i pastër vetëm se është paksa ndryshe nga ajo që ne mendojmë kur i referohemi revolucioneve. Nuk e di sa nga ju që do e lexoni këtë tekst ju ka ndodhur të ndaleni tek kuptimi i plotë i fjalës revolucion. Nëse e keni vënë re kjo fjalë ka një mospërputhje shumë evidente. Ajo e ka prejardhjen nga latinishja e hershme “revolutos” dhe në thelb ka brenda rrënjës së saj diçka që nuk kthehet, në foljen prej së cilës formohet si fjalë “rivolvere”. Në latinishten më të re, fjala revolucion, në kuptimin etimologik të saj, do të thotë një “xhiro”, një kthesë e bërë në 360 gradë dhe nuk do të thotë të ndryshojmë apo ta kthejmë përmbys realitetin siç jemi mësuar ne ta përdorim në ditët tona.

Revolucioni është një ndryshim i qartë i statuskuo-së, i asaj që ishte dhe që nuk është më e që nuk do të jetë më në të ardhmen si pasojë pikërisht e revolucionit të ndodhur. Por kuptimi të cilit i jepnin antikët kësaj fjale ishte ndryshimi që vjen nga e shkuara, ekzaktësisht e kundërta e asaj që përdorim sot për këtë term. Ndaj themi se strategjia është revolucion i pastër në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës në latinisht. Nisemi nga një kusht, mbërrijmë tek ndryshimi i statuskuo-së dhe kthehemi në të shkuarën, pra kthimi mbrapsht tek pika e nisjes. Përse? Ideja që kishin antikët mbi revolucionin ishte një ide tepër astrategjike dhe thonin: ndërtesat (nuk është fjala për ndërtime) njerëzore nuk janë të pafundme, dmth e kanë një kufi, sidomos ato të aplikueshme tek një popull. Është e pamundur që ajo që ka qenë, pra ç’farë ka ekzistuar të mos kthehet sërish të ekzistojë përsëri, përkundrazi është e paevitueshme që ajo të ndodhë.

Pikërisht këtë gjë e vëren me kujdes Thomas Hobbes, mendimtar, filozof anglez i shekullit të 17-të i cili ka pasur përpara vetes shembullin e një revolucioni të plotë, atij anglez. Anglia që nuk e ka fort me qejf ndryshimin në vetvete, dmth ndryshimin e vetes së saj (i referohem ndryshimit të regjimeve e politikave) sepse është shumë konservatore, legjitimon mësimin më të rëndësishëm të historisë anglo-saksone që është: fuqia e traditës! Anglia ka përjetuar një fazë të fuqishme të revolucionit në shekullin e 18-të.

Ndërmjet viteve 1640 e 1660 ndodh revolucioni anglez, dmth kalohet nga despotizmi monarkik, ai që përmbyset nga ai që quhet parlameti i gjatë ose “the rump parliament”, të cilin e pason diktatura e Oliver Kromuellit, i cili ishte dhe arkitekti kryesor i revoltës. Pas tij pason oligarkia e më pas rikthimi i monarkisë me Karlin e II-të. Sipas filozofit të madh, Thomas Hobbes, ky revolucion është perfekt sepse kalohet nga statuskuo-ja për t`u rikthyer tek statuskuo-ja. Ka vetëm një problem, është shumë i shpejtë. 20 vjet janë shumë pak, nuk është as një brez i plotë, i formuar mendërisht siç duhet. Dhe në fakt ishte kaq i shpejtë sa kur ndodh revolucioni francez në 1789 duket se ishte revolucioni i përcaktuar që mohonte vetë konceptin strategjik të revolucionit.

Bashëkohësit e revolucionit francez pohonin të gjithë se: nuk do të kthehemi kurrë prapa! Revolucioni francez gjeneron një sindromë që nuk ishte njohur kurrë më parë në historinë e njerëzimit. Për herë të parë bashkëkohësit e revolucionit kanë një ide të qartë për veten e tyre siç do ta kenë pikërisht të njëjtën ide për ta historianët në shekujt pasardhës, dmth ata mendonin dhe pohonin se ishin modernë dhe i përkisnin kohëve moderne.

Epokat ia atribuojmë ne historisë dhe këtë gjë e bëjmë ex-post, dmth shumë shekuj më pas kohës kur ato kanë ndodhur realisht. Romakët nuk e dinin që epoka e tyre quhej antikitet. Ata jetonin në të tashmen e tyre që e parë nga këndvështrimi ynë sot dhe referuar historisë e shekujve e kemi emërtuar me termin antikitet, apo periudhës klasike i kemi dhënë pikërisht këtë emërtim. Këto terma i kemi vendosur ne të sotmit. Aq më pak të varfrit në periudhën e mesjetës, nuk kishin asnjë ide se jetonin në mesjetë sepse për ata po jetonin të të tashmen e tyre. Pas revolucionit francez fillon ideja e ndërgjegjësimit të europianëve se jetonin në kohët moderne e pikërisht thonin: nuk kthehemi kurrë më pas. Ata kishin vlerësuar tepër shpejt atë çka ishte një periudhë e shpejtë, revolucionin anglez.

Revolucioni francez përjeton shumë faza, të cilat arrijnë deri në 1958. Shkohet ne epokën napoleonike, pastaj ndodh restaurimi i “ancient regime”, pastaj kalohet tek periudha e dytë e perandorisë, pastaj republika e tretë e pastaj në 1958 vendoset një monarki e re që është monarkia republikane, ajo aktuale, që e deshi me patjetër de Gol-i dhe kështu plotësohet rrethi perfekt i revolucionit.

Nga ana tjetër po të shohim historinë e Kinës, të gjitha dinastitë kineze kanë formë rrethore, jo vetëm sepse ato lindin e vdesin si ne njerëzit por sepse arrijnë të njohin vetveten përgjatë shekujve, si një histori që vazhdon, e pafundme. Po ç’farë lidhje ka e gjitha kjo me strategjinë? Strategjia, ndër të tjera është dhe çështje “yjesh”. Siç është shprehur dhe një poet italian i shekullit të 18-të: “nëpër horizont yjet duhet të jenë të kapshme ose nuk vlejnë për mua asgjë”, domethënë e ardhmja duhet të jetë e dukshme, e prekshme duhet të jetë si yjet, por yjet duhet të jenë poshtë jo aq lart në mënyrë që ne të mundemi të parashikojmë drejt, në të kundërt strategjia nuk ka vlerë. Dhe yjet në këtë rast kanë kuptim metaforik sepse janë elementi nëpërmjet të cilave ne shohim të ardhmen, që është gjithnjë prezente kur kemi të bëjmë me strategjinë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top