Çfarë e pret Ramën në Tiranë?

Revolta e kudogjendshme e pret Edi Ramën sapo të zbresë në Tiranë. Është një revoltë ndaj një qeverie të shurdhër, që s’dëgjon ankesat për varfërinë masive, për rrënimin e standardeve të demokracisë si dhe për vrasjen e shpresës. Në Tiranë Edi Ramën e pret kriza politike, ekonomike dhe shpirtërore, një krizë që kërkon zgjidhje të shpejtë, e cila mund të prodhohet përmes konsensusit në parlament, por edhe përmes rrugës, aty ku ka zënë rrënjë revolta dhe pret pelegrinin abuzues të zbresë nga avioni i papërgjegjshmërisë së tij

Vizita e kryeministrit Edi Rama në SHBA përfundoi dhe njoftimi zyrtar i zyrës së zv/presidentin Xho Bajden, sqaroi karakterin kremtues të saj, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Roli kritik i shqiptarëve në arkitekturën e sigurisë në rajon si dhe promovimi i tolerancës fetare si një kontribut i Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it mbeten shinat kryesore ku u përqendrua takimi mes kryeministrit shqiptar dhe interlokutorëve të tij të Shtëpisë së Bardhë. Njoftimi zyrtar flet qartë për karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy vendeve, çka s’lë shumë hapësira për llurbën e abuzimit me vizitën, që propaganda qeveritare e kishte nisur qysh para se shpura e Edi Ramës t’i hipte avionit për përtej Atlantikut, para më shumë se një jave.

Por jo! Edhe njoftimi zyrtar s’e ndali këtë fushatë abuzimi, e cila s’errëson aspak problemet e rënda që ka Shqipëria sot dhe që do të qendrojnë si llogore të rënda që presin Edi Ramën, sapo ai t’i zbresë fluturakut. Në raportin e DASH gjenden të listuara ato probleme, edhe pse kalecët e Edvinit i kanë thënë atij të thotë se “raporti ishte pozitiv për Shqipërinë”. Ato mbeten probleme të rënda që presin zgjidhje, paçka se në rend të ditës të propagandës qeveritare mbetet “marrëdhënia personale e Ramës me presidentin e SHBA”, “përmbushja e bastit që kishte vënë me Endri Fugën” apo edhe “raportimi i detajuar që dha tek zyrat e FBI-së”. Kjo sjellje abuzive me vizitën ka marrë përgjigjen e mjaftueshme nga opinioni publik, i cili ku pat mundësi, në faqet e tyre personale, në forumin e faqes zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe në dhjetëra portale shprehu revoltën për sjelljen recidiviste të Edi Ramës, i cili vijon me klimën represive ndaj opozitës dhe shoqërisë civile, me shkatërrimin e klimës së biznesit dhe me mbushjen e qelive të paraburgimit, duke e paraqitur vizitën në Uashington si një “carta bianca” që i është dhënë për të instaluar në Shqipëri “diktaturën e tij të ndritur”. Kjo revoltë e kudogjendshme e pret Edi Ramën sapo të zbresë në Tiranë. Është një revoltë ndaj një qeverie të shurdhër, që s’dëgjon ankesat për varfërinë masive, për rrënimin e standardeve të demokracisë si dhe për vrasjen e shpresës. Njoftimet për shndërrimin e Shqipërisë në një epiqendër evropiane të prodhimit dhe trafikimit të drogave të forta, për rënien në nivele historike të besueshmërisë në ekonominë e vendit si dhe mungesa e perspektivës se në vend mund të respektohet vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme, po prodhojnë një revoltë masive të faktorëve politikë si dhe shoqërisë civile, e cila gjendet këmbëkryq në Sheshin “Skënderbej” e Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe s’ka praktikë pedonale e korruptive që e pengon. Kjo gjendje revolte po infekton edhe koalicionin e brishtë politik, dhe propozimi i LSI-së për ndryshimin e praktikave të dhënies së koncesioneve s’mund të refuzohet më me justifikimin se “në SHBA s’më thanë gjë për një propozim të tillë”.

Në Tiranë Edi Ramën e pret kriza politike, ekonomike dhe shpirtërore, një krizë që kërkon zgjidhje të shpejtë, e cila mund të prodhohet përmes zgjidhjeve politike në parlament, që vijnë nëpërmjet konsensusit, por edhe përmes rrugës, aty ku ka zënë rrënjë revolta dhe pret pelegrinin abuzues të zbresë nga avioni i papërgjegjshmërisë së tij. Gazeta55

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *