Ç’FARË DININ NDËRKOMBËTARËT PËR VRASJET POLITIKE NË VITIN 2003

DËSHMI TË REJA PËR KRIMET ME MOTIVE POLITIKE NË KOSOVË (1)

Cila është e vërteta për vrasjen e Ekrem Rexhes – komandant „Drinit“? Cilët janë personat përgjegjës edhe për vrasjet e tjera në Shqipëri e Kosovë? Kush qëndron prapa vrasjeve të Ahmet Krasniqit, Ekrem Rexhes, Skënder Gashit, Tahir Sinanit, Adem Ademit (Karadakut) dhe ushtarit të UÇK-së me nofkën „Shkodra“? A ka qenë eprori i TMK-së Skender Gashi deshmitari i vetëm me rastin e vrasjes së Ekrem Rexhës – komandant „Drinit“ dhe a është likuiduar ai pikërisht për këto fakte? A është ushtari i TMK-së me nofkën „Shkodra“ dorasi i vërtetë i vrasjes së komandant „Drinit“ dhe pse ky ushtar është likuiduar vetëm disa muaj pas kryerjes së aktit kriminal kundër „Drinit“? Cilët mund të jenë autorët e tjerë të vrasjes së komandant „Drinit“ që nuk janë arrestuar dhe që nuk akuzohen për këtë vrasje? Pse Sali Veseli i kishte premtuar babait të komandant „Kapuçit“ se do të merrte hakun e djalit të tij? Si dështoi plani për vrasjen e Ekrem Rexhës në ceremoninë e manifestimit lamtumirës të komandantit holandez Sokolov?

Tashmë nuk është asnjë risi nëse themi se krimi me motive politike është i pranishëm në Kosovë. Fjalori plot urrejtje në gojën e disa prej liderëve politik, kërcënimet dhe shantazhet e ndryshme politike, numri i vrasjeve, përkatësia politike e personaliteteve të vrara, janë vetëm disa prej indikatorëve se pjesa dërmuese e vrasjeve në Kosovë janë bërë nga motive të ulëta politike. Deri tash, me keqardhje duhet të konstatojmë se organet kompetente për luftimin e krimit janë treguar tepër të ngadalshme, për të mos thënë të ngathëta për arrestimin dhe parandalimin e krimit me motive politike. Tashmë lirisht mund të thuhet se mund të numërohen me gishtat e një dore të gjithë ata kriminelë që janë arrestuar apo raste të hetimeve të vrasjeve politike në Kosovë. Në fakt, përderisa për rastin e vrasjes së katër ushtarëve të brigades “Mërgimi” janë dënuar një grup prej katër vetash, për rastin e vrasjes se Ekrem Rexhës, siç dihet, pas një maratone të gjatë gjyqësore, tre të akuzuarit e tjerë u liruan, ndërkaq Sali Veseli u dënua me 10 vjet burg, por jo për pjesëmrrje në vrasjen e komandant “Drinit”, por për inspirim në këtë vrasje. Ndërkaq, për vrasjen e kryetarit të komunës se Therandës, Ukë Bytyçit, dhe dy shoqëruesve të tij, janë arrestuar dy veta, kështu që në muajin prill pritet te fillojë gjykimi i këtyre dy dorasëve. Gjithashtu të dyshuarit për pjesëmrrje në vrasjen e gazetarit te kombëtares “Bota sot” Bekim Kastratit dhe të truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajakut, si edhe plagosjen e Gani Gecit, pas mbajtjes në burg për rreth gjashtë muaj, të tre te arrestuarit u liruan si te pafajshëm. Ndërkohë për vrasjen e avokatit Shaban Manaj, pas një procesi të gjatë, të dyshuarit janë shpallur si të pafajshëm. Në anën tjetër, për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, gazetarit Ali Ukaj, aktivistit të LDK-së, Haki Ymerit, këshilltarit të presidentit Rugova, Xhemail Mustafës, kryetarit të komunës sëe Klinës, Ismet Rracit, deputetit të Parlamentit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Smajl Hajdarajt dhe gazetarit te “Rilindjes” Shefki Popova, deri tash nuk është arrestuar askush dhe sipas gjendjes reale “dosjet” për këto vrasje janë mbushur me pluhur në ndonjë nga sirtarët e policisë se UNMIK-ut dhe të hetuesve ndërkombëtarë.

Dëshmi të reja për vrasjen e Ekrem Rexhes – komandant „Drinit“

Shtypi ka shkruar rregulisht për këto krime dhe është përpjekur që t’ia çjerrë maskën këtij krimi politik. Kështu, në vazhdën e serisë së shkrimeve të tilla, për të gjitha këto vrasje me motive të sigurta, për herë të parë në shtypin shqiptar, flasin e dëshmojnë hetuesit shqiptarë e ndërkombëtarë që merren me hulumtimin e shkaqeve të krimit politik në Kosovë dhe në parandalimin e këtij krimi.

Për shkak te zhvillimit te hetimeve për të gjitha vrasjet politike në Kosovë, si edhe për shkak të ruajtjes së fshehtësisë së këtyre hetimeve, autorët që bëjnë këto hetime do të mbeten anonimë, ndërkaq edhe një pjesë e emrave te involvuar në këto krime, si edhe një pjesë e dëshmitarëve, për shkak te sigurisë se tyre fizike, do te mbeten
anonim për opinionin, por janë të njohur për Redaksinë tonë. Ne këto dëshmi që do te ofrojmë do te jepen vetëm disa prej “pistave” te prejardhjes së krimeve në Kosovë. Si shembull më eklatant, për fillimin e këtij fejtoni, do te marrim vrasjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”, një nga vrasjet më misterioze të kohës së pasiuftës të ndodhura në Kosovë.

Duke u mbështetur në të dhënat e mbledhura nga ekspertët profesionist – vendas e ndërkombëtarë, për këtë vrasje (që kanë emër te organizatës dhe që pjesa dëmnuese e tyre kanë qenë te angazhuar edhe në luftën ne Kosovë), del se jo te gjithë te akuzuarit ne fjalë janë pjesëmarrës te drejtpërdrejtë në vrasjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” dhe se një nga dorasit e vërtetë dhe një nga dëshmitarët okular te kësaj vrasjeje, janë likuiduar në mënyra të ndryshme. Gjatë shtjellimit te këtij fejtoni do të japim pjesë të dëshmive të mbledhura nga ky grup ekspertësh vendas e ndërkombëtarë, dëshmi dhe hetime këto që u janë ofruar edhe organeve kompetente vendase e ndërkombëtarë.

Kush është personi me pseudonimin “Shkodrani”, i cili është likuiduar bashkë me Tahir Sinanin në Maqedoni?

Duke u bazuar ne shënimet që na janë ofruar nga ky ekip hetuesish profesionist, vendas e ndërkombëtarë, del se Abit Haziraj nuk luan asnjë roi konkret në vrasjen e komandant “Drinit”. Në fakt, Haziraj është një person të cilit dikush ia ka bërë me gisht se mund të jetë vrasësi i vërtetë. Duket se pamja e jashtme e Hazirajt, me personin “X” (pseudonimin “Shkodra”) ka ndikuar në ata “bosët” te cilët kanë drejtuar gishtin e fajësisë drejt Hazirajt. Aq me tepër “Shkodra” është parë në ato vise ku jeton Haziraj, por dëshmitarët e kujtojnë vetëm sipas asaj se dikush e ka përshkruar fizionominë e tij dhe pasi që është parë disa herë me Sali Veselin është thënë: “Ja, ky është vrasësi!” Por sipas dëshmive tona kjo nuk ka të bëjë aq shumë me realitetin. Është e vërtetë se pseudonimi “Shkodrani” lidhet me një emër qyteti në Shqipëri, por që në rastin konkret mund të lidhet edhe me “persona të ndryshëm te cilët gjatë luftës kanë pasur pseudonime (nofka) lufte me këtë emër, vetëm e vetëm për të mos u “indentifikuar”, kështu që personi “X” (Shkodrani) ka pasur emrin e luftës “Shkodra” dhe është vrarë se bashku me Tahir Sinanin (vrasje e montuar), duke hyrë ne Maqedoni dhe kështu kanë humbur të gjitha faktet.

V.G. e S.M.
A ËSHTË GAZETARI NGA SHQIPËRIA ME NOFKËN „SHKODRA“ NJËRI NGA EKZEKUTORËT E EKREM REXHES – KOMANDABT „DRINIT“?

A është vrasja e „Drinit“ një „hakmarrje“ për vrasjen e komandant „Kapuçit“, i vrarë në kufirin Shqipëri-Kosovë? A është likuiduar eprori Skender Gashi për shkak se ka qenë dëshmitari kryesor në momentin e vrasjes së komandant „Drinit“?

Në fakt, ka shumë tregime rreth një njeriu që ka qëndruar në hotelin “Prizreni” për disa javë, për shkak se ishte ftuar nga ish-prefekti i vetemëruar i Prizrenit “N.N”. Ky i ashtuquajturi “gazetar nga Shqipëria” kishte ardhur në Prizren për të shkruar një tregim për Prizrenin, por burimet thonë se ky njeri është marrë me përgatitjen e vrasjes së komandant “Drinit”. Éshtë vështirë te vërtetohet, por duket se ekziston një lloj lidhjeje që mund te konfirmohet se ky vizitor ose i ashtuquajturi “gazetar nga Shqipëria” është i njëjti person me nofkën “Shkodra” që dyshohet te jetë njëri nga ekzekutorët e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”.

Duket se urrejtja ndaj Ekrem Rexhës, përkatëisht “armiqësia” ndaj tij, e shprehur haptas nga Sali Veseli, Tahir Sinani dhe bashkëmendimtarët e tij, ka një prejardhje që nga koha e luftës. Kështu gjatë luftës po edhe menjëherë pas përfundimit te saj, ne “adresë” te Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” janë përhapur mjaft shpifje duke e quajtur edhe si “bashkëpunëtor te forcave serbe”, “ish-anëtar i ‘JUL-it’ në Kosovë”, “dezertor i luftës” etj.

Pse vrasja e Ekrem Rexhës është një “hakmarrje” që daton aga koha e luftës?

Një ngjarje tepër e ndieshme dhe mjaft e “errësuar” është vrasja e grupit te Mujë Krasniqit – komandant “Kapuçit” në kufirin Shqipëri-Kosovë. Qarqet e tilla të shpifjeve, që nga koha e luftës, këtë vrasje tinzare ne kufi ia kanë “veshur” Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” dhe e kanë akzuzuar drejtpërdrejt si fajtorin kryesor për këtë vrasje. “Nuk kishim thënë qe është një vrasje e nivelit më të lartë, por sigurisht që nuk mund te krahasohet me rastet e tjera më të lehta. Sa i përket vrasjes se Ekrem Rexhës mund të konfirmojmë se është një vrasje apo “hakmarrje” që daton që nga koha e luftës”, shkruan ndër te tjera ne raportin e tij një nga dëshmitarët, përkatësisht hetuesit rreth rastit te vrasjes së Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”.

Me 14 dhjetor të vitit 1998 në kufirin Shqipëri-Kosovë ka ndodhur vrasja më e përgjakshme e atij dimri te ftohtë në Kosovë. Ne një pritë te organizuar mirë nga forcat e regjimit serb dhe si duket edhe ne bashkëpunim me forcat e ShISh-it shqiptar, bashkë me 36 luftëtarë te UÇK-së vritet edhe Mujë Krasniqi, i njohur me nofkën si komandant “Kapuçi”. Historia e kësaj vrasjeje tinzare, sipas shënimeve te dëshmitarëve tanë ka këtë shpjegim.

“Siç dihet Ekrem Rexha ka qenë një epror i shkolluar e jo një komandant i vetëshpallur dhe pasi që është vendosur që ne dimër te vitit 1998 te hyjnë forca te reja nga Shqipëria në Kosovë, komandimi i kësaj elite ushtarësh te UÇK-së i është besuar Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”, në bashkëpunim me eprorin Mahir Hasani, pastaj Selim Krasniqin, Mujë Krasniqin – komandant “Kapuçin”,komandant “Pesëqindëshin” e të tjerë.

Me marrjen e këtij urdhri, komandant “Drini” fton te gjithë eprorët që do te marrin pjesë ne atë udhëtim dhe iu komunikon urdhërin e marrë nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së për hyrjen në Kosovë, kurse për hollësitë e tjera do t’i njoftonte ne pikën e parë te pushimit para hyrjes në Kosovë, në vendin e quajtur “SAHAN”. Me të arritur në këtë vend, komandant “Drini” lexon urdhërin e marshutës duke cituar një gjë shumë te rëndësishme: “Nëse ndodh që të bijmë ne pritë nga forcat serbe, urdhëroi që prita te neutralizohet me luftë dhe asesi mos te kthehemi prapa, sepse prita kryesore do te jetë prapa shpinës!”

Dhe para se të fillojë marshuta, Mujë Krasniqi – komandant “Kapuçi”, kundërshton urdhërin e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” dhe vendos që së bashku me ushtarët e tij te bëjë marshutën. Urdhëri tjetër i komandant “Kapuçit” ishte që “nëse bijmë në prite në kufi, të kthehemi në Shqipëri” – gabim ky që i kushtoi atij dhe rreth 36 ushtarëve te tij, te gjithë te vrarë.

Siç ishte paraparë, njësia e komanduar nga komandant “Drini” bie në pritë të forcave serbe dhe pasi që shumica e pret pritën me luftë, ia dalin te tejkalojnë pritën me disa plagosje të ushtarëve ku ne mesin e tyre plagoset edhe eprori Mahir Hasani, kurse ushtarët e tjerë të komanduar nga Mujë Krasniqi – komandant “Kapuçi” duke u kthyer në Shqipëri vriten te gjithë. Prandaj këtu edhe fillon urrejtja ndaj Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”. Ai më pas ftohet ne Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së për të dhënë shpjegime për atë ngjarje tinëzare dhe të përgjakshme që kishte ndodhur me 14 dhjetor të vitit 1998. Duke e shfrytëzuar këtë vrasje ne kufi të Mujë Krasniqit dhe 36 luftëtarëve të tjerë te UÇK-së, “krahu ushtarak” i Tahir Sinanit dhe Sali Veselit keqpërdorin edhe dhembjen e shumicës se familjarëve te ushtarëve te vrarë dhe drejtpërdrejt akuzojnë Ekrem Rexhën – komandant “Drinin” për vrasjen e këtyre ushtarëve te UÇK-së, duke bërë spekulime se kinse komandant “Drini” ka kontaktuar me njësitë serbe dhe se gjoja nëpërmes radio-lidhjeve, komandant “Drini” ka komunikuar me njësitë serbe për vrasjen ne pritë te tyre.

Ekrem Rexha thoshte: “Nuk frikohem prej askujt, sepse jam i pastër dhe nuk ua kam frikën atyre “rrakatelëve”

Burimi ynë, që mund te merret edhe si një nga dëshmitarët e gjallë të gjithë kësaj “historie” të shpifjeve kundër Ekrem Rexhës, në vazhdim të dëshmisë së tij thotë se mu për këtë shkak edhe vete njësia që ka komanduar Ekrem Rexha, është transferuar në Reti të komunës se Rahovecit. Dëshmitari ynë thotë se me pas kjo njësi është e komanduar nga ai vet personalisht.

Për t’u “hakmarrë” për këtë vrasje tradhtare në kufi, duket se është interesuar dikush nga një hierarki e lartë e strukturave te UÇK-së ne atë kohë. Ndër ta ka qenë Sali Veseli ai që i ka premtuar familjes se Mujë Krasniqit-komandant “Kapuçit” se herdokur do te marr hak për vrasjen e djalit te tyre. Mu për këtë shkak, meqë urrejtja ndaj komandant “Drinit” kishte arritur kulminacionin, ai edhe vete disi ka qenë i “paralajmëruar” se me ditë do të vritej. Por, meqenëse nuk e ndiente vetën fajtor për asgjë, Ekrem Rexha edhe gjatë luftës, por me shumë edhe pas luftës thoshte: “Nuk frikohem prej askujt, sepse jam i pastër dhe nuk ua kam frikën atyre „rrakatelave“.

SI DËSHTOI ATENTATI I PARË KUNDËR EKREM REXHËS KOMANDANT „DRINIT“? (3)

Kur u tentua për herë të parë të bëhet atentat ndaj Ekrem Rexhës – komnadant „Drinit“? Pse Ekrem Rexha nuk merr pjesë në ceremoninë e organizuar nga Sali Veseli me rastin e ndërrimit të komandantit holandez? A ka qenë eprori i TMK-së Skënder Gashi dëshmitar i vetëm me rastin e vrasjes së Ekrem Rexhës – komnadant “Drinit” dhe a është likuiduar ai pikërisht për këto fakte?

Ashtu siç ka ndodhur edhe në rastet e vrasjeve të mëparshme, si me Enver Malokun, Ahmet Krasniqin, e më pas edhe me Tahir Zemajn etj., edhe ndaj Ekrem Rexhës – komandant “Drinit” është tentuar te bëhet një atentat i cili, për fatin e tij, atëbotë pati dështuar. Kështu burimet tona të sigurta njoftojnë për një përpjekje atentati ndaj komandant “Drinit”, të përgatitur nga e njëjta strukturë e cila disa muaj më pas edhe ia arriti ta vrasë atë. Një përpjekje e tillë atentati ka ndodhur me rastin e ndërrimit të komandantit holandez Sokolov. Sali Veseli në cilësinë e komandantit të Zones II të TMK-së kishte organizuar një takim lamtumirës për majorin holandez Sokolov, epror ky i KFOR-it i cili ishte përgjegjës për komunikim mes Brigades Shumëkombëshe te Jugut dhe Trupave Mbrojtëse te Kosovës. Majori holandez pas gjashtë muaj shërbimi në Prizren po kthehej në vendin e tij, ndërkaq Sali Veseli, duke organizuar këtë ceremoni dëshironte që të tregohej “mikpritës” ndaj majorit holandez dhe besprerë ndaj Ekrem Rexhës. Themi kështu për shkak se ne këtë ceremoni lamtumirëse, jo pa qëllim, Sali Veseli kishte ftuar edhe Ekrem Rexhën. Kjo ceremoni është mbajtur në hotel “Prizreni”. Por duket se Ekrem Rexha – komandant “Drini”, është treguar me vigjilent ndaj kësaj ftese te Sali Veselit, prandaj për fat te tij nuk merr pjesë fare ne këtë ceremoni.

“Do të shihemi njëherë tjetër me Drinin”

Siç ka dëshmuar më pas një nga kamarierët e këtij restoranti (famiijar i afërt me Ekrem Rexhën), dy veta, te cilët edhe ne bazë te dëshmive tona janë vrasësit e vërtetë, i pari i njohur me pseudonimin “Shkodrani” dhe i dyti N.N. (emri i njohur për dëshmitarët e këtij fejtoni) kanë kërkuar Ekrem Rexhën. Ata, pasi janë prezentuar para kamarierit si “ish-ushtarë te komandant “Drinit” kanë kërkuar nga ky kamarier që ta thërrasë për pak kohë Ekrem Rexhën se “duan te bisedojnë diçka me të”, jashtë hotelit ku mbahej ceremonia.

Pasi këta dy, gjoja, “ish-ushtarë të komandant Drinit” marrin përgjigjen se “Drini” nuk ishte aty, ata hyjnë brenda, bisedojnë shkurt me A. Sh. Dhe dalin jashtë duke e falënderuar kamarierin. “Do të takohemi njëherë tjetër me Drinin!” kanë deklaruar “mysafiri i paftuar” me nofkën “Shkodrani” dhe personi N.N. dhe janë larguar nga hoteli. Për fat të keq, siç do të dëshmohet me vonë, takimi i Ekrem Rexhës me këta të dy ishte tragjik, sepse komandant “Drini” vritet para dyerve të shtëpisë se tij.

KUSH ISHTE EPRORI SKËNDER GASHI?

Vrasja e eprorit të lartë të TMK-së dhe komandant i Batalionit të logjistikës në Sallagrazhdë, me 19 shtator të vilit 2000, është një nga vrasjet më të errta të kohës se pasluftës. Skënder Gashi ka qenë njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së i cili erdhi ne Kosovë nga Austria ku ishte duke punuar si mjaft të rinj shqiptarë. Ai nuk është larguar nga fronti i luftës asnjëherë. Madje edhe pas ofensivës se parë serbe, ne shtator-tetor të vitit 1998, ai pas një qëndrimi një mujor ne Shqipëri, kthehet përsëri ne Kosovë. Pas përfundimit të luftës, nuk kthehet në Austri, por vazhdon të mbajë uniformën e TMK-së. Emërohet komandant i Bafalionit të Logjistikës ne Sallagrazhdë, detyrë të cilën e kryen deri në vrasje. “Me 17 shtator, ka qenë ditë e hënë, kur është nisur për në punë, flet një mik i tij i afërt. Prej kësaj dite më nuk është kthyer ne shtëpi. Dy ditë me vonë është gjetur i masakruar në një vend afër fshatit Nashpallë të komunës se Rahovecit. Sipas gjurmëve në trupin e tij, Skenderi ka qenë i vrarë me armë të ftohta nga afërsia”, thotë ky familjar i afërt i Skënder Gashit. Te themi se deri me tash askush nuk është arrestuar për këtë vrasje, ndërkaq familjarët janë tepër të shqetësuar për faktin se vrasja e fij sikur është hedhur ne harresë të plotë.

Një mister i veçantë i serisë se vrasjeve të pasluftës ne Kosovë është edhe vrasja e Skënder Gashit, epror i lartë i Zones së II të TMK-së dhe komandant i Batalionit të Logjistikës ne Sallagrazhdë, i vrarë me 19 shtator të vitit 2000. Sipas dëshmive të mbledhura nga dëshmitarë anonimë për opinionin, por të njohur për hetuesit vendas e ndërkombëtarë, Skënder Gashi nga fshati Sopniq i komunës se Rahovecit, duket se ka qenë i vetmi dëshmitar i rastit në momentin e vrasjes se Ekrem Rexhës. Eprori Skënder Gashi, mbase rastësisht, ka kaluar aty pari dhe ka parë me sytë e tij edhe autorët dhe bashkëpjesëmarrësit e vrasjes se komandant “Drinit”. Kjo rastësi e Skënder Gashit, atij i ka kushtuar shtrenjtë. Vetëm pesë muaj më pas ai do të gjendet i masakruar, nga doras të cilët as sot e kësaj dite nuk dihen.

A ka qenë eprori Skender Gashi, i vetmi dëshmitar i vrasjes se Ekrem Rexhës-komandant “Drinit”?

Sipas dëshmive të mbledhura rreth vrasjes së eprorit Skënder Gashi, del se, ai pasi ka pare me sytë e tij të katër autorët e vrasjes se Ekrem Rexhës, është befasuar nga kjo skenë, e mbi të gjitha është befasuar me faktin se të katër autorët e vrasjes i ka njohur, e mbase edhe i ka pasur kolegë të Zones II të TMK-së. Duket se eprori Skënder Gashi nuk ka mundur të qëndrojë indeferent ndaj kësaj vrasje. Ai ka filluar të flasë me kolegët e tjerë ne Zonën II të TMK-së, e mbase edhe me vetë autorët e kësaj vrasje. Duke qenë plotësisht i padjallëzuar dhe i painvolvuar ne këtë vrasje, eprori Skënder Gashi ka akuzuar autorët e vërtetë të kësaj vrasjeje (emra të njohur për hetuesit që kanë kontribuar për këtë fejton, por edhe strukturat ndërkombëtare të hetuesisë,). Ndërkaq, autorët e vërtetë të këtij krimi ndaj komandant “Drinit”, duke e ndjerë rrezikun e identifikimit te tyrë e mbase edhe arrestimit nga policia e UNMIK-ut, përgatisin dhe realizojnë edhe një akt kriminal: e likuidojnë ne mënyrën me mizore eprorin Skënder Gashin.

Se vrasja e eprorit Skënder Gashi ka lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”, flasin mjaft fakte te tjera. Kështu, vrasja e eprorit Skënder Gashi ka befasuar jo vetëm famiijarët e tij, por edhe shokët dhe bashkëluftëtarët e tij. Ai mbahet mend si një luftëtar trim i UÇK-së, i urtë, i qetë, i disiplinuar. As gjatë luftës, e as pas përfundimit te saj, ai nuk ka pasur ndonjë konflikt verbal a fizik as me ndonjë bashkëluftëtar të tij, e as me ndonjë fqinj apo te afërm të tij. Ai, ka qenë ndër te rrallët luftëtarë të UÇK-së i cili pas luftës nuk ka përvetësuar apo uzurpuar asgjë, as banesë e as ndonjë lokal afarist. Në ndërkohë, eprori Skënder Gashi është vrarë pesë muaj pas vrasjes se Ekrem Rexhës, ndërkaq autorët e kësaj vrasjeje, të cilët i ka parë me sytë e tij eprori Gashi, janë graduar me grada të larta në hierarkinë e organizimit të strukturës se Zonës II të TMK-së. Mbi te gjitha, një fakt tjetër i lidhshmërisë së vrasjes së Ekrem Rexhës me komandant “Drinin” është se as sot e kësaj dite nuk është arrestuar askush për këtë vrasje, e mbi te gjitha as që janë bërë përpjekje për të hetuar këtë vrasje.

URDHËRI NGA PRISHTINA ISHTE: TË VARROSET ME NDERIME TË MËDHA KOMANDANT “DRINI” PËR T’I FSHEHUR GJURMËT E KRIMIT!

Pse Sali Veseli kundërshtonte varrimin e Ekrem Rexhës – komandant „Drinit“ në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë? Kush e urdhëroi nga Prishtina Sali Veselin që të përgadisë ceremoninë e varrimit të Ekrem Rexhës dhe që ai të varroset me nderime të mëdha ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë?

Përkundër dy rasteve te përmendura, njërit te dështuar dhe tjetrit tragjik, sipas dëshmive tona, ndaj Ekrem Rexhës është bërë përpjekje te bëhet atentat edhe njëhere gjatë kohës se luftës. Burimet tona flasin se edhe njëhere është tentuar te vritet “Drini”. Madje ai ka qenë i plagosur dhe fati i tij që ka shpëtuar nga ky likuidim ka qenë fakti se bashkë me “Drinin” ka qenë edhe vëllai i Rexhep Selimit. Se në vrasjen e komandant “Drinit” nuk është i involvuar drejtpërdrejt Halil Çadraku flet edhe fakti se ai për moszbatim të urdhrit u shkarkua nga posti i shefit te G-2, niveli 5 – grada e nënkolonelit dhe u dërgua me rekomandim në brigadën e Rahovecit, kurse Alush Shala deri në atë moment ka qenë ushtar i thjeshtë (niveli – 11, shih lista e 614 pjesëtarëve të Zonës së Dytë të TMK-së, të përpiluar nga KFOR-i e UNMIK-u ne kohën para vrasjes se Ekrem Rexhës). Shala më pas u gradua me gradën e nënkolonelit si shef i G-2-shit ne vend te Halil Çadrakut. Mu për këtë shkak, ky ndryshim i posteve ne hierarkinë e strukturës së TMK-së, mbase ka një domethënie te veçantë.

A ka lidhje me vrasjen e “Drinit»” edhe vrasja e Tahir Sinanit?

Sipas dëshmive tona urdhri për vrasjen e komandant “Drinit” është dhënë nga Prishtina, ndërkaq në vrasjen e tij, marrin pjesë disa veta, duke përfshirë këtu Sali Veselin si inspirues. Kështu përpos Veselit, në këtë vrasje, sipas shënimeve tona, në forma të ndryshme kanë qenë të involvuar edhe persona të tjerë, qoftë si doras, qoftë si bashkëpjesëmarrës në vrasje. Kështu përderisa dëshmitari i vetëm që ka parë vrasjen e komandant “Drinit”, eprori Skënder Gashi është vrarë, edhe vrasja e Tahir Sinanit bashkë me ushtarin me nofkën “Shkodrani”, ky i fundit konsiderohet te jetë një nga dorasit e vërtetë të vrasjes së Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”, është mjaft misterioze. Siç dihet, Tahir Sinani u vra gjatë kohës së luftimeve ne Maqedoni. Sipas burimeve tona, ai bashkë me katër ushtarë te tjerë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u vra duke çminuar një minë. Kështu prania e ushtarit me nofkën “Shkodrani” dhe raportet e “ftohta” te Tahir Sinanit me komandant “Drinin” gjatë kohës se luftës, mund të konsiderohen si një alibi e fortë për likuidimin e Sinanit, për t’i fshehur gjurmët e vërteta të vrasjes së Ekrem Rexhës. Gjithashtu duhet te theksohet fakti se personi me nofkën “Shkodra” ka qenë çdoherë nën kontroll të Tahir Sinanit dhe se ai ishte i vendosur në fshatin Novosellë të komunës së Malishevës.

Ndërkohë, gjithnjë sipas burimeve tona të sigurta, në vrasjen e komandant “Drinit” janë edhe katër të tjerë të cilët janë të lirë, njëri si doras i vërtetë dhe tre prej tyre bashkëpjesëmarrës në vrasje. Emrat e tyre u janë bërë te njohur edhe organeve te hetuesisë ndërkombëtare ne Kosovë.

Ndërkombëtarët gjithashtu e dinë edhe se kush është pronar i veturës “Opel Kadet”, e vila ka qenë duke e vrojtuar situatën diku rreth 100m larg shtëpisë se Ekrem Rexhës, duke e bllokuar rrugën që shpie ne atë drejtim. Hetuesit ndërkombëtarë gjithashtu e dijnë se vrasja e Ekrem Rexhës është kryer me armën “SCHORPTON 9 mm”.

Si i shpëtoi Sali Veseli atentatit në Grykën e Duhlës në rrugën Therandë – Shtime?

Se qendra e krimit politik në Kosovë nuk kursen asnjë prej atyre që janë argatë te këtij krimi flet edhe një fakt tjetër deri tash i panjohur për opinionin në Kosovë. Fjala është për një përpjekje atentati edhe ndaj vetë Sali Veselit, gjatë një udhëtimi të tij prej Prizrenit për Prishtinë. Burimet tona flasin se edhe ndaj vetë Sali Veselit është tentuar te inskenohet një ndeshje komunikacioni, në të cilën viktimë do te ishte Sali Veseli dhe bashkudhëtarët e tij. Se një inskenim i tillë është metodë e njohur e veprimtarisë kriminale te qendrës se krimit në Kosovë, flasin edhe rastet e tjera. Në këtë mënyrë “aksidentale” janë likuiduar edhe dorasit e plagosjes së aktivistit të LDK-së Fetah Rudit.

Pse Sali Veseli kundërshtonte varrimin e “Drinit” në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë?

Vrasja e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”, duket se në komandën e Zones II të TMK-së nuk ka shkaktuar një shqetësm te madh. Kështu, komandanti i kësaj zone Sali Veseli, fïllimisht nuk ka dashur fare që komanda e zonës së TMK-së të marrë pjesë në ceremoninë e varrosjes se Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”. Veseli madje ka kundërshtuar edhe varrosjen e tij në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë. Por, ndryshe nga Sali Veseli, “dikush” në Prishtinë ka menduar më shumë sesa ai ne Prizren. Urdhri nga Prishtina ishte: Të varroset me nderime të mëdha komandant “Drini” për t’i fshehur gjurmët e krimit! Dhe ashtu veprohet. Komandant “Drini” varroset ne Varrezat e Dëshmorëve, ndërkaq në ceremoninë e varrimit marrin pjesë edhe vetë disa prej pjesëmarrësve në vrasjen e tij. Madje, pas varrimit shtrohet edhe drekë “solemne”. Kështu vritet edhe një personalitet i lartë i luftës dhe i paqes në Kosovë, ndërkaq pas tij, për te fshehur gjurmët e këtij krimi, vriten edhe të tjerë, te pafajshëm dhe të involvuar në vrasje. Seria e vrasjeve ne Kosovë vazhdon edhe sot e kësaj dite.

(Fund)

V.G. e S.M.

Së shpejti në shtypin ditor do te lexoni: Si u përgatit vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit? Pse Ahmet Krasniqi, pa pëlqimin e kryeministrit Bukoshi, i dha Fatmir Limajt 8 milionë DM ne restorantin “ROGNER” në Tiranë (viti 1998), të cilat iu dhane UÇK-së – Azem Sylës? Kush ishte “zonja sekrete” M.K.(Minire Krasniqi? Kush e arreston për pak kohë Ahmet Krasniqin ne Kukës dhe çka e porositën pjesëtarët e SHIKU-ut para lirimit të tij?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top