SHKRUAN: REXHEP SHAHU
(Njoftim i domosdoshëm për miqtë)
Me 8 qershor 2019, në sallën e madhe të mbushur plot, të Pallatit të Kulturës në Kukës, me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Bashkim Shehu, u prezantua premiera e filmit dokumentar Kujtojmë mos me harrue, të gazetarit të njohur Asllan Bajrami, drejtues e kontribues për shumë vite i redaksisë së programit satelitor të Kosovës në televizionin shqiptar. Dokumentari që i kushtohet kryesisht eksodit, krizës, është realizuar me përkrahjen e konsullatës së Kosovës në Tiranë. Më konkretisht, pasi gjërat duhen thënë sa jemi gjallë, me mbështejen e angazhimin e konsullit Halim Krasniqi, që është i biri i mikut timit e të gjithë shqiptarëve, të mirënjohurit Avdyl Krasniqi, babai i heroinës së madhe Xheve Krasniqi, i cili vinte më takonte në spital e më jepte lekë në vitin 1999.
Mësova nga Asllani e konsulli se datën 8 qershor dhe shfaqjen e premieres së dokumentarit donte ta shfrytëzonte presidenti Thaçi me ardhë në Kukës dhe me nda disa dekorata. Nuk vendosja dot unë as për po as për jo, por promovimit të dokumentarit po i futej mish dhie.
Duke qenë se isha pjesë e këtij dokumentari të mrekullueshëm dhe bashkëpunues me autorin Asllan Bajrami, për shkak se kam qenë gazetar i njohur në vitet e krizës e luftës për Kosovën, gazetar i pashmangshëm kur flitet për ato kohë e ngjarje pasi qëllova, për fatin tim të mirë pa leje e urdhëra partie, në vendin e kohën e duhur, pra nga këto shkaqe, e nga kjo konjukturë, m’u ofrua mundësia që të bëj disa propozime për dekorime individësh të shquar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaci.
Duke patur pakënaqësi të mëdha të deklaruara publikisht në shtyp për dekoratat që ka ndarë Thaçi në Shqipëri, mendova të rikuperohet diçka nga dëmet që ka bërë, duke dekoruar aktorë realë që kanë ndihmuar Kosovën në ditët e saj të vështira dhe që dekoratat në këtë rast nuk do të sherbenin për të mobilizuar e organizuar radhët e komunistëve apo enveristëve brenda të majtës shqiptare siç ka ndodhur me dekoratat e z. Thaçi.
Dikush më gjykon se po tejkaloj. Jo! Unë di më shumë se Thaçi për këtë gjë, për pasojat që ka shkaktuar ai me dekorime të padrejta e të padenja, për përçarjet e thella që ka shkaktuar ai me këto dekorata, për përbuzjen që ka deshmuar ai duke cënuar Kosovën dhe idealizmin e shumë njerzve në Shqipëri që e kanë Kosovën para çdo lloj partie e qeverie. Po z. Thaçi këtu mbeti ushtar i rëndomtë partie, socialist a komunist a marksist, çfarë të doje le të rrjeshtohet por nuk u bë dot politikan e president real i Kosovës. Nuk i deshi as nuk i njohu as nuk i përfilli kurrë aktorët realë më të fuqishëm që ka patur Kosova në Shqipëri, por mbeti periferik, si zgjatim i organizatave të dikurshme të partisë komuniste që shkruanin edhe në Zërin e Popullit, …miqtë kosovarë e vëllezërit kinezë…
Z. Thaçi nuk i deshi ato që e deshën Kosovën dhe bënë për të pa pazare, por u servilos pështirë ndaj atyre që Kosova u dukej e huaj, u dukej e u duket Jugosllavi, atdhe tjetër, shtet tjetër, komb tjetër… Shkurt, Thaçi nuk i shtoi dashuri Kosovës nga Shqipëria, nuk u përfill në Shqipëri për shkak të nivelit të tij të ulët dhe se u kujtonte njerzve grupet komuniste të dikurshme…
Unë propozova të dekorohen gazetarët e Kukësit të asaj kohe, zërat më të fuqishëm dhe burimi i çdo lajmi që shpërndahej në planet për Kosovën, refugjatët, Kukësin etj.
Nuk kam dashtë as dua vetë asnjë lloj dekorate nga z. Hashim Thaçi, pasi mua më ka nderuar presidenti Ibrahim Rugova dhe nuk dua nderim tjetër.
Nëse dikush don të më nderojë në Kosovë, e kam pritë e nuk ka ndodhë nga miqtë që i kam njohur, e kam shprehur edhe në zyrat e Ambasadës së Kosovës ditët para 8 qershorit 2019, le të më japë kush është i zoti shtetësinë e Kosovës dhe nuk dua nder më të madh, nuk ka nder më të madh nga Kosova për mua.
Miqtë duhet ta dinë se unë kam propozuar për dekorim, pa caktuar lloj dekorate, gazetarët e Radio Kukësit, Izet Durakun që e pati orientuar përfundimisht radio Kukësin në Radio Kosove dhe për emisionet në Radio Tirana për bashkëatdhetarë, Jonuz Hallaqin me kontribute në shtyp por dhe në BBC, Sulejman Dida, në radio e shtyp dhe në Radio Tirana në pranverë 1999, Blerina Halili në Radio Kukësi e në gazeta, Miriana Perzhita gjithashtu në Radio e gazeta, dhe të televizionit të Kukesit, Nermin Spahiu dhe Bujar Muçmata të cilët më kanë mbetë gjithmonë në mendje, ndonëse ka patur dhe ka edhe mjaft emra të tjerë meritorë.
Kam shkruar edhe emrat e kater gazetarëve të parë të Kosovës që kanë raportuar nga kufiri Shqipëri – Kosovë, gazetarë që i pati dërguar në Kukës Asllan Bajrami nga redaksia e programit satelitor të TVSH. Ata janë Besnik Kada, Bekim Hasani, Ylli Daci, Esat Brajshori dhe nëse bëhet ndonjëherë historia e gazetarisë për kohën e luftës për Kosovën, këto emra duhen shënuar si pionerë të gazetarisë së luftës për Kosovën.
Kam shkruar edhe emrin e Asllan Bajramit për kontribute të pamohueshme edhe përkundër mjaft veshtërsive e konflikteve edhe me zyrtarët e televizionit shtetëror të Tiranës. Asllani shtoi në atë listë emrat e disa kolegeve të tij të ekipit..
Pse propozova unë, pse ti, do të pyesë ndokush.
Po unë sepse kam qenë violinë e rëndësishme, zë i fuqishëm në ato kohë dhe shumë njerëz e dinë.
Kam propozuar që të dekorohen kryetarët e bashkive dhe kryetarët e rretheve të Kukësit, Tropojës e Hasit si dhe prefekti i Kukësit. Konkretisht Shefqet Bruka, Safet Sula, Zenel Kastrati, Hysni Alia, Xhevdet Hoxha, Sadri Isufi dhe Qemal Elezi.
Miq, deri këtu unë jam autori i kësaj hallve të ftohtë që nuk është ngrënë akoma se nuk ka kohë z. Thaçi të shpërndajë dekoratat për njerzit më meritorë të kohës së krizës e luftës për Kosovën në Qarkun e Kukësit. Punët i kanë bërë këta njerëz, gjokset me llamarina u janë zbukuruar të tjerëve… Ndërkohë, ai ka ardhë në Tiranë dhe ka ndarë dekorata pas kësaj që them unë, por ka ndarë dekorata për njerëz të nivelit të naltë, që pikë lidhje nuk kanë me Kosovën, luftën e krizën e saj të viteve 1998-1999.
Listës time, me pelqimin tim iu shtue doktor Ylber Vata, doktor Shaqir Shehu, gjeneral Kudusi Lame, të tre shumë meritorë.
Pastaj në listë, me ndërhyrje partie e qeverie nga Tirana e Kukësi, pa dijen time, as me pëlqimin as me refuzimin tim, janë shtuar edhe të tjerë jo propozime të miat.
Më vjen keq se unë jam më i vjetër se z. Thaçi dhe për shumë gjëra në Kukës, Has e Tropojë, jam shumë më i informuar se z. Thaçi dhe njerzit e tij. Dhe mua më dhimbset Kosova më shumë se z. Thaçi pasi më mungon ajo e ai e ka, por për të Kosova është vetëm karrige, kolltuk, post dhe ai beson se ai di të caktojë e të çmojë miqtë e jaranat e Kosovës.
Ta dija se lista duron shtesa, do të kisha futë në listë Daniel Endersin, shefin e UNHCR i cili meriton një shtatore nga të dëbuarit dhe Xhemil Shahun të cilin historia nuk e harron edhe pse administratat po. Do të kisha futë në atë listë Naser Kukën që meriton dekoratë, i cili e di sa ndihmë e gadishmëri i ka dhënë bashkia Kukës, do të kisha futë Kadri Balën që e çonte ngado Rupert Neudeckun dhe ai fliste për Kosovën si me qenë duke folë Kadriu. Lista ime e njerzve meritorë të Kosovës është e gjatë e me njerëz që z. Thaçi nuk i përfill siç janë përfaqësuesit e misionarët e Kosovës përmes të cilëve Shqipëria pa për herë të parë Kosovën pas viteve 1990. Ata nuk janë shumë por janë shumë meritorë, duke filluar nga fundi me Iljaz Ramajlin dhe nuk po i përmend gjithë figurat e Kosovës që e sollën të magjishme Kosovën në Tiranë.
Me 8 qershor 2019 kur duheshin dhënë dekoratat, nuk erdhi presidenti Thaçi në Kukës se ndodhej jashtë shtetit dhe nuk e kapi dot aktivitetin në Kukës edhe pse e shtymë me disa orë. Atë ditë ishte në Vjenë, por është kthyer moti nga Vjena… Dhe ka ndarë dekorata në Tiranë për shokët e partisë e të birosë…
Si përfaqësues i tij erdhi në Kukës me 8 qershor gjeneral Rustem Mustafa me figura të tjera të larta të Kosovës.
Ma dhanë listën të miratuar të përsonave që do shpalleshin të dekoruar dhe unë e lexova atë listë para sallës së mbushur plot e para kamerave, meqenëse isha moderator a drejtues i veprimtarisë.
Ftova pastaj gjeneralin Rustem Mustafa që i përshëndeti të pranishmit në emrin e presidentit Thaçi, para shfaqjes së dokumentarit.
Dolën me radhë dhe përshëndetën e falenderuan shumë njerëz që ishin shpallur në listën që lexova si të dekoruar prej presidentit Thaçi.
Unë pata fatin ta drejtoj këtë aktivitet dhe nderin që ta shpall listën e personave të dekoruar nga Presidenti Thaçi. Ndaj sot më pyesin njerëz të ndryshëm ç’u bë me dekoratat e shpallura… apo mashtroi Thaçi…
Dekoratat do t’i marrin ndonjë ditë kur të ketë mundësi presidenti Thaçi.
Në listën që më dhanë të lexoja, pashë se nuk ishin gjithë të propozuarit e mi, nuk ishin gazetarët që kam propozuar unë por ishin pushtetarët dhe ishin shtuar edhe zyrtarë të tjerë. U shqetësova dhe natyrisht që nuk e fsheha dot deshpërimin dhe bëra portretet e gazetarëve, duke treguar se janë të propozuar për dekorim dhe shpresoja se do t’i dekoronte presidenti Thaçi.
U trazova si sot pasi presidenti Thaçi kaloi nga Kukësi e shkoi në Tiranë dhe dekoroi për kontribute për Kosovën disa njerëz që veç kontribute për Kosovën nuk kanë, ose kanë më shumë kontribute për Korenë se sa për Kosovën.
Por njerzit e Kukësit, Hasit e Tropojës nuk i dekoroi, gazetarët e Radio Kukësit që ia mësuan botës më shumë se kurrë emrin Kosovë nuk i dekoroi, i nënvlerësoi.
Gazetarët e pushtetarët e asaj kohe të qarkut të Kukësit janë ku e ku shumë më meritorë se kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë apo veteranët e shpikur të z. Thaçi si Sabit Brokaj e Fatos Klosi të cilët nuk janë sjellësit e lirisë së Kosovës, nuk janë krushqit e parë të lirisë së Kosovës e as të fundit, mund të jenë përsonalitete të spikatura në fushat e tyre, por vijnë vonë në radhën e meritorëve për lirinë e Kosovës.
Ani do të bëhet mirë, prapë mirë do të bëhet, llamarina për dekorata ka boll e do të ndahen ndonjë ditë ato dekorata të shpallura kur t’i dalë tepër koha e dita presidentit Thaçi, kur të mos ketë si ta plakë ndonjë ditë.
Shpresoj se do të bëhet mirë, do të nderohen gazetarët e Radio Kukësit dhe ata që janë propozuar për dekorim.