Shkruan: Arber Gashi
Problemet e besimeve fetare me shqiptarët nuk kanë lindur sot. Ato, si barrë e dëshiruar dhe si mision nga ana e politikës dhe vet besimeve fetare, veçanërisht fesë islame dhe ritit lindor ortodoks të krishtenimit, kanë lindur në rrethana e kohë të ndryshme historike. Kulmin e tyre këto probleme e kanë arritur në periudhën e Rilindjes Kombëtare, atëherë kur lindja e kombit modern shqiptar refuzohej kategorikisht dhe luftohej me të madhe. Shqiptarët, ose kopilat e Europës siç i quante përfaqësia islame dhe ortodokse atëherë, si dhe ideja e tyre për shtetin kombëtar, konsideroheshin si ndërmarrje të rrezikshme. Prandaj, kësaj ndërmarrje të rrezikshme europiane duhej prerë koka që në lindje. Ky koalicion i fesë islame me Patrikanën e Stambollit nuk e befasonte asnjë rilindas shqiptar, por ndikimi i islamit dhe ortodoksisë te masat e gjera popullore kishte arritur pikën kritike dhe nacionalizmit shqiptar të asaj kohe nuk i mbeti tjetër rrugëdalje përpos pajtimit me fatin e zi, krijimit të një shteti të cunguar shqiptar, e i cili do të mbetej cung e nuk do të mund të shkëputej kurrë nga ndikimi politik i besimeve fetare, si dhe nga ndikimi i fqinjëve pushtues e agresorë.
I
Kosova me vise, si rezultat i ndarjeve dhe mosmarrëveshjeve të sipërcekura fetare mbetën të pushtuara nga fqinjët. Dhuna ndaj shqiptarëve në përgjithësi mori përmasa alarmante. Veçanërisht sistematike mund të konsiderohet dhuna te ajo pjesë e mbetur e shqiptarëve katolikë që jetonin në territorin e shteteve të sotme RMV dhe Mal i Zi. Aty, pushteti i ri nuk toleronte kundërshtarë në krishtenim, e sidomos jo kundërshtarë që i konsideronte më të rrezikshëm se shqiptarët e tjerë të cilët përmes Xhemietit Islamik i mbante në koalicion të dhunshëm. Kundërshtimet e shqiptarëve të besimit islam për dhunën dhe padrejtësitë që iu bëheshin shqiptarëve të besimit katolikë nuk mbetën pa pasoja. Ato familje që pushtuesi i konsideronte më shumë shqiptare se islamike dhe për të cilat dyshohej se mbajnë marrëveshje të fshehur me katolikët shqiptarë, i anatemonin kudo dhe ishin ndër të parat që i detyruan të shpërngulen drejt Turqisë. Marrëveshjet serbo-turke në kohën e Ataturkut realizoheshin me përpikmëri të madhe dhe kundërshtimeve të shtetit shqiptar të kohës nuk ua varte veshin askush. Kjo dhunë sistematike arriti përmasa të tilla saqë edhe shqiptarët më të devotshëm të besimit islam neveriteshin nga përfaqësuesit e tyre që kishin bërë koalicion me Partinë Radikale Serbe të Nikolla Pashiqit. Megjithë faktin se këto ndjenja të popullatës kishin filluar të merrnin formë e përmbajtje të rezistencës, gjendja në terren sa vinte e përkeqësohej. Ardhja e kolonistëve serb në Kosovë kishte marrë përmasë të rrezikshme. Të nxitur nga Kisha e Serbisë, këta kolonistë ushtronin dhunë të skajshme ndaj secilit banorë që fliste shqip. Me ata që flisnin turqisht, puna qëndronte pak më ndryshe. Ata, si qytetarë të Jugosllavisë së Parë ishin të privilegjuar dhe përfitonin nga marrëveshjet e Jugosllavisë me Turqinë. Madje, këta “turq”, argatë e vazalë të Serbisë, ashtu siç Serbia ishte dhe vazhdon të jetë vazale e Turqisë, ishin edhe bartësit kryesorë të idesë se Turqia i solli shqiptarët në Kosovë pas betejës së vitit 1389, duke i dhënë ide e mbështetje të madhe synimeve të Kishës Serbe për manipulim të fakteve historike.
II
Çështja shqiptare në Kosovën me vise lindi si pasojë e gjakut të derdhur rrëke, si çështje e një etnie të gjymtuar rëndë nga flaka e luftës pushtuese e asgjësuese. Insistimet fetare islamike e ortodokse për ta refuzuar ekzistencën e problemit shqiptar dhe për ta trajtuar këtë çështje ekskluzivisht si çështje të interesave fetare në kontinentin europian, shkaktuan shumë huti dhe krijuan terren të volitshëm për realizimin e planeve mizore ndaj popullsisë civile. Pësimet e mëdha nga ekspeditat ndëshkuese të pushtuesit të ri e ngjallën urrejtjen e madhe të popullit ndaj bashkpunëtorëve të Serbisë. Kjo urrejtje rezultoi në refuzim të skajshëm të bashkjetesës me kolonistët serb. Kishat dhe manastiret shqiptare të kohës bizantine u uzurpuan. Shqiptarët ortodoksë u sllavizuan tërësisht dhe ata madje morën rolin udhëheqës në ekspeditat ndëshkuese ndaj ish-bashkëkombasve të tyre kryengritës. Financimet e shkollave islamike e ortodokse nga pushtuesi serb, ndërtimi i xhamiave, trajtimi “hallall” në ushtrinë e “kral” Petrit dhe shumë e shumë veprime tjera që synonin nxitjen e përçarjes dhe ndryshimin e karakterit kombëtar të shqiptarëve përmes joshjes islamike e ortodokse nuk mbetën pa pasoja. Rezistencës kombëtare shqiptare, si shkak i këtyre veprimeve të Serbisë, i lindën probleme të mëdha me pjesën e popullsisë e cila ishte lodhur skajshmërisht nga dhuna, dhe e cila, shpëtimin e vet e kishte gjetur te deklarimi “unë jam turk”.
III
Deklarimet publike të disa shqipfolësve, “unë jam turk”, e përshpejtuan ambicien e Serbisë për t’i dhënë fund ekzistencës së çështjes shqiptare në Jugosllavinë e Parë. Marrëveshja ruso-turke e vitit 1938, erdhi si pasojë e insistimit të vazhdueshëm të të ashtuquajturit “Klub Kulturor Serb”, i cili e gëzonte mbështetjen e plotë të Riasetit Islamik në Sarajevë dhe të Filialës së saj Islamike në Shkup, për t’i dhënë fund njëherë e mirë ekzistencës së çështjes shqiptare përmes deportimit masiv të popullsisë civile drejt Turqisë. Refuzimi i ashpër kroat në Parlamentin e atëhershëm jugosllav paraqiste pengesë, por edhe ai u anashkalua tërësisht përmes dhunës së skajshme, kështu që, marrëveshja serbo-turke filloi të zbatohej në praktikë. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, pushtimi italian i Shqipërisë dhe sidomos pushtimi gjerman i Jugosllavisë e ndryshuan rrënjësisht rrjedhën e ngjarjeve. Për herë të parë pas gjymtimit të kombit në vitin 1912, nacionalizmi shqiptar në Kosovë, duke iu falënderuar rrethanave të kohës, gjeti terren dhe veproi pa hezitim duke realizuar planet kombëtare në shtrirje të gjerë etnike. Ishin ato vite të cilat përfunduan me një humbje të madhe në luftë, me një tradhti edhe më të madhe kombëtare nga ana e komunistëve (islamik e ortodoks të konvertuar në komunist), por edhe me disa fitore që Kosovës nuk do t’ia merrte më askush, si shkollën shqipe, Flamurin e Kastriotit në shpirtë dhe frymën kombëtare si amanet të gjakut të derdhur për fatin e ndritshëm të brezave pasardhës. Jugosllavia e Dytë, e ndodhur në rrethana krejtësisht tjera ndërkombëtare, u detyrua të bëjë disa kompromise indirekte me çështjen shqiptare, duke mos hequr dorë asnjëherë nga planet për shpërnguljen e tyre e që filluan të zbatohen në masë pas vitit 1950. Gjatë kësaj periudhe që në popullin tonë njhet si periudha e Aleksandër Rankoviqit, Fadil Hoxhës, Ali Shukriut etj. etj. ortodoks e islamik të konvertuar brenda natës në komunist, shqiptarët e Kosovës me vise akuzoheshin si bashkpunëtorë të fashizmit dhe të klerit katolikë, të cilin e kishin likuiduar tërësisht sllavokomunistët e Enver Hoxhës në Tiranën e sapo pushtuar nga komunizmi. Për shqiptarët, aq sa ka qenë e “lehtë” të jesh shqiptarë nën pushtimin turk, po aq ka qenë edhe nën sundimin serb, qoftë gjatë kohës së mbretnisë serbe në Jugosllavinë e Parë, apo në kohën e komunistëve gjatë Jugosllavisë së Dytë. Madje, gjenerata e lindur pas luftës, dhe e cila i ishte nënshtruar propagandës së tmerrshme e të parreshtur Tiranë-Beograd kundër nacionalizmit shqiptar dhe rezistencës së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fund të viteve të 60-ta u distancua tërësisht nga kjo trashëgimi historike, duke u munduar që realizimin e projekteve kombëtare ta bëjë përmes mendësisë islamo-serbe-komuniste. Kështu, në Kosovën tonë që po e mbante të ndezun pishtarin e çështjes shqiptare, lindën subjekte shumë të dyshimta marksist-leniniste, të cilat e instrumentalizuan skajshmërisht çështjen dhe i shkaktuan vendit tonë, sëbashku me Serbinë pushtuese dhe Tiranën që i frikësohej humbjes së primatit mbi çështjen kombëtare, katastrofën më të madhe në vitet e 90-ta, duke e sabotuar në tërësi Deklaratën Kushtetuese, Referendumin për Kosovën shtet të pavarur e demokratik, Kushtetutën e Republikës, si dhe duke e kryer puçin ushtarak e politik kundër vullnetit të popullit shqiptar në Kosovë. Deri më sot, këtë luftë të menaxhuar Tiranë-Beograd janë munduar të na e shesin si luftë çlirimtare, por realiteti i saj ishte i hidhur për ne, sepse në praktikë, këto grupe marksist-leniniste, të mbështetura nga Tirana zyrtare e shkatërruan gati në themel synimin e vërtetë të shqiptarëve të Kosovës.
IV
Çështja fetare nuk ka qenë kurrnjëherë çështje personale, sado që grupet islamo-serbe e komuniste mundohen ta cilësojnë si të tillë. Dhe, nuk është kurrfarë rastësie që komunistët e paraluftës i gjejmë të paluar në vendet e para nëpër xhamia ose në liturgji ortodokse serbe e greke, aty ku ata i madhërojnë të gjithë ata kriminelë e ato kriminele që kanë kryer e vazhdojnë të kryejnë krime të panumërta ndaj shqiptarëve. Shpërnguljet e mëdha të rinisë shqiptare nga Shqipëria, Kosova, RMV dhe Mali i Zi nuk po ndodhin rastësisht. Është koha ta kuptojmë se ato janë pasojë e veprimit të planeve të kahmotshme antishqiptare. Këto plane të zeza, mund të ndalen vetëm atëherë kur nacionalizmi shqiptarë të vetëdijësohet për rrezikun dhe të ndërmarrë hapa të menjëhershëm të përballjes me anmiqtë. Njëra nga luftërat që duhet fituar me çdo kusht, është lufta kundër asimilimit fetarë dhe kundër uzurpimit të pronës kombëtare nga Kisha e Serbisë dhe Dianeti i Turqisë.