Censura komuniste mbi Murat Toptanin

SHKRUAN: MARSIDA NAJDENI

Murat Toptani kjo figurë poliglote, patriotike dhe e gjithanshme, ka bërë aq shumë për shqiptarinë sa ende mbas 100 vitesh nga vdekja e tij zbulohen mrekullirat që ka lënë mbrapa ky vigan. Murati ishte njeriu i vjershës, i pikturës, i skulpturës, i gazetarisë, i trimërisë, i pushkës, i atdhetarisë, i dijes, i politikës, i diplomacisë, i miqsisë dhe dashurisë.

A ka gjë që s’ka lënë pa bërë ndërkohë që persekutohej nga Porta e Lartë. Persekutimi do t’i vazhdonte mbas vdekjes gjatë komunizmit. Fëmive të tij komunizmi do tu hidhte çka kish. Albi Serani ka shkruar gjatë mbi vuajtjet e djalit të Muratit, Hasan Toptani, i cili dërgohet në Llakatund të Vlorës nga Tirana dhe iu desht të mbrojë veten nga vdekja në gjygjin komunist, nga ku shpëtoi vetëm falë aftësisë së avokat Fadil Llagamit. Djali tjetër, Shadan Toptani, i diplomuar në Itali në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos, në vitin 1947 dënohet me 10 vjet burg, por për fatin e tij të mirë lirohet mbas 21 muajsh burgim.

Muratit, edhe vepra e tij si patriot do t’i censurohej jo pak. Bashkarisht dhe vepra e tij si artist do t’minimizohej goxha. Ai, firmëtar i pavarësisë, bir i Lidhjes së Prizrenit, ai, skulptori rilindas – i pari që bëri Skënderbeun në bust, i pari karikaturist shqiptarë, artist i afirmuar, diplomat në çdo koloni shqiptare të kohës, ishin armët e Muratit që mbrojtën Ismail bej Vlorën drejt 28 Nandorit. I kurdohershmi Murat, nuk ka moment të rëndësishëm rilindas që s’do ta gjeni emrin Murat Toptanit. Jo më kot, dhe një nga firmat më të mëdha në dokumentin e aktit të pavarësisë është e tija. I pari që këndoi himnin e flamurit gjatë aktit të pavarësisë më 1912. Atij që iu dha flamuri për ta ngritur më 28 nandor 1912 dhe me shpirtmadhësinë e një tironsi ia kaloi bablokut të zgjuar Ismail Qemal.

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924. E në fakt, ndër dekada që pasuan pothuajse u la në harresë. Vizatimet e tija ende nuk janë mbledhur. Edhe krijimet e tjera përveç një botimi më 1924 me vjershat e Muratit. Ferid Hudhri boton më 1978 librin “Murat Toptani.” Një libërth i vogël, studim i kufizuar duke parë rrethanat e asaj kohe. Kjo jo për mungesë të aftësive të z. Hudhri, por nga frika e kurdohershme. Është një punim prezantues i kënaqshëm për jetën e Muratit, por jo kurrësesi i mjaftueshëm. Në faqen 71 të librit të z. Hudhri më del poezia “Flamurit të Shqipënisë.” Këtë vjershë e kisha lexuar diku tjetër me rastin e 1 vjetorit të pavarësisë më 1913. Vjersha në librin e z. Hudhri ka rreshta të zhdukur dhe mbuluar me pika, fenomen që në këtë libër ndodh shpesh. Si mund të fshihet puna patriotike artistike e një vigani si Murat Toptani?

SHIKONI DY FOTOT E BASHKANGJITURA, NJËRA ËSHTË BOTIMI ORIGJINAL 1913, TJETRA BOTIMI 1978 NGA Z. HUDHRI, BOTUAR ME CENSURË

Cilat vargje mungojnë dhe përse janë fshirë

”Mbi ty ‘shqipja hapi fletë,
U çliru me ty Shqipnija
Qoftë e lirë si ti për jetë,
E madhnoftë Perëndija!”

Gjithë strofa është zhdukur nga censura e kuqe. Kjo jo për faj të z. Hudhri duke patur parasysh se ç’mund t’i ndodhte në ato vite. Mendoj unë arsyeja përse është hequr sepse përmendet perëndia. Shqipëria e vitit 1978 ishte vend ateist, pa Zot, na dilte e na tepronte partia me virtytet vëlla-vrasëse. Po ashtu përmendja e fjalës “çlirim” ishte pronësuar me përdhunë si meritë komuniste, vetëm ato mundnin me sjell “çlirim” kërkush tjetër.
Rreshti tjetër i zhdukur është:

“Prej Tivarit e te Preveza.”

Kjo është dhe më e rëndë. Masakrat e Tivarit u harruan dhe as u përmendën ndonjëherë për gjysëm shekulli. Sllavët ishin vëllezërit tanë ndërkohë përtej kufirit ishte “shoku kosovar” etj. Shqiptarët e Prevezës ishin të zhdukur në memorien komuniste.

Lutem që një ditë një studiues/e e historian/e i/e joni/a me kualitetet e duhura t’arri të paraqesë jetën dhe veprën e plotë të një prej baballarëvë të kombit, viganit, Murat Toptani.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top