Burthat

Shkruan: Edison YPI

Ishte Naimi i madh i pari që lajmëroi se Shqipëria e udhëhequr jo nga burrat por nga burthat një ditë do katandisej për ibret, tek Bagëti e Bujqësi titulli i së cilës flet vet për burthat tanë animalistikë të kudondodhur.

I ëmbli Naim e tha mjaft qartë; “Do tu këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni”. Domethënë do tu çel sytë për burthat që mbani mbi kurriz. Dhe më qartë akoma, diku tjetër ku tallet hapur; “O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni”, pra “O shqiptarë, me burthat që keni në krye ju mua më gajasni”.
Poeti idealist e dinte se Historia e Shqipërisë ishte plot me me hajdutë, llafazanë, mburravecë, grindavecë, dembelë, hileqarë, intrigantë, prandaj ulëriti. Por profecisë naimiane pak rëndësi iu dha, dhe burthat tanë sot e kësaj dite vazhdojnë të mbretërojnë.

Një tjetër shqiptar vizionar tha; ” Burrat e dheut e thirrshin nanë”. Pra “Burrat e dheut”, që domethënë burrat e vdekur, Shqipërinë e thirrshin nanë për ta dashur, ndërsa burthat e gjallë plaçkë për ta vjedhur.

S’është për tu çuditur. Libra prej të cilëve 99 % e lexuesve mezi kapin 1 % të thelbit, ka plot. Miliona dashamirë naivë të letërsisë e kanë lexuar dhe e lexojnë dhe e ngrenë në qiell Pinokun si meselenë moralistike të një buratini të cilit i zgjatet hunda sa herë gënjen, çka është vetëm njëra nga pasojat që pak lidhje ka me thelbin. Pinoku ka në themel një shkak madhor, ankthin e një burri të vetmuar i cili në mungesë të një fëmije prej mishi, gdhend një fëmijë prej druri. Por dihet se thelbet e thella lexuesi i cekët pak i kupton, dhe mirë bën.

Prej qindra vitesh Shqipëria vuan prapësitë e burthave dyshues, vuajtës dhe agresivë. Ende sot, zeja më e përhapur ndër shqiptarë është ajo e burthave që përmes frikërash vjedhin, dhe pasi vjedhin ulurasin. Për më tepër, burthat shqiptarë pasi vjedhin, edhe trashen e dhjamen.
Cilësimet femërore pothuaj të gjitha mjeteve vrasëse shkatërruese si thika, shpata, pushka, koburja, predha, djegorja, gëzhoja, mortaja, janë thjesht cilësime burthash.

Stërnipat e sotëm të burthit naimian, atij që “blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë”, pra burthit që pasi bën sherr ja mbath, si dhe burthave çajupianë, ata që “nënë hije, lozën kuvëndojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, të bëjnë sa për të qeshur dhe për të qarë.

1 thought on “Burthat”

  1. Hundkarrotet, bukthat ,dembelet e pa afte , Ryshfetmarresit, orgi manet dhe orgwomen et institucioal, arrogantet e oportunistet , miniborgjezet e pa kualifikuar ,etj tani presim VOTIMET! ?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top