Bujani, Konferenca e mashtrimit komunist

Shkruan: Arber Gashi

Duke dëgjuar fjalën e komandantit të dikurshëm dhe deputetit të sotëm Rrustem Berisha të mbajtur në akademinë përkujtimore në nderim të veprës politike dhe ushtarake të heroit të kombit Sali Çekaj, për një moment mbeta i shtangur! Më kaploi një tronditje e papërshkruar kur dëgjova se komandanti i dikurshëm dhe deputeti i sotëm, heroin e kombit Sali Çekaj e konsideron si pasues të rrugës së trasuar nga Konferenca e Bujanit!

Pa dyshim, kontributi i komandantit të dikurshëm dhe deputetit të sotëm Rrustem Berisha në luftën për çlirimin e Kosovës nuk mund të mohohet. Përkundrazi, kontributi i secilit duhet patjetër dhe detyrimisht t’i nënshtrohet kritereve shkencore të vlerësimit, sepse, as komandantit të dikurshëm, e as deputetit të sotëm Berisha nuk mund t’i falet gabimi dhe tallja me historinë e Kosovës!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që duke pasur një komandaturë të tillë gjatë luftës së fundit, të “shpërlarë truri” nga propaganda e historisë së falsifikuar komuniste ndodhi edhe vrasja e Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, vrasja e Ilir Konushevcit, Zahir Pajazitit e shumë e shumë të tjerëve! Ndodhi lufta kundër institucioneve të shtetit të Kosovës!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që ai dhe shokët e tij nuk e njohin Historinë e Kosovës!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që ai dhe shokët e tij nuk janë thirrur kurrë në vlerat politike, ushtarake, kombëtare dhe në trashëgiminë e vendimeve demokratike të Lidhjes së Dytë të Prizrenit!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që ai dhe shokët e tij nuk e kanë përkujtuar kurrë vrasjen e Iljaz Agushit dhe shqiptarëve tjerë gjatë vitit 1943 në Tiranë!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që ai dhe shokët e tij u ballafaquan me të njëjtën situatë të rrezikshme për institucionalistët shqiptarë, gjatë viteve 1996 – 1999!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk ishte aspak rastësi që ish-Presidenti Rugova zgjodhi rrugën dhe politikën paqësore për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që shteti serb sponzorizon komandant, parti politike dhe deputet të lidhur me “vlerat” e Konferencës së Pavle Joviçeviqit e Millan Zeqarit!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk ishte rastësi që komunistët e bashkuar serbo-shqiptar, pas kapitulimit të Italisë fashiste u vërsulën dhe shkatërruan të gjitha institucionet e shtetit të bashkuar shqiptar, Shqipërisë etnike!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk ishte rastësi që Marrëveshjen e Mukjes e tradhtuan organizatorët serb të “Konferencës së Bujanit”. Po ata serb, që së bashku me shërbëtorët shqipfolës të Marshalit Tito, Enver e Fadil Hoxha, në vitin 1945 vendosën t’ia bashkojnë “Kosmetin” Serbisë!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk ishte rastësi që Konferenca e ngutshme e Pavles dhe Millanit n’Bujan, synonte shfyqizimin ushtarak të vendimeve demokratike të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për bashkimin e tokave të lirueme me shtetin amë, Mbretninë Shqiptare!

Komandanti dhe deputeti Berisha duhet t’a dijë se, nuk është rastësi që duke pasur një dyzinë komandantësh në front dhe në parlamentin e sotëm, të cilëve ju kanë munguar dhe ju mungojnë njohuritë elementare për historinë e vërtetë të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, dëmet më të mëdha këta komandant dhe deputet ia kanë shkaktuar suksesit në luftën e fundit, interesit kombëtar, integritetit territorial, sovranitetit shtetëror dhe perspektivës së integrimit nacional e euroatlantik!

Komandant dhe Deputet Berisha, ju lutem juve dhe kolegëve Tuaj, mos e merrni n’qafë perspektivën e ndritshme të shtetit dhe rinisë së sotme të Kosovës! Mësojeni historinë, ose merrni dekoratat dhe shpërblimet që ju takojnë dhe shkoni në pension!

1 mendim te “Bujani, Konferenca e mashtrimit komunist

  1. Ju lumtë,fatkeqësisht sikur Rrustem Berisha mendojnë gadi të gjithë eprorët e UÇK-së me përjashtime të vogla,prandaj edhe unë iu preferoj që ta mësojnë historin sepse ajo edhe ditëve të sodit po na përsëritet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *