Bisedimet për Kosovën dhe demonizimi i Serbisë

SHKRUAR NGA PRF. DR. ENVER BYTYÇI, MARS 2011

Kongresisti amerikan Eliot Engel për të njëmijtën herë ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të sinqertë dhe si mik i shqiptarëve për atë që do të nisë nesër: dialogun Prishtinë–Beograd. Ishte një rezolutë e Kombeve të Bashkuara, e cila ka obliguar palët në konflikt: shqiptarët e Kosovës, si dhe qeverinë e Serbisë që të rifillojnë një dialog të ri dhe të arrijnë në një marrëveshje gjithashtu të re. Presidenti i Serbisë, Tadiç, ka paralajmëruar se “dëshironte” të vinte të një marrëveshje historike “për bashkëjetesën e të dy popujve në rajon”. Por cila do të ishte kjo “marrëveshje historike”? Çfarë do të përmbante ajo? Me çfarë koncensionesh në dobi të njërës palë e në dëm të palës tjetër do të shkohet në destinacionin e Tadiçit? Të gjitha këto pikëpyetje ende nuk janë qartësuar. Tadiç nuk kishte pse ti qartësonte, por as dikush tjetër nuk ka marrë mundimin për këtë.

Miku i madh i shqiptarëve, Engel, ka dhënë sinjale të lexueshme për atë çfarë do të jenë këto bisedime dhe se si do të duhej të ishte sjellja e faktorëve dhe aktorëve pjesëmarrës në to. Kongresisti amerikan pohon se “sinqerisht mendoj se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar Veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë”. Nëse institucionet e Kosovës do të ishin të vëmendshme ndaj këtij pohimi, atëherë ato do të duhej të nxirrnin disa konkluzione të rëndësishme dhe të kishin parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat do të fillojnë – siç thuhet – më 8 mars bisedimet me Serbinë. Këto rrethana duket se nuk janë ende të favorshme dhe të përshtatshme për shkak të obstruksionit të vazhdueshëm të qeverisë së Beogradit.

Së pari, të bisedosh me Serbinë në kushtet kur ajo mban të pushtuar një pjesë të territorit të vendit, është hendikapi më i madh, është shkalla më e ulët e inferioritetit shtetëror, qytetar e kombëtar. Kushti themelor i çdo ecurie në bisedimet midis dy vendeve do të ishte krejt i logjikshëm dhe i pranueshëm: kërkesa për të shtrirë sundimin e shtetit ligjor në të gjithë territorin dhe largimin prej Veriut të Mitrovicës të strukturave paralele të Beogradit. Pa pranuar këtë kusht themelor delegacioni i Kosovës nuk ka pse të pranojë asnjë lloj fillimi të dialogut, për asnjë çështje. Mbajtja nën pushtim të territorit të Veriut të Kosovës nga ana e policisë, paramilitarëve dhe rojave të urës, ose të Car Llazarit, është avantazh i madh për Serbinë. Në kushte të tilla ajo paraqitet në bisedime jo si partnere e barabartë, por si demone e këtyre bisedimeve. Demonizimi serb në bisedime do të sillte edhe legjitimimin e pushtimit në Veri të vendit. Pranimi i bisedimeve të çfarëdo lloji në kushtet e pushtimit është kthim prapa në kohën e Milosheviçit. Kam shkruar dhe disa herë se vetë Milosheviçi do të ishte i gatshëm që në kushtet e pushtimit të Kosovës të bisedonte me shqiptarët për të ndarë me ta pronën dhe një territor të huaj për Serbinë. Me praninë e tij në Veriun e Kosovës Serbia ka arritur të rikthejë politikat milosheviçiane në Kosovë. Në këto kushte, mund të gjykohet se vizita e Behgjet Pacollit në Veri të vendit në vend që të ndikojë për rikthimin e kësaj pjese të territorit në administrim dhe integrim të shtetit të Kosovës mund ti hapë rrugë zhvillimit të bisedimeve pa i kondicionuar ato me çlirimin e vendit nga bandat dhe banditët serbë me uniformë dhe pa uniformë shtetërore të Beogradit.

Së dyti, Eliot Engel ka paralajmëruar se shqiptarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë në bisedimet me Serbinë, të cilat do të fillojnë në Bruksel. Kjo do të thotë se sulmet e Beogradit ndaj kryeministrit Thaçi me akuza absurde si ato të “transplantimit të organeve të viktimave serbe” nuk do të duhej të ndikonin dhe ta shndërronin Serbinë në demone të këtyre bisedimeve. Fushata e akuzave të Dik Martit si dhe një sërë personaliteteve të tjera të Perëndimit, përfshirë dhe Tim Judah, të aranzhuara nga aktakuza e prokurorisë së Beogradit për krime lufte ka ndikuar që imazhi i vendit dhe i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cenohen dhe dëmtohen rëndë. Bota demokratike e sheh tashmë Thaçin si një lider të lakueshëm e të përulur, me një barrë të rëndë përgjegjësie për gjoja krimet e UÇK-së kundër serbëve të Kosovës. Shumëkush në Bruksel beson se Thaçi, i dobësuar nga këto akuza si dhe nga kontestimi europian i zgjedhjeve të 12 dhjetorit, do të bëjë koncensione dhe do të lejojë që Serbia ti demonizojë bisedimet e ardhshme. Demonizimi serb do të thoshte gjithashtu që Beogradi të rikthehej në njëfarë mënyre në Kosovë, duke i dhënë një goditje fatale procesit të paqes, që ka nisur më 24 mars 1999 me fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë.

Së treti, demonizimin serb të bisedimeve Prishtinë–Beograd do ta ndihmojë edhe udhëheqja e këtyre bisedimeve prej Bashkimit Europian. Eliot Engel ka paralajmëruar Europën qartë dhe pa ta diplomatik kur ka thënë se “më shqetëson fakti se shoh një lloj tradite në sjelljen e BE-së, që shpërblen Serbinë me gjithë faktin se nuk ka bërë asgjë”. Në të vërtetë kongresmeni amerikan me këtë ka dashur të dëshmojë edhe njëfarë diplomacie komunikimi. Sepse për mua kritika e tij do të thotë se Europa e ka përkëdhelur Serbinë, edhe pse ajo është përgjegjëse e krimeve makabre në Kosovë, edhe pse ajo ka udhëhequr një fushatë çmendurie spastrimesh dhe eliminimi fizik kundër shqiptarëve, edhe pse ajo vijon një politikë të tillë pushtimi dhe agresioni kundër Kosovës, edhe pse ajo ka injoruar vendimet e fuqive të mëdha perëndimore për njohjen e shtetit të Kosovës. Nuk është se Serbia nuk ka bërë asgjë. Përkundrazi, Beogradi ka bërë gjithçka për ta bllokuar Kosovën, ka organizuar sistematikisht një intervencion politik, diplomatik e deri militar kundër Kosovës, kundër njohjes diplomatike të saj, kundër pranimit në OKB të shtetit më të ri europian, kundër sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial, politik e moral të shtetit të Prishtinës. Engel vetëm sa ka përkujtuar një histori absurde të sjelljes europiane, e cila në forma të sofistikuara vazhdon edhe në ditët tona.
Kjo sjellje e Europës është në harmoni me ambiciet dhe planin serb të demonizimit të bisedimeve dhe rikthimin e palës tjetër në palë inferiore, e cila të ishte e detyruar që të bënte kompromise të shumta ndaj përpjekjeve të Beogradit për të rikthyer praninë e tij në këtë vend. Këtë të vërtetë nuk mund ta fshehin premtimet se “do të bisedohet për çështje teknike”, se “nuk do të bëjmë asnjë bisedim për çështje të statusit dhe integritetit të Kosovës” etj. Por me praninë e Serbisë në Veriun e Kosovës është krejt e logjikshme dhe e pranueshme që të bisedohet për këtë çështje, pra se si do të zgjidhet statusi i Veriut të Kosovës. Nëse do të flitet për këtë problem, atëherë kjo do të thotë të bisedohej për vetë statusin e Kosovës, sepse nuk mund të bisedohet për një pjesë të saj, sikur kjo pjesë të mos ishte pjesë e trupit të të njëjtit trung, trup. Në Europë askush nuk është dëgjuar të përmendë këtë fakt, të cilin na e përkujton miku i madh i shqiptarëve Eliot Engel, sepse europianët në tërësi nuk kanë asgjë kundër ndarjes së Kosovës, ndërkohë që një pjesë e tyre janë pro sovranitetit të Serbisë në këtë vend. Këtë mesazh nuk na e japin vetëm ato pesë vendet armike të shtetit të Kosovës e njëkohësisht pjesë e Bashkimit Europian, pra Rumania, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja e llastuar. Këtë mesazh na e japin një aradhë e gjerë politikanësh dhe diplomatësh europianë të tipit Dik Marti, ndërkohë që janë vetë shqiptarët ata që do të mund ti japin fund këtij ngërçi dhe kësaj aventure antishqiptare. Dikush do të pyeste se si mund të ndodhë kjo.

Në radhë të parë, bisedimet me Serbinë do të duhet të zhvillohen nga nivele të njëjta. Nuk mundet që njërën palë ta kryesojë këshilltari i ministrit të jashtëm (në rastin e Serbisë) dhe tjetrën palë zv.kryeministrja e Kosovës. Që këtu fillojnë shenjat e inferioritetit dhe të pabarazisë midis palëve. Prej përbërjes së delegacioneve jepen shenjat e demonizimit politik të bisedimeve. Demon do të jetë ajo palë që do të ulet të bisedojë me palën tjetër me përfaqësim shumë më të ulët shtetëror. Nëse të dyja palët janë të barabarta dhe do të shiheshin si shtete të barabarta, atëherë përfaqësimi është sinjali i parë i dukshëm i kësaj barazie. Në rastin e bisedimeve të kësaj radhe po ndodh krejt ndryshe. Ndryshimi, të cilin dikush mund ta klasifikojë si formal e të parëndësishëm, në të vërtetë është dhe do të mbetet thelbësor dhe ndoshta me pasoja fatale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në radhë të dytë, bisedimet duhet të fillojnë si shprehje e vullnetit për dialog dhe duhet të ndërpriten me një afat të caktuar prej dy javë ose një muaj, me kushtin e vendosjes së sovranitetit shtetëror të Prishtinës në Veriun e Mitrovicës. Pa u vendosur ky raport i drejtë dhe i arsyetueshëm nuk do të ketë bisedime mes partnerësh të barabartë. Nga ana tjetër, delegacioni i Kosovës në takimin fillestar në Bruksel veç temave të bisedimeve do të duhet të kërkonte afatizimin e tyre maksimumi deri në muajin maj. Kjo për shumë arsye, por më e rëndësishmja është se gjatë bisedimeve do të bllokohet njohja e shtetit të Kosovës nga ana e shteteve të tjera në kontinente të ndryshme të botës. Ky bllokim ka qenë dhe është qëllimi i të gjitha iniciativave serbe, si iniciativës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë si dhe iniciativën për të rifilluar bisedimet, të cilat janë projektuar të fillojnë.
Dhe së fundi, subjektet politike në Kosovë, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës nuk mund ta ruajnë këto kohë atë komoditet politik që të zhvillojnë beteja politike të brendshme. Beteja politike për legjitimitetin ose jo të institucioneve, përfshirë dhe atë të presidentit, mund të vazhdojë më tej, por pas përfundimit të procesit të bisedimeve. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, pala shqiptare ka të drejtën morale, politike e juridike që të mos lëshojë asgjë nga ato që ka fituar me sakrifica të shumta dhe me ndihmën e SHBA-ve dhe NATO-s më 1999. Ajo nuk duhet të shkojë në bisedime, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë aty të pranishme si garante të së drejtës dhe legjitimitetit të shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj. Çdo lëshim në këto drejtime do ta demonizojë Serbinë jo vetëm në bisedimet e planifikluara, por dhe në planin politik e më gjerë në territorin e Kosovës. Bisedimet janë e duhet të jenë për ta nxjerrë Serbinë jashtë Kosovës dhe për të garantuar të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë, por jo sipas ëndrrave të Behgjet Pacollit për një shtet multietnik. Një Kosovë e banuar në mbi 90 për qind nga një popullsi homogjene kurrë nuk mund të jetë multietnike. Nëse do të ndodhte kjo në Kosovë, atëherë le të përgatiten edhe Franca, Anglia dhe Gjermania për tu shndërruar një ditë në shtete multietnike, sepse asnjë vend në botë nuk është 100 për qind etnikisht i pastër. Por kjo temë mbetet për tu trajtuar një herë tjetër.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top