Në Beograd, kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sanduloviq, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën i prezantoi dy dëshmitarët e përfshirë në komplotin e qeverisë së Serbisë kundër integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Opinionit serb, ambasadave të akredituara në Beograd, Shërbimeve Inteligjente të vendeve fqinje, komandës së KFOR-it, institucioneve europiane dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Partia Republikane e Serbisë ua prezantoi rrëfimet e snajperistit të Ushtrisë së Serbisë, Dejan Plavshiq dhe viktimës potenciale, policit të stacionuar në territorin e Republikës së Kosovës, Sasha Lukovac.
Dejan Plavshiq, nënoficer i Brigadës 63 Parashutiste të Serbisë, dëshmoi gjerë e gjatë rreth planeve kriminale për destabilizimin e rajonit, me theks të veçantë destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës. Duke elaboruar rrjedhën e ngjarjeve, Dejan Plavshiq konfirmoi se kishte marrë urdhër nga institucionet më të larta të shtetit serb, për likuidimin e policit të Serbisë të stacionuar në territorin e Kosovës, Sasha Lukovac.
I pranishëm në këtë konferencë për media ishte edhe vet viktima potenciale, e cila nuk mundi t’ i përmbajë lotët gjatë rrëfimit. Sasha Lukovac, duke shprehur falënderimin dhe admirimin e tij për vendimin e snajperistit Plavshiq që të mos e likuidonte ashtu siç i kishin kërkuar eprorët e BIA-s, qeverisë dhe presidencës së Serbisë, tha se nuk i frigohet urdhërdhënësve të vrasjes së tij. Në fjalën e tij, Sasha Lukovac disa herë ia tërhoqi vërejtjen presidentit aktual të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe institucioneve tjera relevante të këtij shteti, se kjo çështje nuk do të përfundojë sikurse vrasja e koordinuar e serbit Oliver Ivanoviq.
Organizatori i kësaj konference, Nikolla Sanduloviq, kryetar i partisë republikane të Serbisë, ndër të tjera tha:
“Vrasjet e serbëve në territorin e Kosovës është duke i organizuar BIA, Qeveria e Serbisë, Presidenti i Serbisë dhe institcionet tjera të këtij shteti të kapur nga kriminelët e veshur me petkun e politikanit. Shtroj pyetjen, se pse dhe me kend po bisedon pala shqiptare në Bruksel? Çka fshihet pas këtyre bisedimeve mes kriminelëve të luftës dhe cilët skenarë po përgatiten për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm të shqiptarëve dhe të serbëve?”
Njohësit e gjuhës serbe dhe institucionet e sigurisë në vendin tonë, i ftojmë ta ndjekin inçizimin filmik dhe ta analizojnë mesazhin e dërguar nga kjo konferencë në adresë të shqiptarëve.