Shkruan: Rexhep SHAHU
MIRËMËNGJEZ TË DASHUR DËGJUES. UNË JAM BILL FOXTON NGA ANGLIA
Shefin e zyrës së OSBE-së të Tropojës dhe të Kukësit, Bill Foxton, e takova në pikën kufitare të Qafë Prushit të rrethit të Hasit, paraditen e 3 qershorit 1998. Kishte ndodhur një incident në kufi, dhe një makinë e OSBE – së me monitorë niset nga Kukësi dhe një makinë nga Bajram Curri. Me makinën e zyrës së OSBE – së të Kukësit udhëtova deri në Qafë Prush të Hasit bashkë me Xhemil Shahun. Aty pashë Bill Foxton, që kishte ardhë nga Bajram Curri, se si u bërtiste policëve serbë që po polemizonin me policët shqiptarë. Më pas mësova se dikur kishte qenë ushtarak në vendin e tij. Ishte shefi i OSBE-së. Më mori në makinë për në Bajram Curr. Ishte anglez i vërtetë. Gjatë rrugës patëm rast të flisnim për shumëçka. Tregoi se si i kishte propozuar ambasadori i OSBE – së në Tiranë Dan Everts për të ardhë në punë në Bajram Curr.
Duke kërkuar për emrin Bajram Curr, gjeta 16 emra të tillë si Bajram Kurr, tregonte Billi. U entuziazmova kur shfaqte hapur simpatinë për shqiptarët. Janë barbarë serbët, pohoi ai. I pëlqeu kur i thashë se serbët duan t’i shfarosin shqiptarët për shkak të inferioritetit që ndjejnë para shqiptarëve. I tregova historinë e një serbi që kishte masakruar një familje shqiptare dhe që nuk rrinte dot i qetë në burg pasi kishte shpëtuar një djalë i mitur i familjes shqiptare pa u masakruar. U kërkoi leje autoriteteve serbe të delte nga burgu për pak ditë dhe u premtoi se do të kthehej në burg përsëri vetë. Autoritetet e burgut i dhanë leje se e dinin se do të kthehej pasi më i sigurtë se në burg nuk mund të ishte askund. Serbi doli nga burgu, shkoi dhe vrau edhe djalin foshnje të familjes shqiptare që kishte mundur të shpëtonte, dhe u rikthye në burg. Tani jam i qetë, deklaroi serbi. Tani mund të bëj burg. Tani nuk kam frikë pasi e shfarosa krejt atë familje shqiptare dhe nuk ka kush më vret më…
Bëhej i heshtur gur kur i tregoja për historitë e masakrave serbe mbi popullsinë civile shqiptare deri në fund të luftës së parë botërore. Por të gjitha sa i tregoja, ai nuk mund t’i kuptonte. Pasi ne nuk ia kemi bërë të njohura botës. Ndersa serbët i kanë treguar botës gjithshka dhe kanë bërë që të pavërtetat historike t’i shesin për të vërteta. Folëm gjatë për kishat serbe dhe të vërtetat rreth historisë së tyre. Këtu ra fjala për anglezin Neol Malcolm i cili kishte botuar një libër rreth historisë së Kosovës dhe që kishte bërë jehonë të madhë në opinionin e intersuar ndërkombëtar. Bill Foxton m’u lut që t’ia siguroja një kopje të këtij libri. Do t’ia jepja kur të vinte në Kukës. Gjatë rrugës për në Tropojë, Bill Foxton tregonte për skena tronditëse që kishte parë vetë gjatë ditëve që kishin nisur të vinin refugjatët në Tropojë. Tregonte se kishte parë me sytë e tij se si digjej Kosova prej forcave serbe, se si sulmonin trupat ushtarake serbe nëpër fshatrat shqiptare të Kosovës. Tregonte për stërmundimet e plagët e refugjatëve. Pohonte se kishte parë të kalonin kufirin mjaft shqiptarë të plagosur prej ushtarëve serbë. Të nesërmën në mëngjez, Bill Foxton më dha intervistën e mëposhtme për radio. –
Çfarë do të thotë Bill Foxton – përfaqësues i OSBE – së në Bajram Curr për sa po ndodh në veri të Shqipërisë dhe përgjatë kufirit Kosovë – Shqipëri ?
– Mirëmëngjez të dashur dëgjues! Unë jam Bill Foxton nga Anglia. Jam shef i zyrës së OSBE-së në qytetin e Bajram Currit. Unë dhe ekipi që kam këtu, jemi për të monitoruar kufirin që ndodhet në mes të Shqipërise dhe Kosovës. Përpara se të fillonte fluksi i madh i refugjatëve që vijnë nga Kosova në Shqipëri, ne, për ditë të tëra e kemi vëzhguar kufirin edhe nga pozicione që duket mire Kosova. Gjatë këtyre kohëve kemi parë plot aktivitete ushtarake në Kosove nga ushtria serbe, siç janë, p.sh. rrethime të fshatrave me ushtri, goditje të tyre me artileri të rëndë, me armatime të rënda, nga tanket, goditjet e fshatrave, djegje të shtepive. Sigurisht kjo është vene re për disa ditë më radhe. – Kemi mësuar se edhe ju bashkë me të tjeret keni ndihmuar shqiptarët që vijnë nga Kosova për të mbërritur në Tropojë. – Sigurisht që misioni i OSBE-së, i zyrës këtu në Bajram Curri, është që ne të monitorojmë kufirin. Por duke pas parasyshë situatën që u krijua ditët e fundit këtu, me valën e madhe të refugjatëve, ne, duke u ndodhë në këto kushte, jemi detyruar shpesh herë, duke parë gjendjen e rëndë të shumë njerzve, sidomos të fëmijëve të vegjel, të pleqve, të njerëzve të keqtrajtuar nga serbët, ne jemi detyruar që t’u japim ndihmën e shpejtë dhe njëkohësisht t’i marrim në makinen tonë dhe t’i dërgojmë aty ku ka qënë ndihma mjeksore më e shpejtë. – Çfarë do të veçonit nga skenat për të cilat po flisni, nga ato ndodhitë që tregove dje kur po udhëtonim… – Sigurisht që çdo njëri ka përshtypjet e veta përsonale, sidomos në situata të tilla që impresionojnë çdo kënd. Ajo që mua përsonalisht më bëri më shumë përshtypje është rruga që kishin zgjedhur njerëzit për të kaluar në Shqipëri. Sigurisht një rrugë shumë e vështirë. Duhej të ecnin mbi 10 orë në këmbë për ta kaluar kufirin. Edhe për njerëz të tillë për mosha të vjetra, për gra, femijë, pleq ishtë shumë shumë i vështirë kalimi. Më ka bërë shumë përshtypje, sa vështirë të më ndahet nga mendja ndonjëherë, një plak, mbi moshën 60 vjeç, i cili nga lodhja dhe stërmundimi, vdiq. Po kështu humbi jetën një vajzë dy vjeçare në duart e së ëmës, që duke kaluar nëpër këtë rrugë shumë të vështirë, e ëma kishte rënë poshtë në shkëmb dhe ishte plagosur, ndërsa vajza dy vjeçare që e mbante e ëma në duar, kishte vdekur gjatë rrokullisjes nëpër shkëmbinj. Edhe kjo ndodhi tek unë la një përshtypje shumë të madhe që veshtirë ta harroj në jeten time.
– Këtu, me sa shihet e ndjehet, Tropoja i ka hapur dyert e zemrat. U ka bërë një pritje të ngrohtë të ardhurve nga Kosova. – Sigurisht që këto njerëz që vijnë nga Kosova kanë gjetur një përkrahje, një ndihmë, një pritje shumë të ngrohtë. Se realisht këto njërez që vijnë nga Kosova nuk janë konsideruar nga populli i Tropojes si refugjatë por janë konsideruar si antarë të të njëjtes familje. Prandaj edhe ato pothuajse gjithçka e kanë gjetur gati, pritjen, bujarinë, dyer të hapura dhe e kanë ndier vehten si në shtëpinë e tyre. – Kujtoj se mund ta jepni një parashikim për çfarë do të ndodhë e çfarë do të bëhet më vonë. – Për mua është e vështirë të jap ndonjë parashikim se si mund të vazhdojnë ngjarjet. Misioni ynë është që ne të vëzhgojmë kufirin, të vëzhgojmë ardhjen e njerëzve dhe levizjën e refugjatëve, që ata ta ndjejnë veten të sigurtë. Dhe ne gjithnjë në bashkëpunim me të gjitha organizatat ndërkombëtare që janë këtu si, monitorët e komunitetit evropian, përfaqësuesit e UNHCR – së, të kryqit të kuq etj. Me qëllim që refugjatët menjëherë të orientohen, të kenë ndihmën mjeksore, ushqimore, në strehim dhe për gjithçka që ato kanë nevojë. – A të duket se ka kordinim të pushtetit lokal me organizatat e ndryshme që kanë ardhur në ndihmë këtu? – Sigurisht që bashkëpunimi në mes të pushtetit lokal, autoriteteve lokale dhe gjithë këtyre organizatave ndërkombëtare që kanë ardhur këtu kanë qënë në mënyrën më përfekte. Edhe sigurisht, për mua është e qartë që për pushtetin lokal, për autoritetet që kanë vepruar e po veprojnë këtu, ka qënë diçka e papritur. Nuk janë marrë ndonjëhere me punë të tilla, por megjithatë, unë mendoj që bashkëpunimi ka qënë shumë prefekt. Dhe njerëzve të ardhur nga Kosova ju kanë dhënë ndihmën e nevojshme, në momentin e duhur. – Për fund të kësaj bisede, çfarë do të thotë Bill Foxton ? – Sigurisht që unë falenderoj të gjithë ata që do ta ndjekin ketë bisedë. Falenderoj të gjithë shqiptarët. Në veçanti banorët e rrethit të Tropojës e të qytetit të Bajram Currit. Falenderoj për ndihmën dhe bashkëpunimin me ne dhe organizatat e tjera të huaja që ne ta kryejmë misionin si duhet. Falenderoj banorët e zonave të veriut të Shqipërisë për gadishmërinë e mikprtjen që po tregojnë. Uroj që kjo valë refugjatësh të ndalet, dhe në një të ardhme të shpejtë të ketë një kthim të tyre në tokat e tyre në Kosovë. – Po pjesës së shqiptarëve që janë në Kosovë, që dëgjojnë Radio Kukësin dhe Radio Tiranën që do ta emetojnë këtë bisedë, ç’farë do t’ju thoni ? – Sigurisht që duhet t’ju them të gjithë dëgjuesve shqiptarë të Radio Kukësit e të Radio Tiranës, gjithë shqiptarëve të Kosovës, që kjo pjesë e shqiptarëve që ka mbërritur në Shqipëri, në pjesën veriore të Shqipërisë, janë të mirëpritur nga familjet shqiptare dhe do të jenë nën kujdesin e pushtetit lokal, nën kujdesin e organizatave ndërkombëtare. Dhe ne do të jemi të gatshëm që edhe ndonjë pjesë tjetër që mund të vijnë, do të jenë nën kujdesin tonë dhe të pushtetit lokal këtu në veri të Shqipërisë. – Së fundi, uroj që OSBE-ja të rivendoset në Kosovë. – Sigurisht që ne do të deshironim shumë, që ekipe të OSBE-së të kishin mision në Kosovë, me qellim që edhe atje ta kryenim detyrën tonë. Shpresojmë qe në një të ardhme të afërt të lejohet OSBE – ja të rivendoset në Kosovë. 04.06.1998