BETEJAT KUNDËR KUJTESËS

SHKRUAR NGA NDUE UKAJ

Shoqëria jonë e brishtë, pa struktura intelektuale të forta, pa institucione të dijes në nivel, me një elitë të shkapërderdhur, po sfidohet me krizën e kujtesës së brezit të sotshëm

Jetojmë në epokën e ndryshimeve marramendëse teknologjike. Bota jonë, në të cilën para një kohë, idetë dhe lajmet qarkullonin me ngadalësi dhe kryesisht ishin privilegj i një elite të vogël, tanimë i ngjan një fshati global, në të cilën ato qarkullojnë me shpejtësi të pamatshme dhe janë pasuri e të gjithëve. Për të ardhur deri te informata, gjegjësisht te e “vërteta”, tanimë nuk kërkohet shumë kohë e mund: mjafton një aparat i vogël, një klikim dhe para ekranit tënd shfaqen dhjetëra tekste që flasin për personalitete, ngjarje historike, shkrimtarë, burrështetas -e çka jo tjetër. Kjo epokë, në të cilën kemi hyrë, ka përparësitë e veta, ashtu siç i ka edhe mangësitë. Kur flitet për mangësitë, atëherë e kemi parasysh faktin se gjithnjë e më pak ka njerëz të tillë që rrekën të kërkojnë të vërtetën nëpër libra, me ngulmime shkencore e fakte të verifikuara. Informatat e shpejta dhe të shkurtra, kanë filluar t’i zëvendësojnë librat, nëpërmjet të cilave janë formësuar të vërtetat dhe është iluminuar njeriu. Ndërkaq fushëveprimtaria e elitave është reduktuar dhe vendin e tyre synojnë ta zënë yryshaxhinjtë. Tanimë është bërë e rëndomtë që opinioni publik të mjaftohet vetëm me një informatë dhe aksh personi s’e çan kokën për të vërteta tjera, relevante. Kështu duken disa debate që zhvillohen tek ne, veçmas ato që rrekën të trajtojnë tema të ndjeshme që lidhem me kulturën, kujtesën dhe historinë.

Duke i analizuar këto ndryshime të shpejta dhe shpeshherë të pakontrolluara, shkrimtari Milan Kundera pohon se jemi në shekullin e proceseve. Mu për këtë arsye, sugjeron ky autor, duhet ta ushtrojmë kujtesën vazhdimisht, që e nesërmja të mos jetë bosh, pa trajtë dhe pa domethënie. Ka një kohë, prej kur në perëndim, filozofë e shkrimtarë, kanë filluar të brengosën me të drejt për krizën e kujtesë së brezit të sotshëm.

Sot, shkruhet shumë dhe bëhen analiza shumëdimensionale për botën e internetit, rolin dhe ndikimin e tij në formësimin e shoqërisë sonë bashkëkohore. Duke i parë mangësitë që shfaqen si rezultat i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, shumë të ditur kanë filluar t’iu bien kambanave të alarmit, tek flasin për krizën e kujtesës, rrënjët e së cilës, të shumtën e herëve kërkohen te shfaqja e internetit apo e qytetërimit të teknologjisë. Është shkrimtari Umberto Eco, një nga mendjet më të shquara të perëndimit, ai i cili te eseja “Kriza e kujtesës së brezit të sotshëm” e trajton mjaft bukur këtë plagë, nga e cila, sipas tij lëngon breznia e sotme. Eco, ngrehë dilema të makthshme, tek e sugjeron nipin e tij, të cilit ia drejton këtë ese, që të lexojë për çdo ditë diçka të re, një poezi, një rrëfim, ta kultivojë kujtesën dhe memorien. Eco e këshillon nipi- dhe nëpërmjet tij njerëzimit -se kujtesa është si çdo muskul, ndaj duhet ushtrohet, që të mos vdes. Ndryshe, pa pasur të kaluar, nuk ka as të ardhme- apo e ardhmja do t’i ngjet një gërmadhë, nga e cila s’dihet në mund të dilet a jo.

Eco ia kujton nipit të tij se “ne vijmë në jetë ndërkohë që shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vjetësh dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se ne të lindnim”. Kriza e kujtesës, për të cilën flitet në kulturën perëndimore dhe për të cilën flet Eco në këtë ese, është diçka tjetër në raport me atë çfarë ngjet me shoqërinë tonë. Jo pse ne s’ ballafaqohemi me këtë krizë, por sepse ne kemi edhe një krizë tjetër: betejën e hapur që po zhvillohet kundër kujtesës, nëpërmjet stigmatizimit të vazhdueshëm të historisë. Ka një kohë të gjatë prej kur ka filluar kjo betejë e organizuar kundër kujtesës, konotacioi i së cilës, në thelb, ka ndërrimin e perceptimit për historinë, figurat kombëtare dhe kësisoj, për gjithë kohezionin tonë civilizues të ndërtuar e konsoliduar me shumë peripeci. Kjo betejë, si e tillë, është drejtuar furishëm kundër figurave themelore të kombit, ndërsa shigjetat më thumbuese drejtohen kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeu.

Për mua, pak është e rëndësishme në janë shumë apo pak ata që qëndrojnë në këtë kamp dhe që e zhvillojnë këtë betejë. E rëndësishme është: ne të gjithë, me dashje apo pa të, po bëhemi pjesë e këtij ligjërimi dhe të kësaj beteje në thelb absurde. Po e tkurremi hapësirën tonë të komunikimit dhe po bëhemi preh e diskurseve të stisura, që për mision kanë betejën kundër kujtesës. Nga ajo që kemi parë, dëgjuar e lexuar gjer tani, mund të pohohet se këto debate të ashpra, po lëkundin ngrehinën tonë kulturore e identitare. Paqen me të kaluarën, në emër të së cilës jemi konsoliduar si shoqëri. Sado që peshoja gjithmonë shkon në favor të atyre që e kultivojnë kujtesën, e shohim sesi debatet e ndryshme për historinë, figurën e Gjergj Kastriotit, tolerancën fetare, po shndërrohen në pika tejet të ndjeshme divergjente, dhe kësisoj po e shastisin njeriun tonë. Mjafton dikush të pohon diçka nga temat e lartpërmendura dhe kampet pro e kundër armatosen e hedhin baltë.

Kjo betejë kundër kujtesës, ka në vete një tendencë të qarta e te afishuar: ajo është drejtuar kundër ndryshimit të historisë dhe synon ndërrimin e kursit të saj, në favor të qëllimeve të tjera që shfaqin grupe të caktuara për t’i ripozicionuar shqiptarët në kampin antiperëndimor. Nga përvoja empirike e dimë se kujtesa nuk është vetëm e kaluara, por është një mënyrë e të kuptuarit të së sotshmes, dhe sigurisht një pikënisje prej nga projektohet e nesërmja. Sepse, asnjë njeri s’mund të jetojë pa një tregim, pa një histori, pa një rrëfim. Për më tepër, kujtesa nuk është vetëm ajo e cila është e memorizuar në libra apo në traditën e përbashkët; ajo që gjallon nëpërmjet gjuhës sonë, por është një mënyrë esenciale e kuptuarit dhe të shpjeguar të krejt ekzistencës sonë. Është diçka pa të cilën s’mund të jetojmë. Është një muskul, siç pohon Eco, të cilin vazhdimisht duhet ta ushtrojmë, që të mos fashitet e të mos transformohet në diçka pa trajtë.

Në gjitha kohërat, kujtesa dhe e kaluara kanë ushtruar ndikim të pamatshëm në formimin e identitetit të individit dhe të shoqërisë. Ndaj, është e pamundur të shkëputemi plotësisht nga përmasa e ndikimit të saj, madje edhe po deshëm, sepse ajo na ndjek si hija. Nëse tentojmë t’ia mbyllim derën, na hynë nga dritarja. Sepse është diçka pa të cilën nuk mund të jetohet dhe ndërlidhet me vetë ekzistenca tonë, me identitetin tonë. Debatet e shumta ndër ne, që ndërlidhen me kujtesën, janë një dëshmi se kemi harruar maksimën e mirënjohur: një popull që s’e njeh të djeshëm, ai s’ka të nesërme. Tendenca për ta relativizuar historinë dhe për të hedhur poshtë çdo gjë, është shoqëruar me shumë zhurmë, debate të pakëndshme, përplasje e vulgaritet që nganjëherë na ka bërë të turpërohemi. Të shtangemi dhe të përbetohemi se ne nuk jemi këta. Thirrja e vazhdueshme që bëhet nga disa grupe të caktuara të shoqërisë sonë, për të ikur nga kujtesa, është lojë tejet e rrezikshme. Unë besoj thellësisht se kjo është e predestinuar të mos ketë sukses, për faktin se përvoja dëfton një gjë tjetër: betejat me kujtesën janë të humbura. E në favor të këtij argumenti, ka dëshmi universale e kombëtare.

Të kujtojmë vetëm pushtimet e gjata dhe të dhunshme mbi tokat shqiptare dhe përpjekjet e pareshtura që u bënë për t’iu shuar shqiptarëve kujtesën. Përkundër këtyre tendencave, ajo s’ u transformua. Përpjekjet për të prishur kohezionin civilizues, sa do të forta të jenë e çfarëdo ngjyre që të kenë, nuk mund t’ia dalin mban në synimin utopik për të ndërtuar njeriun e ri, duke ia mohuar të shkuarën dhe kujtesën. Si të tilla, këto tendenca do të dështojnë, sepse po e përsërisim, betejat me kujtesën janë të humbura. Shoqëria jonë e brishtë, pa struktura intelektuale të forta, pa institucione të dijes në nivel, me një elitë të shkapërderdhur, po sfidohet me krizën e kujtesës së brezit të sotshëm, për të cilën flet Umberto Eco. E kjo krizë, te ne shfaqet ne dy plane: formësimi të vërtetave publike që kanë të bëjnë me kujtesën, mbi informata të paverifikuara, të cekëta, të njëanshme dhe tendencioze; dhe tjetra, beteja me mohuesit, ata që s’reshtin së kërkuari një truall të ri për të mbjellë helm kundër kujtesës. Në të dyja rastet, na duhen këshillat e urta, ashtu siç na duhet kohezioni i konsoliduar me mund e sakrificë. Për ta mposhtur të keqen që po vërsulet hovshëm kundër nesh.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top