BESIANA KADARE INJORON KEQ NË NJU JORK AMBASADOREN E KOSOVËS TEUTA SAHATQINË

Ka qenë konferenca “Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrenjve në Shqipëri gjatë holokaustit”, arsyeja e ngritjes së “tensioneve” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për shkak se ambasadorja e Shqipërisë në këtë institucion ndërkombëtar, Besiana Kadare, ka injoruar konsullen e përgjithshme të Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, duke mos e lejuar atë të flasë, dhe për të treguar se edhe shqiptarët në Kosovë kanë strehuar dhe ndihmuar shumë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të pranishëm ishin shumë ambasadorë të shteteve të ndryshme si dhe personalitete të rëndësishme të komunitetit hebre në ShBA. Hiq më pak se 17 pjesëmarrës në këtë konferencë kanë folur për shpëtimin e hebrenjve, të cilët janë strehuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet tjera shqiptare, por që ambasadores Sahatqija ju mohua fjalimi saj në këtë ngjarje.

Sahatqija ishte e ulur në rreshtin e tretë të pjesëmarrësve, pas diplomatëve të rangut të ambasadorëve, pikërisht tek pjesa e qytetarëve.

Ambasadorja Sahatqija, ka tentuar disa herë në këtë konferencë ta bëjë të paktën një pyetje, për pjesën e kohës që ishte dedikuar vetëm për pyetje nga audienca, por, edhe kjo i është mohuar.

“Pasi që ambasadorja Kadare, ka përcaktuar se kush flet, kam tentuar disa herë të paktën ka bëjë një pyetje, kur e kam ngritur dorën të kërkoj fjalën, për një pyetje, por edhe kjo më është mohuar’, theksoi Sahatqija.

Për këtë arsye, ambasadorja e Kosovës në Nju Jork ka braktisur konferencën, duke thënë se i vjen keq që organizatorët nuk ia dhanë fjalën në konferencë.

Kjo sjellje e ambasadores Kadare, ka irrituar komunitetin shqiptaro-amerikan, të cilët ishin të pranishëm.

Cafo Boga, biznesmen dhe financier, dhe anëtar i respektuar në komunitetin shqiptar, kontribuues dhe filantrop i dalluar për kulturë, në shenjë pakënaqësie të mos dhënies së fjalës nga ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, tha se po e sheh ambasadoren e Republikës së Kosovës, Teuta Sahatqija,në rresht me të, edhe pse ajo do duhej të ishte në panel, e të flet për Kosovën, se si ky shtet ka ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shpëtimi i hebrenjve ishte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, pra i shpëtuam si komb që jemi. Më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Të njëjtat histori të shpëtimit të hebrenjve nga kombi shqiptar kanë ndodhur edhe në Kosovë, Mal të Zi, dhe në vendet tjera ku kanë jetuar shqiptarët. Dhe më duket se aktet e tyre po harrohen nëse ne fokusohemi vetëm te Shqipëria”, tha Boga.

Ai tha për Telegrafin, se për këtë arsye, ambasadorja e Kosovës duhet të ishte lejuar të fliste në këtë forum, dhe se mënyra se si hebrenjtë u trajtuan nga shqiptarët është mënyra shqiptare e mikpritjes.

Por, pse iu mohua fjalimi në këtë takim, ambasadorja Teuta Sahatqiu, shefe e Misionit të Kosovës në New York, tha për Telegrafin, se nuk e di arsyen, edhe pse ka kërkuar të jetë në panel.

“Ende nuk e di pse më është mohuar fjalimi im në këtë konferencë . Kam kërkuar të jem në panel, por nuk u bë, pastaj kërkova të kem fjalën time si mysafire, por as kjo nuk mu lejua”, tha Sahatqija, duke shtuar se gjatë konferencës iu dha fjala disa diplomatëve të tjerë, por jo edhe asaj.

Ndërkaq, ambasadorja e Shqipërisënë OKB, Besiana Kadare, pati thënë në konferencë , se “jam krenare sot që nderoj trashëgiminë e popullit shqiptar dhe që jam pjesë e një kombi, i cili qëndroi në anën e drejtë të historisë, në kohën e duhur dhe mori vendimin e drejtë”.

Kadare nuk përmendi edhe kontributin e Kosovës për të shpëtuar dhe strehuar hebrenjtë.

Në këtë konferencë i pranishëm ka qenë edhe shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, i cili bashkë me Joseph DioGuardi, një mik i shqiptarë ve të Kosovës, kanë kërkuar njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Këshilltari Gjonaj kishte folur për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se të dy popujt kanë pasur një histori të ngjashme.

Ndërkaq, Joseph DioGuardi, ka kritikuar ambasadoren e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, e cila në fjalimin e saj fare nuk e përmendi Kosovën, shtet ky që ka shpëtuar shumë hebrenj gjatë luftës së Dytë Botërore.

Për shpëtimin dhe strehimin e hebrenjve nga populli i Kosovës, kishte folur edhe kongresisti Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Megjithëkëtë, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, përmes një mesazhi në rrjetin social “Twitter”, ka falënderuar të pranishmit në konferencë, duke përfshirë edhe shefen e Misionit të Kosovës në New York, Teuta Sahatqija.

Por, pavarësisht mesazhit të saj në “Twitter”, raporti mes tyre në konferencë nuk ka qenë pozitiv. Kurse, ambasadorja e Kosovës në New York, Sahatqija, nuk e ka pasqyruar në asnjë moment në rrjetet sociale praninë e saj në konferencën e organizuar nga shteti shqiptar.

Derisa për ambasadoren Sahatqija, ende mbetet e paqartë një veprim i tillë i ambasadores së Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, në anën tjetër, me gjithë insistimin, për të marrë një qëndrim të ambasadores së Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare kjo ka qenë e pamundur, pasi për katër ditë rresht, ajo nuk i është përgjigjur kërkesës në fjalë, as përmes telefonit dhe as përmes email adresës së saj.

TELEGRAFI

1 komente te “BESIANA KADARE INJORON KEQ NË NJU JORK AMBASADOREN E KOSOVËS TEUTA SAHATQINË

  1. Zonja Kadare e bija e shkrimtarit Gjirokastrite
    Duket qarte antipatia per KOSOVEN
    Prape turpi bietek komunistet
    Te cilet me politikat e tyne duan te perqajne dhe te keqesojne marredheniet Mes shqipetareve

Lini një Përgjigje te Rizan Nerguti Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.