Bekim Lumi, faleminderit dhe na fal

Emocione, trishtim dhe lot në sy në publikun e teatrit Heppel & Hettlich në Munih, në takimin e organizuar për nder të regjisorit të madh të teatrit në Kosovë, tashmë të ndjerit Bekim Lumi.

Në një njoftim për manifestimin, ndër të tjera thuhet:

“Bekim Lumi është gjallë, kur bota perëndimore dëshiron të mësojë për një vend të ngritur nga hiri i luftës – Kosova. Sepse, Bekim Lumi ishte dhe është një kapitull i rëndësishëm i historisë moderne të artit”.

Një nga organizatorët e takimit, Hawre Zangana, ka analizuar idenë e Bekim Lumit, të trupës së shfaqjes “Arturo Ui”, që performuan sikur regjisori i tyre i vdekur është gjallë, duke e sjellë në skenë arkivolin.

“Pas shfaqjes, aktorët dhe audienca e shoqëruan atë në udhëtimin e tij të fundit në panteon e artistëve të pavdekshëm”, thuhet në njoftim. Sipas Zanganas, kjo është diçka që tejkalon edhe Teorinë e Heterotopisë të filozofit Michel Foucault.

Mbesa e tij kujton momentin e fundit që ndau me dajën e saj. Ishte një udhëtim në male. Papritmas, ai pa një vaskë të braktisur që e kishte impresionuar. Pas pak, ajo pa të njëjtën vaskë në skenë (“Arturo Ui”)! Ishte frymëzimi i punës së tij të ardhshme. Pra, ajo e kuptoi se tërë jeta e Bekim Lumit ishte teatër. “Ai ishte tërësisht i përkushtuar në teatër; ky ishte tempulli dhe shtëpia e tij”, tha ajo.

Mbesa, trupa teatrore dhe shumë të tjerë që e kanë njohur, e kanë admiruar dhe dashur, ishin pjesë e këtij takimi. Aty ishte edhe nëna e tij, një figurë e ngjashme me protagonistet e tragjedive të lashta greke.

“Edhe pse është një ngjarje e trishtë, si rekuiem, është një rast të mblidhemi dhe t’i japim nderime një njeriu të veçantë që u zbulua dhe u njoh nga audienca gjermane nga Sabine Bohlau. Arti dhe Kosova ishin në zemrën e saj të madhe. Edhe sot ajo nuk e kupton se pse Bekim Lumi ka vuajtur aq keq nga dhembjet e sëmundjes”, thuhet një njoftim për të përfunduar me këtë fjali:

“Bekim, nëse na sheh lart, faleminderit për atë që na dhe e na fal që ishim të vegjël për të njohur madhështinë tënde”.

 

https://www.youtube.com/watch?v=5_s63cWb0tw

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top