BE HIPOKRITE ME SHQIPËRINË, NEGOCIATAT S’I PENGON BULLGARIA

Në një intervistë për ABC, eurodeputeti bullgar, Andrey Kovatchev, që është zëvendëskryetar i grupimit të partive popullore europiane në Parlamentin Europian shpjegon, se problemi i vërtetë i ngërçit nuk është identiteti dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut, por diskriminimi që i bëhet bullgarëve të Maqedonisë së Veriut, duke mos i integruar në administratën shtetërore dhe qeverisje, duke i trajtuar si tradhtarë, apo bashkëpunëtorë të fashizmit. Kovatchev e quan krejtësisht të papranueshme dhe hipokrite faktin, që disa shtete anëtare fshihen pas ngërçit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mos hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

INTERVISTA E PLOTE

Pyetje 1: Sipas një non-paper të kohëve të fundit, Bullgarisë do t’i jepen garanci për njohjen e kontekstit historik të origjinës bullgare të qytetarëve të saj pa përjashtim. Bullgarët do të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si pjesë e popullit bullgar, me të drejta si të gjitha pakicat e tjera dhe shoqatat bullgare, që punojnë mbi aspektet e tyre të historisë dhe gjuhës do të garantohen me kushtetutë. Çfarë mendoni për këtë propozim?

Nuk ka diskutime mbi këtë non-paper dhe nuk ka garanci që asnjë nga elementet që përfshihen aty do të zbatohen. Pra, as që mund ta diskutojmë këtë. Fatkeqësisht, besimi ka humbur. Fatkeqësisht, elita vazhdon të jetë e lidhur me idelogjinë komuniste. Elita politike, akademike, fatkeqësisht edhe disa gazetarë në Shkup vazhdojnë të përdorin të njëtën narrativë mbi fashizmin: “Maqedonia e Veriut është një shtet antifashist. Që do të thotë : “Ne na duhet të identifikojmë armiqtë dhe armiqtë janë Bullgarët fashistë. Ky është boshti ynë dhe ne nuk mund të heqim dorë prej tij, pasi përndryshe ne do të zhdukemi”. Kjo s’është e vërtetë. Ka një propagandë nga Shkupi që tentohet të përhapet në Bashkimin Europian dhe SHBA-të, që ne bullgarët kemi një problem me identitetin aktual dhe gjuhën e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk qëndron. Unë e kam thënë shumë herë në media. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të identifikojnë veten e tyre si Maqedonas dhe mund të jenë krenarë për këtë dhe gjuhën e tyre maqedonase. Kjo është një e drejtë bazë e përfshirë në të drejtat universale të njeriut. Por e njëjta gjë vlen për të gjithë ata persona që kanë vdekur dhe ata që jetojnë sot, që do të dëshironin të deklarojnë hapur që janë bullgarë. Ata nuk duhet të frikësohen se do të hiqen nga puna, nëse ata deklarojnë identitetin e tyre, nuk duhet të frikësohen që po të aplikojnë për vende pune, nuk do pranohen dhe do të trajtohen si tradhtarë, bugarash, ose bugarofill, ose si bashkëpunëtor të fashistëve. Kjo është kaq e shëmtuar, shumë e shëmtuar. Do ju jap shembullin e djaloshit të shkretë, që ishte kandidat për konkursin e Eurovizionit dhe që vetëm tha që kishte edhe pasaportë bullgare dhe gjyshja ishte me një origjinë bullgare. Ai është kërcënuar me vdekje dhe televizioni kombëtar krijoi një komitet për të vendosur nëse ai do të ishte mirë që ai të shkonte në Eurovizion. Ne kemi rreth 120.000-130.000 qytetarë me nënshtetësi bullgare, që me dokumentacion kanë provuar se kanë origjinë bullgare, sipas të cilës gjyshet ose gjyshërit janë prej Vardarit apo Maqedonisë së Egjeut. Këta persona frikësohen nga fakti që nënshtetësia e tyre bullgare do bëhet publike.

Pyetje 2: A shihni një mundësi për zgjidhjen e këtij ngërçi brenda presidencës sllovene, para fundit të vitit?

Çdo gjë varet nga Maqedonia e Veriut, nga liderët politikë.

Nënpyetje 2: S’keni asnjë sinjal nga Sofja, pala bullgare?

Çfarë sinjali? Ne thamë që traktati i bashkëpunimit që është nënshkruar midis dy palëve, që është shumë i moderuar mbi historinë tonë të përbashkët nuk respektohet dhe ky traktat nuk është i detajuar si traktati i Prespës. Eshtë gjithashtu jo e ndershme nga Bashkimi Europian, që Shqipëria po vuan për shkak të kësaj. Shqipëria mund të fillojë negociatat e anëtarësimit, sepse aktualisht të gjitha shtetet anëtare mbështesin hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Mali i Zi filloi i vetëm negociatat e anëtarësimit, Serbia po ashtu. Pra, nuk ka shpjegim llogjik pse Shqipëria nuk mund të fillojë negociatat nëse vendi është gati. Por këtu shihni hipokrizinë e disa shteteve anëtare që keqpërdorin ose e përdorin si pretekst situatën në Maqedoninê e Veriut për të mos fillluar negociatat me Shqipërinë. Kjo është hipokrizi e madhe e disa shteteve të BE-së. Pra Shqipëria mund të nisë negociatat në çdo moment, ashtu si Maqedonia e Veriut, vetëm se kjo e fundit duhet të zbatojë konkluzionet e vendimit të marsit 2020. Rezultate të prekshme dhe zbatimin e traktatit të fqinjësisë. Deri tani, kemi parë që i ashtuquajturi komisioni akademik që është ngritur nuk funksionon. Akademikët historikë po bëhen politikanë, po flasin me gjuhën e politikanëve, dhe janë të frikësuar të pranojnë faktet historike nga mesjeta apo shekullin e 19 dhe 20. Këtu bëhet fjalë për diskriminim dhe jo respektim të kritereve të Kopenhagës që lidhen me të drejtat bazë të njeriut. Nuk mund të jesh i frikësuar sepse deklarohesh bullgar. Ju keni të drejtë kur citoni kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, sepse aty duhet të jepen garanci, që komuniteti bullgar, pjesë e qytetarëve bullgarë, të mos frikësohen dhe diskriminohen, të mos trajtohen si tradhtarë, apo fashistë, apo tartarë dhe nuk duhet të kërcënohen me vdekje. Nuk e kuptojmë pse duhet të ndodhi kështu pas 30 vjetësh, kur ne kemi njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, kemi dërguar armë nëse do të kishte një sulm nga Millosheviçi, ndihmuam gjatë embargos së Jugosllavisë me naftê dhe produkte, në 2001 ne kemi mbështetur sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit dhe japim mbështetje për integrimin euroatlantik. Ne duam që vëllai ynë të jetë sa më shpejt të jetë e mundur pjesë e Bashkimit Europian.

Pyetje 3: Ju thatë që ka disa shtete anëtare me një qasje hipokrite për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por këto shtete, konsiderojnë që nuk do ishte e ndershme të ecej përpara vetëm me Shqipërinë, kur Maqedonia e Veriut ishte më e avancuar pas vendimit të 25 marsit 2020 dhe parimisht s’kishte pengesa, ndërkohë që Shqipëria duhet të plotësonte 6 parakushte, që i plotësoi para verës së këtij viti?

Po, kjo është e vërtetë. Shqipëria gjithashtu duhet të plotësojë disa kritere. Këto kritere u hartuan fillimisht nga Bundestagu dhe disa shtete të tjera të Bashkimit Europian. Kjo mbetet për të gjykuar. Por, siç e kam kuptuar unë, të gjitha shtetet anëtare janë gati të fillojnë negociatat e anëtarësimit edhe me Shqipërinë. I vetmi pretekst që ato po përdorin, është që Shkupi dhe Sofja nuk janë gati me një zgjidhje. Atëherë pse trajtimi veç e veç i dy shteteve nuk është e mundur kur ata thonë që Shqipëria është gati? Më kuptoni drejt, unë nuk po gjykoj, nëse Shqipëria është gati me lirinë e shtypit, me reformën e drejtësie, me procesin e Vettingut dhe të tjera. Ka shumë çështje. Por, zyrtarisht, shtetet anëtare thonë që ju (Shqipëria) jeni gati, por na falni, se nuk i hapim dot negociatat për shkak të Bullgarëve. Kjo është krejtësisht hipokrite dhe nuk mund kurrsesi ta pranoj. Nuk mund të thuash: Jeni gati, por nuk mund të fillojmë për shkak të Bullgarisë. Së dyti, ne duam të shohim jo një non-paper, por një udhërrëfyes të dakortësuar nga të dyja palët në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me garancitë e nevojshme.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top