BASHKIMI KOMBETAR QE NUK E DUAN QEVERITE

SHKRUAN REXHEP SHAHU

Ne nuk e bëmë, nuk e kemi, e nuk do ta kemi për shumë mote një abetare të përbashkët, ama një të vetme, për Shqipërinë e Kosovën e pjesën shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë. Se nuk duam ta kemi. Nuk deshtën institucionet dje, nuk duan sot e nuk do të duan nesër. Se nuk e kanë mission, qëllim, nuk e ndjejnë detyrë të panegocueshme. Edhe pse shqiptarët deshtën e duan. Por para se me qenë dëshirë shqiptarësh, është mision elitash. Por a e kanë patur dhe e kanë në dorë shqiptarët këtë gjë?! Ndoshta edhe sepse germa e parë e abetares shqipe është leku, paraja, tenderi, fitimi dhe duhen bërë disa lloje abetaresh për një katund shqiptarësh që të fitojnë lekë disa abetarebërës, tekstebërës për shkolla.

Nuk e bëmë, nuk e kemi e nuk do ta kemi gjatë një tekst historie, një tekst gjeografie. Do të vazhdojmë të mësojmë historitë e fiseve të vdekura të Afrikës dhe skutat e fshehta të vendeve të paemër por jo historinë e gjeografinë e hapsirës shqiptare. Jo. Se edhe pse mund të duan shqiptarët, nuk është në dorë të shqiptarëve kjo punë. Se të kallin shiegjatat e internacionalistëve dhe të akuzojnë si nacionalist, si démodé, si armik, si luftënxitës e bla, bla, bla. Siç nuk është plotësisht në dorë të shqiptarëve edhe puna e Akademive tona të shkencave. Pastaj edhe historia e gjeografia është tendër, pazar hesapi. Disa lloje librash historie për një klasë, disa lloje gjeografish për një klase, sikur hapsira shqiptare të ishte sa dy herë Amerika. Kanë të drejte tekstbërësit se nuk fitohen ndryshe paratë nga dhënësit e fondeve e përfituesit.
Bashkimi kombëtar në trutë tona nuk ka nevojë për tekste të përbashkëta dhe të unifikuara, ai ka nevojë për shou, për mbledhje, për fonde patriotike dallaverishte.

Nëse do të bëhet nga televizionet tona një edicion i përbashkët lajmesh dhe të jepen lajme njëlloj si për Sarandën, si për Gjilanin apo Mitrovicën;

Nëse nuk do të thuhet e shkruhet më “Lajme nga Kosova”, apo “Lajme nga Rajoni” e ku jepen lajme për Kosovën;
Nëse edhe me këtë gjeografi lajmesh Parlament-Qeveri-Presidence-Parti opozitare, do të jepeshin të dy vendet tona Kosovë e Shqipëri;

Nëse për një aksident në një fshat të Shqipërisë të jepet edhe numri i këmbës i të aksidentuarit dhe për një aksident në një fshat të Kosovës të thuhet thjeshtë, një aksident ka ndodhur në Kosovë, sikur Kosova është thjeshtë vetëm një fshat;

Nëse do të botohet një gazetë kombëtare dhe të dalë në treg njëkohësisht në Tiranë e Prishtinë, në Ulqin e Shkup e Tetovë dhe të mos ketë ndarje Nga Vendi, Nga Kosova apo Rajoni por çdo cep i hapsirës shqiptare të konsiderohet i njejtë;

Nëse bëjmë një festival apo 100 por nuk themi këngëtarë nga Kosova apo trojet shqiptare, por thjeshtë festival shqiptar me këngëtar nga Peja, Kumanova, Ohri, Mitroviva, Plava, Ulqini, siç thuhet për këngëtarët e qyteteve apo katundeve të Shqipërisë e u përmendet qyteti nga janë;
Nëse bëjmë një platformë të përbashkët të Akademive të Shkencve ku as me pare as me dajre nuk lindin më shkencëtarë të rinj se të vjetrit s’lënë të afrohet askush aty pari edhe pse ka shkencëtarë të rinj mjaft të zotët;

Nëse në tekstet shkollore nuk hyjnë poetë e shkrimtarë të rinj meritorë jo të partive e të preferuarit e grave të partive dhe nëse gardhi nuk kapërcehet veç me mik a me pare, pa i ndarë autorët në shqiptarë, kosovarë dhe pa I quajtë malazezë apo maqedonë shqiptarët e atjeshëm;

Nëse nuk bëhet me plan shtetëror që me anë të eskursioneve që paguajnë vetë familjet shqiptare kudo, të njihet plotësisht Kosova nga nxënësit e Shqipërisë, siç e bëjnë në të shumtën e rasteve nxënësit e Kosovës;

Nëse tekstet e lëndës së gjuhës shqipe nga klasa e parë fillore deri në klasën e 9 nuk do të jenë të njejtë, një tekst për çdo vit shkollor për gjithë paralelet e hapsirës shqiptare;

Nëse gazetat e Kosovës nuk vijne as në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë e të Tiranës nuk shkojnë as në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Ulqin;

Nëse ministritë e kulturës nuk do të botojnë librat e autorëve më seriozë dhe ti shpërndajnë në gjithë bibliotekat e shkollave të mesme, së paku, në gjithë hapsirën shqiptare;

Nëse, nëse…
Ka edhe shumë e shumë nëse të tjera.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top